Korrieri
Delijorgji-Balliu, urdhrat me telefon për lejimin e punimeve
Roja i repartit të Gërdecit i ka rrëfyer prokurorisë sesi “Trans Digging Construction” kishte rrafshuar gjithçka në Gërdec, pa pasur një urdhër të shkruar.
Ja dëshmia
TIRANË - Ish-reparti i tankeve në Gërdec ruhej përgjatë 24 orëve prej 5 ushtarakëve, por kamionët e kompanisë “Tans Digging Construction”, me ortakë Mihal Delijorgjin dhe vajzën e Fahri Balliut nuk e patën asfare të vështirë të hynin aty, për të përgatitur terrenin për biznesin fitimprurës. Në dosjen e prokurorisë për tragjedinë e Gërdecit gjendet dëshmia e njërit prej rojeve të Gërdecit, i cili ka rrëfyer me detaje kohën kur në repartin e braktisur nisën të shfaqeshin punëtorë e kamionë, të cilëve u hapej porta, edhe pse nuk kishte asnjë autorizim në emër të tyre. “Korrieri” po boton sot dëshminë e Dalip Kaut, dhënë për grupin hetimor më 15 korrik 2008, i cili shpjegon sesi eprorët i urdhëronin në telefon që të mos i krijonin probleme firmës ndërtuese.
-Me çfarë aktiviteti privat apo shtetëror merreni?
Në vitin 2003 unë kam qenë kryeoperator në repartin e raketave në Maminas, Durrës. Mesa mbaj mend unë, në vitin 2004, në varësinë tonë kaloi edhe reparti i tankeve në Gërdec dhe për ruajtjen e tij u caktua një shërbim 24 orësh. Ne ishim katër veta dhe morëm si detyrë të ruanin 22 objektet e ish-repartit të tankeve në Gërdec. Si vend qëndrimi në këtë objekt kemi përdorur një vend pranë portës. Në instruktazhin që na u bë në fillim të punës, na u tha që duhej të ruanim objektin për 24 orë dhe atë duhej ta bënim me lëvizje, vrojtim dhe përgjim. Për çdo gjë që mund të ndodhte duhej të njoftonim me telefon qendrën e repartit tonë dhe policinë e Vorës.
-Nga këqyrja e librit të shërbimit 24 orësh në Gërdec figuron se në datë 28. 04.2007 është shënuar në libër se: “Me urdhër të komandantit të KFB, Shpëtim Spahiu, erdhi një firmë private për të filluar ndërtimet dhe për këtë u njoftua komandanti i batalionit, Hasim Selmani, i cili erdhi në repartin e Gërdecit në orën 9:30 të mëngjesit dhe kontaktoi në telefon me komandantin e Brigadës dhe u la që firma të vazhdonte punimet deri të hënën, sa të sjellin urdhrin e punimeve”. Ç’mund të na thoni për këtë fakt, kush ishte emri i firmës dhe pronari i saj?
Unë jam vënë në dijeni për firmën që kishte ardhur të kryente punime në Gërdec ditën e shërbimit dhe këtë e kam mësuar nga shënimi që kishte lënë kolegu im, Paulin Lleshi, në procesverbalin e dorëzimit të shërbimit të datës 28.04.2007. Unë jam vënë në dijeni më 2 maj 2007. Kur kam shkuar në shërbim, kam vënë re që në territorin e pronës që ne ruanim, kishte kryer punime një firmë ndërtimi, e cila kishte prishur terrenin sportiv, duke hequr paralelet dhe kishte vendosur piketat për vendin ku do të ngrihej fabrika e demontimit të municioneve. Shërbimin atë ditë unë ia mora kolegut Bashkim Allushi. Bashkimi më tha se në territorin që ne ruanim, kishte ardhur një firmë ndërtimi me urdhër gojor të komandantit Hasim Selmani. Unë e mora të mirëqenë këtë urdhër, megjithatë komunikova vetë me komandantin, duke e vënë në dijeni për punimet që ishin kryer në repart. Ai më tha: “Jam në dijeni të kësaj pune. Ti vazhdo shërbimin dhe firma të vazhdojë punën”. Atë ditë, kur mora shërbimin, nuk ka pasur punëtorë. Kur e mbarova shërbimin, pasqyrova gjendjen faktike të ambientit dhe u largova. Kur kam marrë shërbimin në datën 12 maj 2007, konstatova se ishte prishur komplet këndi sportiv dhe objekte të tjera, të cilat ia kam raportuar komandantit Selmani. Më pas, aty kanë ardhur punëtorët, për të cilët nuk kishte ndonjë listë të shkruar, por kolegu më kishte porositur t’i lejoja të hynin. Për herë të parë unë kam marrë kontakt me punëtorët e firmës atë ditë, të cilët kanë ardhur te porta me një makinë kamionçinë. Mesa mora vesh, punëtorët ishin nga katundet e Tiranës, ndërsa përgjegjësin nuk e mora vesh se kush ishte. Dua të them, që eprori më tha që ata duhet të vazhdojnë punimet te këndi sportiv dhe infermieria, por jo në vende të tjera. Pas kësaj dite, punimet nga firma ndërtuese vazhdonin në mënyrë intensive, ku çdo ditë në repart hynin kamionë e betoniere. Në këtë kohë kam njohur aty Dritan Minxollin dhe Mihal Delijorgjin. Ata erdhën në repart në momentin kur po ngriheshin konstruksionet e fabrikës dhe aty më thanë që Mihali ishte pronari dhe Dritani ishte përgjegjësi. Gjatë kësaj kohe, në repart kishin ardhur edhe tre persona të huaj, që nga punëtorët e mora vesh se ishin amerikanë. Dua të them që në atë repart kam kryer shërbimin deri në 30 qershor dhe më pas u transferova diku tjetër. Për çdo objekt që prishej, ne e shënonim në procesverbal dhe lajmëronim komandantin.
