Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë
Historia që më nxiti të ideoj dhe të shpall 20 Majin, si “Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve”.
Xhuliana Luli, Jetimja e harruar…..
“Padashur pashë emrin tënd të shkruar/, Në gurin e një varri të vithisur/, Nga mendja ime ishe krejt i shuar/, Si një qiri i vjetër i braktisur…/”.
Nuk e di përse këto vargje të të madhit Dritëro Agolli më erdhën ndërmend, tek po meditoja i përhumbur me dhimbje pranë atij varri të ndodhur në periferi te Sarandës, qyteti më jugor i Shqipërisë.
Në pjesën veriperëndimore të këtij qyteti të vogël bregdetar, ndodhen varrezat. Aty është edhe varri i nje vajze jetime, historia e të cilës është shumë e dhimbshme. Quhej Xhuliana Luli. Ajo kurrë s’e pati fatin që të rritej si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Papritmas, jeta e saj u këput aty ku sapo kishte nisur te çelë. Mes ëndrrash dhe një bote të trazuar keq, mes brengash dhe dëshirash të paplotësuara ndonjëherë…. I vetmi “mëkat” i saj ishte se erdhi në këtë jetë e braktisur nga dy njerëz që e lindën, që më pas do t’a “pagëzonin” me një emër: “Jetime”. Dy njerëz që edhe sot e kësaj dite nuk dinë gjë për fatin e kësaj krijese të harruar, aty ku dhe ajo prehet. E harruar së pari prej atyre që e lindën dhe e sollën në jetë, për t’a braktisur dhe lënë në mëshirën e fatit. E harruar edhe nga ata që e rritën me “Atribute Prindërore” atje, në Institucionin e Fëmijëve Jetimë. Por gjithsesi, historia e kësaj jetime fatkeqe flet shumë... Dikush mund t’a quaj këtë histori një harresë të kohës... Një tjetër, indiferencë ose hipokrizi... Ç’rëndësi ka kjo!? Tani Xhuliana Luli nuk jeton më. Ajo është e fshirë në memorien e të gjithëve. Edhe në memorien e atyre që e lindën atë. Për këtë, flet varri i saj i braktisur që ndoshta poeti mund të ketë shkruar enkas për të, a për dikë tjetër që ka patur fatin e Xhulianës. Por, sido që të jetë, historia e Xhuliana Lulit është historia e një jetimeje të harruar. Ndoshta sot ajo mund të jetonte. Mund të kishte si të gjithë të tjerët jetën e saj normale, megjithë kushtet jonormale që ju ofruan. Ajo sot do të ishte 40 vjeç. Do të kishte familjen e saj që i mungoi aq shumë në fëmijërinë plot andralla. Ndryshe nga prindërit që e lindën, ajo sot do të ishte një bashkëshorte dhe nënë e denjë për fëmijët e saj. Ç’them kështu!? Më duket se nuk jam në vete... Si mundet të rikthej atë kohë me Xhulianën mes nesh...?! Të gjitha këto janë vetëm dëshira dhe iluzione të kota. E gjitha kjo, është vetëm një mënyrë ngushëllimi... Xhuliana Luli nuk jeton më. Emri i saj figuron vetëm mbi pllakën e atij varri të përhumbur... Edhe në librin themeltar të institucionit të Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë. Në një kolonë të këtij rregjistri, janë shënuar të dhënat autobiografike dhe gjeneralitetet e saj. Aty ndodhet edhe një fotografi e Xhulianës së vogël. Biografia e saj është e përfshirë në një fjali të vetme: “...e braktisur…”.
Që kur prindërit e saj anonimë e braktisën, ajo u dërgua në institucionin parashkollor të fëmijëve jetimë në Vlorë. Aty qëndroi derisa mbushi 6 vjeçe. Më pas u vendos në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. Atje fillon edhe klasën e parë në ciklin e ulët të shkollës 8-vjeçare “9 – Tetori”.
Matilda, një ish - shoqe e Xhulianës, për katër vite të shkollës fillore, (edhe kjo jetime) tregon me lot në sy:
“Xhuliana ishte një shoqe e dashur dhe e sjellshme me të gjithë. Ishte shumë e dhimbsur... Tregonte dashuri për të gjithë shokët dhe shoqet e saj. Nuk më besohet edhe sot e kësaj dite që ajo nuk jeton më. Xhuliana mund të jetonte... Po, po, ajo mund të jetonte….”.
