Veteranët kërkojnë nderim për 44 viktimat e incidentit të 22 tetorit 1946. Vazhdojnë akuzat për Shqipërinë, e cila konsiderohet fajtore në këtë ngjarje

Albert Gjoka

Përmbytja e dy luftanijeve britanike pranë ujërave territoriale të Shqipërisë në vitin 1946 është rikthyer edhe një herë në qendër të debateve në Londër. Veteranët dhe Shoqata e Marinarëve të Kanalit të Korfuzit kërkojnë që të ngrihet në memorial në përkujtim të marinarëve që gjetën vdekjen 63 vjet më parë. Ata i kanë kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Shtetit për Veteranët dhe konkretisht nënsekretarit të Shtetit për Mbrojtjen, Kevan Xhons, që të ndërmerret një veprim i tillë për të nderuar 44 viktimat e shpërthimeve. Agjencia britanike e lajmeve “Politics” shkruan për përpjekjet që po bëjnë veteranët për ngritjen e një monumenti në nderim të viktimave. Madje ata këmbëngulin se përmbytja e dy anijeve “Saumarez” dhe “Volage” është bërë qëllimisht nga autoritetet shqiptare. Madje ata kanë theksuar se para ditës së 22 tetorit 1946 ishin regjistruar edhe disa përplasje mes ushtrisë shqiptare dhe asaj britanike.
Kërkesa
“Majk Pening, që është kryetar i Shoqatës Detare të Kanalit të Korfuzit, u takua me nënsekretarin e Shtetit për Mbrojtjen dhe ministrin për Veteranët, Kevan Xhons, me të cilin diskutoi për nismën e shoqatës për ngritjen e një memoriali për ata që humbën jetën e tyre në Kanalin e Korfuzit”, - shkruan “Politics”. Sipas saj, “18 muaj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, më 22 tetor 1946, dy anije britanike u përmbytën nga shpërthimi i minave të vendosura pas luftës nga qeveria shqiptare. Luftanija “Saumarez” ishte goditur e para dhe më pas anija tjetër “Volage”, në momentin kur ajo po shkonte për të ndihmuar anijen e parë. Agjencia e lajmeve thotë se “sipas pretendimeve të Shqipërisë, minat ishin në ujërat ndërkombëtare”. “Politics” vazhdon duke thënë se “ishte një shpërthim dramatik, i cili përfshiu disa anije luftarake, mes të cilave ishte edhe “Volage”, e cila humbi edhe rimorkiatorin e saj. 45 marinarë humbën jetën e tyre dhe 42 të tjerë u plagën. 12 trupa të pajetë ishin rigjetur dhe ishin varrosur më vonë në Korfuz. “Gjatë një takimi mes dëshmitarëve të kësaj ngjarjeje, në vitin 1987, ishte hedhur ideja për ngritjen e një memoriali në Korfuz, si dhe u krijua Shoqata Detare e Kanalit të Korfuzit”, - thotë shkrimi.
Fushata
Shoqata tani është duke bërë fushatë për një memorial që duhet të ngrihet në Mbretërinë e Bashkuar. Majk Penning, që është anëtar i shoqatës, tha pas takimit me nënsekretarin britanik të Shtetit për Mbrojtjen, zotin Xhons, se “ne kemi detyrë dhe përgjegjësi për të kujtuar ata që dhanë jetën e tyre për vendin tonë në kohën e luftës dhe më pas”. “Unë jam realisht i habitur dhe i zhgënjyer që mësoj se nuk ka një memorial në Britani që t’i nderojë këta marinarë trima”, - deklaroi zoti Pening. Sipas tij, “ky nuk ishte thjesht një aksident”. Qeveria e asaj kohe ishte e mirinformuar se atje kishte probleme të mundshme me Shqipërinë. “Anijet e Marinës Mbretërore të Britanisë së Madhe ishin vënë në shënjestër zjarri para incidentit gjatë atij viti”, - kujton Pening.

“Ky është një detyrim për anëtarët e shoqatës tonë, - për të kaluarën dhe të tanishmen, - dhe tani ekziston një memorial në Korfuz. Pa emrat e atyre trupave që nuk u gjetën kurrë, kjo histori mund të humbasë përgjithmonë”, - thotë Pening, një nga dëshmitarët e kësaj ngjarjeje, që ndodhi 63 vjet më parë. “Unë mbështes fuqimisht Shoqatën në luftën e saj për ndërtimin e përkujtimores”, - thotë ai.
Incidenti në Kanalin e Korfuzit ka ngrirë për shumë kohë marrëdhëniet mes Tiranës zyrtare dhe Londrës, pasi Shqipëria nuk ka pranuar asnjëherë akuzat britanike se ajo ishte shkaktare e mbytjes së dy anijeve ushtarake. Kjo çështje shkoi edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por sërish, shumë gjëra mbeten misterioze në pretendimet e palës britanike për këtë ngjarje që solli 45 viktima dhe mbi 42 të tjerë u plagosën rëndë. Vetëm pas viteve të hapjes demokratike Shqipëria njohu vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare dhe palët ranë dakord me njëra-tjetrën për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në ngjarjen që ndodhi më shumë se gjashtë dekada më parë.


