Gota e fundit, alkoolistet e orëve të lumtura që dehen për të modifikuar mendimet
Fillojnë në muzg e vazhdojnë deri natën vonë. Të reja, të diplomuara, me një stil jete stresant, pinë në shoqëri për t’u ndier më mirë dhe për të zhdukur ankthin. Pa e kuptuar se ku po i çon alkooli. I njohim të gjithë, sepse kanë gjithmonë gotën në dorë. E në vend që të hanë, pinë. Preferojnë kokteil të ëmbël, mojito, por edhe xhin tonik, Negroni, Bellini, verë të bardhë ose birrë. Bëhët fjalë për alkoolistet e orëve të lumtura (“happy hour”), ato që nisin të pinë kur dalin nga puna e vazhdojnë deri në netët e vona e s’kënaqen me një.
Alkoolistet
Janë gjithmonë e më shumë në numër. Dhe të reja. Aq e vërtetë është kjo sa studimet në Evropë thonë: “Numri i vajzave që konsumojnë rregullisht alkool, është rritur 113 për qind vitet e fundit. Dhe femrat përbëjnë gjysmën e pacientëve”. Shpesh janë të diplomuara (sipas të dhënave të studimeve, konsumi i alkoolit ndërmjet femrave është përpjesëtimor me statusin profesional të tyre) dhe me një stil jete stresant. “E përdorin pijen si vetëmjekim. Në kuptimin që përpiqen të mbushin boshllëkun, vetminë”,- thonë psikologët. Zakonisht fillojnë të pinë në perëndim të diellit, kur shkëputen nga angazhimet profesionale e duhet të përballen me jetën personale. Në atë kohë, ankthi nis të rritet e të kërkojë të zhduket nga kokteil-et, vera, alkooliket e forta. Sipas psikologëve, ky është një etilizëm i lidhur me depresionin që, në vend që ta kurojë, e rëndon, pasi alkooli është helm për sistemin qendror nervor, shkakton depresion dhe krijon ankth, duke rigjeneruar një rreth vicioz, që të bën të pish më shumë. Përveç kësaj, femrave iu duhet më pak se meshkujve për t’u dehur, sepse kanë një sasi më vogël alkooldehidrogjeni (një enzimë tretëse) në organizëm. Prandaj filtri i parë për në stomak është më pak i efektshëm dhe alkooli hyn në procesin e tretjes thuajse i plotë.
Gra gjithmonë e më “mashkullore”
Sipas psikologëve, pija modifikon ekuilibrat hormonalë femërorë, ndikon mbi ciklin e të bën më mashkullore. Gjatë shtatzënisë, shkakton keqformime të frikshme të fetusit, ndërsa gjatë ushqyerjes me gji mund të shkaktojë vonesë në zhvillimin mendor të foshnjës. Asnjë pikë alkool pra, nëse jeni shtatzënë. Ndërsa normalisht, nevojitet të kufizohesh në “një gotë e gjysmë verë në ditë ose një krikëll birrë apo një kokteil alkoolik, duke ndjekur këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetit”,- thonë specialistët. “Shumë femra i kalojnë dozat që organizmi mund t’i metabolizojë. Kanë një problem abuzimi, që mund të dëmtojë shëndetin e tyre, pa e vënë re fare. Sepse pinë në orare dhe situata shoqërisht të pranueshme, pa u ndjerë skllave të alkoolit. Varësia që shkakton sindromën e abstinencës ngulitet pas disa vitesh. Por është konsumi i tepërt që shkakton simptoma psikofizike, për llogari të vetën. Femra që pi shumë, nuk ndihet në formë, mund të vuajë nga gastriti, irritohet lehtë, është agresive, e depresionuar, me ankth. I duhet shumë të përqendrohet në punën e saj”,- shpjegojnë psikologët. Sipas këtyre të fundit, hapi i parë që duhet të bëjnë femrat alkooliste është të pranojnë problemin. Nëse nuk ia dalin vetë, duhet të konsultohen me mjekun. T’i drejtohen pastaj një psikologu/psikiatri, ose deri një alkoologu, për të përshtatur një trajtim dizintoksikimi e mbështetje psikoterapeutike.
Rrugë për të shpëtuar nga varësia
Le të flasim qartë: askush nuk bëhet e varur nga zbardhuesi i rrobave, por pija nuk krahasohet, ajo të pëlqen. Alkooli modifikon mendimet, ndjenjat, heq emocionet, të qetëson. Nis të pihet për këto qëllime. Pastaj, marrja e alkoolit vlerësohet në rrafshin e trurit nga lëshimi i dopaminës. Në disa njerëz barra bie te sistemet e kontrollit dhe nis varësia. Rreziku është më i madh për ata që kanë një prirje gjenetike: pra një variant të kromozomit 11 e në veçanti të gjenit që kodifikon receptorët e dopaminës”,- shpjegojnë mjekët. Kush do të shpëtojë nga kjo, ka më shumë zgjidhje: Të kontaktojnë me qendrat e specializuara, të cilat nuk janë aq të frikshme sa duken. Shumë specialistë dinë të japin zgjidhjet e duhura. Një zë esëll specialisti vjen në ndihmë, jo gotat.
19 Shtator 2009
albania
Ruaj Lidhjet