Por, cila është historia e vërtetë e Xhulianës që sot nuk jeton më !?
30 vjet më parë, në sallën e reanimacionit të qytetit të Sarandës shuhej jeta e një vajze 12 vjeçare.
Ishte një ditë e bukur Maji, dhe pemët sapo kishin filluar të çelnin sythet e para. Zogjtë kishin paralajmëruar ardhjen e pranveres. Atë pasdite, vajza me emrin Xhuliana, pasi mbaroi orët e mësimit, u shkëput nga shokët e saj me të cilët jetonte në jetimore. Atë ditë e kishte marrë shumë uria, ndaj ngjitet majë një pishe për të shijuar kokrrat e pjekura të boçeve të kësaj peme. Në ngjitje e sipër, në lartësinë e 9 metrave, dega në të cilën kishte mbështetur njërën këmbë thyhet, dhe ajo rrëzohet me kokë në asfaltin e rrugës automobilistike... Aksidenti ishte fatal duke e çuar në gjendje koma... Megjithë ndihmën e shpejtë që i’u dha, megjithë ndërhyrjen kirurgjikale qe i’u bë, Xhuliana e vogël nuk kishte më shpresa të jetonte. Ishte dëmtuar rëndë në tru dhe pati hemoragji e cila i shkaktoi vdekjen klinike. Por, gjithësesi zemra vazhdonte t'i rrihte...
Atë ditë Xhulianën e kishin ndëshkuar në Shtëpinë e Fëmijës. Ishte nisur në shkollë pa ngrënë. Lajmi se një vajzë e jetimores rrezikonte jetën tronditi jo vetëm personelin e jetimores, por edhe ish - zyrat e aparatit të Komitetit të Partisë së Punës të rrethit. Madje, ky shqetësim ishte ndjerë edhe në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit....
- “Dreqi ta marrë këtë punë, edhe kjo na duhej... “, - dëgjohej të shfrynte ndonjë zyrtar partiak nga zyrat e Komitetit të Partisë të asaj kohe.... - Kushedi, ç'do të thonë njerëzit kur ta marrin vesh. Do të thonë : “.... vdiq një jetime...” Nuk munguan edhe presionet ndaj mjekëve që kjo vajzë të shpëtonte me çdo kusht, përndryshe do të krijohej një imazh jo mirë për njerëzit e pushtetit dhe partinë në radhë të parë që këta fëmijë i kishte quajtur “bijtë e saj”.
Në ankthin e atyre ditëve, brenda mureve të frikshme të sallës së reanimacionit ku ndodhej vogëlushja Xhulianë e cila merrte oksigjen pothuajse e vdekur, hynin dhe dilnin të shqetësuar shumë njerëz civil... Ata shihnin të frikësuar gjëndjen e rënduar të saj. Në shtratin e Xhulianës, veç mjekëve dhe ndihmësmjekëve, nuk shikoje askënd nga njerëzit e afërt që ajo mund të ketë patur. Për ironi të fatit, jashtë mureve të spitalit, në bulevardin e qytetit, njerëzit ecnin të shkujdesur, qeshnin dhe gëzoheshin të lumturuar, bënin shaka, ndërsa fëmijët ishin rrëmbyer pas lodrave... Megjithatë, askujt nuk i shkonte ndërmend se ato ditë, brenda mureve të atij spitali, në atë sallë ku vdekja kërcënonte jetën, po vdiste një fëmijë e pafajshme. Për pesë ditë e netë me radhë, tepër të shqetësuar, mjekët jepnin dhe merrnin duke i qëndruar në kokë Xhuliana Lulit, vajzës jetime që ndoshta edhe vetë ajo nuk e mësoi se në ç'rrethana kishte ardhur në jetë, aq më keq, në ç'rrethana po largohej kaq shpejt prej saj... Ndoshta më tepër se presionet që vinin nga lart, ishte kjo një nga arsyet që mjekët luftuan deri në fund për të rikthyer në jetë vajzën jetime që bëri të lëndonte zemrat e të gjithëve ditën kur ajo vdiq.
