Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    “Puçi” i 1974-ës dhe tradhtia e Mehmet Shehut

    “Puçi” i 1974-ës dhe tradhtia e Mehmet Shehut


    Standard

    Gjenerali Halim Ramohito tregon:



    Me hollësi dhe dëshmi të papublikuara më parë, gjenerali Halim Ramohito që u dënua me grupin e ashtuquajtur “puçist” të Beqir Ballukut në vitin 1974




    Me hollësi dhe dëshmi të papublikuara më parë, gjenerali Halim Ramohito që u dënua me grupin e ashtuquajtur “puçist” të Beqir Ballukut në vitin 1974, tregon rolin kyç të Kryeministrit të atëhershëm, Mehmet Shehu, në këtë ngjarje. Dje lexuam nga kujtimet e Ramohitos se si Shehu kishte mbështetur qëndrimet e ushtarakëve të lartë, që shpeshherë binin ndesh me porositë e Enver Hoxhës, por kur erdhi puna që atyre t’u priteshin kokat, nuk e pati të vështirë të dilte krah Enverit dhe të linte në baltë “miqtë” e tij. Sot do lexoni se si Mehmet Shehu i vuri në bankën e të akuzuarve ushtarakët, që i kishte mbështetur deri dje, ndërkohë që u mburrej kinezëve për shpartallimin e puçit ushtarak, që në të vërtetë nuk ishte asgjë tjetër, veçse shkatërrimi i ushtrisë shqiptare në atë kohë

    Halim Ramohito

    Mbledhja e Plenumit të VI-të të KQ e 16 dhjetorit 1974, si dhe gjyqet e zhvilluara më vonë ndaj nesh, u orientuan, para së gjithash, që të përqendroheshin në akuzat e bëra nga Enver Hoxha, sidomos në dy drejtime kryesore, që duhet të përbënin në gjyqe edhe bazën e padisë penale ndaj nesh:

    - Sabotimin e vijës së partisë në fushën e mbrojtjes, të kryer në bashkëpunim, si pjesëtarë të një organizate kundërrevolucionare në ushtri;

    - Agjitacion e propagandë, me anën e futjes në masë në ushtri të literaturës armiqësore borgjeze-revizioniste ushtarake.

    Për këto dy drejtime, të parit që iu kërkua të fliste dhe të jepte llogari në mbledhjen e 16 dhjetorit 1974 të plenumit të VI-të të KQ, ishte gjeneral Petrit Dume. Kjo edhe për faktin se, pas plenumit të V-të të KQ të korrikut 1974, Beqir Balluku ishte i internuar në Roskovec dhe, atje, siç i deklaroi Enveri mbledhjes me solemnitet, “tashmë ai është i arrestuar…”.

    Diskutimet në mbledhjen e plenumit të VI-të KQ të dhjetorit 1974, filluan me këtë dialog të Mehmet Shehut me Petrit Dumen:

    Mehmeti: - Po të ngresh ti, Petrit Dume, në këmbë ushtrinë dhe të arrestosh KQ të PPSH dhe qeverinë me tanket e tua, siç bëri Zhukovi në Kremlin, ç’do të thotë kjo?

    Petriti: - Tradhti e lartë.

    Mehmeti: - Po, tradhti e lartë. Por a nuk je ti, Petrit Dume, një Zhukov i Shqipërisë?

    Petriti: - Nuk e kam bërë një tradhti të tillë.

    Ku e kishte origjinën ky dialog për tanket, me të cilat gjoja ne do të rrethonim dhe arrestonim KQ? Në vitin 1973, u zhvillua një takim i disa prej kuadrove kryesore të ministrisë së Mbrojtjes në Shkodër me Mehmet Shehun, në të cilën kam marrë pjesë edhe unë. Në atë takim, u rrahën mendimet për masat që duhet të merreshin në rast të një agresioni të mundshëm nëpërmjet kufijve tanë verorë e veriperëndimorë dhe, mbi të gjitha, për mbrojtjen e Shkodrës. Pasi u njohëm edhe me të dhënat e dy rrethimeve të viteve 1911-1912 të Shkodrës nga serbo-malazezët dhe me të dhënat më të fundit të stërvitjeve të jugosllavëve në këtë rajon, arritëm në një përfundim të përbashkët, se na duhej menjëherë të fillonim nga puna për fortifikimin e malit të Taraboshit dhe vendosjen në kalanë e Rozafës të baterive të MKA, të topave të artilerisë kundërajrore me kalibra të fuqishëm, deri edhe me sisteme automatike drejtimi. Diskutuam edhe për masat e tjera që duhet të merreshin për të shkatërruar ndonjë desantim të mundshëm nga deti dhe liqeni që eventualisht mund të ndodhte në rajonin e Shkodrës etj. Diskutimet tona u përqendruan edhe në përdorimin, në këto situata, të njësive të tankeve që dispononte vetë korpusi që mbronte drejtimin e Shkodrës dhe, sidomos, të njësisë së tankeve të dislokuar në rajonin e Laçit dhe të maskuar në strehime nëntokësore. Situata në atë kohë, në kufirin me Malin e Zi, ishte e ndryshme nga ajo e sotmja. Tani, nga të dyja anët e kufirit, shohim të hyjnë dhe të dalin nëpërmjet këtyre kufijve qindra e nganjëherë mijëra njerëz e vetura, por, në atë kohë, përveç të dhënave që merrnim nga burime të tjera edhe me sy i shihnim tanke serbe aty, buzë kufirit.

    Lëvizjet, deri edhe ato vetëm me harta, të kësaj njësie tankiste nga Laçi në drejtim të Shkodrës për qëllimet e mësipërme mbrojtëse në stërvitjet e ndryshme, më vonë u etiketuan marrëzisht si tentativa tonat për të rrethuar organet e partisë dhe pushtetit në Shkodër, madje, sipas Mehmet Shehut, ato do të ishin edhe një provë nga “grupi puçist” për të rrethuar dhe arrestuar më vonë edhe vetë KQ të Partisë.

    Edhe në këtë replikë teatrale me Petritin, shfaqet karakteri i ndërlikuar i Mehmet Shehut. Në marrëdhëniet e drejtpërdrejta me ne, gjeneralët, ai ishte i hapur, disa herë edhe shumë miqësor, bënte dhe pranonte shaka, bënte sikur nuk e dëgjonte ndonjë fjalë dykuptimëshe, ndërsa jashtë këtyre marrëdhënieve, tjetërsohej e ndryshonte i tëri. Në publik dhe sidomos para efektivave të ushtrisë, ishte i ashpër e i prerë, i rreptë e autoritar, ndërsa para Enver Hoxhës bëhej papritur i urtë e i dëgjueshëm si një nxënës i zellshëm, sepse, me sa duket, e dinte nga përvoja që Enver Hoxha të sakrifikonte e të flakte tej si një leckë po të mos ishe i tillë në çdo çast dhe po të mos ia bëje qejfin, vend e pa vend, me lavde e ditirambe. Dhe këtë, Mehmeti e bënte më mirë se askush tjetër, duke mos humbur asnjë rast për të shfaqur besnikërinë e tij ndaj Enver Hoxhës.

    Ja se çfarë thotë për këtë gjeneral Muhamet Prodani, që dikur ishte shumë i afërt me Mehmet Shehun:

    “... Pikërisht këtë gjë nuk ia fal kurrë Mehmet Shehut. Kur s’qe i zoti t’ia dilte mbanë, përse i hyri asaj ndërmarrjeje aq të rrezikshme?!... Akoma më tej, përderisa i hyri, përse nuk i qëndroi ambicies së vet për pushtet deri në fund, përse nuk i doli rrezikut ballas, duke sakrifikuar diçka nga vetja, që të mos sakrifikoheshin aq lehtë e mizorisht të gjithë shokët dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt në ushtri? Akoma më tej: Ç’ishte gjithë ai pasion i tij deri në kufijtë e marrëzisë për të gjetur sa më shumë fakte e prova fajësie kundër nesh, për ta zgjeruar sa më shumë rrethin e “komplotistëve”?!... Mos donte vallë t’i mbushte mendjen vetvetes, mos kërkonte të ngushëllohej e të vetësugjestionohej se ishte në rrugë të drejtë dhe se nuk po bënte asnjë mëkat kundër nesh, duke i larë duart si Pilati?...

    I thosha shpesh ato ditë, kur mbeteshim vetëm: “Ç’po bëni kështu, po e shkatërroni fare ushtrinë?... Ç’faj kanë bërë shokët, që po i godisni kaq egër?!...” ‘Pusho, më thoshte, mbylle gojën, se do ta hash edhe ti! Nuk e kupton që s’kam ç’të bëj?!...”

    Është fakt që Enveri ia pranonte me shumë qejf Mehmetit lëvdatat e tij të pafre dhe e thoshte shpesh hapur se ai ishte bashkëpunëtori i tij më i ngushtë. Por, është po kaq e vërtetë se ai asnjëherë nuk kishte pasur besim tek Mehmet Shehu (Se mos vetëm tek Mehmeti! Tek asnjë nuk kishte besim Enver Hoxha, as hijes e lëkurës së vet nuk i besonte ai njeri…) dhe këtë e provuan më së miri ngjarjet e vitit 1982. Enveri, që dyshonte për çdo gjë dhe për këdo, e kishte pasur që atëherë në shenjë edhe Mehmetin, për llogari të vjetra dhe të reja, pasi mendonte se edhe ai i rrezikonte seriozisht pushtetin.

    Mehmet Shehu, që nga periudha e LANÇL (1939) e deri në vitin 1974, e kishte vlerësuar Heroin e Popullit Petrit Dume si një nga gjeneralët më të shquar të luftës dhe të ndërtimit e forcimit të Forcave tona të Armatosura, si një strateg të shquar ushtarak, si gjeneralin njëkohësisht edhe ushtar, që drejtoi Shtabin e Përgjithshëm në periudha të vështira për një çerek shekulli, si një gjeneral shumë të aftë, që punët i kishte drejtuar me kompetencë dhe përkushtim të madh. Disa here, Mehmeti e kishte vlerësuar Petritin edhe si njohës të shquar të doktrinës ushtarake, që, përveç përvojës luftarake të fituar gjatë LANÇL dhe ndërtimit e forcimit të Ushtrisë sonë Popullore në dhjetëvjeçarët e periudhës së pasçlirimit, kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera edhe dy akademi të larta ushtarake në ish - Bashkimin Sovjetik. Këto e vlerësime të tjera të larta të gjeneral Mehmet Shehut për Petrit Dumen, i dinim mirë jo vetëm ne, gjeneralët e ushtrisë të asaj periudhe, por e gjithë ushtria jonë. Por edhe një udhëheqës i shquar, me dije të gjëra në të gjitha fushat, sidomos në ato ushtarake, me aftësi të rralla organizative për zbatimin e detyrave, si Mehmet Shehu, megjithatë, bëhet i vogël në gjykime e vlerësime kur shikon se po i rrezikohet posti i kryeministrit. Kështu, në vitin 1974, pas kthesës prej 180-gradëshe, vetë Mehmet Shehu e akuzoi edhe Petrit Dumen hapët në mbledhjen e Plenumit të VI-të të KQ të PPSH si “puçist recidivist” dhe miratoi vendimin edhe për pushkatimin e tij, ndërsa në mbledhjen e kuadrove kryesore të Ushtrisë në dhjetor të vitit 1974, ai nuk mungoi të bënte edhe autokritikë, që “…nuk e paskësh njohur Petrit Dumen…”, se “…në fakt, ai nuk paska vlejtur as edhe sa një komandant çete…” dhe se “veprimtaria e tij e gjatë në ushtri, kanë qenë vetëm sorollatjet pa bukë në njësitë e saj…” etj. Mehmet Shehu kishte qenë për një kohë edhe ministër i Brendshëm dhe ai e dinte shumë mirë se Enver Hoxha merrte informacione nga burime të ndryshme edhe për të. Ai ishte i ndërgjegjshëm se deklaratat e tij gjatë analizave të veprimtarisë të të ashtuquajturit grup “puçist” në ushtri “Nuk do t’i japim asnjë kuadër tjetër Beqir Ballukut edhe pas gjithë kësaj veprimtarie armiqësore të tij”, ishin hapa false e të gabuara për momentin, ndaj nisi të bënte të pamundurën për t’ia mbajtur ison me përulësi Enverit në çdo hap të masakrës së tij mbi kuadrot kryesore të ushtrisë dhe mbi vetë ushtrinë. Natyrisht, Enver Hoxha bëri të kundërtën e asaj që thoshte Mehmeti në deklaratat e tij. Ai vuri në listë për goditje edhe gjeneralët Arif Hasko, Vehbi Hoxha, Muhamet Prodani, Abas Fejzo, Todi Naço, Sulo Kozeli etj., pasi i dinte mirë lidhjet dhe, siç mendonte ai, edhe devocionin e veçantë të tyre për Mehmet Shehun, lidhje të krijuara qysh nga periudha e luftës me të, në Brigadën e Parë partizane. Për këtë arsye, Enveri nuk mund t’i linte pa i dënuar në 1974 edhe këta gjeneralë dhe, bashkë me ta, edhe vetë Mehmetin në vitet 1982 dhe 1983. Enver Hoxha e dinte mirë edhe bashkëpunimin e Mehmet Shehut me Petrit Dumen në drejtimin e punëve të ushtrisë. Ai e dinte se ata puqeshin me njëri-tjetrin jo vetëm në koncepte, por edhe me metodat se si duhej të zbatoheshin ato në ushtri. Për këto arsye, replikat mes Mehmetit dhe Petritit në mbledhjen e plenumit, siç u vërtetua edhe më vonë, nuk ja mbushnin mendjen për besnikëri të Mehmetit ndaj tij dhe kështu, më vonë, ai i etiketoi ato si një “fasadë” para plenumit, për të fshehur marrëdhëniet ndërmjet tyre. Enveri e shfrytëzoi mirë në fillim Mehmet Shehun si mbështetës të tij, për të na dënuar neve më 1974, por pastaj nuk do ta kursente as vetë atë. Është e qartë se fundi i tij ishte i paracaktuar që në vitin 1974, veçse kësaj radhe diktatori u tregua pak më “zemërgjerë”. Nuk e gjykoi në popull e në ushtri, siç bëri me ne, nuk e arrestoi dhe nuk e futi në burg, por e detyroi të vriste veten ose e vrau (unë besoj për variantin e parë), në dhjetor të vitit 1982. E njoh mirë kaligrafinë e Mehmet Shehut (pra edhe të letrës që ai kishte lënë pas vdekjes) dhe, nga sa e kam njohur në dhjetëra vite pune të përbashkët, as “nën kërcënimin prapa kokës të kobures” ai nuk do të pranonte kurrë ta shkruante atë letër pa dëshirën e tij tragjike.







