Serenatat, Shpirti Dhe Jeta E Një Qyteti
Çdo stinë në Korçë vjen me tinguj dhe vargje nëpër sokakë. Të dashuruarit këndojnë nën dritaret e vajzave të zemrës, përtej mesnatës, deri në mëngjes. Por ato nuk i shohin, sepse ata rrinë në errësirë, që të jenë të padukshëm. Koha e serenatave zgjat derisa një ditë, vajza pas perdes bëhet gruaja e djalit me kitarë.
Qyteti i shpirtit të lirë
Zanafilla e serenatave ëshë diku rreth viteve 20'. Emigrantët e parë që ishin largur rreth viteve 1850, në fundshekull filluan të ktheheshin. Rumania, Argjentina, Egjipti etj., ishin vendet kryesore, ku ata kishin emigruar dhe shkollat që ata kishin ndjekur, kishin një program muzikor tepër të avancuar. Ndërkohë, edhe qyteti i Korçës ishte shndërruar në një qendër të rëndësishme artizanalo-tregtare. Shumë prej tyre, banorë të fshatrave përreth si Drenova, Polena, Hoçishti, Ziçishti, Dardha, Voskopoja etj., u vendosën në Korçë. Banda e qytetit, si edhe instrumentistët e rinj që erdhën nga mërgimi, ishin pionerët e parë të asaj që më vonë do të quhej Serenata Korçare. Këngët e kënduara në muzgjet pranverore u përqafuan nga të gjithë. Veglat e serenatave ishin fillimisht veglat frymore e më pas kitara, mandolina, buzuku. Termi serenatë, sigurisht, është marrë nga italishtja apo edhe kantadha, por në Korçë ato krijuan një origjinalitet të veçantë, sepse u huazua edhe muzika e lehtë qytetare dhe, jo rrallë herë, ajo folklorike ekzistuese. Korça dhe kënga, një binom i pandashëm, ndërsa vetë serenata korçare të krijon bindjen se ka lindur në të njëjtën kohë me qytetin...
Epoka e artë
Vitet 20'- 30', ishin vitet e arta të serenatës së vërtetë korçare, ku më shumë, krahas të tjerëve, bie në sy kontributi i Dardharit të shquar Thoma Nasi. Shkollat e muzikës, ekzistenca e Liceut Francez dhe “kurbetllinjtë“ që u kthyen në ato vite, i dhanë një impuls të paparë jetës kulturore të qytetit. Grupi “Lira” i krijuar në vitet ‘30, i dha një tjetër shtysë, jo vetëm këngëve me karakter patriotik, por edhe serenatës. Tole Adhami, Vaskë Xherahu, Gaqo Jorganxhi, Gaqo Avrazi, Kosta Osmanlli, Ilo Morsko, Raqi Treska, Raqi Floriri, Niko Cavali, Llambi Ziko, Koli Kondakçi, Petro Dule, vëllezrit Bakllamaja e shumë të tjerë, do të mbeten të paharruar në historinë e serenatës korçare. Nuk ka “sokak” në Korçë që të mos jetë shkelur nga këmba e serenatistëve, që i këndonin dashurisë, dhimbjes, ndarjes. “O moj ti që rri te porta, mos dëgjo se ç' thonë bota”...
Këngët e ndaluara
Vitet e para pas çlirimit do të rindiznin sërish zjarrin e serenatës, të dashurisë së përjetshme, sepse dashuria për këngën dhe vajzën e zemrës shkrihej në një. Gjenerata më e re, ku spikasin emrat e mirnjohur të artit korçar, si Pandi Rraidhi, Gaqo Çako, Pandi Peleshi, por edhe të tjerë si Pirro Sulioti, Pandi Tasellari, Ridvan Shëllira, Ligoraq Qano etj., do të këndonin me pasion të paparë serenatën, që fillonte në muzg dhe mbaronte në orët e para të mëngjesit. Por as serenata nuk do t'i shpëtonte syrit “vigjilent” të diktaturës. Ndoshta ajo e largoi nga rruga serenatën, por jo nga zemra dhe goja e korçarëve.
E nesërmja e një legjende.
“Këto vitet e fundit të gjithë artistët, por edhe njerëzit e thjeshtë të Korçës po përpiqen të bëjnë diçka për serenatën, duke krijuar edhe një shoqatë për të vazhduar traditën. Mihallaq Andrea, është kryetar i saj, Tomi Kondakçi e djem të tjerë po përpiqen shumë të vazhdojnë këtë traditë të mrekullueshme. Në gëzime familjare, dasma, në takime shoqërish është e pamundur të mos këndojmë këngë të serenatës, sepse është jeta e të gjithëve në këngë, është historia e Korçës në këngë. Kohët kalojnë dhe ndoshta serenata e ka kryer ciklin e saj, por vlerat e vërteta nuk mund të humbasin kurrë.
EDISON MYRTEZA
Ekspres.
Krijoni Kontakt