Nga Express më 21.08.2009 në ora 18:09
Dukuria e trafikimit me njerëz ka shënuar një rënie të lehtë në Kosovë, por policia thotë se shqetëson rritja e dukurisë së prostitucionit vullnetar.
“Dukuria e trafikimit me njerëz është një dukuri e cila është duke u zbehur sa i përket prezencës në Kosovë dhe më prezent është dukuria e prostitucionit vullnetar dhe mundësimit të prostitucionit”, tha Ramadan Ahmeti, shef i Sektorit për hetimin e trafikimit të qenieve njerëzore, në një konferencë me gazetarë.
Sipas statistikave të policisë, në periudhën gjashtëmujore të këtij viti, Sektori për hetimin e trafikimit me njerëz ka asistuar 7 viktima të trafikimit, 4 prej tyre nga Kosova dhe 3 nga shtete tjera. Ndërsa janë arrestuar 30 persona, prej tyre 22 janë shtetas të Kosovës, 5 nga Bullgaria, 2 nga Moldavia dhe 4 nga Ukraina.
“Në gjashtë muajt e parë të vitit 2008 kemi pasur 19 viktima të trafikimit që nënkupton se ka një rënie sa i përket asistimit dhe identifikimit të trafikimit... Shihet se që nga viti 2001 e deri tani dukuria e trafikimit me njerëz ka shënuar rënie sa i përket identifikimit të viktimave dhe aktiviteteve që merren trafikantët me këtë dukuri”, tha Ahmeti.
Sivjet, janë ndërmarrë 333 kontrollime në vende të dyshimta, në të cilat mund të zhvillohen aktivitete të trafikimit.
Me Kodin Penal të Kosovës, ata që merren me trafikim të qenieve njerëzore kryejnë vepra penale, ndërkaq femrat që ushtrojnë prostitucion kryejnë vetëm kundërvajtje dhe dënimi maksimal mund të jetë 60 ditë.
Shefi i Sektorit për hetimin e trafikimit konsideron se prostitucioni duhet të konsiderohet si vepër penale, ose në të kundërtën të legalizohet.
Krijoni Kontakt