Vijojnë polemikat midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës”. Pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, i cili deklaroi se Rama ishte armiku për ndërtimin e kësaj rruge, ka reaguar Partia Socialiste me anë të zëdhënëses Armela Imeraj. Ajo i cilësoi trillime dhe shpifje të turpshme deklaratat e kryeministrit në drejtim të kreut të Partisë Socialiste Edi Rama. “Dje, Sali Berisha akuzoi Kryetarin e Partisë Socialiste, se e ka quajtur rrugën Durrës-Kukës "rruga e asgjëkundit", duke prodhuar kështu shpifjen e ulët të ditës, në të njëjtën ditë që Kolegji Zgjedhor mbylli turpshëm maskaradën zgjedhore me shkeljen flagrante të ligjit dhe mohimin e përsëritur të së drejtës demokratike të opozitës për të bërë transparencë mbi kutitë e dyshuara të Beratit, Tiranës e Shkodrës. Dje, Sali Berisha vijoi rrugëtimin e turpshëm të akuzave e të shpifjeve në adresën e Kryetarit të Partisë Socialiste, ndërkohë që në rrugën e asgjëkundit hyri përfundimisht qeveria e shtatanike e çiftit të ri të politikës së vjetër”, tha Imeraj. Por menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar Partia Demokratike me anë të zëdhënëses Erla Mëhilli. Mëhilli tha se Rama nuk duhet të mohojë deklaratën, në të cilën e cilësonte rrugën “Durrës-Kukës” si rruga e askushit, ndërkohë që tha se kreu i PS-së duhet të kërkojë të falur shqiptarëve për qëndrimet e tij kundër kësaj rruge. “Unë ju kujtoj, meqë Ramës i është shuar kujtesa, se e ka shprehur publikisht këtë gjë në mediat e vendit. Nëse Rama ndjen pendesë për shpifjet, sulmet dhe etiketimet ndaj rrugës, le t’u kërkojë publikisht të falur 6 milion shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë”, tha Mëhilli.