Në ceremoninë mortore të Xhulianës mori pjesë i gjithë qyteti. Gjatë përcjelljes për në banesën e fundit, i madh e i vogël e qau Xhuliana Lulin, jetimen 12 vjeçare, këtë viktimë të fatit të saj...
Tashmë, ajo prehet në një nga varrezat e qytetit më jugor të Shqipërisë, atje ku dikur quhej lagja “Limjon”. Përmes varreve të shumtë ndodhet edhe varri i vogëlushes Xhuliana. Mbi atë varr, kurrkush nuk ka vënë dorë. I vetmi kujtim përmes indiferencës së heshtur ka mbetur ajo pllakë mbishkrimi ku lexohet me shumë vështirësi emri, mbiemri, data e lindjes dhe dita e vdekjes. Por ndryshe nga mbishkrimet e tjera, aty është shkruar me të madhe edhe fjala “JETIME"’. Mbi atë pllakë ka zënë vend një masë e madhe shkurresh e ferrash. Ato sikur duan t'ia përpijnë edhe atë pak vend ku vogëlushja gjen prehjen e saj...
Kjo ishte historia e jetimes 12-vjeçare që nuk jeton më. Sot, pas 30 vjetësh, ajo është mbuluar nga pluhuri i harresës...
Dhe mua, shkruesin e këtyre radhëve, bashkëkohësin dhe bashkëvuajtësin e Xhulianës, duke medituar me dhimbje mbi varrin e saj, sërish më vijnë ndërmend vargjet e poetit Dritëro:
“…Padashur pashë emrin tënd të shkruar/, Në gurin e një varri të vithisur…/, Me kockat je harruar nëpër pluhur/, Se rrugën nëpër pluhur pate nisur…./
Ndoshta, jeta e Xhulianës ishte vërtetë e tillë. Ashtu siç nisi edhe u shua. Ishte një ikje pa kthim. Me dhimbje, sigurisht... Gjithsesi, ajo është aty për të dëshmuar se nuk i përket kësaj jete, por një kohë tjetër…. Ajo nuk ka forcën të bërtasë si Cukalina e kohëve të shkuara, shumë herrët se sa kaq, duke na apeluar dhe kujtuar për të qenë më të njerëzishëm, sepse në fund të fundit nuk jemi të përjetshëm në këtë botë...
Duke ju rrëfyer këtë histori të dhimbshme njerëzore, mendoj e them me vete: Histori si kjo e Xhulianës sot ka shumë. Ato i ndeshim shpesh në realitetin shqiptar. Të tjetërsuara, në forma të paimagjinueshme, të paperceptueshme për një pjesë tjetër të njerëzve, siç është edhe shfrytëzimi i fëmijëvë të mitur, trafikimi, dhuna fizike e psikologjike që ushtrohet ndaj tyre...
Ky është një realitet i dhimbshëm në kohën e sotme. E gjithë kjo ndodh në emër të një morali, atij të fitimit, grykësisë dhe pangopjes mbi fatkeqësinë e më të dobëtit, duke shfrytëzuar fëmijët, shpatullat dhe trupin e tyre të brishtë, pa marrë parasysh se ata kanë ardhur në jetë të jetojnë në paq, me botën e tyre të pastër dhe të çiltër...
Ndodh shpesh që ne, më të rriturit, me dashje dhe pa dashje, me sjelljen tonë dhe sedrën e sëmurë, i lëndojmë këta fëmijë, u’a vrasim ëndërrat, shpresat, gëzimin... Sa shumë po humbasim nga vetja jonë. Çdo ditë, çdo orë, çdo minutë... Po thahemi pak e nga pak si lulja në shkretëtirë që nuk ujitet më, por që pret të çel sërish gonxhe të reja. Kjo shpirtharrje, , produkt i botës së shterpëzuar komerciale në degradim e sipër, duket se na ka prekur shumë shpejt edhe ne shqiptarët. Por kjo do të jetë fatale për të gjithë ne. Do të jetë e parikuperueshme.
Shpresojmë të mos ndodh kështu... (!)
Nga Ilir Çumani
Krijoni Kontakt