-Cilët ishin objektet që u konstruktuan nga firma ndërtuese, cila ishte detyra juaj për ruajtjen e pronës në Gërdec dhe a iu bë instruktazh për kushtet e reja në punë?
Dua të them që firma e ngriti konstruksionin për ndërtimin e fabrikës brenda një muaji. Gjatë kësaj kohe ne nuk u angazhuam fare në ruajtjen e objekteve të firmës, pasi ajo sapo e mbaroi ndërtimin, solli rojet e veta, me të cilët ne nuk kishim asnjë komunikim. Ne nuk e ndryshuam vendin e shërbimit, por ruanim objektet e tjera që nuk ishin prishur nga firma. Kujtoj se gjatë gjithë kohës që kam qenë në shërbim, kanë ardhur për kontroll komandanti Hasim Selmani, shefi i operacionales, Fatmir Hoxha dhe komandanti i ri, Zenel Kuçana. Unë nuk kujtoj që nga ana e komandës të na thuhej se cili ishte territori që do të përdorej nga firma private, ndaj asnjëherë nuk e morëm vesh atë. Kujtoj se nga fundi i muajit qershor, firma e Mihal Delijorgjit filloi nga puna për demontimin e fishekëve të kalibrit të vogël. Ne, kur u ngrit fabrika dhe u vendos porta e re, nuk kishim më të drejtë të komandonim hyrjen apo daljen e punëtorëve nga fabrika dhe nga komanda nuk na u tha se çdo të bëhej pasi të ndërtohej fabrika.
-Mund të na thoni pse i keni lejuar punëtorët e firmës apo mjetet e saj të hynin në Gërdec pa një urdhër me shkrim? A nuk përbën shkelje të detyrës së rojës futja e tyre në një repart ushtarak dhe aq më tepër kryerja e punimeve?
Në librin e marrjes në dorëzim të shërbimit, nga ana e komandës sonë nuk na ishte dhënë ndonjë urdhër me shkrim për të lejuar apo jo punëtorët e firmës ndërtuese, por me gojë dhe në telefon na ishte dhënë porosi që të mos i pengonim ata të hynin aty dhe të kryenin punime.
-Nga libri i këqyrjes 24-orëshe në Gërdec, në datën 17.05.2007 ju keni shënuar: “Ora 12:30, në repartin e Gërdecit erdhi komandanti i repartit, shefi operacional, shefi i prapavijës dhe shefi i personelit, të cilët panë objektet dhe u larguan në orën 12:40”. Mund të na thoni pse erdhën këta eprorë, a kishin ndonjë shqetësim dhe a u lanë ndonjë urdhër me gojë ose me shkrim për vazhdimësinë e punës?
Personat që ju përmendët kanë ardhur për kontroll të shërbimit. Pasi morën kontakt me mua, ata panë objektet dhe më pas erdhën sërish tek unë. Shefi operacional më la detyrë që të shënonim në librin e shërbimit çdo ndërhyrje të firmës së ndërtimit në objektet e repartit dhe u larguan.
-Për aq kohë sa keni kryer shërbimin në Gërdec, a keni parë ndonjë epror të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm apo Komandës së Forcës së Bashkuar?
Për aq kohë sa unë kam kryer shërbimin në Gërdec kanë ardhur komandanti Hasim Selmani, Zenel Kuçana dhe njëherë kam parë drejtorin e “Meico”-s, Ylli Pinarin.
Krijoni Kontakt