Intervistë me kompozitorin e mirënjohur Llazar Morcka
gazeta55
Më tepër këngë per rininë
"... Kompozitorët e rinj duhet të vazhdojnë rrugën që kanë filluar, por të kthejnë kokën nga tabani, nga folklori, të marrin diçka nga ai. E kanë filluar shumë mirë me melodinë, tani kanë filluar të futen brenda veshit të popullit..."
Llazar Morcka është një nga kompozitorët tanë të shquar, me një kontribut prej katër dekadash në fushën e muzikës, sidomos asaj të lehtë.
Llazar Morcka u lind më 1 prill 1923 në Drenovë të Korçës. Ishte biri i një emigranti shqiptar në Amerikë, me shpirt artisti, që luajti një rol të madh në karrierën e të birit. Edukimin muzikor e mori që i vogël në gjirin e familjes. Fillimisht u inkuadrua si korist në Ansamblin e Ushtrisë e më pas, në 1950, si kontrabasist në orkestrën e Filarmonisë Shqiptare. Si kompozitor e nisi udhën e këngës në Radio Tirana, pjesëmarrës i të gjitha anketave muzikore, fitues i shumë çmimeve. Eshtë pjesëmarrës në 15 Festivale të këngës së lehtë në RTV, fitues i disa çmimeve të dyta e të treta. Mjaft këngë të tij këndohen edhe sot. Këngët e Llazar Morckës ishin një krijimtari e mirfilltë individuale, me frymë e tingëllim nga melosi e ritmi popullor.
Përveç këngës së lehtë, ku është autor i mëse 600 këngëve, Llazar Morcka ka shkruar edhe muzikë skenike. Në 1969 TOB vuri në skenë operetën "Brigada e grave" me muzikë të Llazar Morckës. Shkroi muzikë edhe për dy opereta të jera "Një minutë martesë" dhe "Familja e madhe", por që nuk e panë dritën e skenës. Në vitin 1976, në mënyrë të papritur, kompozitori Llazar Morcka përjashtohet nga puna, nga TOB, vetëm se tha se "baleti sovjetik ka tradita" dhe, pas një mbeldhjeje maratonë, ku e akuzuan për "mendjemadhësi, ndikime borgjeze etj", u dënua me 8 vjet riedukim në prodhim 4 vjet në fermën "Gjergj Dimitrov" e 4 vjet në Lundër për "të kontrobuar në lëvizjen artistike amatore" të koperativës. Por dënimi ra edhe mbi të gjithë familjen, gruaja u hoq nga puna si shefe e fonotekës së Radio Tiranës, vajza u hoq nga dega e pianos në ILA, motra u përjashtua nga kori i operas.
Sot, në moshën 80 vjeçare Llazar Morcka ndihet e kënaqur se punën e tij si artist e vazhdon me sukses e bija, sot pianiste e shquar dhe pedagoge në "Akademinë Mbretërore" në Uester në Filadelfia të SHBA, aty ku ka qënë edhe gjyshi i saj, para 80 vjetësh.
Zoti Llazar, a mund të na kujtoni diçka mbi krijimtarinë tuaj të hershme, këngët e para që keni kompozuar?
Llazar Morcka: E mbani mend "Orët gazmore"? Ishte një emision humoristik që transmetonte Radio Tirana menjëherë pas çlirimit. Sigla e këtij emisioni ka qënë kompozimi i parë, "zyrtar". Por krijimtaria ime ka nisur që kur kam qenë në shkollën fillore. Krijoja pjesë të vogla për veten tim dhe i shoqëroja ato me mandolinë, ose me kitarë. Kemi patur një orkestrinë familjare: babai im ka qenë muzikant, i binte flautit, kurse dy motrat e mëdha më shoqëronin me mandolinë, kurse unë i bija kitares. Kemi bërë disa disqe aso kohe dhe jepnim koncerte një herë në javë në Radio Korça. Pra, dua të them që atëhere fillova t'i futem muzikës më seriozisht, duke u rritur, duke u profesionuar. Pra, ambienti që më rrethonte ishte i tëri muzikor. Përditë kishim një program të posaçëm të mësimit të notave, por dhe të ekzekutimit me vegla ku paraqiteshim një herë në javë për emisionet që bënte Radio Korça. Ky ishte fillimi i karrierës time për jetën muzikore që do të vinte më pas.
- Si nisi inkuadrimi i juaj në jetën muzikore dhe kulturore të kryeqytetit?