    Me siguri, Enver Hoxha e dinte edhe pikëpamjen e Mehmetit, që dënimet lidhur me të ashtuquajturin “puç” duhet të kufizoheshin vetëm tek Beqiri, ashtu siç ky i fundit kishte kërkuar jodrejtpërdrejt edhe në mbledhjen e aktivit në dhjetor 1974 në Durrës: “Edhe në punimet e këtij aktivi, u ndie vetëm zëri i një zileje të vetme…” dhe “Ne nuk do lejojmë tani asnjë njeri që Beqir Balluku ta marrë me vete…” Po kështu, të gjithë bashkëpunëtorët e Beqirit në punimin e materialit teorik, po në këtë mbledhje, Mehmeti i cilësoi si “fajtorë pa faj”, gjë që do të thoshte se shpata e Demokleut nuk duhej të godiste edhe mbi ta.

    Këto mendime, qoftë të hapura, qoftë edhe të fshehta e të maskuara të Mehmet Shehut, sipas vlerësimit tim, binin në kundërshtim me mendimet e Enver Hoxhës, i cili, qysh në korrik të vitit 1974, sapo doli ky problem, kishte konkluduar: “Në ushtri kemi të bëjmë me një puç armiqësor dhe protagonistët e tij duhet t’i fshijmë me fshesë të hekurt!...”, fshesë të cilën, në të gjithë veprimtarinë e tij, Enveri e mbante “kurdoherë të gatshme prapa derës të zyrës dhe të shtëpisë së tij”. Shprehjen “fshesë e hekurt”, Enveri e kishte huazuar nga perandori i Prusisë dhe Gjermanisë, Frederiku i Madh, i cili, shekuj më pare, e përdorte kur kërcënonte kundërshtarët e tij.

    Nuk është e rastit që, më shumë se gjysma e kuadrove të larta të ushtrisë, pjesëmarrës në takimin e dhjetorit 1974 në aktivin e Durrësit, me urdhrin dhe vendimin e drejtpërdrejtë të Enverit, u dënuan me burgime, çmobilizime, ulje në detyrë etj. Për këto arsye dhe të tjera si këto, Enver Hoxha nuk mund të linte pa likuiduar edhe vetë Mehmet Shehun, pavarësisht nga betimet që, siç thashë më sipër, Mehmeti bënte, si më parë edhe në atë kohë, për besnikëri ndaj tij.

    Në mbledhjen e plenumit të VI-të të 16 dhjetorit 1974, në një atmosferë urrejtjeje ndaj nesh, pjesëmarrësve të të ashtuquajturit grup “puçist” në ushtri, pas debatit të Mehmet Shehut me Petrit Dumen, i vazhduan në këtë frymë diskutimet edhe lakenjtë e tjerë të zellshëm të diktatorit, sidomos G.Ç., I.S., M.B. dhe D.A., ish - punonjës të aparatit të KQ dhe, siç u pa qartë, edhe diskutimet e tyre dhe të të tjerëve në atë mbledhje - farsë, ishin të paracaktuara dhe të dirigjuara me kohë. Këto diskutime e ndezën më shumë situatën. Qëllimi ishte i qartë: me çfarëdolloj mjeti dhe në çdo mënyrë, duhej të na nxirrnin ne si grup armiqësor, me organizim dhe platformë “puçiste”.

    Në atë mbledhje, me interesim të madh u prit shpifja e paskrupullt e ish - zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, R.K., i njohur ky në shumë gjyqe, sidomos në atë të Teme Sejkos, për falsifikime. Në diskutimin e tij, R.K. duke na u drejtuar me gisht, tha: “Këta armiq të partisë dhe të shtetit, në një bisedë intime me njëri – tjetrin, kanë thënë: “Sa keq që na u zbulua kjo punë para muajit gusht 1974, pasi më 16 gusht do të pushtonim Radio-Tiranën, do të merrnim edhe masa të tjera për të izoluar udhëheqjen, pastaj do të merrnim fuqinë!...” Për këtë atyre do t’iu vinin në ndihmë, - sipas tij - edhe 20000 parashutistë sovjetikë. Këto të dhëna, - i tha R.K. plenumit, - janë marrë nga një ambasadë e huaj këtu në Tiranë.”

    Ja edhe disa nga moria e shumtë e pyetjeve dhe akuzave të tjera për ne, “puçistët”, ish - anëtarë të KQ, të bëra nga disa prej shërbëtorëve më të zellshëm e servilë të Enver Hoxhës, të parapërgatitura për këtë qëllim, për të vërtetuar se ne ishim armiq dhe vetëm armiq:

    A.Ç. në diskutimin e tij në këtë mbledhje, na u drejtua me pyetjen: “A mund të na i a tregoni lidhjet tuaja me armiqtë e jashtëm?”

    “Një oficer i garnizonit të Vlorës, në vitin 1972, - tha G.N. në diskutimin e tij, - i ka raportuar Drejtorisë Politike të Ushtrisë se disa oficerë madhorë të ushtrisë po përgatisnin një grusht shteti, por kjo çështje është mbyllur nga Hito Çako.”

    “Nga një organizatë - bazë partie në Shkodër, - tha P.M., - kam marrë të dhëna se Sadik Bekteshi ka mbajtur lidhje me familje të dyshimta në Mal të Zi.”

    “Petrit Dume vinte shpesh në Kolonjë, - tha E.P. - dhe aty punonte për të përçarë e ndarë popullin në myslimanë dhe të krishterë.”

    “E shoqja e Petritit mbante lidhje me të vëllain në Lushnje, që është armik dhe i dërgonte në shtëpinë e tij edhe byrekë.”, tha J.P. Kështu në këtë mbledhje plenumi, veç çështjeve të ashtuquajtura armiqësore e të mëdha të mbrojtjes, nuk munguan të përmendeshin edhe “byreqet”;

    “Me kë i keni mbajtur lidhjet tuaja armiqësore, brenda dhe jashtë vendit?” pyeti M.P.

    “Cili është plani i bashkëpunimit që do të vinit në zbatim?”, pyeti Rr.D., duke përsëritur ndaj nesh edhe kërkesën: “Ne kërkojmë që ju të na zbuloni tradhtinë. Si i kini pasur dhe si i kini mbajtur këto lidhje.” Pastaj po ky (Rr.D.), na u drejtua drejtpërdrejt neve edhe me fjalër “dramatike”: “Të gjithë marksistëleninistët dhe njerëzit e ndershëm kudo në botë, kanë besim tek shoku Enver. Na thoni tani, ju, puçistët tek kush kini pasur dhe kini besim?...”

    H.I.: “Të gjithë ju, puçistët jeni përqafuar qafë më qafë me armikun e klasës”;

    “Në një organizatë të partisë në Lushnje, ka dalë që Sadik Bekteshi ka mbajtur lidhje me ambasadën rumune këtu në Tiranë, duke marrë që andej edhe revista, libra etj.”, tha në diskutimin e tij Rr.Gj.;

    “Çfarë bisede ke bërë ti, Sadik Bekteshi, me Jepishevin, shefin e Drejtorisë Politike të Ushtrisë Sovjetike?”, pyeti N.C. (takim ky që ishte zhvilluar qysh në vitin 1958, H.R.) etj.

    Ndërkohë, nga “maja” e tribunës së mbledhjes, që dukej sikur ishte edhe më e lartë se vetë maja e Olimpit, për të krijuar aty psikozën se ne ishim vetëm armiq, Enver Hoxha, “i nxehur”, me gishtin përpjetë dhe me zë të lartë na drejtohej neve: “I lini ato diskutime që kini përgatitur me shkrim, se i dimë… Dëgjoni çfarë kërkojnë këtu shokët. Ku është komploti, si e kini organizuar ju atë dhe vetëm në këtë drejtim duhet të flisni…”.

    Pas të gjitha atyre akuzave, Petrit Dumja tha: “Unë nuk kam asnjë lidhje armiqësore, as me jashtë e as me brenda. As që me ka shkuar kurrë në mendje të bëj një punë të tillë armiqësore. Gjatë gjithë jetës sime, kam punuar në ushtri, duke ditur dhe menduar gjithmonë se kam venë të gjitha forcat dhe aftësitë e mia për t’i shërbyer sa më mirë atdheut dhe popullit”. Pastaj Petriti kërkoi që t’i jepnin kohë për t’u përgatitur për pyetjet e shumta që ju bënë, por kjo u refuzua edhe nga vetë Enver Hoxha.

    Kurse Hito Çako tha: “Unë nuk e konsideroj veten si komplotist…”

    Po të krahasohen thëniet e mësipërme, me ato të bëra gjatë zhvillimit të gjyqit për ta, që janë botuar edhe në shtyp (në rast se nuk janë të çensuruara), duket sikur Petriti e Hitua, deri edhe Beqiri, i pranojnë fajet. Por edhe nga përvoja ime dhe e “armiqve të tjerë”, jam i bindur se, këto pohime të tyre, janë rezultat i torturave të shumta, sidomos morale, të kryera ndaj tyre në hetuesi për gati një vit dhe pa pushim, ditë e natë. Në ato kushte barbare, ku as hasmin mos e pafsh kurrë, ishin të aftë të bënin të flisnin edhe drurët e gurët dhe jo më njerëzit e gjorë, prej mishi e kockash…

    Në këtë mbledhje, duke marrë pozën e një aktori të përkryer, përveç të tjerave, Enveri iu komunikoi pjesëmarrësve edhe një ngjarje “sensacionale”, sipas tij, gjë që u prit me duartrokitje frenetike. Ky lajm konsistonte në faktin se ai vetë, “kishte shpëtuar jetën e tij” nga tentativa e Hito Çakos për ta eliminuar edhe fizikisht, pasi ky i fundit i kishte caktuar si pilot të avionit personal të tij nipin, nënkolonel Çobo Skënderin. Por unë, tha Enveri, nuk hipa kurrë në këtë avion.

    Është e vërtetë se Enver Hoxhës i ishte caktuar një avion i posaçëm për udhëtime. Çobo Skënderi, piloti i atij avioni, ishte një nga më të aftët pilotë të aviacionit tonë luftarak. Në atë periudhë, ai kryente edhe detyrën e komisarit të regjimentit të aviacionit luftarak të Rinasit. Për këtë detyrë të dytë, ai kish bërë edhe një kurs disamujor fluturimi, ditën dhe natën, në hapësirat e Lindjes së Largët të ish - Bashkimit Sovjetik. Në bazë të rregullave strikte, sidomos politike, të vendosura kohë më parë, Çobua ishte miratuar të shërbente në këtë avion me vendimin e Sekretariatit të KQ.





    NGA BISEDA E MEHMET SHEHUT ME NJË DELEGACION KINEZ



    - “E goditëm Beqir Ballukun si ju Lin Biaon...”

    - “Që nga çlirimi kemi eliminuar 15 anëtarë

    të Byrosë Politike dhe 40 anëtarë të KQ.”



    30.11.1974

    - Takim me shokët e Partisë Komuniste Kineze.

    Shoku Jao Van Juan: (Flet për forcimin e miqësisë midis dy vendeve, për gjendjen e lëvizjes komuniste ndërkombëtare dhe situatën më të fundit në Kinë.)

