Sipas INSTAT në fund të vitit 2008 ë vend ishin 141 mijë të papunë. Berisha premton 160 mijë vende të reja pune në kuadër të fushatës elektorale

Ervin KOÇI


Në një kohë kur papunësia në vend është bërë një nga temat më të prekura dhe të diskutuara nga forcat politike në këtë fushatë, institucionet shtetërore janë munduar që ta shtrembërojnë edhe këtë shifër. Vetëm pak ditë më parë Instituti i Statistikave ka bërë publike shifrën e papunësisë të cilën e mbante të fshehtë prej shumë kohësh. Sipas INSTAT-it, numri i të papunëve në vend në fund të vitit 2008 ishte saktësisht 141.495 vetë. Sipas qeverisë, në Shqipëri që prej fillimit të vitit 2006 e deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti, niveli i papunësisë ka rënë nga 13,8 në 12,9 për qind. Por INSTAT-i nuk ka marrë për bazë kohët e fundit raportet e paraqitura nga shoqatat e ndryshme të biznesit, si dhe nga OJF-të që veprojnë të pavarura duke kryer studime direkte në teren për papunësinë. Vetëm sektori i industrisë me fason i cili është prekur nga kriza ekonomike gjatë tre muajve të fundit, ka deklaruar se ka “hedhur” në rrugë mbi 11 mijë punonjës pas mbylljes së shumë robaqepsive dhe ndërmarrjeve të prodhimit të veshjeve në të gjithë vendin. Shifrat janë bërë publike kohët e fundit nga vet kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Veshjeve, Edmond Rusmali, i cili ka deklaruar prekjen nga falimentimi të dhjetra bizneseve me fason, që për pasojë kanë prodhuar papunësi. Sipas përfaqësuesve të biznesit, “shifrat e INSTAT-it nuk janë të besueshme dhe për më tepër ato u referohen tre muajve më parë, kohë kur akoma shumë kompani biznesi nuk kishin mbyllur përfundimisht aktivitetet e tyre”. Ndërkohë ekspertët e ekonomisë kanë përmendur edhe faktin se në indeksin më të fundit të punësimit, të cilin INSTAT-i e ka paraqitur me rritje, janë regjistruar edhe të vetëpunësuarit në sektorin e bujqësisë të cilët kanë nisur punimin e tokës para fillimit të sezonit bujqësor.

Fushatë me papunësinë


Fushata zgjedhore është i vetmi moment kur partitë artikulojnë zotime dhe japin detaje mbi numrin e njerëzve që do të gjejnë punë rishtas. Qeveria thotë se ajo të krijojë 160 mijë vende pune në vend gjatë katër viteve, ndërkohë që aktualisht vendi ka vetëm 141 mijë të papunë, sipas Institutit të Statistikave. Vendet e punës që zotohet të sigurojë qeveria sigurisht që nuk do të çelen në një ditë, në të cilën do të futen menjëherë 160 mijë njerëz në punë dhe do të duheshin madje të gjendeshin 20 mijë njerëz të tjerë. Gjatë katër viteve mendohet se forca e punës do të rritet, si edhe në këto vite domethënë ajo do të rritet mesatarisht me 20 mijë vetë në vit. Kjo do të thotë se vendi, në rast se do të çelen 160 mijë vende, sipas zotimit të qeverisë, do të ketë një shkallë papunësie, e cila duhet të jetë më e ulëta në botë. Në rast se vendi do të ketë rritje ekonomike rreth 10 për qind në vit gjatë katër viteve, atëherë mund të krijohen 160 mijë vende pune. Llogaritë tregojnë se vetëm një rritje ekonomike me mbi 10 për qind në katër vitet që vijën mund të krijojë 160 mijë vende të reja pune.

Premtimet elektorale

Kriza e ka tkurrur rritjen ekonomike aktualisht në rreth 1 për qind. Në anën tjetër, llogaritë, në bazë të së cilave Shqipëria me një rritje ekonomike të qëndrueshme prej rreth 6 për qind, arrin të ulë papunësinë me vetëm 1 pikë përqindjeje në katër vjet, dëshmojnë se do të duhet një tjetër shkallë e lartë e rritjes ekonomike, të cilën asnjë parti në fushatën e zgjedhjeve nuk po e artikulon. Partia Socialiste në opozitë thjesht premton largim të varfërisë dhe nuk jep shifra të numrit të vendeve të punës dhe as të rritjes ekonomike, tregues këta bazë për largimin e varfërisë. Lëvizja Socialiste për Integrim zotohet të krijojë rreth 100 mijë vende pune, një gjë më afër të vërtetës, por edhe kjo parti nuk detajon asgjë në lidhje me rritjen ekomomike. Ndërsa qeveria me shifrën e 160 mijë vendeve të punës është më përpara në shifra, ndonëse praktika e deritanishme tregon vështirësinë e madhe të ekonomisë shqiptare për të siguruar vende të reja pune. Shifra e 160 mijë vendeve të punës në një kohë që vendi ka 140 mijë të papunë zyrtarisht është vërtet detaj zgjedhjesh.

Statistikat

“Forcat e punës në vend llogaritet të rriten mesatarisht me 5 mijë vetë në tre muaj ose me rreth 20 mijë vetë në vit”. Të dhënat që jep Instituti i Statistikave bazohen në anketa dhe për këto të dhëna nuk mund të ketë llogari të sakta, megjithatë këto shifra ndihmojnë për të kuptuar se vendi, ndonëse me rritje ekonomike prej rreth 6 për qind në vit (sipas qeverisë), përsëri e ka shumë të vështirë të krijojë vende pune.


Kriza në Angli, rritet papunësia me 7 për qind

Rreth 2.26 milionë anglezë kanë humbur vendet e tyre të punës, si pasojë e recesionit të thellë, që ka goditur Britaninë e Madhe. Në tremujorin e parë të këtij viti papunësia ka pësuar një rritje prej mbi 7 %, një shifër që konsiderohet si më e larta në 12 vitet e fundit. Britania e Madhe i bashkohet kështu disa prej fuqive europiane, si Spanja, Gjermania dhe Italia që kanë nivelin më të madh të papunësisë në Europë. E në kushtet e kësaj krize, “British Airëays” që në një vit ka humbur 375 milionë stërlina u ka kërkuar punonjësve të saj të punojnë falas për një muaj të tërë. Kompania u ka dërguar nga një letër 40 mijë punonjësve të jenë vullnetarë të paktën një muaj në vit për të ndihmuar “British Airëays” në kapërcimin e krizës. Uilli Ualsh një prej ekzekutivëve të “British” është i pari që ka hequr dorë nga paga e korrikut prej 61 mijë stërlinash. Por ideja nuk i ka pëlqyer askujt, punonjësit jo vetëm që nuk kanë pranuar, por kanë kërcënuar me grevë.

Albania