Bochum, 19 nëntor - Policia gjermane dhe policitë e vendeve të tjera evropiane kanë arrestuar një numër të caktuar të personave të dyshuar se kanë kurdisur rezultatet e ndeshjeve në garat e mëdha futbollistike në Evropë.
Zyra e prokurorit në Bochum kumtoi sot se arrestimet janë rezultat i hetimeve që i ka iniciuar në fillim të këtij viti Unioni evropian i futbollit (UEFA).
Dyshohet se kurdisjen e ndeshjeve e ka organizuar një grup i organizuar ndërkombëtar, i cili, si pohohet, ka mitosur lojtarë, trajnerë, referë dhe zyrtarë të “ligave të rangut të lartë” në Evropë, në mënyrë që të krijojë përfitime të mëdha për vete nga bastoret.
Mirëpo, në komunikatën e Bochumit nuk është cekur se në cilat vende janë kryer arrestimet e as sa persona janë arrestuar. Por, thuhet se numri i të arrestuarve është i madh.
Hollësi të tjera nuk janë publikuar, ndërsa për nesër (të premten) është caktuar konferenca për gazetarë, ku me gjasë do të jepen më shumë hollësi përkitazi me këtë skandal.
Krijoni Kontakt