    - Ne iu falënderojmë për ndihmën qe na keni dhënë në luftën kundër Lin Biaos, Lin Shao Çisë e Konfucit etj. E vërteta është se tradhtia e Lin Biaos na ka krijuar probleme në prodhimin ushtarak. Jemi duke kapërcyer pasojat e sabotimit të tij në këtë aspekt.

    Shoku Mehmet Shehu: - Ju vazhdoni t’i qëndroni ballë për ballë revizionizmit sovjetik

    Shoku Jao Van Juan: - Polemika jonë me sovjetiket, vazhdon papushim. Ajo, thotë shoku Mao Ce Dun, do të vazhdojë 8 mijë vjet edhe asnjë ditë më pak.

    Shoku Mehmet Shehu: - Urojmë që ajo të vazhdojë 12 mijë vjet!

    Shoku Jao Van Juan: - Dikush u përpoq të ndërmjetësonte për normalizimin e këtyre marrëdhënieve, por ne i thamë që, sa më shumë të ndërmjetësoni, aq më shumë do të acarohen këto marrëdhënie...

    Shoku Mehmet Shehu: - Edhe Lin Biaoja ishte agjent i sovjetikëve...

    Shoku Jao Van Juan: - Lin Biao ishte një kryeagjent i sovjetikëve, të cilin ne e rrëzuam në avion kur po arratisej për në Bashkimin Sovjetik. Zumë edhe 5 agjentë sovjetikë, të cilëve iu gjetëm planin për krijimin e organizatave subversive në Kinë... Ne, nga ana jonë, përgatitemi për luftë, bëjmë tunele, armatosim milicinë popullore etj.

    Shoku Mehmet Shehu: - Cili ishte qëndrimi i Lin Biaos për milicinë popullore ?

    Shoku Jao Van Juan: - Ai ishte kundër saj dhe e shikonte me përbuzje. Nuk e donte luftën popullore...

    Shoku Mehmet Shehu: - Këtë qëndrim mbante tek ne Beqir Balluku ndaj forcave të vetëmbrojtjes popullore, po e pësoi si Lini.

    Shoku Jao Van Juan: - Tani, në Kinë, kryesorja është lufta ndaj Lin Biaos dhe Konfucit, duke u orientuar nga mësimet e Mao Ce Dunit. Lin Biaua mbështetej në idetë e Konfucit, që iu përshtaten nevojave të çdo klase reaksionare. Lufta kundër tij, është vazhdim i revolucionit të madh kulturor proletar në Kinë. Tani, në shkallë kombëtare, ka marrë fund identifikimi i njerëzve që kishin lidhje me Lin Biaon dhe grushtin e shtetit. Tani, kryesorja është studimi dhe kritika. Ne ndjekim orientimet e Maos: “Dëno, për të kaluar si mësim për të ardhmen, lufto sëmundjen, për të shëruar të sëmurin!”

    Shoku Mehmet Shehu: - Beqir Balluku, si Lin Biaua, donte të vinte pushkën mbi partinë, të likuidonte rolin e partisë në ushtri, të bënte grusht shteti. Beqir Balluku dhe grupi i tij, u përpoqën të reviziononin artin tonë ushtarak e ta zëvendësonin me atë revizionist. Me Beqir Ballukun, ishin edhe disa anëtarë të KQ që punonin në ushtri, si Hito Çako, Petrit Dume, Sadik Bekteshi, Rrahman Parllaku e të tjerë, por partia iu tregoi atyre vendin, sikundër bëtë ju me grupin e Lin Biaos dhe Konfucit.

    Shoku Jao Van Juan: - Pra, lufta e klasave i ka nxjerrë jashtë këta armiq. Forca e Partisë Komuniste të Kinës, i ka shpartalluar gjatë veprimtarisë së saj të gjitha grupet devijuese dhe, ata që kanë dalë kundër Mao Ce Dunit, i kemi zhdukur në mënyrë të pamëshirshme...

    Shoku Mehmet Shehu: - Të njëjtën gjë ka bërë edhe Partia jonë. Që nga viti 1941, kur ajo u krijua, ka pasur luftë kundër 12 deviacioneve në gjirin e udhëheqjes së saj. Bilanci për Partinë ka qenë i favorshëm. Të 12 grupet janë:

    1 - Veprimtaria antiparti e Anastas Lulos dhe Sadik Premtes;

    2 - Oportunizmi i Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit;

    3 - Plenumi i dytë i KQ në Berat 1944 dhe prapaskena e Koçi Xoxes, Liri Gegës dhe Sejfulla Malëshovës;

    4 - Oportunizmi i Sejfulla Malëshovës dhe Pleniumi i V-të i KQ;

    5 - Veprimtaria trockiste e titiste e Koçi Xoxes, Pandi Kristos, Kristo Themelkos, Xhorxhi Blushit, Nesti Karenxhit;

    6 - Grupi i Abedin Shehut dhe Njazi Islamit;

    7 - Veprimtaria armiqësore e Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut;

    8 - Konferenca e Tiranës, prapa së cilës qëndronin agjentët titistë: Liri Gega dhe Dali Ndreu;

    9 - Dezertimi i Panajot Plakut më 1957;

    10 - Tradhtia e Liri Belishovës, Maqo Çomos dhe Koço Tashkos më 1960, që ishin agjentë të revizionizmit hrushovian;

    11 - Veprimtaria oportuniste e Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës;

    12 - Puçi i Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e grupit të tyre në ushtri etj.

    Rreth 15 anëtarë të Byrosë Politike dhe 40 anëtarë të KQ të PPSH, janë eliminuar për veprimtari armiqësore.




    gazeta standart

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Skenari në ekzekutimin e Ramize Gjebresë

    Halim Ramohito


    Kujtimet e gjeneral Halim Ramohitos, që është dhe veteran i LANÇ-it, sjellin sot për lexuesin e “standard” ekzekutimin barbar të partizanes Ramize Gjebrea

