Po paraqes këtu doracakun për prindër, edukatorë, mësues dhe të tjerë që punojnë me fëmijët…
Disa rregulla të arta
Autore: Bonnie Miller
PËRMBAJTJA:
Filzofia
Komunikimi
Ndërtimi i vetëbesimit dhe i empatisë
Dashuria dhe logjika
Disiplina
Vendimet dhe pasojat
“Time Out”
Zgjidhja e konflikteve
Nxitja e bashkëpunimit
Fjalët mund të lëndojnë
Kontrollimi i zemërimit
Çështje të veçanta
Në vend të hyrjes
Rritja e fëmijëve është një punë e vështirë. Të ndihmohet fëmija në zhvillim, është një nga përpjekjet më të rëndësishme për secilin nga ne. Është shumë me rëndësi për familjen dhe për shoqërinë në tërësi, që ne t`i nxisim fëmijët të jenë të fortë, inteligjentë, të ndjeshëm, të kujdesshëm, tolerant, kreativë, të vetëdijshëm, të besuar dhe produktivë.
Të qenët prind është një orarë i plotë pune, që zgjatë së paku tetëmbëdhjetë vjet. Nuk është kjo një shkathtësi që mësohet në shkollë. Nuk keni nevojë për leje ose për trajnim të veçantë për të pasur fëmijë, por askush nuk ju këshillon për sfidat dhe vështirësitë që mund t`ju dalin gjatë viteve.
Unë kamë hartuar këtë udhëzues që t`i ndihmoj prindërit të komunikojnë më mirë me fëmijët e tyre dhe të përdorin metoda verbale dhe të padhunshme disiplinimi. Disa nga teknikat e komunikimit kanë nevojë për ushtrime praktike, sikurse kur flitet ndonjë gjuhë e huaj, por pasi të filloni t`i përdorni këto strategji që meritojnë respekt, ju do të forcoheni nga reaksionet pozitive të fëmijëve tuaj.
Shpresoj që këto ide do t`ju ndihmojnë tash dhe përgjatë të gjitha fazave nëpër të cilat kalojnë fëmijët. Përmbajtjet kryesore të jetës së fëmijëve tanë janë siguria, dashuria, pranimi dhe inkurajimi. Çdo ditë ne mund t`i vlerësojmë cilësitë e fëmijëve tanë dhe t`ua bëjmë me dije se ne i duam fort. Që nesër, ata do të jenë të rritur.
Fëmijët mësojnë atë që e përjetojnë
Në qoftë se fëmija jeton me kritikën,
ai mëson të gjykojë.
Në qoftë se fëmija jeton në armiqësi,
ai mëson të luftojë.
Në qoftë se fëmija jeton me përqeshjen,
ai mëson të turpërohet.
Në qoftë se fëmija jeton me turpin,
ai mëson të ndihet fajtor.
Në qoftë se fëmija jeton me tolerancë,
ai mëson durimin.
Në qoftë se fëmija jeton me kurajën,
ai mëson besimin.
Në qoftë se fëmija jeton me lëvdatën,
ai mëson të respektojë.
Në qoftë se fëmija jeton me drejtësinë,
ai mëson të jetë i drejtë.
Në qoftë se fëmija jeton në siguri,
ai mëson të besojë.
Në qoftë se fëmija jeton me miratimin,
ai mëson ta dojë vetveten.
Në qoftë se fëmija pranohet dhe jeton në miqësi,
ai mëson të gjejë dashuri në botë.
FILOZOFIA
Kënaquni me fëmijët tuaj tani
• Ua bëni me dije atyre që nuk kanë nevojë “ta fitojnë” dashurinë tuaj.
• Gëzojuni çdo dite dhe bëjani me dije fëmijës suaj se ju e doni atë vetëm ngaqë është ai vetë.
Pranojeni individualitetin e fëmijës suaj
• Respektoni talentin, cilësitë, ndjenjat, ëndërrat, synimet, fshehtësitë, problemet dhe betejat e fëmijës suaj.
Ndjenjat dhe sjellja janë gjëra të ndryshme
• Të gjitha ndjenjat janë të pranueshme, por me rëndësi është të caktohen rregullat e sjelljes.
• Njihni ndjenjat ambivalente të fëmijës suaj dhe ndihmojeni atë që t`i shfaqë ndjenjat e veta në mënyrë konstruktive.
Bëhuni aleat, jo kritik
• Askush nuk është i përkryer, prandaj as ne nuk mund të presim të përkryerën nga fëmijët tanë.
• Pranoni gabimet tuaja dhe të fëmijëve tuaj dhe trajtoni ato si mundësi për të mësuar dhe për të përparuar.
• Keni parasysh fazën zhvillimore të fëmijës suaj dhe me të përshtatni pritjet tuaja.
• Fëmijët e vegjël janë impulsivë dhe konkretë. Sigurohuni që e keni përqëndrimin e fëmijës dhe që ai e kupton atë për të cilën ju flsini kur e luteni që të bëjë diçka ose kur i jepni ndonjë informacion.
Tregoni se keni besim tek aftësitë e fëmijës suaj për të marrë vendime vetë
• Kur fëmija ka problem, bëhuni këshilltar i tij e jo shef i tij.
• Dëgjojeni, mbështeteni dhe ndihmojeni që të zbulojë dhe t`i peshojë gjasat dhe pasojat.
Eduko fëmijën drejt
• Përdor rregulla të drejta që mund t`i zbatosh dhe t`i shpjegosh mirë.
• Jini konsekuentë në metodat tuaja disiplinore.
• Përdorni fjalë që ia bëjnë me dije fëmijës suaj se çfarë ju prisni.
• Përdorni TIME OUT-in dhe pasojat logjike e natyrore në vend të çirrjes e ndëshkimit fizik.
Bëhuni fleksibilë dhe të gatshëm për marrëveshje• Jepni vetes kohë për të menduar.
• Jini të vetëdijshëm se ndjenjat dhe problemet tuaja personale dhe mos i bartni ato te fëmija.
• Mos reagoni vrullshëm! Ruajeni objektivitetin dhe problemit, incidentit ose sjelljes së fëmijës suaj jepjani rëndësinë që e meriton.
Shfaqni vlerat tuaja
• Bëhuni model i mirë i kujdesit, i komunikimit, i sjelljes dhe i marrëdhënieve.
• Bëhuni shembull për sjellje dhe ia bëni me dije se çfarë ju pëlqen në veprimet e tij.
• Promovojeni empatinë. Diskutoni për efektet e sjelljes së tij tek të tjerët.
Krijoni Kontakt