Në vitin 1990, me gjithë prurjet e emigracionit të ambasadave, bashkësia Shqiptare në Itali, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme Italjane, nuk numëronte më shumë se 2000 vetë. Në atë vit, Shqiptarët përbënin në fakt grupin më të vogël të të huajve që jetonin në shtetin fqinj.

Sot, - të afirmuar, në pjesën më të madhe të rasteve, në jetën e tyre personale dhe profesionale, - 500 mijë Shqiptarët e Italisë janë të parët, ndër bashkësitë e huaja jo-komunitare, dhe të dytët në përgjithësi, pas komunitetit Rumun.

Historia e diasporës së re Shqiptare në Itali, dhe ecuria e saj e deritanishme, - e fotografuar në momentet e saj më kuptimplota, - ishin tema qëndrore e konferencës “Diaspora Shqiptare 19 vjet pas ngjarjeve që shënuan fundin e diktaturës”, që u zhvillua në Torino ditën e Premte, datë 19 Qershor 2009.

Publiku i përzgjedhur torinez, i përbërë nga mbi 150 të ftuar, Italjanë dhe Shqiptarë ndoqi më vëmendje dhe duartrokiti ndërhyrjet e relatorëve, që trajtuan çështje të historisë së Shqipërisë dhe të diasporës së saj në Itali, si edhe çështje të marrdhënive dypalëshe mes dy vendeve tona.



Kështu, konteksti historik dhe kulturor i zhvillimeve kryesore në territoret Shqipfolëse në Ballkan u trajtua nga studjuesi Italjan Dr. Raffaele D’Amato. Në fjalën e tij ai ju ofroi të pranishmëve mundësinë të ndërmerrnin një udhëtim historik përmes qytetërimit të shkëlqyer Shqiptar, i cili, duke ruajtur trajtat e tij të spikatura, autoktone ka kontribuar fuqishëm në formimin e qytetërimit mesdhetar.

Kumtesa e Dr. D’Amatos u pasua nga ndërhyrja e gazetarit Benko Gjata, njëkohësisht edhe përfaqësues i Federatës së Shoqatave Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit. Z. Gjata trajtoi temën e diasporës Shqiptare në Itali duke u bazuar në të dhënat burimore të istitucioneve shtetërore Italjane, për pjesën dokumentare, mbi studimet e realizuara mbi këtë temë nga studjues Shqiptarë dhe të huaj, si edhe mbi të dhënat e mbledhura gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij profesionale si gazetar dhe korrespondent nga Italia.

Në emër të institucioneve të shtetit Shqiptar, të pranishmit i përshëndeti Dr. Gjon Çoba, përfaqësues i Konsullatës së Shqipërisë në Milano. Në fjalën e tij z. Çoba përmendi çastet më kuptimplota të marrdhënieve historike mes Shqipërisë dhe Italisë dhe theksoi rëndësinë e rritjes dhe konsolidimit të mëtejshëm të nivelit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Ai nënvizoi edhe rëndësinë e pranisë së një diaspore të madhe dhe të mirëintegruar Shqiptare në Itali dhe shprehu bindjen se ajo shërben dhe do të shërbejë si një urë lidhëse mes territoreve të të dy vendeve.

Në mbyllje, fjalën e mori mjeku torinez dhe njëkohësisht deputet i Parlamentit Italjan Marco Calgaro. Eksponent i rëndësishëm i Partisë Demokratike Italjane dhe anëtar i disa komisioneve parlamentare ai është, ndër të tjera, bashkëautor i një projekt-ligji për përmirësimin e kuadrit ligjor që ka të bëjë me të huajt në Itali.

http://lh6.ggpht.com/_Tns0TxbZ3Kw/Sj...garo%20059.jpg

Në fjalën e tij deputeti Calgaro u shpreh se veprimtari si këto i ndihmojnë pjesëmarrësit të pasurojmë bagazhin e njohurive të tyre. “Europa dhe bota perëndimore,” tha ai, “janë sot ato që janë, falë faktit që shumë breza kanë mësuar, mes dhimbjeve dhe vështirësive të mëdha, të rriten ditë pas dite dhe të përmirësojnë gjendjen ku ndodheshin, në mënyrë që fëmijët e tyre të kishin një të ardhme më të mirë.” “Kjo ka ndodhur edhe me ne Italjanët,” vijoi ai, “deri në brezin tim, por më pas është ndalur dhe na duhet të kuptojmë përse...” “Ndërsa populli Shqiptar ndodhet në një situatë të kundërt. Në situatën e atij që, pasi ka zbuluar lirinë, po punon e po rritet sot me ritme të shpejta. Kemi padyshim diçka për të mësuar nga Shqiptarët” përfundoi ai.

Në mbyllje të takimit organizuesit ofruan një aperitiv të pasur me gatime tipike të traditës gastronomike Shqiptare dhe jo vetëm.

I organizuar nga Shoqata Italo-Shqiptare Vatra dhe nga Qëndra Piemonte Europa, ky takim shënoi ngjarjen kulturore të rradhës, me protagoniste bashkësinë e madhe Shqiptare që jeton e punon prej vitesh në kryeqendrën e veriut të Italisë.