Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Një shëmbull i madh

    Një shembull i madh



    12/03/2010 - 09:00



    • Isuf KALO

    Atë e thërrisnim të gjithë në emër. Joe. Sepse kështu donte vetë. Ndjehej jo konfortabël po t’i drejtoheshim me zoti drejtor, drejtor apo Dr. Asvall. Ndërkohë ishte drejtuesi ynë. Qe për 15 vjet rresht i zgjedhur nga ministrat e shëndetësisë të vendeve anëtare të udhëhiqte OBSH në Evropë. Ish lindur dhe edukuar në Norvegji. Fizikisht dukej si kopja e aktorit të famshëm Pol Newman. I njëjti shtat, të njëjta flokë, e njëjta fisnikëri në linjat e fytyrës dhe kokës. E njëjta buzëqeshje. E pa rezistueshme që përbuzte autoritarizmin. Brenda saj kish disa tinguj të çiltër, të qeshur nga ata që kanë vetëm fëmijët. Buzëqeshja e tij përmbante një enzimë çudibërëse, që shkrinte jo vetëm barrierat në komunikimin njerëzor, por edhe të gjitha pengesat, nyjet, ngërçet ku ngecin e plekseshin aq shpesh zgjidhjet e problemeve të vështira të shëndetësisë. Jo ai ishte katalizator, nxitës, përshpejtues i proceseve të punës pa i sforcuar, pa ju kundërvënë. Ai ishte ithtar i aksionit, i të mundshmes, i pozitives ndaj çdo sfide. Jo nuk ishte thjesht i mirë. Ishte mirësia vetë. Nuk ishte thjesht i zoti, kompetent. Ishte zotësia vetë, modestia vetë.
    Mendja, zemra, edukata, dituria e virtyti tek ai qenë bërë bashkë dhe i ndër vepronin në çdo rrethanë të pandara. Por pak ditë më parë, më 10 shkurt 2010, kjo krijesë jo e zakontë u shua. Shëndetësia evropiane humbi kështu një kampion. Humbi një profesionist me ekspertizë dhe eksperiencë shumë dimensionale ekzemplare. Por fitoi një shembull. Një shembull të madh. Dhe jo vetëm shëndetësia…
    Një jetë jo e zakontë
    Xho Asvall lindi në vitin 1931 dhe u diplomua në mjekësi në vitin 1956 në vendlindjen e tij. Por që në moshën 28-vjeçare, ai do bëhej “kalorës i madh” kozmopolit i saj. Pasioni për zgjidhjen e çështjeve urgjente dhe atyre me dimensione të mëdha do e vinte në krye të fushatës globale, që OBSH ndërmori në kontinentin Afrikan kundra Malaries. Djaloshi nordik pasardhës i Vikingëve të lashtë do bëhej i njohur nga bashkësia në Togo e Dahjomej. Më pas kur vendi i tij filloi të mendojë si të përballej me të keqen, gjithnjë e më kërcënuese të shekullit tonë, siç është sëmundja e kancerit, ai do bëhej eksperti kryesor i Ministrisë së Shëndetësisë të Norvegjisë për hartimin e një strategjie kombëtare në onkologji, për frenimin e kësaj mynxyre të shekullit. Për 5 vjet rresht, më pas Xho do drejtonte departamentin në Ministrinë e Çështjeve Sociale, që hartoi një politikë të re kombëtare shëndetësore të vendit të tij.
    Vizionet reformuese, energjia e kreativiteti i tij jo i zakontë nuk mund të mos tërhiqnin vëmendjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Norvegjia qe mjaft e vogël për hapësirat dhe vizionet e gjëra që ai gjeneronte. OBSH e thirri Dr. Asvall-in të bëhej së pari drejtor i programeve të saj dhe më pas deri kur ai doli në pension, në vitin 2000, si drejtor i OBSH për gjithë Evropën.
    Xho solli në OBSH-n e Evropës jo vetëm një stil modern horizontal menaxhimi, por edhe një frymë dhe ritëm të ri. Programi madhështor “Shëndet për të Gjithë” “Shëndet nga të gjithë” ishte risi jo vetëm për vlerat etike të solidaritetit, barazisë dhe cilësisë, që e udhëhiqnin, por edhe për objektivat konkrete të matshme në rezultate të pritshme. Dr. Asvall ishte ithtar i metrikës. Ai insistonte që programet të ishin jo listë dëshirash në letër, por plane konkrete veprimi me synime të qarta të matshme, të monitorizueshme. Nga to duhet të nxirreshin mësime dhe të jepej sistematikisht llogari publike. Një sistem i ri informacioni i kompjuterizuar u krijua me nxitjen e tij në OBSH, që mblidhte dhe krahasonte të dhënat e performancës së shëndetësisë nga të gjitha vendet anëtare të Evropës në bazë indikatorësh dhe sistemi matës të përbashkët.
