Është i treti vit që Ambasada e Spanjës në Tiranë organizon konkursin për tregimin e shkurtër dhe që mban emrin "Don Kishoti i Mançës". Në njoftim për shtyp, Ambasada njofton se konkursi është i hapur për gjithë qytetarët shqiptarë mbi 16 vjeç.

Pjesëmarrësit duhet të paraqesin vetëm një punim për autor. Veprat e paraqitura duhet të jenë origjinale dhe të pabotuara, të jenë të shkruara në shqip dhe të mos kenë qenë të vlerësuara në asnjë konkurs tjetër. Tema e këtij viti quhet "Europa", por punimet duhet të jenë të inspiruara ose t'i referohen Spanjës. Të gjitha aspektet e tjera të veprës i lihen kritereve të autorit.

Juria do t'i japë një çmim tregimit më të mirë ndër të gjitha punimet e paraqitura, çmim me vlerë 100 €. Faza e pranimit është deri më 18 prill 2010. Rezultati i konkursit do të bëhet publik me 23 prill, që përkon edhe me Ditën e Librit (Përvjetori i Vdekjes së Migel de Cervantes).
Ambasada rezervon të drejtën e një publikimi të parë, jo komercial, të punës së vlerësuar me çmim si dhe të finalistëve.


Marrë nga Shekulli i datës 18/3/2010