Kusari-Lila organizon protestë në Gjakovë
Në shenjë pakënaqësie me rezultatin e arritur në zgjedhjet e 15 nëntorit, kandidatja për kryetare të komunës së Gjakovës nga koalicioni AKR-LDD, Mimoza Kusari-Lila, ka organizuar të martën protestë në qendër të qytetit.
Sipas saj në disa vendvotime ka pasur manipulime dhe vjedhje të votave. Kusari –Lila gjithashtu shprehi keqardhje para elektoratit të saj për pamundësinë e mbrojtjes së votës së tyre.
Ndërkaq, Aleanca Kosova e Re, nëpërmjet një komunikate për media, e ka vlerësuar protestën e qytetarëve të Gjakovës, ”si thirrje demokratike për drejtësi dhe respektim të votës së lirë”.
Kjo thirrje e qytetarëve të Gjakovës – sipas AKR-së – “është thirrje e shpresës për vetëdijesim edhe në qytete të tjera të Kosovës, duke e parë se imazhi i këtyre zgjedhjeve është dëmtuar me manipulimin e votave në Gjakovë dhe Viti, gjë që shton dyshimin për manipulime edhe në komuna të tjera si Prishtina Kamenica dhe Kaçaniku”.
AKR nuk mund të pajtohet me vlerësimin e institucioneve, se këto zgjedhje u zhvilluan në frymë të lirë dhe demokratike. Faktet, sipas AKR-së, flasin ndryshe.
“Institucionet përgjegjëse të shtetit tonë, nuk mund të injorojnë videot ku shihet mbushja e kutive nga komisionerë të partive të ndryshme. Raportet e policisë për kërcënime me armë dhe votimet në emër të atyre që nuk janë në këtë jetë, apo që jetojnë jashtë Kosovës”, thuhet në reagim.
“Presidenti dhe gjithë përfaqësuesit e lartë të shtetit duhet të distancohen nga interesat e ngushta partiake dhe të vlerësojnë drejtë këtë proces zgjedhor, në mënyrë që të mund të përmirësojmë gabimet që janë bërë. Prandaj ata nuk mund të pretendojnë se jemi shtet demorkatik në qoftë se heshtet përballë këtyre manipulimeve”, vlerëson AKR.
Po ashtu thuhet se kjo parti “nuk do të pranojë asnjëherë keqpërdorimin e votave si diçka të mirë, por do ta luftojmë me të gjitha format demokratike cenimin dhe shkeljen e vullnetit të qytetarëve”.
Aleanca Kosova e Re, kërkon nga Institucionet e Kosovës dhe nga KZAP-ja, që të marrin masa të menjëhershme, për zbardhjen e së vërtetës në Gjakovë dhe në secilën komunë tjetër, ku ka pasur keqpërdorime të votave. “Ne e mbështesim fuqishëm protestën e sotme ne Gjakovë, duke e vlerësuar demokratike dhe të qytetëruar, si thirrje paqësore për drejtësi”, përfundon komunikata. /Telegrafi/
Sipas rezultatit preliminar të publikuar nga KQZ-ja, kryetari aktual Pal Lekaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 52.8 % ndërsa kandidatja e koalicionit AKR LDD Mimoza Kusari Lila 40.07%.
Krijoni Kontakt