Perm, nga gulag i frikshëm në "mekë" të artit e kulturës

është Moska apo Shën Peterburgu kryeqyteti kulturor i Rusisë? Me sa duket as njëri as tjetri, të paktën tani që Perm ka shumë gjasa që ta mbajë atë titull. Ai është një qytet me 1 milion banorë, pranë maleve Urale, që në epokën sovjetike njihej për kampet

Qielli varet i zymtë dhe i vrenjtur mbi qytet. Diku në gjirin e tij ndodhet një godinë edhe më gri, që është unike në të gjithë Rusinë. Ai është i vetmi Muze i Gulagëve (kampeve të punës në epokën sovjetike) në tokën ruse. Kur e sheh, apo kur je brenda tij e ke të pamundur që të mos përndiqesh nga hijet dhe dhimbjet që janë konsumuar nëpër qelitë dhe muret e kampit. Brenda tyre duket sikur tmerri nuk ka mbaruar... Zëra të mistershëm fantazmash mund të dëgjohen ndërsa rënkojnë. Janë zëra që vijnë nga një tjetër botë, sikur të kishin dalë nga faqet e romanit të Dostojevskit "Shënime nga shtëpia e të vdekurve". Kjo është vetëm një pjesë e mizerjes dhe vuajtjes së gjatë që kanë përjetuar rusët gjatë shekullit të kaluar. Por disa nga zërat nuk vijnë nga e kaluara, por nga e tashmja e një vendi që ndodhet pranë muzeut. Është një spital psikiatrik që ndodhet jo larg ish-gulagut. Kjo situatë gjysmë dramatike dhe gjysmë fantazmagorike zakonisht vazhdon gjatë gjithë natës, derisa drita e parë e ditës shfaqet në horizontin e qytetit të Permit. Pikërisht në këtë moment, kur nata ndahet nga dita, qyteti në Urale, qendra më e madhe ruse në kontinentin europian, që e ka marrë emrin nga një periudhë gjeologjike 251 milionë vjet më parë, nis të shndrisë e t‘i përkasë ditës. Që prej disa kohësh ky qytet po gatitet që të lërë pas njëherë e mirë kapitujt e errët të historisë së tij, të rizgjohet dhe të shndërrohet nga qytet i errësirës dhe vdekjes në një qytet të kulturës, madje asaj ndërkombëtare. Muzeu i Gulagut është vetëm një pikë e errët e qytetit, sepse ai ndërkohë është i pajisur edhe me galeri arti, ndërtesa të epokës së Stalinit, që janë shndërruar në muze dhe një teatër i famshëm baleti ndërtuar mbi gërmadhat e fabrikave të armëve. Perm është një qytet me një të kaluar famëkeqe dhe me një të ardhme, sipas të gjitha gjasave shumë më të mirë. Me historinë e tij lidhen tri emra: ai i një shkrimtari të madh rus, emri i carit të fundit dhe ai i një aktivisti hebre të të drejtave të njeriut. Për të tre burrat e sipërpërmendur, Perm ishte një ankth i tmerrshëm, sinonim i gjithçkaje të ligë në Bashkimin Sovjetik. Ata pësuan vuajtje fizike në këtë qytet, që ishte bastioni i fundit para Siberisë. Anton Chekhov shkoi aty në vitin 1890 dhe 10 vjet më vonë e përdori këtë aventurë të tij si frymëzim për të përshkruar qytetin e vogël e të errët në dramën e tij "Tri motrat", një vend ku njerëzit janë të dëshpëruar për të ikur larg.
Duka i Madh, Mikhail Aleksandroviç, anëtar i dinastisë Romanov dhe një trashëgimtar i mundshëm i fronit, ndryshe nga dramaturgu i famshëm nuk erdhi në këtë qytet në mënyrë të vullnetshme. Ai u dërgua në Perm pas Revolucionit Rus dhe u ekzekutua në vitin 1918 nga bolshevikët falë një "tentative arratisje". Pas kësaj, partia urdhëroi edhe ekzekutimin e gjithë familjes së romanovëve.
Në fillim të vitit 1980, Natan Sharansky, që më pas u bë zëvendëskryeministri i Izraelit, u mbajt në gulagun e qytetit për 6 vjet pas akuzës për spiunazh. Kampi ku ai qëndroi ishte i rrethuar me tela me gjemba, ndërkohë që ai qëndroi për më të shumtën e viteve në një qeli të izoluar nga pjesa tjetër e botës, në të cilën ai kishte në dorë vetëm një libër lutjesh. Perm ishte një qytet ku nuk lejoheshin vizitorët e huaj deri në fund të Luftës së Ftohtë. Askush nuk duhet të shihte as gulagët, as fabrikat në të cilat prodhoheshin armatime, tanke dhe raketa. Madje, edhe në vitin 1990, qyteti, që për njëfarë kohe u quajt Molotov, sipas emrit të ministrit të Jashtëm të Stalinit, nuk ishte i hapur krejtësisht për të huajt dhe për të tjerët ai vazhdoi të mbeste një qytet misterioz me një nam të keq. Po në këtë vend shkatërrimi dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik u pasqyrua përmes tmerrit më të madh. Sot, e gjithë ajo situatë ka ndryshuar, madje në mënyrë aq radikale saqë pa frikë mund të thuash se kemi të bëjmë me një revolucion. Revista ruse "Afisha" e shpalli Perm qytetin e vitit. Marat Gelman, 48 vjeç, i njohur për një galeri të famshme që ka në Moskë, thotë se Perm do të shndërrohet në "kryeqytetin e ri të kulturës së Rusisë", madje kjo mund të jetë e vërtetë që sot. Ai ia ka kaluar Moskës dhe Shën Peterburgut. Ndërsa në një shkrim të tijin një kritik njujorkez e ka quajtur qytetin "shpërthim të ngjyrave dhe ideve".
