(Traduit en albanais par Vasil Qesari)

ELOZH I LARGËSISË

Në burimin e syve të tu
si detra dallgësh plot stuhi,
lundrojnë rrjeta peshkatarësh.
Në burimin e syve të tu,
deti mban premtimn‘ e tij.

E unë hedh mes dallgesh
zemrën time rritur mes të gjallësh,
rrobat e trupit e verbimn’ e një betimi :
Në fundin e zi të thellësirës,
Ndihem dhe më tepër lakuriq.
E kësaj here jo renegat po besnik
se unë jam ti, kur unë jam unë.

Në burimin e syve të tu
unë humbas toruan,
ëndërroj të plaçkis.

Një rrjetë u pleks me një tjetër rrjetë :
Dhe po u ndamë, s'do shqitemi kurrë.

Në burimin e syve të tu të larmë,
një i varur në grykë shtrëngon litarë ...


Paul Celan – Pavot et mémoire (1952)




(traduit en albanais par Vasil Qesari)

DRITARET


... Ai që vrojton nga jashtë, për të mësuar se ç’ndodh pas një dritareje të hapur, s'arrin të marrë vesh kurrë aq shumë gjëra, se sa ai që arrin të shohë matanë një dritareje të mbyllur. Nuk ka objekt më të thellë, më misterioz, më intrigues, më të errët e më verbues, se sa një dritare e ndriçuar zbehtë nga drita e mekur e qiririt. Ajo që arrijmë të shohim mes dritës së diellit, është gjithmonë më pak interesante se sa ajo që ndodh pas xhamave të një dritareje. Në atë katror të errët e njëkohësisht të ndritshëm, jeton vete jeta, ëndërron jeta, vuan jeta... Në një dritare të tillë, nenë harkun valë-valë të çatisë, une shoh një grua të varfër, të moshuar, me rrudha, e cila nuk del kurrë jashtë, por rri gjithmonë përkulur mbi diçka. Nga fytyra, veshja, lëvizjet e gjestet e saj, pa ditur pothuajse asgjë tjetër, kam arritur të njoh historinë apo me mire të them legjendën e saj, të cilën më ndodh shpesh t’i a rrëfej vetes duke qarë... E, them se, sikur të kisha qenë edhe unë një plak i tillë i gjorë, do kisha dashur të kisha bërë të njëjtën jetë si te saj. E, kështu, pastaj, vete e bie të fle, krenar që kam jetuar e vuajtur në dhimbjen e të tjerëve. Ndofta, ndonjë nga ju do pyesë: Po, ti, nga je i sigurtë që ajo çka perfytyron te jete e vërtetë?... Por,ç’rëndësi ka e vërteta që ndodh jashtë meje në se ajo, me historinë e saj më ka bërë të jetoj, të ndjej që ekzistoj e të di se kush jam ?...

Sharl Bodler



Alfred de MUSSET
(1810-1857)

(traduction en albanais par Vasil Qesari)

...Gjithë burrat janë gënjeshtarë, të paqëndrueshëm, fallco, llafazanë, hipokritë, sedertarë dhe të poshtër. Gjithë gratë janë të pabesa, artificiale, vanitoze, kurioze dhe të shthurura. Bota është një gjiriz i pafund ku foka me forma nga më të çuditshmet hiqen zvarrë mes malesh prej lluce. Por ka në botë një gjë të shenjtë dhe sublime e cila është bashkimi i dy prej këtyre qenieve kaq mëkatare e të frikshme. Jemi zhgënjyer shpesh në dashuri, jemi plagosur e ndjerë shumë herë fatkeqë; por ama gjithmonë kemi dashuruar. E, kur kur ka ardhur koha të ndodhemi buze varrit, kemi kthyer kokën pas dhe i kemi themi vetes: “Kam vuajtur shumë herë, shpesh jam zhgënjyer, por megjithatë kam dashuruar. Jam unë ai që kam jetuar jetën time e jo një krijese e rreme krijuar prej sedrës dhe mërzitjes sime ” ...

Alfred dë Mysé
S’behet shaka me dashurinë/Akti II, skena 5 (1834)


(traduction en albanais par Vasil Qesari)

AHMAD SHAMLU
- Një nga poetët më të shquar bashkëkohorë iraniane -
(1925-2000)

HORIZONTI

Do vijë dita që do i gjejmë pëllumbat tanë
E mirësia do ecë dorë për dorë me bukurinë.
Kur himni më i humbur do jetë një puthje
E çdo njeri do jetë vëlla me njëri-tjetrin.

Dita kur njerëzit s’do i mbyllin më shtëpitë
E kyçet e portave do kthehen në legjendë
E për të rrojtur do na mjaftoje e jona zemer.

Dita kur çdo fjalë do të thotë të duash,
E mos kërkosh më kot ta gjesh atë.
Dita kur muzika e çdo fjale do jetë Jeta.
E s’do rropatem të gjej rimën e simes poezi.

Dita kur në çdo buzë do ketë një melodi.
Që Himnin më të humbur ta bëjë Dashuri.
Dita kur do vish ti, kur do vish përgjithnjë
Me mirësjelljen njëlloj si bukurinë,

Dita kur do mbjellim grurë për pëllumbat tanë
E pres atë ditë edhe pse kur ajo do vijë
Unë ateherë nuk do të jem më ...

(Shqipëruar nga Vasil Qesari)