    Kujtimet e gjeneral Halim Ramohitos, që është dhe veteran i LANÇ-it, sjellin sot për lexuesin e “standard” ekzekutimin barbar të partizanes Ramize Gjebrea, e akuzuar se theu ligjet e ushtrisë, duke u dashuruar me kolegun e saj partizan. Ramohito që e kishte njohur nga afër dhe e kishte mike Ramizenë, bën me faj të gjithë ata që morën pjesë në mbledhjen famëkeqe të brigadës së pestë, ku askush nuk e mbrojti, por me një skenar të tmerrshëm e paragjykuan, hodhën baltë mbi emrin e saj dhe më pas e pushkatuan pa e lajmëruar më parë. Rahomito shpreh një përshtypje të jashtëzakonshme për këtë vajzë, që siç thotë ai, ishte e bukur, e zgjuar dhe fjalimet e saj para partizanëve ishin të papërsëritshme. Ndoshta për këto veti të saj edhe pseudonimin e kishte “Interesantja”. Halim Ramohito Ramizeja ishte një vajzë, do të thosha një fenomen i rrallë dhe interesant, ashtu siç kishte edhe emrin e luftës, “Interesantja”. Jam dëshmitar okular kur them edhe tani, pas mbi gjashtëdhjetepesë vjetësh, se tek ajo shkriheshin në një të tërë bukuria, trimëria dhe zgjuarsia. Siç dihet, zgjuarsia pa trimëri mund të të shndërrojë në një njeri pa vlerë, në një dërrasë që kushdo mund të shkelë mbi personalitetin tënd, por edhe trimëria pa zgjuarsinë mund të të çojë në veprime të pakontrolluara, deri edhe aventureske. E përsëris, tek Ramize Gjebrea ishin të shkrira në një të vetme të dyja këto cilësi. Ajo, siç thonë në Labëri, ishte një vajzë trime me mend. Këto veti frymëzonin tek ajo atdhetarizmin dhe dashurinë e flakët për ta parë atdheun e saj vetëm të lirë dhe të përparuar. Edhe për këto arsye, mendoj dhe propozoj që emri i Ramize Gjebresë të radhitet në stendën e kuadrove të shquara drejtuese të LANÇL në Muzeun Kombëtar. Unë mendoj se fotografia e saj meriton të jetë edhe para emrave tanë, që figurojnë në këtë listë. E kam fotografinë e saj në arkivën time të dokumenteve të LANÇL, ku që në shikimin e parë konstaton hijeshi dhe krenari. Ramizeja kishte shumë veti pozitive, të cilat do të mundohem sadopak t’i paraqes në këto shënime modeste. Ajo lindi më 30 prill të vitit 1923, në një familje atdhetare gjirokastrite. U rrit në qytetin e Beratit, ku dhe mbaroi shkollën fillore me rezultate të larta. Në vitet 1935-1940, ajo ishte në radhët e para të vashave “legjendare” antifashiste të shkollës së mesme “Nëna Mbretëreshë” të Tiranës. Ajo shquhej aty si në mësime, ashtu edhe si veprimtare përparimtare dhe revolucionare antifashiste. Aty, shoqet e saj e pagëzuan me emrin konspirativ të LANÇL “Interesantja”. Për të gjithë ne, ky emër ishte shumë domethënës. Për këdo që e takonte dhe e dëgjonte në atë periudhë të vështirë pune e lufte, Ramizeja paraqiste interes dhe nuk mund të mos shtronte pyetjen, se sa bukur është të shohësh një vajzë që sapo ka mbushur tetëmbëdhjetë vjetët e jetës të saj, të mishërojë në të gjithë qenien dy cilësi aq të domosdoshme, sidomos për luftën për çlirim, trimërinë dhe zgjuarsinë. Ramize Gjebrea i kishte këto dy cilësi dhe i shfaqte më së miri ato në bankat e shkollës, por edhe në aksionet e shumta antifashiste në qytetin e Tiranës. Ajo i shfaqi ato në betimet e saj të zjarrta para trupave të vrarë nga fashistët të shokëve të saj të luftës, Misto Mames dhe Ramiz Aranitasit etj. Ramizeja, në ilegalitet të plotë, në fillimet e vitit 1942, shoqëroi në Gjirokastër Qemal Stafën në punët e tij si udhëheqës i rinisë. Ajo zhvilloi gjithashtu veprimtari të tjera të shumta antifashiste, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Berat. Takimin tim të parë me Ramize Gjebrenë e kam pasur në qershor të vitit 1943, në fshatin Ramicë të Vlorës, i cili për ne, gjatë LANÇL, ishte një kështjellë e luftës dhe e natyrës, e vendosur në mes të maleve të Çipinit dhe malit të Bardhë. Këtë fshat të vogël, gjatë periudhës së LANÇL, ne, partizanët, e konsideronim edhe si “kryeqendrën” tonë të luftës në qarkun e Vlorës. Kjo, ndoshta edhe për faktin se aty, në shtëpinë e dy prej ish-drejtuesve të shquar të LANÇL dhe Forcave tona të Armatosura në dhjetëra vjetët e pasçlirimit të vendit, Bako dhe Mevlan Dervishaj, ishin vendosur zyrat e udhëheqësve të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe të komiteteve Qarkore të Partisë dhe të Rinisë Komuniste të qarkut të Vlorës. Në këtë fshat, ishin ngritur edhe dy punëtori për riparimin e veshmbathjeve të partizanëve. Në rrëzë të malit Çipin, në një shpellë natyrore, ishte i vendosur edhe spitali partizan, pothuajse pa aparatura, por me mjekë profesionistë të shquar vendas dhe të huaj (italianë) ish-ushtarakë shumë të përkushtuar në këtë punë. Rasti për takimin e parë me Ramizenë ishte prezantimi i saj nga sekretari Organizativ i Komitetit Qarkor të PK të Vlorës në atë periudhë Manush Myftiu, në një takim ku ne ishim grumbulluar për mbledhjen e radhës të Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste për Vlorën. Ramizeja, sa ishte ngarkuar të drejtonte këtë komitet, si sekretare politike e tij. Në këtë mbledhje, ishin pjesëmarrës Ymer Veshi, sekretar organizativ (më vonë, ai u largua për në Mallakastër me detyrën e sekretarit të Komitetit të PK të kësaj krahine), Kastriot Muço, i ngarkuar në këtë komitet për problemet ushtarake, Babaçe Faiku e Teki Alushi, të ngarkuar për punën me rininë e fshatit dhe Amali Pjero e Halim Ramohito, të ngarkuar me punën me të rejat dhe me të rinjtë e qytetit të Vlorës. Ramizeja kishte një fytyrë tërheqëse dhe një trup mesatar. Ajo ishte e veshur me një uniformë bojë mjalti të mbajtur mirë të ushtrisë angleze, mbante në dorë një sahat të markës “Kronometër” dhe shkruante me një stilograf aq të kërkuar në ato vite, të markës “Pelikan”. Për çdo muaj unë dhe Amali Pjero, me masa të forta sigurie, në ilegalitet, detyroheshim të largoheshim nga qyteti për mbledhjet e radhës të Qarkorit të Rinisë, duke ndjekur rrugën nga Vlora nëpër pyjet me ullishta drejt Kaninës, pastaj lëviznim për në zonat e çliruara nëpërmjet fshatrave Gumenicë, Velçë dhe Ramicë, ku zakonisht zhvilloheshin këto mbledhje. Në një rast, gjatë kthimit për në qytet, në fshatin Kaninë (në korrik 1943), u ndeshëm me një pritë të një reparti të ushtrisë fashiste italiane. Gjatë përpjekjes me ta, mbeti i vrarë shoqëruesi ynë, ish-drejtuesi i Rinisë Antifashiste të lagjes “Varosh” të Vlorës, Nure Alushi. Në këtë përpjekje, theu të dy duart edhe kaninjoti Ismail Halili, që na shoqëronte gjatë kthimit. Si rregull, në rendin e ditës të mbledhjeve të Komitetit Qarkor të Rinisë përfshiheshin këto çështje: - Situata politike në frontet e Luftës Antifashiste në vend dhe në frontin ndërkombëtar; - Veprimtaria e Rinisë së Qarkut në këtë luftë dhe detyrat për të ardhmen; - Komunikime eventuale të porosive të Komitetit Qendror të Rinisë, të cilat na i binte i deleguari i Komitetit Qendrorë të Rinisë, Ramadan Xhangolli (“Xhakja”), i cili, gjithashtu, na lexonte edhe letrat me udhëzime të Nako Spiros, sekretar Politik i KQ të Rinisë Komuniste dhe më vonë president i BRASH, të nënshkruara me pseudonimin “Deti”. Përveç çështjeve të mësipërme, në rendet e ditës të mbledhjeve tona ishte patjetër edhe një pikë që kishte lidhje me kritikën dhe autokritikën. Këto çështje kishte në rendin e ditës edhe në këtë mbledhje të parë të Komitetit Qarkor të Rinisë, të cilën e drejtoi Ramizeja. Me detyrat, si anëtar i Komitetit Qarkor të Rinisë në Qarkun e Vlorës, më vonë si përgjegjës i Rinisë të Brigadës së Pestë dhe si zëvendëskomisar i batalionit të pestë, në të gjitha rastet ku unë kam marrë pjesë nëpër këto mbledhje të panumërta të forumeve të rinisë dhe të partisë në reparte, për të cilat kam mbajtur edhe shënime në ditarin tim, nuk gjej në asnjë rast ndonjë pikë të rendit të ditës që lidhet me çështje të karakterit ideologjik “komunist”, siç e konsideronim ne veten, “emër” të cilin ne e mbronim me aq fanatizëm në atë periudhë. Siç e citova edhe më sipër, në të gjitha analizat tona, qoftë në forumet e Partisë dhe ato të Rinisë, të paktën në Brigadën e Pestë, ku unë isha edhe në detyra drejtuese, në rendin e ditës të analizave tona kryesisht ishin vetëm problemet e luftës ANÇL, të qëndrimeve tona ushtarake-politike në këtë luftë dhe, në ndonjë rast, diskutoheshin edhe probleme të figurës morale të të riut partizan. Ramizenë, si mjeshtre e punës ilegale, nuk mund ta mbante vendi mbyllur vetëm në këtë qendër të vogël në fshatin Ramicë. Ajo donte të takohej drejtpërdrejt dhe vazhdimisht me organizatat e rinisë nëpër fshatra dhe këtë punë e filloi menjëherë që ato ditë që vajti në zonat e çliruara në krahinën e Bregut të Detit. Përshtypjet e saj për këtë udhëtim, po t’i shikojmë të krahasuara me horizontin shumë të ngushtë që ne kishim në atë kohë në analizën e problemeve, mua më duken edhe sot gjykime largpamëse. Ja çfarë i shkruante më 28 gusht 1943 Ramizeja përgjegjëses së Rinisë Antifashiste të asaj periudhe të krahinës së Bregut dhe shoqes së saj të shkollës “Nëna Mbretëreshë”, Agllai Zotos: “Agllai, kam vetëm një javë që jam larguar nga ajo anë dhe meqë atje isha e zënë me punë të tjera (të Frontit ANÇL), bëra në fshatin Vuno vetëm një konferencë, ku morën pjesë të gjitha vajzat e reja të fshatit. Ato ishin të mira, vetëm se duhet të punojmë akoma më shumë me to. Që ti, Agllai, t’i njohësh më mirë ato, të porosis, që të bësh disa konferenca me to. Ato t’i bësh në çdo katund që të kalosh, si në Qeparo, Kudhës, Dhërmi, Palasë e Himarë. Ki kujdes, Agllai, në fillim mos u fol atyre drejtpërdrejt vetëm për detyrat e tyre të luftës në fshat, por, në radhë të parë, për luftën që bëjnë të rejat e të gjithë botës për liri dhe pavarësi dhe, pastaj, këtë çështje lidhe me luftën që po bëjnë të rejat tona sot në Shqipëri kundër pushtuesve dhe, pastaj, këtë çështje lidhe gjithashtu edhe me detyrat e përbashkëta që na dalin edhe në luftën e përbashkët antifashiste çlirimtare. Dhe kështu, me këto shpjegime, në fillim ato vajza me siguri do të entuziazmohen dhe, pastaj, gradualisht, ato do të lidhen me ne. Kur këto të reja do të kërkojnë të futen në aktivet tona të Rinisë Antifashiste, t’u themi se, kushtet për t’u pranuar në to janë të thjeshta, mjafton që ato të jenë të moralshme, të mos jenë egoiste e ambicioze, por të dashura me të gjithë. Duhet të punojmë, - e porosit Ramizeja Agllainë në këtë letër, - që rinia e krahinës suaj dhe e gjithë Shqipërisë, i gjithë populli ynë ta kuptojë mirë se ne jemi për LANÇL dhe jo për të prurë në vendin tonë Rusinë, Serbinë apo Greqinë...” E nënvizova këtë porosi, pasi për kohën ajo kishte rëndësi të madhe. Në këtë pikë, ne duhet të përgatiteshim mirë për t’iu kundërvënë me vendosmëri dhe zgjuarsi propagandës së pushtuesve, por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre, që i bëhej me shpifje qëllimeve, deri edhe strategjike, të luftës sonë. Në shumë takime me të rejat e Vlorës, Ramizenë e kisha dëgjuar t’iu thoshte atyre se sapo të çlirohet atdheu ynë, do të krijohen mundësitë që të rejat e Shqipërisë të vendosin lirisht edhe mbi jetën e tyre familjare. Në Qarkorin e Rinisë të Vlorës, Ramizeja punoi bashkë me Ymer Veshin (emri i tij i luftës “Ylli”), drejtues ky veteran i Rinisë Komuniste e Antifashiste në qarkun e Vlorës që nga 7 prilli 1939. Të dy bashkë, Ramizeja dhe Ymeri, punuan shumë edhe për organizimin e Konferencës së Rinise të Qarkut, e cila do të çonte më pas në krijimin e një organizate të vetme të Rinisë, që u quajt Bashkimi i Rinisë Antifashiste të qarkut (BRASH). Kjo konferencë, megjithëse në kushte të vështira të luftës, u zhvillua me sukses në një kasolle në fshatin Bolenë të Vlorës, më 31 dhjetor 1943. Kryetari i parë i Këshillit të BRASH, u zgjodh Ymer Veshi dhe sekretare e Përgjithshme Ramizeja. Ky organizim i ri i rinisë luajti një rol të rëndësishëm për zgjerimin e Organizatës së Rinisë dhe shtimin e radhëve partizane me të rinj të qarkut, sidomos me ata të fshatrave. Në Brigadën e Pestë, që ishte formacioni më i madh partizanë në qarkun e Vlorës, Ramizeja u ngarkua edhe me detyrën e anëtares së Seksionit Politik, me sektor pune atë të përgjegjëses së Rinisë të Brigadës. Veç kësaj, ajo, me përvojën dhe talentin e saj letrar, ndihmoi edhe në nxjerrjen e gazetës së brigadës, me titullin “Buçitja”. Një përshtypje të veçantë la fjalimi i Ramizesë para rreth një mijë partizanëve të rreshtuar dhe shumë banorëve të krahinës, më 20 janar 1944 në një lëndinë afër fshatit Tërbaç (në Bramyshje), me rastin e përurimit zyrtar të Brigadës së Pestë partizane (Në fakt, data e saktë e krijimit të Brigadës V është 28 nëntori i vitit 1943 në fshatin Gumenicë të Vlorës, si fillim, vetëm me tri batalione, ditë që përkoi me 31-vjetorin e shpalljes së pavarësisë). Në atë takim të 20 janarit 1943, merrnin pjesë qindra lebër, të ardhur qëllimisht nga të gjitha krahinat e qarkut të Vlorës, deri edhe të Kurveleshit. Shumë pjesëmarrës, më tregonin më pas të entuziazmuar se një mbledhje të tillë ata e kishin parë vetëm në qershor të vitit 1920, ditën kur kryengritësit në Luftën e Vlorës çliruan edhe vetë qytetin e Vlorës, duke i hedhur njësitë pushtuese italiane në det. Më kujtohet fjalimi i zjarrtë i Ramizesë në mbledhjen e përurimit të Brigadës, i cili la shumë mbresa tek të gjithë të pranishmit. Në këtë fjalim edhe sipas shënimeve të mbajtura në ditarin tim, ajo ngriti lart luftën kundër pushtuesve monarkistë italianë më 1920-n dhe luftën e popullit të Vlorës kundër fashistëve italian më 7 prill 1939. Ajo përmendi katër heronjtë e rinisë të lagjes Topana të Vlorës, si dhe heroizmin e Kastriot Muços, Lef Sallatës dhe Zonja Çurres me shokë. Në fund, fjalimin e saj të zjarrtë në këtë miting ajo e mbylli me thirrjen për rininë dhe për gjithë popullin e qarkut të Vlorës, se lufta akoma nuk ka mbaruar, se ajo duhet të ngrihet akoma në një stad më të lartë dhe kështu me flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, rinia e Vlorës dhe i gjithë populli i saj duhet të ecë përpara për çlirimin sa më parë të të gjithë vendit nga pushtuesit fashistë italianë dhe veglat e tyre. Më kujtohet se pas mitingut disa pleq lebër, me mustaqet vesh më vesh, me kësulat e bardha në kokë, me atë bishtin e tyre si antenë në majë të tij dhe kërrabat në dorë, më pyetën: “E nga e kini gjetur dhe prurë këtu këtë gocë, more djem, se na u duk jo vetëm e zgjuar, por edhe shumë trime?!... Na gëzoi edhe ne, pleqve, me fjalën e saj dhe, për këtë, paçi edhe uratën tonë!” U thashë se na e kishin dërguar nga Tirana për të drejtuar luftën e rinisë së Vlorës, por vetë ajo vajzë kishte lindur në kryeqendrën e Labërisë, në Gjirokastër, prandaj ishte edhe aq trime dhe e zgjuar. Në takimin tim me ata lebër të lashtë si malet rreth e rrotull, ishte edhe rapsodi i njohur, xha Selim Hasani i Brate dhe, siç e kish zakon, aty për aty, i frymëzuar nga ky manifestim i madh, por edhe nga pjesëmarrja e dhjetëra vajzave që parakaluan të rreshtuara në të pesë batalionet e Brigadës V dhe sidomos i frymëzuar nga fjalimi i Ramizesë në këtë festë, ai thuri vargjet e këngës së njohur gjatë dhe pas luftës, që fillonte me fjalët: E tunde, parti, e tunde, Me djem e vajza si nure, Ato që mbathin poture... Mentaliteti konservator, sidomos ai lab, në atë periudhë edhe në Vlorë, nuk i falte vajzat të visheshin me pantallona (poture). Por i madhi xha Selim, që u bindej vetëm