Të rinjtë e Tiranës, si dhe të qyteteve me të mëdha në Shqipëri, konsiderohen si grupet më të mëdha të përdorimit të drogës.

Alban Ylli, drejtori i Shëndetit Publik, thotë se rreth 6-7% e të rinjve, përdorin drogë duke filluar nga më të lehtat, si tymosja e hashashit, e deri te kokaina, heroina, me injeksione. Por përveç të rinjve, në grupet e riskut futen dhe ata që kanë sëmundje seksualisht të transmetueshme si HIV/AIDS.

"7-9 për qind e të rinjve të shkollave të mesme janë ekspozuar ndaj drogave në mjediset shkollore ose rreth tyre. Pra, u është ofruar përdorimi i një droge pranë mjedisit të shkollës, çka do të thotë qe trafikantët e drogës, funksionojnë tashmë kudo, edhe pranë shkollave", tha Ylli.

Sa i përket grupmoshave, ato janë nga më të ndryshme, duke përfshirë këtu dhe moshat e mesme, por ndërkohë nuk mund të përjashtohen edhe të moshuarit, thotë drejtori i ISHP-së. /Alsat/