KFOR-i e FSK-ja “shkrijnë“ raportet
Nga Jeton Musliu më 09.03.2010 në ora 14:21
Mosmarrëveshjet ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të vendit në lidhje me FSK-në, duket se kanë përfunduar sot.
Burime shumë të besueshme të Expressit thanë sot se pas takimeve intensive ndërmjet komandantit të Përgjithshëm të KFOR-it, Markus Bentler dhe zyrtarëve të lartë të Qeverisë së vendit, është arritur pajtimi që ngërçi i katër ditëve të fundit të tejkalohet.
Ende nuk dihen saktë detajet e kësaj marrëveshje, por merret vesh se shumë shpejt ata do të lëshojnë një komunikatë të përbashkët për media.
Në këtë komunikatë që pritet të nënshkruhet nga Bentler dhe ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, do të potencohet vazhdimi i bashkëpunimit sikurse më parë ndërmjet KFOR-it dhe FSK-së.
Marrëdhëniet ndërmjet KFOR-it dhe FSK-së, u keqësuan para katër ditësh, saktësisht me 5 mars kur Garda Ceremoniale e FSK-së, nderoi zyrtarët e lartë të shtetit në qendër të Prishtinës, e pajisur me armë.
Kjo ka irrituar KFOR-in, sipas të cilëve, me FSK-në ishin marrë vesh që ky nderim të bëhej pa armë dhe se ka qenë e papranueshme për ta prezenca e flamurit të NATO’s në një eveniment të tillë siç ka qenë “Epopeja e UÇK-së”.
Krijoni Kontakt