kanuneve të atdhetarizmit dhe i falej vetëm Zotit të këngës së tij hyjnore, për kushtet e luftës, jo vetëm i lejonte që ato të vishnin kështu, por edhe gëzohej që i shihte të veshura si luftëtaret e hershme, sepse vetëm ashtu ato dukeshin të bukura si “nure”. Me të mbaruar ceremonia e përurimit zyrtar të Brigadës së Pestë, më 20 janar 1944, të pesë batalionet e saj u nisën për në sektorët e caktuara të mbrojtjes, për të përballuar Operacionin e madh të Dimrit të vitit 1943, që sapo kishte filluar edhe në qarkun e Vlorës. Si rregull, por veçanërisht në kushtet e atij operacioni të dimrit të vështirë të vitit 1943, komanda e brigadës dhe drejtuesit e tjerë të seksionit të saj politik kishin vendosur të shpërndaheshin nëpër batalione, si të deleguar të tyre. Ramizeja u caktua në Batalionin e Tretë, ku zëvendëskomisar ishte Heroi i Popullit Zaho Koka. Gjithçka dukej sikur ishte e parathënë dhe e paracaktuar. Edhe vetë puna dhe detyra e Zahos në sektorin politik në atë periudhë do ta lidhte atë më shumë me Ramizenë. Na është bërë zakon që nga koha e luftës (kjo ndoshta edhe nga respekti dhe dashuria që kemi për shokët tanë dëshmorë), që në tregimet e kujtimet për ta t’u veshëm atyre edhe bukuri dhe cilësi të rralla fizike trupore, por në të vërtetë legjendarit Zaho Koka natyra ia kish dhënë këto dhunti trupore. Kishte një trup të gjatë si një selvi, shpatulla të gjera dhe një fytyrë të bukur, që skuqej edhe kur fliste me atë dialektin aq të bukur që flasin gjuhën shqipe vunjotasit. Në vitet e pasçlirimit, më është dhënë rasti të bisedoj me shokë të mi të ngushtë, drejtues të Batalionit të Tretë partizan, ku Ramizeja qëndroi gjatë dy muajve, aq sa vazhdoi edhe operacioni nazisto-kuisling i dimrit të viteve 1943-44. Kam biseduar edhe me shokë të mi partizanë nga fshati Vuno, vendlindja e Zahos. Nga këto biseda dhe nga përshkrimi që u bëjnë edhe ata marrëdhënieve të Zahos me Ramizenë, duke i njohur nga afër, asnjëri nuk e ka mohuar se ata kishin për njëri-tjetrin shenja simpatie reciproke. Sipas përshkrimit të bërë nga Sofokli Lazëri, në librin me kujtime “Kthimi i dhimbjes” (ngjarje të cilat nga sa di Sofua i ka jetuar edhe vetë), të gjitha këto shfaqe simpatie të Zahos me Ramizenë në atë periudhë të luftës i janë dukur edhe atij të natyrshme e njerëzore dhe pa asnjë teprim, të cilat ndoshta më vonë, mund të ktheheshin edhe në lidhje të përhershme martesore mes tyre. Është folur dhe shkruar se Nako Spiro ka pasur lidhje të afërta me Ramizenë kur ajo punonte në Tiranë. Ky mund të jetë një fakt i vërtetë, por po aq i vërtetë dhe shumë domethënës është edhe fakti tjetër se, me ta marrë vesh Nakua ngjarjen për vrasjen e Ramizesë, ishte i pari ai që e denoncoi me forcë këtë veprim kriminal, ishte i pari ai që e denoncoi atë me forcë edhe në Kongresin e Rinisë Antifashiste Shqiptare në gusht të vitit 1944, në Helmës të Skraparit dhe këtë e bëri me guxim e largpamësi, jo në prizmin vetjak, por në atë parimor. Hollësirat për këtë qëndrim i kam shkruar më sipër (në pjesën ku flas për Nakon). Në atë periudhë, por ndoshta edhe tani, mund të ketë shokë të veçantë që arsyetojnë akoma me mentalitetet e vjetra, kur vajzat në Labëri shiteshin e bliheshin vetëm për të lindur fëmijë ose lidhnin martesa me shkesi pa dijeninë e tyre etj. Është i pakuptimtë fakti që këta shokë, në atë kohë, por edhe tani, të guxojnë ta justifikojnë këtë krim me gjoja faktin se Ramizeja, me simpatinë për Zahon, na paska shkelur një lidhje të parë martesore dhe këtë gjoja e kishte bërë “në kohën që shokët tanë ngrinin në borë dhe jepnin edhe jetën në malet e Vetëtimës në krahinën e Bregut të Detit etj”. Vetë jeta dhe lufta e Ramizesë, në batalion dhe gjatë Operacionit të Dimrit, kanë vërtetuar që edhe këto gjykime ishin vetëm shpifje të rëndomta. Faktet tregojnë se edhe gjatë Operacionit të Dimrit, Ramize Gjebrea, bashkë me Zaho Kokën, përditë luftonin, njëkohësisht edhe drejtonin partizanët e batalionit të tyre në malet e larta me borë dhe ngrica të Vetëtimës, gjatë marshimeve të gjata dhe ndeshjeve të përditshme me nazistët dhe veglat e tyre. Por edhe në këto kushte të vështira, Ramizeja gjente kohën të hidhte në letër edhe përshtypjet mbi këtë luftë, gjente edhe rrugën për t’ia dërguar këto përshtypje gazetës të Rinisë Antifashiste të asaj periudhe “Kushtrimi i lirisë” në Tiranë. Ja përmbajtja e një letre, e shkruar me dorën e saj nga malet e Vetëtimës, mbi fshatin Vuno të Bregdetit, letër e shoqëruar edhe me një artikull për këtë gazetë dhe e nënshkruar prej saj si zakonisht në një mënyrë disi origjinale, “Rami - Zeja”: “Nuk kam kohë, as kondita t’ju shkruaj gjatë dhe me hollësi. Këtë letër po e shkruaj, - u drejtohet ajo shokëve të redaksisë të kësaj gazete, - në këmbë dhe, siç mund ta konstatoni edhe vetë edhe nga njollat e shumta të bojës që më kanë rënë mbi këtë letër, bora dhe tufani në këto çaste dhe në këto male nuk të lenë as të marrësh frymë. Kemi dy javë që këmbët nuk na zënë as dhé, duke luftuar dhe çarë përditë rrethim pas rrethimi. Partizanët e Batalionit të Tretë të Brigadës së Pestë partizane, me të cilët unë jam, janë të veshur keq, me bukë e pa bukë, por, megjithëkëtë, të habit trimëria dhe kurajua e të rinjve të batalionit, kur ata edhe në këto kushte të tmerrshme, jo vetëm nuk përkulen, por bëjnë edhe heroizma që s’merren as me mend...” Takimin e fundit me shoqen dhe motrën time të paharruar, Ramize Gjebrenë, e pata në fshatin Ramicë, më datën 3 mars 1944, në këto rrethana: Batalioni ynë i Pestë partizan, ato ditë ishte i vendosur në fshatin Velçë të Vlorës, me detyrë të mos lejonte ndonjë inkursion të befasishëm armik nga ai drejtim. Siç e kam përmendur edhe në këto kujtime, unë kryeja në atë kohë detyrën e zëvendëskomisarit të këtij batalioni. Bashkë me komisarin e batalionit, Rrahman Parllakun, na thirrën për të marrë udhëzime në shtabin e brigadës, në Ramicë. Aty, pasi mbarova punë, kërkova të takohesha edhe me Ramizenë, po për çudinë time, atë e gjeta të shtrirë e të mbuluar me një çull (velenxë), në një korridor të ngushtë të zyrës të Këshillit të Frontit Antifashiste Nacionalçlirimtar të qarkut, në një gjendje tejet të trishtuar e të shpërfytyruar dhe, për këtë, më erdhi shumë keq. Ajo nuk më tha asgjë për ngjarjen për të cilën e akuzonin. Kur e pyeta për gjendjen, më tha vetëm: “Halim, siç më shikon, jam shumë e sëmurë...” Më vonë, nga të tjerë e mora vesh ngjarjen me Ramizenë dhe arsyen pse ajo ishte në atë gjendje fizike. Në heshtje edhe unë në atë periudhë u pajtova me gjendjen e krijuar dhe me besimin se shokët drejtues të brigadës do ta analizonin dhe do të vendosnin drejt mbi çështjen për të cilën ajo po akuzohej dhe nuk kërkova që akuzat ndaj saj të shtroheshin më parë në mbledhjen e drejtuesve të BRASH të qarkut të Vlorës, ku edhe unë isha anëtar. Më vonë, më 5 mars, ndodhi ajo që në asnjë mënyrë nuk duhet të ndodhte, pushkatimi i Ramizesë. Unë nuk isha aty në momentin e pushkatimit, por emrat dhe qëndrimet që kanë mbajtur në këtë “gjyq” të montuar dhe antinjerëzor secili pjesëmarrës në të, janë në Arkivin e Shtetit, bashkë edhe me disa raporte që kanë bërë shokët kryesorë të Batalionit të Tretë partizan lidhur me marrëdhëniet e Zaho Kokës me Ramizenë. Në të gjitha këto gjykime, ka vetëm tendenciozitet dhe paragjykim fatal dhe asgjë më tepër. Në ndonjë shkrim të bërë në ndonjë gazetë edhe tani bëhen përpjekje për t’ua hedhur fajin për këtë vendim vetëm personave të veçantë, pjesëmarrës në këtë “mbledhje”. Për mendimin tim, të gjithë pjesëmarrësit e “mbledhjes” kanë përgjegjësi për atë vendim mizor që u mor aty ndaj Ramizesë. Shokë të mi të brigadës, që u ndodhen të rreshtuar në vendin e pushkatimit, më kanë treguar se kur Ramizenë e prunë të shoqëruar para batalionit të rreshtuar në një shesh të vogël të fshatit Ramicë, nga paraqitja e saj, të krijohej përshtypja se ajo mendonte se e prunë aty për të folur dhe për të bërë vetëm autokritikë. Dhe përse do ta bënte këtë, për një intrigë të bazuar në një mentalitet fanatik dhe antinjerëzor ku hijet e tij dukeshin edhe në këtë rreshtim?!... Dy ose tri nga partizanet e pranishme nuk e lanë atë as të fliste dhe, me një sinjal, qëlluan në drejtim të saj, por plumbat nuk binin në shenjë, se edhe këto partizane, siç duket, ishin të hutuara për atë që po ndodhte. Ata që ishin më afër Ramizesë në ato momente, më kanë thënë se dëgjuan nga ajo të thoshte vetëm fjalët, që ishin të fundit për të: “Pse?!... Ç’bëni kështu?!... Pse më vrisni?!...” Në këto momente mendimi e reflektimi të partizanëve, ndërhyri një nga kuadrot kryesorë të batalionit të tretë, S. S., i cili, me revole në dorë dhe në mënyrën më barbare, e goditi, duke e shtrirë menjëherë atë për tokë. Ramizeja u varros po në fshatin Ramicë. E përsëris, procesverbali me emrat e kuadrove që morën pjesë në këtë “mbledhje” makabre dhe diskutimet e tyre, si dhe raportet e disa drejtuesve të Batalionit të Tretë për këtë çështje janë në Arkivin e Shtetit. Nga këto dokumente nuk del ndonjë fakt që ndonjë pjesëmarrës në këtë “mbledhje” të këtë shfaqur ndonjë mendim të kundërt me atë të vendimit mizor ose që ndonjë pjesëmarrës edhe i vetëm t’u jetë imponuar të tjerëve për këtë vendim, siç thuhet në ndonjë organ të shtypit. Të gjithë pjesëmarrësit në shqyrtimin dhe vendimin për këtë çështje, pa asnjë përjashtim, kanë qenë dakord për atë vendim mizor dhe të gjithë, edhe sipas mendimit tim, kanë përgjegjësi. Po ashtu, përgjegjësi kemi edhe të gjithë ne, kuadrot e larta të BRASH të qarkut të Vlorës, që nuk ngritëm as zërin për mbrojtjen e drejtueses sonë Ramize Gjebreja. Hysni Kapo, qysh gjatë luftës, më ka thënë se “vendimi ynë për vrasjen e Ramizesë ka qenë i gabuar...” Sofokli Lazëri, që është edhe dëshmitar okular i kësaj drame, ka shkruar një libër me titullin “Kthimi i dhimbjes, Zahua dhe Ramizeja”, me përmbajtjen e të cilit edhe unë në përgjithësi kam qenë dakord. Sofua më ka thënë gjithashtu se, porositë për të shkruar për ta, ma ka dhënë drejtpërdrejt Hysni Kapua. Edhe idetë kryesore të librit që kam shkruar, më ka thënë Sofua, janë të Hysni Kapos. Që nga maji i vitit 1944, unë vazhdoja të kryeja edhe detyrën e përgjegjësit të Rinisë të Brigadës së Pestë dhe, njëkohësisht, edhe atë të zëvendëskomisarit të batalionit të pestë. Pas kthimit nga kongresi i BRASH në Helmës, në gusht të vitit 1944, më thirri në qytetin e Peshkopisë, zëvendëskomisari i Brigadës dhe më vonë i Divizionit të Parë partizan ,Manush Myftiu. Pasi me komunikoi zgjedhjen time, në mungesë, në këtë Kongres si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të BRASH më porositi që, pavarësisht se forcat e brigadës ishin të angazhuara në luftime në vargun e malit të Korabit, të mblidhnim menjëherë Komitetin e Rinisë dhe të gjitha organizatat e rinisë të brigadës “...për të analizuar “gafën”, siç më tha ai tekstualisht, që bëmë me vrasjen me 5 mars 1944 të Ramizesë, në fshatin Ramicë...”. Për këtë akt që kryem, më tha Manushi, ne u kritikuam rëndë në Kongresin e BRASH në Helmës të Skraparit dhe unë me Hysniun e pranuam atje fajin. Tani që jemi edhe në pragun e çlirimit të vendit, me porositi Manushi, ne duhet t’i shikojmë më gjërë problemet e moralit partizan. Do të zbresim shpejt në qytete dhe populli atje duhet të shikojë tek ne jo vetëm partizanët trima e çlirimtarë të tij, por edhe njerëz të emancipuar. Asnjeri nuk i ka ndaluar dhe nuk mund t’i ndalojë tani edhe partizanët e brigadës sonë, përfundoi Manushi, që të lidhin edhe miqësi me shoqet e tyre partizane të luftës. Analizat tona për këtë problem, duhet të kishin si përmbajtje kuptimin e drejtë të problemeve të moralit partizan. Ndonse bëhej me shumë vonesë dhe vetëm pas presionit nga lart, sidomos nga Nako Spiro, kjo punë pati më vonë një kuptim dhe reagim të drejtë ndaj pushkatimit sa kriminal, aq edhe tragjik të Ramize Gjebresë. Të rinjë partizanë të brigadës sonë, me unanimitet, i dënuan shfaqet e sektarizmit edhe në këtë drejtim dhe sidomos atë krim të kryer ndaj drejtueses së tyre, Ramizesë. Kështu, në frymën edhe të vendimeve të Kongresit të gushtit të vitit 1944 të BRASH në Helmës, ne e analizuam edhe më thellë dhe më me përgjegjësi në komitet dhe në të gjitha organizatat e rinisë të brigadës problemin e moralit partizan. Pas atyre analizave, filluan edhe lidhjet, deri edhe martesore, ndërmjet të rinjve dhe të rejave partizane, madje edhe midis atyre të Brigadës sonë të Pestë, që shquhej nga njësitë e tjera partizane më shumë për një frymë sektare, sidomos në këtë drejtim. Dhe, ndoshta që nga ajo kohë mbeti ajo shprehja e njohur: “fejesa dhe martesa alla partizançe”. Me sa di, menjëherë pas çlirimit të vendit, me ndërhyrjen sidomos të Nako Spiros dhe të deputetit të Vlorës e ish - kryetarit të Këshillit të Frontit Antifashiste Nacionalçlirimtar të qarkut, Hasan Pulos, Ramizeja u rehabilitua edhe zyrtarisht. Më kujtohet se një nga drejtuesit kryesorë të BRASH, Alqi Kondi, në organet e shtypit të kohës, botoi një artikull të gjatë për Ramizenë, të cilën e cilësonte me të drejtë si një nga udhëheqëset e shquara të Rinisë Antifashiste Shqiptare. Pas çlirimit të vendit, në fillimin e vitit 1945, e ëma e Ramizesë dhe e gjithë familja e saj, e tërhoqën trupin e saj nga fshati Ramicë dhe e varrosën atë në fillim në varrezat e Tufinës në Tiranë, ndërsa më 1947, eshtrat e saj u rivarrosen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, bashkë me shokët e saj partizanë, heronj të qarkut të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë, të rënë në LANÇL. Në mars të vitit 1944, si përgjegjëse e Rinisë të Brigadës së Pestë partizane, në vendin e Ramize Gjebresë, u caktua ish - shoqja e saj e shkollës dhe e luftës, anëtarja e Komitetit Qarkor të Rinisë të Vlorës, Amali Pjero, ndërsa që nga maji i vitit 1944, në Çajup dhe deri në çlirimin e plotë të vendit, në këtë detyrë u caktova unë (H.R.). Për mua, ka qenë një nder dhe obligim i madh të vazhdoja punën në këtë detyrë në Brigadën e Pestë, rrugë të cilën e kish çelur e para e paharruara, shoqja dhe edukatorja ime Ramize Gjebreja.Jam i ndërgjegjshëm se të gjithë partizanët e Brigadës sonë të Pestë që jetojnë edhe tani, megjithëse kanë kaluar mbi 65 vjet nga vrasja mizore e saj, e kujtojnë dhe do ta kujtojnë gjithnjë partizanen dhe udhëheqësen e tyre të parë të Rinisë të brigadës. Ramize Gjebreja ka qenë dhe do të mbetet në historinë e kësaj Brigade nga të parat, ndër 363 dëshmorët e saj.Ramize Gjebrea, jo vetëm për familjen e saj, për mua dhe për brezin tim, pjesëmarrës në LANÇL, por edhe për brezat e rinj të sotëm dhe të ardhshëm të Shqipërisë, ka qenë dhe do të mbetet në histori një figurë e ndritur nga çdo pikëpamje, një frymëzim i luftës, moralit dhe punës në shërbim të atdheut.Megjithëse kalojnë vitet edhe tani ajo do të mbetet një vajzë e re, një trime e rrallë dhe e zgjuar, që dha jetën, jo vetëm për çlirimin e atdheut, por edhe për emancipimin e brezit të të rejave të Shqipërisë dhe, për këto merita, e meriton, siç thashë edhe më sipër, që emri i saj në Muzeun Kombëtar të rreshtohet bashkë me emrat e kuadrove drejtuese më të shquara të LANÇL. Çdo 5 Maj, në Ditën e Dëshmorëve edhe unë, nxënësi dhe shoku i saj i luftës, kam nderin që të vë një karafil të kuq mbi varrin e saj...

