Gjermës mund t’i përsëritet Brodeci
Një skenar tjetër i ngjashëm me atë të Brodecit përgatitet të ndodhë në malësinë e Tetovës, ndërsa përmendet se në shënjestër të policisë maqedonase është fshati Gjermë. Paralajmërimet fillimisht në mënyrë publike erdhën nga ish-deputeti Xhezair Shaqiri – Hoxha gjatë një interviste për "Lajm", ndërsa më vonë i ka zbardhur këto pohime edhe Gafur Adili, ish-zëdhënësi i AKSH-së. Në një intervistë për "Lajm", Xhezair Shaqiri tha: "Po ju them edhe këtë se kemi informatë se shumë shpejt pritet të sulmohet një fshat në Tetovë ose sërish të sulmohet Tanusha nga policia maqedonase".
Përveç tij, Gafurr Adili, aktualisht kryetar i Frontit Demokratik për Bashkim Kombëtarë, ish-zëdhënës i AKSH-së, kohë më parë paralajmëroi një aksion policorë në malësinë e Tetovës, duke precizuar se kjo pritet të ndodh në fshatin Gjermë. Ai këtë e përsëriti edhe një herë në një deklaratë për "Lajm" dhe sipas tij aksioni në fjalë pritet të ndodh nga dita në ditë. "Kam pasur dhe kam informacione të mjaftueshme se prej shumë kohësh në Gjermë të Malësisë së Tetovës është duke u përgatitur skenari i llojit të Kondovës dhe të Brodecit", tha Gafurr Adili. Ai për këto skenarë akuzon kryeministrin Gruevski dhe Akademinë e Shkencave të Maqedonisë. "Kryeorganizatori i të gjitha këtyre skenarëve ka qenë dhe mbetet Nikolla Gruevski dhe satelitët e tij, prapa të cilit ka qëndruar dhe qëndron e ashtuquajtura ASHAM, që nuk është asgjë tjetër përveç se një filiale e ASHA të Serbisë", tha Adili.
Nga Ministria për Punë të Brendshme e Maqedonisë, as nuk pohojnë por edhe nuk mohojnë informacionet e këtilla, por thonë se kjo ministri do ta vazhdojë luftën kundër kriminalitetit. "MPB as nuk ka lajmëruar e as që do të paralajmërojë aksione dhe punë të këtilla në kompetencë të saj deri sa ata nuk realizohen. MPB ka vepruar dhe vepron kryesisht në përputhje me përgjegjësitë ligjore për luftë kundër kriminalitetit", tha për "Lajm" Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.
Sipas burimeve të "Lajm-it" arsyetimet për një intervenim të tillë policor në fshatin Gjermë janë që të tërhiqet vëmendja nga gjendja aktuale me enciklopedinë, me pretekstin e ngjashëm sikur në Brodec se sillen grupe të armatosura kriminele shqiptare. Gruevski me politikën e tij po kërkon edhe një "fije kashte" që të dëshmojë se shqiptarët janë destabilizues të rajonit.
Më 7 nëntor të vitit 2007, policia maqedonase pas një aksioni të quajtur "stuhia malore" vrau 6 persona dhe u arrestuan 13 të tjerë.
Pollozhani: Gruevski me Brodecin e varrosi PDSH-në
"Rastin e Brodecit, Gruevski e realizoi për ta varrosur PDSH-ne. Aksioni u krye derisa funksionarët e PDSH-së flinin, mirëpo të nesërmen u kish dal gjumi që ta lexojnë komunikatën e shkruar nga Ministria e Punëve të Brendshme se atje u vranë terroristë nga policia mutietnike. Të gjitha janë çorba të gatuara nga BIA dhe mbeturinat e UDB-së të servuara me garnin të partive shqiptare në pushtet", ka thënë Shpëtim Pollozhani gjatë një komenti në gazetën "Lajm".
http://lajmpress.com/lajme/maqedoni/1484.html
Krijoni Kontakt