Ata që ecin sot përmes qytetit buzë lumit Kamara mund të ndeshen me godina të zëna nga firma të rëndësishme e filiale të kompanisë kulturore me famë botërore që janë në kërkim të hapësirave për të ekspozuar, për të ngritur galeri arti, apo mund të ndeshen me zyra të mëdha arkitektësh që po ia ndryshojnë përditë fytyrën qytetit me projektet e tyre që vihen në jetë në një kohë rekord. Edhe artistët rusë po shkojnë gjithnjë e më shpesh për të ekspozuar veprat e tyre në qytetin e Uraleve, si të donin të gjenin një shkak për të kundërshtuar imazhin që i dha dikur qytetit Çehovi. Po përse vallë? Çfarë ka ndodhur befas me këtë ish-laraskë të shëmtuar, që befas është shndërruar në një mjellmë të bardhë e plot hir? Kush qëndron pas mrekullisë së Permit dhe çfarë mësimi i jep ky qytet qyteteve të tjera të zymta e industriale të kontinentit? Zyra e guvernatorit ndodhet në qendër të qytetit. Brenda saj vjen era dyllë. Ambientet janë të gjelbëruara dhe plot dritë. Edhe pse tek-tuk për kujtim janë lënë nëpër mure fotot të ish-Bashkimit Sovjetik, guvernatori që ndodhet në zyrën në katin më të lartë të godinës nuk i përket asaj periudhe të errët. Oleg Chikurnov është një njeri që i përket botës dhe ka parë shumë botë me sy. Për ndryshimin e qytetit ka thirrur urbanistët dhe arkitektët më të mirë francezë. Ai vetë ka studiuar ligje dhe ka një doktoraturë në ekonomi. Para se të merrte detyrën ka qenë përfaqësues i Rusisë në Zvicër, si dhe ka pasur një karrierë të suksesshme si biznesmen. Mënyra se si ai e menaxhon punën nuk është aspak e zakonshme. Ai u bë guvernator në vitin 2005 dhe kërkoi që t‘i bënin një raport shumë realist për anët pozitive dhe negative të Permit. Raporti kuptohet që nxori në pah një qytet me shumë probleme të mbarsura nga e kaluara, por edhe të kultivuara gjatë viteve të vështira të tranzicionit. Me pak fjalë, qyteti me mbi 1 milion banorë ndodhej në prag të shkatërrimit fizik dhe shpirtëror. Fabrikat e tij ishin shndërruar në grumbuj të mëdhenj skrapi, godinat e tjera të qytetit ishin rrjepur dhe në të nuk gjeje dot asnjë restorant, apo kafene të hairit. Imazhi i qytetit ishte ai i një ish-gulagu që zor se do të mund të bënte për vete ndonjë këmbë turisti. Ai ndodhet 2 zona ore larg Moskës. E vetmja gjë e mirë për qytetin është natyra e tij, me lumin me ujë të kthjellët e malet e bukur që e rrethojnë. Ajo që guvernatori kuptoi që në fillim ishte që në këtë qytet duheshin bërë disa ndryshime shumë radikale dhe se atij i duhej dhënë menjëherë një identitet postsovjetik. Aty duhet të krijoheshin atraksione të tilla që ta bënin unik në të gjithë Rusinë. Për këtë, guvernatori bëri një plan shumë ambicioz. "Planet tona ishin mjaft të shtrenjta dhe kërkonin shumë para dhe mbi të gjitha ishin afatgjata. Ne na duhej një plan më i shpejtë. Kështu vendosëm që këtë qytet që simbolizonte gjërat më të errëta të regjimit sovjetik ta shndërronim në një qytet avangardë të artit dhe kulturës në Rusi e më gjerë dhe e gjithë kjo me investime shumë të arsyeshme. Kështu, pak nga pak qyteti u shndërrua në një qendër që thithte mendjet më të ndritura të kulturës. Ky ishte vizioni ynë". Guvernatori ua bëri interesante planet e tij disa njerëzve të pasur të qytetit, por edhe të mbarë vendit. Në këto projekte, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, investohen shumë pak para publike. Sot, ky projekt është një sukses i vërtetë. Kështu, kompleksi më i bukur muzeor në qytet është ndërtuar mbi gërmadhat e një uzine të prodhimit të armatimeve. Ai kryesisht ekspozon pjesë të së kaluarës së qytetit dhe mund ta cilësosh një varrezë të vërtetë të Luftës së Ftohtë. Ideja e transformimit kishte të bënte me shndërrimin e armëve në art. Ky kompleks muzeor ka shumë salla e ambiente dhe është shndërruar ndër një nga më të preferuarit e artistëve rusë dhe të huaj për të ekspozuar punimet e tyre. Është i çuditshëm që në këtë qytet arti shpërtheu edhe në epokën e sundimit të Ivanit të Tmerrshëm. Në shekullin e 16-të cari i dha dorë të lirë në Siberi familjes Stroganov e shquar për mbështetjen që i jepte vazhdimisht artit dhe artistëve. Si traditë, baleti i Permit vazhdoi të mbijetonte edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por gjithmonë karakteristike ka qenë ecja paralele që kanë bërë tradita me modernen. Ndryshe nga shumë pushtetarë rusë, guvernatori i Permit nuk është një anëtar i Partisë së Putinit dhe kjo është një nga arsyet që ai përballet vazhdimisht me rrezikun e zëvendësimit, megjithatë ai është betuar që të luftojë vazhdimisht për një individ e shoqëri me mendje të hapur dhe që nuk vihet në lëvizje nga frika, por nga kreativiteti.

shqip