    Komente (0 publikuar):

    gazeta standart

  3. #3
    Ernst Kaltenbrunner Maska e Bizantin
    Anëtarësuar
    26-01-2008
    Vendndodhja
    Swabia
    Postime
    670
    h. i. = hekuran isai?

    p. m. = pali miska?

    a. ç. = adil çarçani (aka tao tao)?
    Slagt ham! Kristenmands sønn har dåret. Dovregubbens veneste mø.

    Gott mit Uns

  4. #4
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    20-06-2009
    Postime
    98
    e. h = enver hoxha (aka dulla)?

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Endless
    Anëtarësuar
    17-08-2007
    Vendndodhja
    Shqiperi
    Postime
    5,119
    Citim Postuar më parë nga Rachel_ Lexo Postimin
    e. h = enver hoxha (aka dulla)?
    Dicka e tille kishte me dhjetra vite qe po mundohesh te zbulohesh nga studiues te huaj e shqiptar. ''e.h = enver hoxha (aka dulla) ?'' Wow!!! Si ja dole!?
    Without deviation from the norm, progress is not possible

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,511
    Mos ma shani Petrit Dumen.......ishte nga te paktet,qe deshte Partizanin.......

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Tri mundësitë për ta shmangur Enver Hoxhën nga drejtimi i vendit



    Gazeta Standard

    Rrëfimi i gjeneral Ramohitos nga lufta:

    Si çdo fatkeqësi, që kur ndodh, të gjithë pyesim veten si mund të shmangej në kohë, dhe diktatura komuniste, ose marrja e pushtetit nga Enver Hoxha mund të shmangej në disa momente kyçe të historisë. Por për fat të keq historia punoi për të keqen

