.
Të dy janë të diplomuar dhe me shkollë të lartë. Janë martuar para pesë vjetëve dhe kanë një vajzë. Nga ana financiare nuk kanë asnjë problem por nuk arrijnë të merren vesh. Kanë provuar edhe të ndahen një here. Por me ndërhyrjen e familjeve kanë hequr dorë.
Pas një fare kohe kishin filluar përsëri shqetësimet. Tani kërkonin një rrugëzgjidhje. Dhe gjëja më e hidhur në këtë çështje është se mosmarrëveshjet lindnin nga bërja e qimes tra. P. sh gruaja i telefonon burrit dhe i thotë:
"A të hamë darkë jashtë sonte?
Burri e kundërshton duke i thënë:
"Jo, nuk mundem, kam mbledhje."
"Po, ti je mësuar të kundërshtosh çdo gjë që them unë."
"Mos fol marrëzira. Jam i lodhur , s’mund të merrem edhe me ty tani.”
Telefoni mbyllet , fillon kriza. Të dy palët nevrikosen. Burri hyn i mërzitur në mbledhje dhe me idenë se kur të shkojë në shtëpi do t’i kërkojë llogari gruas. Ndërsa gruaja rri në pozicionin e “Ia tregoj unë atij kur të vijë në shtëpi”.
Zemra të thyera dhe shpirtra të plagosur në orë të vona të natës… Shkaku është një ‘asgjë’ e stërmadhe.
Kush e di ndoshta shumica e femrave tani mund të jenë duke thënë: “Si asgjë? Të gjithë burrat njësoj janë. Gjithmonë kanë mbledhje ose punë. Gratë nuk kanë vend në jetën e tyre”.
Një pjesë e burrave mund të mendojnë: “Si nuk na marrin vesh këto gra? Është mbledhje kjo, nuk është lojë. Ne punojmë që ata të jetojnë sa më mirë. Pa shih me çfarë merren?
Megjithëse e njëjta grua mund t’i drejtohet burrit me këta fjalë: “I dashur, jam e mërzitur, a mund të hamë jashtë sonte? Mund të hamë edhe në ndonjë fastfood. “I njëjti burrë mund t’i përgjigjet: “Më vjen keq shpirt, sot kam mbledhje, a mund ta lëmë për nesër”? Dhe të kthehet i gëzuar në shtëpi. Gruaja ta presë e buzëqeshur dhe ajo të cilën po e quajmë “krizë mirëkuptimi” të zhdukej.
Kaq e vështirë është të vihet në skenë pjesa e dytë? Kaq e vështirë është të mundësh djallin i cili përpiqet të zhdukë atmosferën e lumtur duke i fryrë pesimizmit. Pse vrapohet gjithnjë me inat dhe egoizëm drejt rrugëve të mosmarrëveshjes duke pasur mundësinë e kërkimit të rrugëve të mirëkuptimit? Sa bukur e ka thënë Dante: “Nga shkëndijat e vogla ndizet një zjarr i madh.” Prandaj le të mos i lejojmë shkëndijat e vogla të na djegin kështjellën e lumturisë dhe të na e bëjnë hi. Le ta mësojmë mendjen tonë të mendojë pozitivisht dhe të mirëpresë gjërat e bukura.
Mirëkuptimi duhet të jetë formula udhërrëfyese e jetës suaj
Ai që sheh gjëra të bukura, mendon kurdoherë për mirë. Ai që mendon për mirë, mire e shijon jetën. Në të kundërt, ai që sheh gjëra negative, mendon keq dhe ai që mendon keq e shkatërron jetën me hidhërime.
Partnerët duhet të sillen me empati dhe në vend që të fiksohen në anët negative të njëri-tjetrit, le të mendojnë pak dhe të pyesin veten: “Çfarë faji kam unë në këtë çështje?” Brenda familjes fjalët ‘unë’ dhe ‘ti’ duhet të zëvendësohen nga fjala ‘ne.’
Në vend të fjalëve “Unë kam të drejtë. Ti mendon gabim” mund të thotë: “Edhe unë mund të gaboj. Mund të kesh të drejtë.”
Bashkëshortët duhet të mbështeten dhe t’i japin dorën njëri-tjetrit përballë shqetësimeve të jetës.
Ta shuajnë krenarinë dhe inatin me zjarrin e dashurisë.
Nuk duhet ta shkatërrojnë jetën me gjëra të thjeshta duke pasur çështje më të rëndësishme përpara.
Në vend të diskutimeve dhe shqetësimeve duhet të jetojnë të qetë dhe të lumtur, duke zhdukur shkaqet e grindjes.
Krijoni Kontakt