    Vitet ‘90 me ndryshimet rrënjësore social-ekonomike që pasuan rënien e murit të Berlinit, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, e Jugosllavisë e Çekosllovakisë, etj, sollën jo vetëm një numër të madh anëtarësh nga vendet e reja të pavarura në OBSH, por krijuan njëkohësisht për OBSH sfidën e reformimit e modernizimit të sistemeve shëndetësore të vendeve ish-lindore.
    Vitaliteti i Dr. Asvall-it qe vendimtar për shtrirjen e prezencës së OBSH-s lokalisht në këto vende dhe mbështetjen e tyre në transformimin e sistemeve shëndetësore në rrethanat e tranzicionit. Ndërkohë krijimi i Observatoriumit ishte një novacion i tij, që mundësoi mbledhjen e nektarit shkencor në shëndetësi dhe shndërrimin e OBSH-s në rezervuar informacioni kërkimor-shkencor për vendet anëtare të Evropës.
    Një model i ri
    Dr. Asvall dhe e shoqja e tij dinamike, e mjaft kreative Dr. Kirsten Steahr Johansen, drejtuese e programit të Cilësisë dhe Teknologjisë Shëndetësore në OBSH-n e Kopenhagës, inspiruan në fillimin e viteve ‘90 një nga iniciativat më të suksesshme në përballimin e diabetit në Evropë. Kjo sëmundje u zgjodh qëllimisht sepse përbën një nga endemitë më dëmprurëse të shekullit tonë me kosto tepër të lartë shëndetësore, sociale, njerëzore e financiare për të gjitha vendet pa përjashtim.
    Ata arritën për herë të parë të bashkojnë në një platformë dhe program të përbashkët të gjithë aktorët e palët e interesuara në Evropë, për të minimizuar dëmet e diabetit dhe për të krijuar mbi bazën e tij një model të ri eficient të përballimit të gjithë sëmundjeve kronike, të cilat siç dihet janë fajtor për 80% të mortalitetit total në botë. Deklarata e përbashkët e hartuar në Saint Vincent të Italisë dhe programi Evropian, i ndërtuar në bazë të saj, hapen në të 51 vendet anëtare të OBSH-s në Evropë, fushë ndryshimesh të mëdha në mënyrën e përqasjes ndaj kësaj sëmundje, si model i përmirësimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor për të gjitha sëmundjet kronike.
    Shumë shpejt ndikimi i Saint Vincent-it do i kalonte kufijtë e kontinentit tonë. Deklarata dhe programe të ngjashme u hartuan edhe në kontinentin Amerikan, vendet e Mesdheut, Australi dhe vendet e Oqeanit Pacifik.
    Ti duam të gjithë vendet sa vendin tonë
    Xho ishte mik i të gjitha vendeve të Evropës. Në to ai mbajti shumë afër zemrës edhe vendin tonë. “Një ekspert ndërkombëtar - thoshte ai – dallohet nga ekspertët vendas se ai i do të gjitha vendet, njësoj si vendin tij”.
    Ai pati vizituar disa herë zyrtarisht Shqipërinë. Ne regjimin e mëparshëm, pati vlerësuar shtrirjen e kujdesit shëndetësor, aksesin e ndihmës për të gjithë, por pati dhënë mjaft vërejtje e sugjerime lidhur me nivelin e eficiencës, teknologjisë dhe cilësisë së pamjaftueshme të tij.