    Si çdo fatkeqësi, që kur ndodh, të gjithë pyesim veten si mund të shmangej në kohë, dhe diktatura komuniste, ose marrja e pushtetit nga Enver Hoxha mund të shmangej në disa momente kyçe të historisë. Por për fat të keq historia punoi për të keqen. Halim Ramohito hedh sytë pas në rininë e tij dhe pikërisht atëherë kur Partia Komuniste e sapokrijuar kishte brenda vetes eksponentë që ishin kundër Enverit, mbështetjes së tij tek jugosllavët dhe linjës që ai ndiqte për të përqendruar pushtetin. Ramohito, që ishte vetë pjesë e organeve drejtuese të Partisë Komuniste, thotë se “mundësitë që Enver Hoxha të shmangej nga funksionet drejtuese në parti dhe në shtet, u paraqitën tri herë. E para, në mbledhjen e Plenumit të II-të të PKSH-së në Berat, në nëntor të vitit 1944, e dyta, në Konferencën e Partisë të Tiranës, në vitin 1956 dhe, e treta, në vitet 1960–1961, nga superfuqia sovjetike, e drejtuar në atë kohë nga Hrushovi”. Në librin e tij me kujtime “Në shërbim të atdheut tim”, ai sqaron me detaje këto tri momente dhe shmangien me dinakëri e mjeshtëri nga Enveri i rreziqeve. Halim Ramohito Mundësia e parë: Siç dihet, në Berat, nga 22 deri më 27 nëntor të vitit 1944, zhvilloi punimet mbledhja e Plenumit të II-të e KQ të PKSH. Jo vetëm anëtarët e thjeshtë të PPSH, por as ne, kuadrot e saj, në atë periudhë dhe më vonë, nuk patëm mundësi të njiheshim me procesverbalet e kësaj mbledhjeje, të cilat ndodheshin në Arkivin e KQ. Procesverbalet mendoj se mbaheshin të fshehura edhe për faktin se, në këtë mbledhje, Enver Hoxha kishte mbetur në minorancë, i kritikuar rëndë nga anëtarët më kryesorë të udhëheqjes së partisë të asaj kohe, sidomos nga Sejfulla Malëshova, Nako Spiro, por edhe nga Gogo Nushi, Hysni Kapo, Bedri Spahiu, Tuk Jakova etj. Edhe Mehmet Shehu, megjithëse nuk mori pjesë në këtë mbledhje, pasi, së bashku me shtabin ushtarak të udhëhequr nga gjeneral Dali Ndreu, drejtonin luftën për çlirimin e Tiranës, kishte pikëpamje të njëjta me Nako Spiron, Liri Belishovën, Fadil Paçramin etj. Sidomos Sejfulla Malëshova, në këtë mbledhje e kritikoi drejtpërdrejt dhe ashpër Enver Hoxhën, por kritikat realisht iu adresoheshin edhe dy misionarëve jugosllavë, mësues të Enverit, Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës. Siç thoshte me të drejtë Sejfullai, ata ishin të përgatitur dhe kishin aq mend sa mund ta kishin dy sekretarë të PK Jugosllave të një rajoni, siç kishin qenë më parë. Por, megjithatë, për arsyet që dihen, si dhe për faktin se, në momentet e themelimit të PKSH ata dinin, të paktën disa formula dhe formulime të gatshme nga teoria marksiste-leniniste dhe e njihnin, në një farë mënyre, organizmin dhe jetën e një partie komuniste, domethënë ishin me një sy midis qorrave, ata përfituan shumë nga kjo dhe futën vijën sektare e terroriste edhe në Partinë tonë Komuniste ndaj atyre që mendonin ndryshe. Dhe, “Gjendja kish arritur deri atje, - siç tha Sejfullai në diskutimin e tij në këtë Plenum, që ai komunist e kuadër në partinë tonë që vret më shumë, nuk dënohet, por edhe vlerësohet si hero”. Hysni Kapo dhe Manush Myftiu kritikuan rëndë vrasjen prapa shpine të një prej themeluesve të PK për Qarkun e Vlorës, Mynyr Xhindit, “për hiç gjë”, siç tha Manush Myftiu. Unë (H.R.) do të shtoja këtu edhe vrasjen mbrapa shpine të përgjegjësit të Organizatës të PK për Komunën e Dukatit, Fejzo Gjomenos (më me hollësi për këtë ngjarje kam shkruar në pjesën e dytë të librit tim me kujtime). Për vrasjen e Mynyr Xhindit, unë kam dëgjuar se “hiçgjëja” ishte një intrigë e kurdisur për të, se gjoja Mynyri “komplotonte” dhe “ishte me pikëpamjet e disa nacionalistëve në Vlorë kundër Partisë” gjatë periudhës që ai ishte caktuar me detyrën që të punonte me ta, për t’i afruar me organizatën e PK të Vlorës”. Mynyri, në fakt, fliste atëherë me superlativa për Sejfulla Malëshovën si një udhëheqës i shquar dhe me perspektivë i Partisë. Me gjithë vrasjen e të birit, Mynyrit, i ati i tij, Arshi Halili, vëllai i tij, doktor Baftjari dhe e gjithë familja Xhindi, si atdhetarë të vërtetë, nuk u shkëputën nga LANÇ deri në çlirimin e vendit. Arshiu ishte edhe një nga të ftuarit në Kongresin e Përmetit që i zhvilloi punimet më 24 maj 1944. Manushi dhe Hysniu, në diskutimet e tyre në atë plenum, pranuan faktin se në Vlorë ishte përgatitur edhe një listë me disa intelektualë vlonjatë, gjoja të dyshimtë, që mund të likuidoheshin edhe fizikisht. Nga procesverbalet e kësaj mbledhje, del fakti që L.G., për kritikat që iu bënë në këtë mbledhje, iu drejtua Enver Hoxhës: “Për këto veprime në Vlorë, ke dhënë porosi ti, por edhe ti, për to, ke marrë më parë miratimin e Miladin Popoviçit...”. Enveri, me dinakëri, si zakonisht edhe në këtë mbledhje fajet jua ngarkoi të tjerëve. Kështu edhe për ngjarjet e Vlorës dhe për ngjarjet e Kukësit e të Tropojës, ato ua ngarkoi L.G. dhe komandës të Brigadës së Pestë Partizane, megjithëse edhe në këto raste ai ishte autor dhe urdhëruesi i këtyre veprimeve arbitrare, siç vërtetohet edhe nga radiogramet dërguar L.G. me firmën e tij në gusht të vitit 1944 dhe Komandës së Brigadës së Pestë Partizane, dokumente të cilat i kam cituar edhe në këto kujtime. Por, duke u ndodhur ngushtë edhe në këtë mbledhje Enveri mori flamurin e luftës kundër pikëpamjeve sektare në parti, sidomos në ushtrinë partizane dhe pranoi (siç del nga diskutimi i tij atje) se, si shkak për to, ishte parulla e gabuar që u adoptua gjatë LANÇL “O me ne, o kundër nesh!”. Enveri nuk mungoi edhe në Berat të nderonte padronët, që e mbajtën edhe më vonë në fuqi, jugosllavët, duke arritur deri aty, sa të propozonte që Titoja të ishte edhe sekretar i Përgjithshëm i PK të Shqipërisë, propozim që, siç del nga procesverbalet, nuk iu pranua as edhe nga vetë Koçi Xoxe. Në këtë mbledhje, Enveri nuk u kursye për t’i bërë elozhet edhe të deleguarit të ri të PK të Jugosllavisë në Partinë tonë, Velimir Stojniç, duke e cilësuar atë si “një engjëll, që, për fatin tonë të madh, na ra nga qielli” (Stojniçi mori pjesë në këtë mbledhje si i deleguar i KQ të PK Jugosllave). Për fat të keq të Partisë dhe të vendit tonë kritikuesit më të ashpër të vijës së Enver Hoxhës në atë periudhë i besuan autokritikës së tij. Sigurisht, siç thashë edhe më sipër kjo ndodhi edhe me ndërhyrjen e misionarëve jugosllavë, por këtu influencoi shumë edhe fakti se, me gjithë devijimet sektare, në përgjithësi vija strategjike e LANÇL kishte qenë e drejtë, pasi ajo çoi në fitoren e kësaj lufte, duke e bashkuar vendin tonë me Aleancën e Madhe kundër forcave fashiste dhe naziste të Luftës së Dytë Botërore. Por, Enver Hoxha, me të mbërritur dhe me t’u vendosur pas çlirimit në Tiranë, pasi përqendroi në duart e tij të gjithë pushtetin e vendit në parti, frontin demokratik, qeveri dhe ushtri, me djallëzi dhe intriga nuk harroi të fillonte të eliminonte menjëherë një nga një kundërshtarët e tij politikë, sidomos ata të mbledhjes të Plenumit të II-të të KQ të PKSH të Beratit, të cilën e cilësoi si prapaskenë megjithëse kritikat atje dhe, sidomos ato për Enver Hoxhën, ishin bërë jo prapa krahëve, por hapët e ballëpërballë. Kështu, ekonomistin, politikanin e shquar të vendit dhe antiserbin e vendosur, Nako Spiron, e detyroi të vetëvritej në vitin 1947. Selfulla Malëshovën, ish-kryesekretar i Përgjithshëm i Qeverisë Demokratike të Fan Nolit në 1924, poet dhe demokrat i shquar, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ANÇL, me makinacione të ndryshme, e akuzoi më vitin 1946, në mbledhjen e Plenumit të VI-të të KQ të PKSH, si dhe në një “letër qarkore” për partinë për gjoja faktin se “Aktiviteti i tij i deritanishëm, në rast se mund ta quajmë aktivitet, është zero...”. Sejfullai, më pas, u dëbua nga Tirana dhe u internua në Fier, ku punoi si magazinier dhe vdiq në mjerim të plotë, i harruar e i vetmuar nga të gjithë, i përcjellë në varreza me një karrocë të komunales vetëm nga e motra. Në Kongresin e Parë të PK, që i zhvilloi punimet në nëntor të vitit 1948, Enver Hoxha, jo vetëm nuk bëri asnjë autokritikë për gabimet e tij në vijën e partisë, të cilat ishin të rënda e të shumta dhe që ishin dënuar (siç del nga procesverbali) nga shumica e anëtarëve të Plenumit në Berat, por, duke përvetësuar me dinakëri të gjitha fitoret e arritura gjatë Luftës ANÇL, i shfrytëzoi edhe kongresin e vendimet tij, jo vetëm për të ruajtur pozitat, por edhe për të rritur akoma më shumë kultin e tij. Punimet e mbledhjes së Plenumit të II-të KQ të Partisë në Berat, në raportin e tij në këtë kongres, Enver Hoxha i cilësoi si “Prapaskena e Beratit”, duke ia ngarkuar të gjitha fajet e vijës sektare Koçi Xoxes dhe, për të fshehur e zhdukur çdo gjurmë e hije dyshimi nga vetja e tij, më 1949 miratoi me shumë ngut e dëshirë të dënohej deri me pushkatim edhe vetë Koçi Xoxja. Mbaj mend se drejtues të tjerë kryesorë të partisë, si Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Manush Myftiu etj., të cilët, me kritikat e tyre në Berat e detyruan Enver Hoxhën të mbetej në minorancë, aq sa t’i rrezikohej edhe pushteti, para nesh, delegatëve të atij kongresi, jo vetëm nuk i përmendën më Enverit kritikat e rënda që i kishin bërë në Plenumin e Beratit, por, në të kundërtën, i thurën atij lavde të tjera, ashtu siç bënë edhe delegatët e tjerë në këtë kongres. Me gjithë këtë, Enveri nuk i harroi as ata, por në mbledhjen e Plenumit të 13-të, në prill të vitit 1956 dhe në vitet më pas, u hakmor rëndë, duke burgosur për jetë Tuk Jakovën e Bedri Spahiun dhe vit pas viti edhe shumë anëtarë të tjerë të Plenumit të KQ të PPSH, duke arritur deri tek Mehmet Shehu, që e detyroi të vriste veten, njëlloj siç bëri me Nako Spiron 25 vjet më parë. Në Kongresin e Parë të PKSH, më kujtohet se edhe ne, delegatët, me unanimitet, i dënuam ndërhyrjet shoviniste jugosllave në punët tona të brendshme. Për këtë, në radhë të parë merita më e madhe i takonte Nako Spiros, por, në fakt, Enveri ia atribuoi gjithçka vetes, ne, delegatët, duartrokitëm në kor edhe për këtë dhe Nako Spiros iu harrua e iu mohua gjithçka. Shkurt, këto merita, me mjeshtëri dhe dinakëri, i mori të gjitha për vete Enver Hoxha. Të gjitha akuzat edhe për çështjen jugosllave, ai i drejtoi vetëm ndaj Koçi Xoxes dhe grupit të tij, duke bërë me këtë rast një falsifikim tjetër të historisë. Nuk do të zgjatem të përmend veprimet dhe servilizmat e tjera ndaj Miladinit dhe Dushanit të Enver Hoxhës, se për këto flitet në shumë dokumente autentike të botuara edhe në ditët tona. Këto janë qëndrime të Enver Hoxhës dhe të gjithë udhëheqjes të asaj periudhe të PKSH-së. Tashmë është bërë e njohur se ai, për të ruajtur e përjetësuar sundimin e tij diktatorial në vend, nuk hezitonte të merrte çdo vendim dhe pastaj, sipas interesave, për të ruajtur postin, të bënte edhe pirueta e kthesa 180-gradëshe, siç bëri edhe në rastet e forcimit të marrëdhënieve në vitin 1949 me sovjetikët dhe në vitin 1961 me kinezët dhe pastaj me prishjen e këtyre marrëdhënieve në vitin 1961 me sovjetikët dhe në vitin 1978 me kinezët. Mundësia e dytë: Ajo mund të ishte Konferenca e Partisë për qytetin dhe rrethin e Tiranës, që i zhvilloi punimet në muajin prill të vitit 1956. Në këtë konferencë edhe unë mora pjesë si delegat i ushtrisë, u zgjodha aty edhe në presidium dhe drejtova edhe një seancë të punimeve. Për këtë, në kujtimet e tij pas dënimit të Beqir Ballukut, Enver Hoxha mashtron, kur thotë: “Pikërisht se ishte pasiv Beqir Balluku, prandaj edhe unë erdha nga Vlora për në këtë Konferencë. Iu bëra, sa mbërrita edhe kritika tre anëtarëve të Byrosë Politike, Hysniut, Mehmetit dhe Beqirit. Iu thashë atyre se, për cilat arsye ju të tre më ngritët mua që nga Vlora për këtu. Nuk ishte e mjaftueshme që ishit ju, tre anëtarë të Byrosë Politike, për të demaskuar këta elementë armiq që dolën në këtë Konferencë?! Iu thashë gjithashtu atyre se, tani që erdha unë, do t’i shkatërroj ata, duke iu treguar edhe taktikën që do të ndjek për këtë qëllim”. Sa mendjemadhësi dhe hipokrizi ka në këto fjalë të Enver Hoxhës! Këtë nuk e them vetëm unë, pasi këtë e vërtetojnë edhe shumë shokë të tjerë ish-pjesëmarrës të Konferencës së Tiranës. E vërteta është se, në këtë periudhë, një grup i madh shokësh drejtues të Komitetit të Partisë për Tiranën, të aparatit të KQ të Partisë dhe kuadro të tjerë të larta të pushtetit, të ndikuar edhe nga vendimet e Kongresit të XX-të të PK të Bashkimit Sovjetik dhe nga artikuj të shtypit, sidomos atij polak e çek, ngritën dhe mbështetën në këtë konferencë nevojën e ndryshimeve demokratike që duhet të bëheshin edhe në partinë tonë, sipas shembullit të partive komuniste të Evropës Lindore. Këtë, këta shokë e bënë hapur në konferencë, e cila ndiqej me interes të madh në të gjithë vendin, që u mbajt, natyrisht, në prag të zhvillimit të punimeve të Kongresit të III-të të PPSH. Këta shokë, hapur dhe me guxim, u ngritën të parët në konferencë dhe, në diskutimet e tyre, ata bënë edhe shumë pyetje dhe ngritën shumë probleme. Me sa më kujtohet, ata bënë edhe pyetje të tilla: “A e di KQ i Partisë gjendjen e mjeruar ekonomike të popullit tonë?”; “Pse lejohen “Blloku” dhe privilegjet e tjera nga udhëheqja?”; “Pse lejohet që KQ të shndërrohet në një familje?”; “Në frymën e vendimeve të Kongresit të XX-të të PK të Bashkimit Sovjetik, çfarë masash do të merren edhe tek ne për rehabilitimin e shokëve tanë të dënuar më parë (fjala këtu ishte për Tuk Jakovën, Bedri Spahiun etj.)