- Në kohën e luftës u arrestova nga fashizmi, ku ndenja një vit e gjysmë në burg, më pas u internova në Strugë. Nuk kisha kohë të studioja, por profesor të madh kisha babain që kishte ardhur i mësuar nga Amerika, kishte studiuar për flaut. Pas çlirimit studiova me një profesor akademik nga Çekia. Më pas fillova të shkruaja këngët e para për këngëtarët shqiptarë. Duke parë se në atë kohë këndoheshin vetëm këngë të mbetura nga pushtimi italian, këngë me tekste e muzikë italiane. Na lindi ideja, pse të mos bënim edhe ne këngët tona, dhe filluam të kompozojmë. Kishim në gjirin tonë mjaft poetë e muzikantë. Në fillim ishin orkestrina sporadike, nuk ishin të organizuara. Kurse më vonë, duke u njohur me muzikantë e poetë të mirëfilltë, filluam të kompozojmë muzikë shqiptare me poezi shqipe dhe me këngëtarë shqiptarë. Duke parë që dhe rinia i thithte këto, krijuam estradat, grupet amatore dhe profesioniste. Radioja filloi të përhapë këngën e lehtë shqipe. Rreth nesh, filluan të mblidheshin të rinjtë, amatorët, njerëz që e deshën muzikën me gjithë shpirt, qoftë muzik popullore, qoftë muzika e lehtë shqiptare. Këta na frymëzuan dhe na entuziazmuan edhe ne për të vazhduar këtë rrugë. Kështu, së bashku me njëri-tjetrin, filluam krijimet e para. Një hov të madh i dhanë muzikës së lehtë anketat muzikore të radios, ku unë kam marrë pjesë pothuajse në të gjitha e ku kam marrë shumë çmime, sidomos të para.
- Jemi në prag të Festivalit të 41 të Kenges së lehtë. Ju jeni nga themeluesit e ketij festivali, fitues i disa çmimeve. Si ishte atmosfera dhe si u arrit deri tek Festivali i Parë i Këngës?
- Festivali erdhi i detyruar dhe si domosdoshmëri, sepse shumë njerëz kërkonin dhe e dashuronin muzikën. Atëhere ishte dëshira dhe nevoja që njerëzit të kishin muzikën e tyre, sidomos rinia. Mirëpo, ashtu si në Tiranë, edhe në Korçë edhe në Shkodër u ngritën radiot lokale, të cilat transmetonin dhe kishin nevojë per muzikën e lehtë. Radio Tirana, mbi të gjithë Abdulla Grimci ishte iniciatori i këtij evenimenti të rëndësishëm. Kompozitorët e parë e përkrahën përnjëherë këtë ngjare, dhe ishin shumë entuziastë të bënin një festival të këngës shqiptare. Orkestra ishte krijuar para vitit 1962, duke plotësuar gradualisht e duke u formuar e ngritur cilësisht, me elementë të tjerë nga orkestrinat e vogla. Në këtë kohë, unë isha në Filarmoninë e Operas si instrumentist, madje që në krijimin e saj si kontrabasist e më pas spala e kontrabasistëve. Njëkohësisht studioja së bashku me 3 nxënës të tjerë. Babai përpara se të vdiste na kishte lënë si amanet që ta mësoja një instrument, veçanërisht kontrabasin, pasi vendi kishte nevojë. Kur kishin filluar përgatitjet e para për festivalin, neve kompozitorëve të rinj u ngarkuam detyrën për të gjetur elementë të rinj si këngëtar, kompozitorë dhe kështu, duke u grumbulluar njëri pas tjetrit, u bë një orkestër e mirë nga elementë të ardhur edhe nga orkestra e operas. Në këtë kohë, edhe radioja jepte shumë emisione muzikore dhe kështu, nga rrethet, sidomos të Shkodrës, Durrësit, Korçës, Elbasanit etj, u zgjodhën elementët më të mirë.
Orkestra e nisi udhën e saj me një pasion, me një reputacion të padiskutueshëm. Që në notat e para, kur bënim prova, kishte një entuziazëm të madh, megjithëse të gjithë nuk kishte kryer shkollën e lartë, pasi akoma nuk ishte hapur Konservatori. E nisa me orkestrën, pasi ajo ishte baza e festivaleve, jo vetëm e festivalit të parë.
- Duke parë festivalin në këto 40 vite, çfarë kishte të veçantë Festivali i Parë?
- E veçanta e festivalit ishte përhapja e këngës së lehtë shqiptare. Kjo ishte më e rëndësishme për festivalin e parë. U bënë broshura, programe me këngë që i tërhoqi të tërë amatorët, grupet e orkestrinave të estradave. Pra, ai festival bëri një punë aq të madhe sa e përhapi në mënyrë të rrufeshme muzikën shqiptare.
- Në atë kohë, mësoheshin lehtë motivet pse sot ka shumë probleme, pasi nuk mbahen mend këngët e festivaleve?
- Unë kam kompozuar shumë këngë. E para këngë ishte "Një minutë", me tekst të Luigj Gurakuqit. Në Festivalin e Dytë krijova këngën "S'di të vallzoj". Ndërsa në Festivalni e tretë këngën "Sot jam 20 vjeç", kënduar nga Vaçe Zela e kështu me radhë. Mbaj mend në ato kohë sapo dilnim përjashta nga salla e Festivalit, dëgjonim fërshëllimat, qoftë të këngëve të mia, qoftë të autorëve të tjerë si të Avni Mulës, Kristo Kotës etj. Pra, në ato këngë kishte melodi, por melodi të bazuara në tabanin kombëtar, që e bënte shumë të kapshme këngën shqiptare, pra e njihej që kënga ishte e jona, shqiptare. Edhe në pleniumin e parë të artistëve, na u dha ky orientim, pra të marrim nga tabani kombëtar, nga folklori shqiptar që është një nga më të mirët në botë.