    Për ta bërë më të njohur Shqipërinë, ai pati propozuar Dr. A. Kamberin, ish ministër i shëndetësisë si nënkryetar të përkohshëm të komitetit drejtues të OBSH Evropë dhe më pas Dr. S. Berishën, anëtar në komitetin e OBSH-s për programin e kontrollit të sëmundjeve kardiovaskulare. Xho u tregua entuziast edhe për disa suksese që patëm arritur atëherë në trajtimin e sëmundjes së diabetit. Kjo në kushtet pa financimin e duhur, falë përdorimit të disa metodave të thjeshta por efektive, si edukimin terapeutik të të sëmurëve për vetë mjekim dhe përmirësimin e kujdesit ndaj tij, me anë të një strategjie nacionale të zbatuar në gjithë territorin e vendit. Me insistimin e tij dhe të Dr. Kisten Steahr Johansenit, përkundër hezitimit e mosbesimit të ekspertëve të tjerë evropiano-perëndimor, Shqipëria u përfshi në një nga studimet më modern për këtë sëmundje, zhvilluar me 13 vende të Evropës, lidhur me përdorimin e teknologjisë më të re të atëhershme: atë të pompave insulinike. Për fat të mirë, diabetologjia jonë nuk i zhgënjeu. Vlerësimi i rezultateve qe mjaft pozitiv dhe ishte mendimi i Dr. Asvall-it, qe shembulli i eficiencës së diabetologjisë shqiptare me vështirësi ekstreme, financimi të përhapej e të gjeneralizohej edhe në vende të tjera, sidomos në ato të ish kampit socialist.
    Ky u bë fat edhe për mua personalisht sepse u thirra në vitin ’91 prej tij si bashkëpunëtor në Kopenhagën, për të kontribuar në zbatimin e programit të diabetit, sipas deklaratave të St. Vincentit në të gjitha vendet e Evropës. Në një nga misionet e para këtu, më kujtohet që u dërgova në një vend që kish kërkuar të ndihmohej nga OBSH për diabetin, lidhur me hartimin e një strategjie nacionale kundra kësaj sëmundje. Pas kthimit tim, raporti dhe propozimet që pata hartuar si ekspert për diabetin gjatë vizitës disa javore në këtë vend u konsultuan, u vlerësuan pozitivisht dhe u miratuan thuajse pa vërejtje nga 6 drejtues të lartë departamentesh të ndryshme në OBSH-n e Evropës. Por proceduara kërkonte që miratimin final ta jepte vet drejtori i përgjithshëm Dr. Asvall. Meqë ato ditë ai ndodhej jashtë Danimarkës, ndërkohë që materiali kërkohej urgjent, më thanë që atë t’ia faksoja në hotelin ku ai ndodhej përkohësisht. Ai do i hidhte një sy gjatë fluturimit në avion po atë ditë. Përshtypja ishte se pëlqimi prej tij duhej thjesht si formalitet administrativ. As që e imagjinoja që drejtori i përgjithshëm mund të njihte e do merrej me hollësirat e diabetologjisë. Por çuditërisht, mora prej tij po atë ditë me faks një përgjigje 4 faqesh. Ajo fillonte me disa lavdërime dhe elozhe për punën e mirë, që paskësha kryer unë, por më pas vazhdonte me sugjerime teknike e hollësi mjaft të sakta të shprehura me delikatesë dhe elegancë, por të cilat njëra pas tjetrës kur mbarova leximin më bën të qartë se i gjithë materiali duhej përpunuar dhe riformuluar thuajse tërësisht. Ishte mësimi im i parë në OBSH, që më ndërgjegjësoi se “ekspertiza ime shqiptare” ishte larg kërkesave rigoroze dhe shumë të thella profesionale në këtë ambient konkurrues, e me shprehi serioziteti e përgjegjësie maksimale pune që buronte nga vetë drejtori.
    Kujdesi i zemrave
    Dr. Asvall-i erdhi edhe gjatë viteve të demokracisë në Shqipëri në mbështetje të proceseve reformuese, që u iniciuan në kushtet e reja social-ekonomike në vendin tonë. Ai ndodhej prezent kudo e kurdoherë që vendet anëtare përjetonin vështirësi që rrezikonin kujdesin shëndetësor. Në konflikte, luftëra, tërmete, epidemi apo katastrofa natyrore. Erdhi edhe në Shqipëri, kur ajo përballej me eksodin e madh kosovar. Pata fatin të isha me të në vizitën që bëri në Shqipëri e Maqedoni për t’u interesuar për refugjatët.