?” dhe të tjera pyetje të këtij karakteri, që ishin të shumta. Në dy ditët e para të zhvillimit të punimeve të konferencës, kritikat dhe propozimet e këtyre shokëve u miratuan e u duartrokitën pothuajse nga të gjithë pjesëmarrësit. Në përgjithësi, në konferencë u manifestua qartë dëshira pothuajse unanime e të gjithë pjesëmarrësve për ndryshime demokratike në Parti dhe në vend. Pavarësisht se shokët që u ngritën me guxim të parët në diskutimet e tyre me kritika nuk përmendën emra, aty u kuptua qartë se tehu i kritikave drejtohej tek Enver Hoxha. I deleguari i KQ në konferencë, Beqir Balluku, nga sa më kujtohet, mbrojti në të vijën zyrtare të Partisë, por këtë e ai bëri në mënyrë të qetë, pa ia prerë askujt fjalën. Ato ditë, nga sa kam dëgjuar, ambasada jugosllave në Tiranë ishte shumë aktive në veprimet e saj dhe supozoj se me siguri ajo bënte edhe veprime të fshehta diversive. Por çështjet që u shtruan në këtë konferencë mund dhe duhet të shikoheshin të ndara nga veprimtaria e ambasadës jugosllave në Tiranë, e cila mund të kërkonte të shfrytëzonte rastin për të rivendosur në udhëheqje të partisë dhe të vendit tonë ish-njerëzit e saj. Kështu, me ndonjë përjashtim, grupi i shokëve tanë dhe e gjithë Konferenca e Partisë për Tiranën, pothuajse në unanimitet, e përsëris, kërkonte të bëheshin ndryshime demokratike në të gjitha fushat e jetës së vendit, të cilat jeta i vërtetoi më vonë, sidomos pas viteve ‘90-të, se ishin të drejta dhe duheshin marrë në konsideratë që në atë kohë për t’u njohur e ndrequr sa më shpejt, pasi ato i shërbenin vetëm vendit dhe vetë partisë. Enver Hoxha erdhi me urgjencë nga Vlora në Tiranë në këtë konferencë, jo për të shpëtuar partinë nga “armiqtë” imagjinarë, por veten e tij. Me dinakërinë e tij të njohur, njëlloj si pas mbledhjes së Plenumit të II-të KQ të Partisë në Berat edhe kësaj radhë ai e kaloi lumin. Ditën e tretë të konferencës, ai e mori fjalën, duke theksuar që në fillim: “E bëj këtë ndërhyrje në këtë mbledhje me të drejtën dhe detyrën që kam si sekretar Politik i Partisë dhe për ta mbrojtur atë nga armiqtë”. Qysh në fillim, sa për formalitet, ai mbrojti të deleguarin e KQ, Beqir Ballukun, duke thënë, mes të tjerash: “Ato që do të them unë në këtë konferencë, nuk ndryshojnë nga ato që iu ka thënë më parë këtu Beqiri. Por, si me më shumë gramë që jam, vërejtjet e mia janë më të hollësishme nga ato të Beqirit”. Këto tha ai për Beqirin në vitin 1956, kurse në vitin 1974 tha të tjera gjëra, duke e akuzuar atë si “Një nga protagonistët edhe të kësaj mbledhje armiqësore”. Në të gjithë fjalën e tij në Konferencën e Partisë për Tiranën, Enveri bënte aluzion se, ato kritika që u bënë për partinë aty, u nxitën nga jugosllavët (pa i përmendur ata me emër). Gjatë fjalës së tij, me mjeshtërinë e një demagogu, ai përmendi aty edhe me emër edhe shokë të tillë si Tahir Kadarenë, duke iu drejtuar drejtpërdrejt e hapur atij me fjalët: “Si mendon për këto çështje që them unë ti, Taho?...” etj. Dhe, kundër kujt i bënte ai këto referime provokative? Kundër Tahir Kadaresë, që njihej në ushtri dhe në vend si një luftëtar i pastër dhe i vendosur antifashist i orëve të para dhe si një nga gjeneralët më të shquar të Ushtrisë sonë Partizane dhe asaj Popullore. Gjatë dhe pas fjalës së tij, sikur të mos kishte ndodhur gjë në konferencë, Enveri nuk bëri as premtimin më të vogël se gabimet që u kritikuan në të, do të shtroheshin e analizoheshin, sidomos në Kongresin e III-të të ardhshëm të Partisë dhe do të korrigjoheshin. Duartrokitjet e të gjithë delegatëve, si me sustë, tashmë i drejtoheshin vetëm atij. Por, për to, doemos që influencoi edhe frika nga fakti se organet e sigurimit, gjatë zhvillimit të punimeve të konferencës dhe pas saj, i ndiqnin përditë haptas shokët më aktivë që bënë kritikat në të. Ne, delegatët e ushtrisë, morëm vesh se, me t’u nisur nga Vlora për në konferencë, puna e parë që bëri Enveri ishte urdhri për të vënë në gatishmëri forcat e Divizionit të Parë të Këmbësorisë (urdhër i cili u vu në zbatim), i dislokuar në atë periudhë në Tiranë, me qëllim që, në rast nevoje, të merreshin masa kërcënuese të përbashkëta nga ushtria dhe organet e Punëve të Brendshme, sidomos ndaj delegatëve të konferencës që u “rebeluan”, për të parandaluar që situata të mos dilte jashtë kontrollit. Kështu përfundoi edhe kjo konferencë, pa marrë dot vendime të drejta dhe të domosdoshme, siç i kërkonte ato koha e situata në Parti dhe në vend. Dhe punimet dhe vendimet e dështuara saj, nuk mund të sillnin gjë tjetër në vitet më pas veçse forcimin akoma më të madh të pushtetit diktatorial të Enver Hoxhës dhe nxitjen për shtimin e lavdisë së pamerituar dhe bëmave e gjëmave aventureske e terroriste të tij në parti dhe në vend, që tashmë dihen deri në hollësira, sidomos pas ndryshimeve demokratike të viteve ’90 në vend. Tashmë dihen gjithashtu edhe emrat dhe fati i atyre shokëve që bënë kritikat në Konferencën e Tiranës, si dhe persekutimi i gjatë që u ushtrua mbi ta dhe familjet e tyre nga diktatori, duke filluar që nga viti 1956 e deri në vitin 1990, të cilat nuk më duket e nevojshme t’i përmend edhe unë në këto kujtime. Mundësia e tretë Tentativa e tretë, por me qëllime të ndryshme politike e ushtarake nga secila palë, për shmangien e Enver Hoxhës nga funksionet e tij në parti dhe shtet u bë nga Hrushovi, deri edhe hapur në maj të vitit 1959, gjatë vizitës së tij në Shqipëri dhe, më vonë, sidomos në vitet 1960 -1961, në Moskë dhe në Tiranë, pas mbledhjes së Bukureshtit. Në fakt, këto tentativa kishin filluar, por më të maskuara, qysh në vitin 1956, pas Kongresit të XX-të të PK të Bashkimit Sovjetik. Këtu duhet theksuar fakti që qëllimi strategjik i Hrushovit, në atë periudhë, nuk ishte shmangia nga pushteti i Enver Hoxhës, që mendoj se mund të ishte e keqja më e vogël për vendin, por ruajtja dhe forcimi i sundimit të superfuqisë sovjetike në Shqipëri, në Adriatik dhe Mesdhe, që gjykoj se do të ishte edhe e keqja më e madhe për vendin tonë e më gjerë, e shoqëruar kjo,më pas, me pasoja shumë të rrezikshme, sidomos ushtarake. Në atë situatë, në bazë të nivelit dhe mundësive të mia në gjykime dhe parashikime për këto probleme të mëdha politike, ushtarake e gjeostrategjike, si dhe i shkallës së vlerësimit të tyre, shqetësimi më i madh yni, i shumicës të gjeneralëve drejtues të ushtrisë shqiptare të asaj kohe, ka qenë ai për rrezikun e humbjes së plotë të sovranitetit të vendit, që ishte dhunuar që nga viti 1949 e deri në vitin 1960 dhe fakti tjetër, që vendi ynë ishte bërë një bazë e rrezikshme për zgjerimin e fuqisë së madhe ushtarake të ish - Bashkimit Sovjetik në Ballkanin Perëndimor e në Mesdhe. Kjo situatë, mendonim ne në atë kohë, do të bëhej çdo vit e më e rrezikshme, në rast se ne do t’i lejonim sovjetikët të vendosnin në vendin tonë njësi raketash, avionësh bombardues, madje edhe të dislokonin në Pashaliman një pjese të madhe të flotës së tyre ushtarake të Detit të Zi. Nga sa di, më i shqetësuar për pasojat e këtyre zhvillimeve të rrezikshme ushtarake të superfuqisë sovjetike, ishte gjeneral Petrit Dume, i cili, jo vetëm për ecurinë e tyre, por edhe për vetë natyrën e tij, nuk pranonte të merrte urdhra nga gjeneralët sovjetikë. Në këtë drejtim, gjeneral Petrit Dume ka pasur atëherë edhe konfrontime të hapura me këshilltarë ushtarakë sovjetikë pranë Shtatmadhorisë së Ushtrisë sonë. Në këto pozita ishte edhe admirali Abdi Mati, i cili e shprehte hapur pakënaqësinë e tij, kur shihte që Flota jonë Luftarake-Detare ishte katandisur në fakt në një njësi të flotës sovjetike të Detit të Zi dhe se ai qëndronte sa për formalitet si komandant i saj. Pozicioni i kundërt i Enver Hoxhës me udhëheqjen e lartë sovjetike në mbledhjen e Bukureshtit të vitit 1960, na krijoi mundësinë edhe ne, drejtuesve të ushtrisë, që të bisedonim edhe më hapur me njëri-tjetrin për vlerësimet e kundërta që ne kishim për problemet dhe qëllimet strategjike të sovjetikëve në marrëdhëniet ushtarake me ne. Dhe, këtë, le ta pranojmë hapur se edhe ne, drejtuesit e ushtrisë të asaj kohe, rezervat për strategjinë ushtarake të sovjetikëve në vendin tonë, për arsye të disiplinës së hekurt të partisë dhe për shumë arsye të tjera, nuk guxonim t’i shfaqnim hapur. Vendimin për shkëputjen e vendit tona nga Traktati i Varshavës dhe ish-Bashkimi Sovjetik ne, drejtuesit e lartë të ushtrisë, e vlerësonim aq sa mundnim në atë periudhë, duke e parë vetëm në prizmin sesa i shërbente, në fund të fundit, mbrojtjes së vendit dhe sovranitetit të tij, në dallim nga Enver Hoxha, që këto zhvillime i shihte edhe në prizmin se sa ato i shërbenin ruajtjes së pushtetit të tij. Kështu, këto vendime të drejta dhe, sipas mendimit tim, edhe historike, sigurisht jo aq të qarta siç i kam tani, në atë periudhë u morën mbi bazën e dy këndvështrime të ndryshme, atij të Enver Hoxhës dhe tonit, si ish-drejtues të lartë të ushtrisë në atë periudhë. Edhe tani që kanë kaluar disa dhjetëra vjet nga ajo periudhë, më janë drejtuar edhe mua pyetje të tilla: “Pse e lejuat Enver Hoxhën t’iu dënonte, kur në atë kohë kishit forcën për ta përmbysur atë?...”. Nuk do të zgjatem në këtë çështje, pasi janë shumë arsye objektive dhe subjektive për ta bërë këtë. Mund të them vetëm se edhe po të donim ne ta bënim këtë akt, nuk kishim asnjë mundësi praktike, pasi, pasi, kur ishte fjala për detyra të mirëfillta luftarake dhe jo stërvitore, asgjë në ushtri, asnjë kompani e bateri, asnjë batalion e grup artilerie nuk mund të vihej në lëvizje e gatishmëri, asnjë avion nuk mund të ngrihej në qiell dhe asnjë anije a nëndetëse nuk mund të dilte në det të hapur, pa urdhrin e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura. Kjo ishte e sanksionuar me një ligj kushtetues dhe pranohej e duhej të zbatohej rreptësisht nga të gjithë ne. Marshallët sovjetikë, që, siç dihet, kishin mjaft përvojë për organizim puçesh në vendin e tyre, u munduan të na fusnin edhe neve në këtë rrugë, por këto tentativa, për shumë arsye, u kundërshtuan. Ne nuk ishim të formuar për një veprim të tillë, pasi i konsideronim këto veprime në kundërshtim me moralin dhe bindjet tona. Por edhe po të donim ne, gjeneralët drejtues të ushtrisë, ta bënim këtë ndërrim pushteti me forcë, nuk do të gjenim asnjë mbështetje. Kjo u provua edhe në vitin 1974, kur vetëm për disa pikëpamje ndryshe, që meritonin të paktën të diskutoheshin, lidhur me strategjinë e mbrojtjes të vendit në kushtet e prerjes së lidhjeve me Traktatin e Varshavës, ne u ndodhëm të vetëm e plotësisht të izoluar dhe Enver Hoxhën nuk e ndali asgjë për të na persekutuar bashkë me gjithë familjet tona, deri edhe për të eliminuar fizikisht disa nga shokët tanë, drejtues kryesorë të Ushtrisë. Për të hedhur dritë mbi këtë çështje komplekse, shumë delikate dhe jo aq të lehtë, unë jam munduar të jap shpjegime më të hollësishme edhe në kapitujt më sipër të këtyre kujtimeve, se përse mbeti Enver Hoxha për 45 vjet në pushtet, pse u lejua ai në atë periudhë dhe aq gjatë që “vetë të shkruante e vetë të vuloste”, prandaj nuk po zgjatem më tej për këtë çështje. Sigurisht, gjykimet tona, të drejtuesve të ushtrisë të asaj kohe në përgjithësi, dhe të miat në veçanti, atëherë, siç thashë, kanë qenë të kufizuara. Kjo ka lidhje me shkallën e njohjes që kam pasur në atë kohë dhe që kam tani për këto probleme, me shkallën e vlerësimit që kishim në atë periudhë për vetë Enver Hoxhën në veçanti dhe për drejtuesit e partisë dhe të shtetit në përgjithësi. Kështu, sipas mendimit tim, mundësitë që Enver Hoxha të shmangej nga funksionet drejtuese në parti dhe në shtet, u paraqitën tri herë. E para, në mbledhjen e Plenumit të II-të të PKSH në Berat, në nëntor të vitit 1944, e dyta, në Konferencën e Partisë të Tiranës, në vitin 1956 dhe, e treta, në vitet 1960–1961, nga superfuqia sovjetike, e drejtuar në atë kohë nga Hrushovi. Të tria këto mundësi, për shumë arsye, nuk u realizuan, por dështuan. Vetëm vdekja e Enver Hoxhës, më 11 prill të vitit 1985 dhe revolta e minatorëve, e sidomos e studentëve trima të Universitetit të Tiranës e vitit 1990-1991, si dhe zhvillimi i ngjarjeve sidomos në Evropën Lindore, krijuan kushtet objektive e subjektive për ndryshimet demokratike që i kërkonte koha dhe e rrëzuan përgjithmonë diktatorin dhe diktaturën nga pushteti, pushtet të cilin ai e kishte mbajtur me terror dhe dredhi për 45 vjet me radhë. Vetëm kjo përmbysje na krijoi mundësinë edhe ne, ushtarakëve të dënuar si “puçistë”, bashkë me familjet tona, që në vitet e fundit të jetës sonë të shijojmë në atdheun tonë lirinë, aq të çmuar për çdo njeri, pasi në të kundërt edhe ne, gjeneralët dhe ushtarakët e tjerë të lartë që kishim mbetur, sipas planeve të diktaturës që tashmë janë bërë të njohura, nuk do të dilnim kurrë të gjallë nga burgjet e diktaturës, por as eshtrat tona pas vdekjes nuk do të mund t’i gjenin familjet tona. Për këtë arsye, në rast se më lejohet, edhe në emër të shokëve të mi të persekutuar, që rrojnë akoma, si dhe të atyre që nuk jetojnë më, i shpreh brezit të ri të vendit tim të viteve ‘90-të, sidomos atij të Tiranës, mirënjohjen më të thellë.

    nga gazeta standart

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •