Dekleratë e Shoqatës "BREGDETI" për pronat e bregdetit
Drejtuar : Institucioneve demokratike, masmedias dhe pronarëve
Zotërinj të nderuar,
Kthimi fizik i pronës tek i zoti në zonat turistike është fjala e shkelur nga z. Sali Berisha, është detyrim i shenjtë kushtetues, Biblik, Kuranor dhe moral, është sfida e vitit 2010 për vetë Kryeministrin, Partinë Demokratike dhe LSI në pushtet, për Partinë Socialiste, për Presidentin e Republikës z. Bamir Topi, për politikën shqiptare që kërkon një Shqipëri si e gjithë Evropa si dhe solidariteti e ndihma që ne kërkojmë nga faktori ndërkombëtar.
Shoqata “Bregdeti” deklaron me shqetësim të madh se për çështjen e pronësisë mbi tokën Qeveria dhe Kuvendi, në vend të një ligji demokratik, në përputhje me Kushtetutën dhe të pranueshëm për të gjithë, përfshi dhe BE, bëri të kundërtën. Në fund të vitit 2009 u ndryshua ligji nr.8053 i vitit 1995 dhe u miratua një ligj që ju mohon pronarëve origjinalë të zonave turistike të drejtën e pronës së trashëguar. Ky së bashku me ligjin tjetër që pa përfunduar akoma procesi i kthimit fizik, miraton legalizimet e ndërtimeve të paligjshme të personave të tretë si dhe ligjin për shitjen e truallit të zonave turistike në favor të shkelësve të shumëfishtë të ligjit e shton anarkinë e pronës në zonat turistike, duke e shtuar akoma më tej pakënaqësinë, konfliktet midis pronarëve të ligjshëm dhe pseudo pronarëve. Politikanët, duke abuzuar me të drejtën e miratimit të ligjeve mohojnë historinë e krijimit të pronës private, e cila është pjesë integrale e historisë së vendit dhe jo kontribut i pluralizmit politik dhe i partive politike. Kjo situatë pengon investimet e huaja dhe zhvillimin e ekonomisë.
Ne denoncojmë qëndrimin e institucioneve të shtetit tonë, që duke e trajtuar tokën bujqësore dhe pronat private që i janë shtetëzuar fshatarësisë, njësoj si tokë në pronësi të shtetit, justifikon piratërinë mbi pronat tona. Jemi i vetmi vend pjesëtar në NATO, ku qeveria bën ligje të këtij tipi.
Ne vlerësojmë ndërhyrjet e fundit të ndërkombëtarëve që deputetët socialistë të shkojnë në Parlament për të zgjidhur problemet, por kjo për popullin ka rëndësi shumë më të vogël se moskthimi fizik i pronave private, që duhet të na ishin kthyer me ligj që në vitin 1991. Ne shprehim keqardhje për interesin e pakët të përfaqësuesit të BE dhe NATO, pasi heshtja tyre, po favorizon zhvillime negative për këtë problem kaq themelor dhe parimor për demokracinë.
Janë dy hallka tërësisht antidemokratike që e mbajnë të pazgjidhur, të tensionuar e në vend numëro këtë situatë absurde që më mirë vonë se kurrë, duhet të korrigjohet. Ata janë:
1- Zëvendësimi në formë por jo në përmbajtje që i bëri shteti pluralist i pas vitit 1991, shtetit komunist, për pronësinë mbi tokën, duke anashkaluar dispozitat kryesore Kushtetuese, të cilat e shfuqizuan Kushtetutën Komuniste te vitit 1976 që i pati quajtur edhe pronat tona “pasuri të shtetit”. Me vonë në të njëjtën linjë, antidemokratike, u anashkalua edhe Kushtetuta e vitit 1998.
2- Mekanizmi ose boshti diabolik i kësaj situate jo normale është ligji antikombëtar 7501, i miratuar nga Parlamenti pluralist dhe Presidenti Ramiz Alia në 1991, cili me nenin nr. 8 i ndaloi pronarët e ligjshëm të merrnin tokat e tyre të trashëguara brez pas brezi, me qëllim që toka që do të jepej nga Shteti, të mos ishte trashëgimi e familjeve, por dhuratë e “nënës parti”. Në këtë skandal të pashoq, të dy partitë kryesore që kanë zëvendësuar njëra tjetrën në këto 18 vjet pluralizëm kanë funksionuar në unitet të plotë. Parlamenti e ka amenduar mbi 20 herë ligjin 7501, por gjithmonë ka pasur unitet të plotë që ndryshimet të mos abrogonin nenin 8 të tij. Ky ligj dhe ky nen u bë themeli i korrupsionit dhe i piratërisë së papërmbajtur të grabitjes së tokave më të mira të vendit, veçmas atyre turistike që synohet të grabiten përfundimisht me ligjet e fundit.
Politikanët e pas vitit 1991 për shkak të kufizimeve në koncepte, për interesat elektorale dhe për përfitimet familjare, personale dhe klanore kanë zbatuar një standard të dyfishtë. Në mbi ¾ e vendit me vullnetin e shtetasve, ligji 7501 nuk u respektua, çdo familje mori pronat që i ishin shtetëzuar ndonëse komisionet zyrtarisht raportuan sikur prona ishte e ndarë për frymë sipas ligjit 7501 në masën 98%. Dihet se kthimi i pronës tek i zoti kudo ku u bë, nuk shkaktoi asnjë problem, asnjë konflikt, por ky veprim demokratik i popullit rivendosi të drejtën e shkelur dhe hapi rrugën e mohuar të zhvillimit kapitalist. Në ¼ e vendit, përfshi të gjithë zonën turistike, ku populli priste kthimin e pronës me ligj, shteti zbatoi ligjin 7501. Në këto zona ndodhi katrahura, pasi prona mori ai që ishte më i zoti dhe ai që kishte mbështetje nga zyrtarët dhe politikanët ose që zbatoi metodat e rrugës dhe vetëgjyqësisë.
Për cilindo është e qartë se ndërhyrja nga shteti me ligjin diabolik nr 7501 nuk kishte si shkak nevojat publike. Konfliktet për pronën dhe korrupsioni pushtetarëve janë krijuar artificialisht nga ligjet e këqija të pronave të miratuara prej vitit 1991 e deri sot. Prona veçanërisht në zonat turistike Vlorë-Sarandë u denacionalizua pa respektuar origjinën e pronës, pa respektuar titujt dhe të drejtën e pronësisë. Normalisht shteti demokratik nuk do kishte shkaktuar 18 vjet tranzicion torturues për pronarët e zonave turistike, nëse zoti Sali Berisha dhe politikanët e tjerë paraprakisht do të kishin kërkuar nga organet shtetërore të përcaktonin se çfarë prone ishte e shtetit dhe çarë ishte e shtetëzuar nga diktatura, ndonëse Shteti i kishte dhe i ka në çdo kohë të gjitha mjetet dhe mundësitë për këtë rrugëzgjidhje, por mungon vullneti politik. Ne kërkojmë që shtetit ti diktohet nevoja të veprojë për të zgjidhur problemet e krijuara, nga rrëmuja e krijuar pas vitit 1991 me mbivendosjen e dokumenteve mbi pronat. Ne pranojmë që kompensimet për pronarët të bëhen vetëm për pronat që deri në vitin 1991 janë tjetërsuar për godina banimi si dhe për pronat që nevojiten për nevoja publike. Familjet që kanë përfituar prona nga aktet që nuk respektojnë të drejtën e pronësisë në përputhje me nenin 41 të Kushtetutës Qeveria le ti kompensojë me prona që i përkasin Shtetit por jo me pronat tona.
Si duhet kryer korrigjimet e reformës së tokës në zonat turistike.
Përshëndesim dhe vlerësojmë angazhimin që mori Kryeministri zoti Sali Berisha pak muaj më parë në Dhërmi, për t’u siguruar Bregdetasve kredi të buta edhe financime të tjera për të zhvilluar fshatrat turistike ekzistuese në resurse turistike bashkëkohore, duke rritur kapacitetet dhe krijimin e të gjitha kushteve të një turizmi familjar elitar, por në këtë deklarim të Kryeministrit, ne theksojmë domosdoshmërinë e respektimit të së drejtës për pronën e trashëguar, në të kundërt kjo është shkatërrim dhe nxitje e tërthortë për konflikte dhe vëllavrasje.
Bregasit, të rrahur me vaj e me uthull, gjatë tranzicionit torturues që prej 18 vjetësh e kanë bërë mendjen top, për ta zgjidhur çështjen e pronësisë që trashëgojnë nga të parët e tyre.
Na pëlqen zgjidhja që bënë bashkë atdhetarët dhe vëllezërit tanë veriorë, duke shkuar secili në tokën e trashëguar, prandaj kemi vendosur të kopjojmë përvojën e tyre pasi edhe ne jemi si ata, zonë kodrinore malore. Nuk ka pse në zonat turistike pranë detit Jon të pranojmë një standard të ndryshëm nga ai që u zbatua që në 1991-92 me zonat turistike në mes të maleve, liqeneve e pyjeve të veriut dhe në ¾ e gjithë Shqipërisë.
Një faktor tjetër që na nxit për të mos e humbur më tej kohën e vlefshme, është fakti që kemi në emigracion shumë djem e vajza që punojnë me vite në sektorin e turizmit të fqinjëve tonë, kanë akumuluar përvoje të pasur dhe janë të gatshëm ta sjellin atë në atdhe.
Ne kemi siguruar bashkëpunim të plotë si shoqatë e fshatra me pushtetin vendor, i cili është i angazhuar plotësisht për ta zgjidhur siç duhet çështjen e pronësisë, duke e kaluar tokën tek trashëgimtarët ligjorë, duke realizuar themelin e demokracisë. Nuk ka dyshim se në këto prona do të ndërtohen fshatra turistike por vetëm duke bërë marrëveshje me pronarët e ligjshëm të tokës. Kjo do të thotë prioritet për zhvillimin e turizmit me ritme të larta, në harmoni me pronarin e tokës me investitorët dhe klientët.
Suksesi më i madh i rrugës që ne kemi zgjedhur për pronësinë mbi tokën, qëndron në mundësinë që krijohet për nxjerrjen jashtë loje të mekanizmave të veprimit të politikanëve mafiozë, të cilëve u mbyllen shtigjet e hapura deri tani nga ligji 7501 dhe kolateralet e tij.
Sensibilizimi, mbështetja efektive dhe qëndrimi i drejtë i pjesës patriotike që ka emigruar në SHBA dhe Evropë, sqarimi dhe sensibilizimi i institucioneve ndërkombëtare, së fundi fjala e zotit Pierre MIREL si përfaqësues i Komisionit Europian; sensibilizimi që po bëjnë masmediat demokratike brenda dhe jashtë vendit dhe përfaqësitë diplomatike, janë garanci se ky krim i organizuar sipas porosive të Katovicës do të demaskohen. Politikanët, që me zhurmën për pluralizëm, kanë grabitnin pronat në zonat turistike, duke miratuar ligje dhe vendime sipas “porosive”, duke disorientuar ndërkombëtarët do të dështojnë dhe e drejta do të fitojë.
Një lehtësi e madhe për zgjidhjen e drejtë të pronësisë në Bregdet, përbën fakti që shteti nuk ka pasur prona në fshatrat tona as në kufijtë midis fshatrave dhe nuk kemi konflikte të pazgjidhshme midis pronarëve të çdo fshati dhe midis fshatarëve të zonës.
Sot zgjidhja është e thjeshtë dhe ka ardhur koha për të bërë shtrëngimet përkatëse ndaj politikave që nuk respektojnë të drejtën e shtetasve për të gëzuar pronën e tyre të trashëguar, shkelin këtë të drejtë themelore dhe nxitin popullin në vëllavrasje dhe ndërkohë shtyjnë kohën duke e mashtruar komunitetin ndërkombëtar,.duke raportuar se në këtë fushë kanë hartuar ligje të mira.
Ndihma juaj do të luftojë në mënyrë efektive korrupsionin pushtetar dhe grabitësit e pronave tona, do të çrrënjosi mbeturinat e komunizmit dhe do bëjë të triumfojë drejtësia, të respektohet e drejta e çdo familje për pronën e trashëguar apo për pronën e përbashkët të fshatit ashtu siç ka qenë para kolektivizimit komunist. Rrugë tjetër të ndershme dhe fisnike nuk ka.
KRYESIA E SHOQATËS "BREGDETI"
Tiranë, më 6 Janar 2010
Sqarim : Kjo deklaratë më datën 7 Janar 2010, është e botuar në gazetat “Telegraf”, “Tema”, “Gazeta Shqiptare”, dhe më 8 Janar 2010 në “Shekulli”, "Koha Jonë" dhe “Zëri i Popullit”
Krijoni Kontakt