    Ai vëzhgonte dhe analizonte çdo detaj për kujdesin shëndetësor të tyre me një mprehtësi profesionale, komunikim të ngrohtë e humanizëm të skajshëm. Në Shkup autoritetet shëndetësore dhe shtetërore maqedonase, ndonëse kishin marrë një financim e donacione disa milionë dollarë, ju ankuan atij se nevojat ishin shumë më tepër dhe nëse ato nuk do u ofroheshin do e kishin të pamundur përballimin e situatës. Kërkesa qe me tone disi ultimative e tendencioze. E pashë atë kohë në fytyrë Dr. Asvall-in. Shikimi ju mpreh menjëherë, por emocionet dhe zërin i mbajti nën kontroll. – Mesa di - u përgjigj ai me qetësi – ju me këto të holla jeni kujdesur vetëm për gjysmën e numrit të refugjateve të ardhur këtu. Gjysma tjetër është strehuar vullnetarisht nga popullata shqipfolëse në shtëpitë e tyre. Ata kanë ofruar kujdes shumë të ngrohtë dhe mjaft efikas. Dhe me sa di – vazhdoi ai - ata nuk kanë marrë asnjë financim, asnjë ndihmë materiale nga askush. Çdo gjë e kanë zgjidhur vetë me dëshirë dhe me zemër. – A nuk u jemi më borxhli atyre? – pyeti ai.
    Kur u larguam dhe ishim vetëm i shpreha falënderimet dhe admirimin tim për mbrojtjen e shkëlqyer që i bëri të drejtës së shqiptareve. Por ai më ndërpreu. E meritojnë – tha. “Shqiptarët na kanë dhënë të gjithëve një mësim të paharruar. Solidariteti i tyre në këtë fatkeqësi është jo vetëm prekës, por edhe instruktiv. “Ata - tha ai - na dëshmuan se asnjë kujdes shëndetësor i institucionalizuar dhe teknologjik nuk matet dot me kujdesin e zemrave”. Pastaj mu drejtua mua: a mund të hartosh një projekt ndihme për mikpritësit shqiptar në këtë iniciativë të rrallë mjaft të dobishme e fisnike?
    “Drejtor i përjetshëm” Emeritus
    U ndodha rastësisht në Kopenhagën, më 10 Shkurt, kur ai mbylli sytë përgjithmonë. Por lajmin e mësova papritur kur në selinë e OBSH-së pash të vendosur mbi një tavolinë fotografinë e tij dhe një libër shënimesh. U ula dhe shkrova me dorën që më dridhej disa rreshta lamtumire. Suzana Jakab, drejtoresha e re Hungareze e OBSH-së, që sapo filloi këtë detyrë të lartë më 1 Shkurt të këtij viti, më tregoi me emocion hollësira për ditët e fundit të tij. Ai kishte mbajtur në ceremoninë e marrjes së detyrës prej saj një nga ligjëratat më pasionante të jetës së tij, për rrugët e ri-vitalizimit të OBSH-s. Suzana, si shumë nga ne që punuam me të, është thirrur në OBSH që në moshë të re dhe mund të thuhet që është e rritur profesionalisht dhe personalisht prej tij. Ajo sapo i kishte rezervuar me mirënjohje një zyrë të posaçme për të, që ta kishte krah si “Drejtor Emeritus” i përhershëm në sfidat përpara.
    Dhe do e ketë padyshim atë të tillë përgjithmonë. Ajo dhe e gjithë shëndetësia evropiane. Për Xho Asvall, sot një tufë të freskët mimozash plot venerim dërgon edhe Shqipëria.

    panorama

    .

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e m.fetahu
    Anëtarësuar
    23-04-2010
    Postime
    25
    Pershendetje;
    Kush mund te me tregoj qka te perdori per bakterjen ne urin" E-COLI " Mjeku familjar me preferoi nje qaj te quajtur "ANTI E-COLI"
    falemderit per mirkuptim .

  3. #3
    cherry blossom girl
    Anëtarësuar
    14-05-2010
    Postime
    6,095
    Citim Postuar më parë nga m.fetahu Lexo Postimin
    Pershendetje;
    Kush mund te me tregoj qka te perdori per bakterjen ne urin" E-COLI " Mjeku familjar me preferoi nje qaj te quajtur "ANTI E-COLI"
    falemderit per mirkuptim .
    Prenoto nje vizite tek urologu dhe tregoji te gjitha sintomat. Infeksioni nga E.Coli ka nevoje per nje terapi antibiotike specifike.
    Pi sa me shume uje gjate dites (jo me pak se 2 litra) dhe mos harro qe higjiena eshte teper e rendsishme. Sherim te shpejt!

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •