Prishtinë, 6 mars – Komandanti i trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjenerallejtënant Markus Bentler, ka marrë vendim të shtunën që të ndërpresë përkohësisht çdo lloj bashkëpunimi me Forcat e Sigurisë të Kosovës. Këtë vendim ka ardhur si pasojë e parakalimit të Gardës së FSK-së me armë në manifestimin për “Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, të premten. Ndërprerjen e të gjitha formave të bashkëpunimit ia ka konfirmuar “Kohës Ditore”, zëdhënësi i KFOR-it, kolonel Hans Peter Buh. “KFOR-i ka ndaluar përkohësisht çdo përkrahje dhe të gjitha aktivitetet e trajnimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës deri në një njoftim të ardhshëm”, ka thënë ai. Zëdhënësi i KFOR-it ka shtuar se komandanti i KFOR-it (Markus Bentler v.j.) është detyruar të marrë një vendim të shpejtë.
“Ai ka thënë se ne do të shikojmë se cili do të jetë bashkëpunimi ynë në të ardhmen me FSK-në”, ka cituar Peter Buh, komandantin e KFOR-it në Kosovë. Lidhur me këtë vendim zëdhënësi i KFOR-it ka thënë se ka njoftuar edhe presidentin e Kosovës dhe ministrin e Forcës së Sigurisë.
Por presidenti Sejdiu, i cili është edhe komandant suprem i FSK-së, nuk ka dashur të komentojë mundësinë e shkëputjes së marrëdhënieve KFOR-FSK, për çka ka raportuar “Koha Ditore”, të shtunën.
“Unë them se KFOR-i është investues i rëndësishëm i rritjes së Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe ju e dini që Forca e Sigurisë të gjitha lëvizjet e gjertanishme i ka bërë në partneritet me ta dhe mendoj që në të ardhmen natyrisht do të jetë kontribuues për lëvizjet tona sa më të shpejta në anëtarësim në NATO”, ka thënë presidenti Sejdiu gjatë vizitës në familjen Jashari të shtunën në Prekaz, disa orë para se të merrej vendimi përfundimtar nga ana e KFOR-it për ndërprerjen e bashkëpunimit me FSK-në.
“Mund të ketë ndonjë keqkuptim unë nuk dua të jap ndonjë koment pasi që edhe nuk kam burime”, ka shtuar ai.
Pas marrjes së konfirmimit nga ana e KFOR-it për “ngrirjen e raporteve” me FSK-në, gazeta ka provuar të marrë ndonjë prononcim nga zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës, por ka qenë e pamundur. Zëdhënësi i MFSK-së, Ibrahim Shala, i kontaktuar nëpërmjet telefonit ka thënë se nuk ka asnjë informacion zyrtar lidhur me këtë çështje.
Mundësinë e prishjes së raporteve të KFOR-it me FSK-në ia ka konfirmuar “Kohës Ditore” të premten shefi i Zyrës për media i KFOR-it, koloneli Hans Peter Buh. Ai ka thënë se KFOR-i ka kërkuar që gjatë manifestimit pjesëtarët e FSK-së të mos paraqiten me armë, mirëpo një gjë e tillë, sipas tij, është shpërfillur. “FSK-ja nuk ka pasur leje të bartë armë sot”, ka thënë Buh, duke mos e përjashtuar mundësinë e shkëputjes së marrëdhënieve me FSK-në.
Ndërkohë një deklaratë të tillë nuk ka mundur ta besonte të premten Zyra e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, nën patronazhin e të cilit edhe është bërë organizimi i të gjithë manifestimit për “Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Këshilltari i kryeministrit, Shaip Muja, ka thënë se kjo informatë më shumë është pjesë e “bulevardeve të gazetarëve”, sesa diçka zyrtare.
“Nuk e besoj se për një çështje të tillë mund të ngrihen marrëdhëniet, s’e kemi rëndu askënd dhe nuk besoj se kjo informatë është përcjellë nga NATO-ja”, ka deklaruar Muja për gazetën nëpërmjet telefonit. Ai ka shtuar se armët janë pjesë e Gardës ceremoniale.
Krijoni Kontakt