- Sa e ka dëmtuar politizimi këngën e lehtë shqiptare?
- Krahas të mirës që u përhap, politizimi i këngës është një ndrydhje për kompozitorët, dhe për poetët. Politizimi ishte një barrikadë që e ndalonte frymëzimin, idenë e kompozitorit dhe të poetit.
- A ka patur raste në krijimtarinë tuaj që ishit të detyruar të kompozonit për një ngjarje, a një person, jashtë vullnetit tuaj?
- Atëhere, duhej që në festival kënga të ishte për partinë, për jetën "e re", kurse këngët për dashurinë ishin tepër të rralla. Mund të ishte një a dy në 20, apo 30 këngë, që të pranoheshin me këtë temë.
- Pra, dashuria do të ishte në funksion të partisë?
- Unë kam bërë këngë vetëm për dashurinë, por brenda tekstit kishte këto nga elemente, pra politizimi ishte i përkëdhelur dhe jo i drejtpërdrejtë, militant, siç ishte në plan të parë të të gjithë kompozitorëve, prandaj ato lloj këngësh të atëhershme nuk i rezistuan dot kohës.
-Në qoftë se atëhere vërtet këngët ishin të politizuara, por mbaheshin mend, kurse tani që nuk ka politizim, por nuk ka këngë e s'mbahen mend.
- Tani ka hyrë politizimi i këngës moderne. Kjo duhej për kohën e rinisë, se ajo është e mbyllur. Kompozitorët atëherë ishin të ndrydhur, kurse tani janë të lirë. Ata filluan të ndjekin ritmet rock en roll, twist-et, kurse melodinë ia lanë brezit të vjetër. Kjo bëri që secili të merrte rrugën e vet, natyrën e vet. Sot kompozitorët i kanë të gjitha mundësitë që të kompozojnë këngë të bukura, si melodioze ashtu edhe ritmike.
- Por sa është shqiptare kjo këngë, sa tingëllon e tillë?
-Në fakt, për të qënë i sinqertë, kjo është shumë pak shqiptare. Pra, ne nuk kishim kompozime më parë, nuk kishim traditë, por morëm nga kënga popullore. Kurse kompozitorët e rinj kanë një brez të mirë, kanë një traditë.
Sot, më shumë kompozitorëve u pëlqen ritmi, i vënë më shumë rëndësi ritmit. Kurse muzikën e përcaktojnë lajtmotivet, e përcakton mendimi, e përcakton folklori, tabani kombëtar i një shteti, ashtu siç njihet muzika spanjolle, ajo greke që kanë tabanin kombëtar, ashtu duhet të njihet edhe muzika shqiptare. Kështu, më pëlqen të veçoj vetëm Ardit Gjebrene e ndonjë tjetër që kanë disa këngë, të cilat populli i pëlqen shumë, sepse populli e do muzikën shqiptare, ajo është më e lehtë, më e pranueshme.
- Kur ka qenë pjesëmarrja e fundit nëpër festivale të këngës?
Festivali i 15-të ka qenë pjesëmarrja ime e fundit.
- Po pas '90-ës, a keni tentuar?
Absolutisht, jo.
- Përsa i përket muzikës, ju nuk keni kompozuar vetëm muzikë të lehtë, por dhe të llojeve të tjera?
- Më parë kam bërë operetën "Brigada e grave" si dhe 2 opereta të tjera, të cilat nuk u dhanë, për arsye të dënimit tim.
- Po përsa i përket muzikës së sotme, pra huazimeve, këngëve "të huaja", ç'mendim keni?
- Reminishencë do të ketë kurdoherë. Por, muzika, orkestracioni, ekzekutimi, sot kanë arritur nivele të larta, shumë më të larta se më përpara. Sot janë më profesioniste, kurse më përpara kanë qenë diletantë të gjithë.
Këto gjëra janë kalimtare, pra do t'i lenë vetë kompozitorët. Megjithatë muzika ka ecur shumë përpara. Mund të krahasohemi me aranxhuesit botërorë, me orkestrat botërore, me kompozitorë botërorë, me këngëtarë të kalibrit botëror. Sot janë muzikantë me shkollë profesionale muzikore, mbi të gjitha,janë me talent jo vetëm në muzikë, por në çdo gjë. Jemi një popull me talentedhe me ndjenja.
- Çfarë mund të thoni për brezin e ri, për këngëtarët e rinj?
Kompozitorët e rinj duhet të vazhdojnë rrugën që kanë filluar, por të kthejnë kokën nga tabani, nga folklori, të marrin diçka nga ai. E kanë filluar shumë mirë me melodinë, tani kanë filluar të futen brenda veshit të popullit. Tani melodia ka filluar të ndiht, të kuptohet dhe të dashurohet nga populli, por më tepër kompozitorët e rinj duhet të shikojnë anën e folklorit, të tabanit popullor. Ka këngëtarë të rinj shumë të mirë. Për një kohë shumë të shkurtër, kemi një brez të shkëlqyer për muzikën. U them, që të hedhin sytë nga folklori.
--------------------------------------------------------------------------------
Krijoni Kontakt