Si u zhvillua përballja gjyqësore mes Tiranës dhe Londrës

Procesi gjyqësor për shqyrtimin e incidentit të Kanalit të Korfuzit nisi në seancë publike, në fillim të nëntorit 1948 dhe u mbyll më 22 janar 1949. Paraprakisht Shqipëria dhe Britania e Madhe kishin nënshkruar një marrëveshje të veçantë midis tyre. Trupi gjykues drejtohej nga president José Gustavo Guerrero. Në proces pala Britanike përfaqësohej nga W.E.Beckett, këshilltar ligjor i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hartley Shawcross, prokuror i Përgjithshëm, Frank Soskice, ekspert i të drejtës ndërkombëtare dhe dy asistentë të tjerë. Ndërkaq, Shqipëria përfaqësohej nga Kahraman Ylli, Behar Shtylla, ambasador i Shqipërisë në Paris, Pierre Cot, profesor i së Drejtës në Francë, Maitre Marc Nordmann dhe Maitre Paul Villard, anëtar i Klubit të Parisit. I përballur me kundërshtitë e palëve qysh në fillim, trupi gjykues vendosi të ngrejë një grup ekspertësh për dhënien e opinioneve të pavarura në të cilin u caktuan kundëradmiral J. B. Bull i Marinës Mbretërore Norvegjeze; Kundëradmiral S. A. Forshel i Marinës Mbretërore Suedeze dhe kapiten i Rangut të Dytë S. J. W. Elfferich.


Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare, dëmshpërblimi për Anglinë 843.947 sterlina

Më 17 nëntor 1949, Gjykata e Hagës, mbështetur në Vendimin e saj të datës 9 prill 1949, mori në shqyrtim vlerësimin e masës së kompensimit që Republika e Shqipërisë i detyrohej Britanisë së Madhe për dëmet dhe humbjet njerëzore të shkaktuara nga shpërthimet e datës 22 tetor 1946. Procesi nuk pati debat, pasi pala shqiptare nuk dërgoi përfaqësues gjatë shqyrtimit të çështjes. Fillimisht trupi gjykues shqyrtoi një letër të dërguar nga autoritetet shqiptare, e cila paraqiste opinionin e Qeverisë së Shqipërisë se përcaktimi i masës së kompensimit nuk ishte kompetencë e kësaj gjykate. Përkundër këtij pretendimi, trupi gjykues vendosi se, “përcaktimi i masës së kompensimit është kompetencë e tij dhe se vendimi është i detyrueshëm për Republikën e Shqipërisë”. Në vazhdim u operua me shqyrtimin e kërkesës së palës britanike, e cila e kishte detajuar pretendimin e saj në disa zëra, ku binte në sy kërkesa e Londrës për ta penalizuar vendin tonë me shumën 50.048 sterlina, vetëm në respekt të të vdekurve dhe të plagosurve gjatë incidentit të 22 tetorit 1946 në Kanalin e Korfuzit. Në përfundim të seancës trupi gjykues vendosi që Republika e Shqipërisë i detyrohej të kompensonte Mbretërinë e Bashkuar në masën 843.947 sterlina. Ishte kjo një shumë të cilën shteti shqiptar nuk e pranoi asnjëherë, ndërkohë që në asnjë rrethanë nuk pranoi dhe përgjegjësinë e incidentit të 22 tetorit 1946.



Box 3
Si ndodhën shpërthimet që dëmtuan dy anijet luftarake britanike

Më 22 tetor 1946, në mesditë, dy kryqëzorë dhe dy destrojerë britanikë (H.M.S. Mauritius, H.M.S. Saumarez, H.M.S. Volage dhe H.M.S. Leander), të cilët lundronin në formacion kolonë sipas drejtimit jug-veri, dolën nga Kanali i Korfuzit. Anijet britanike po lundronin në pjesën lindore të hyrjes veriore të Kanalit, nëpër detin territorial të Shqipërisë, duke e konsideruar të sigurt, pasi Kanali ishte pastruar në vitin 1944 dhe 1945. Kur ndodhej përballë Sarandës, në orën 14 e 53,5 minuta, destrojeri H.M.S. Saumarez ra në minë dhe u dëmtua rëndë. Kryqëzori H.M.S. Mauritius (Vendkomande e Skuadriljes) vazhdoi lundrimin në drejtim të Kepit të Qefalit, ndërsa kryqëzori H.M.S. Leander u urdhërua të kthehej në drejtim të jugut, sipas rrugës së kundërt me atë që kishte ndjekur. Gjatë kësaj periudhe një mjet i vogël detar doli nga Porti i Sarandës për t’i dhënë ndihmë H.M.S. Saumarez, ndihmë e cila u refuzua. Destrojeri H.M.S. Volage u dërgua për të ndihmuar destrojerin H.M.S. Saumarez dhe të dyja anijet morën rrugën e kthimit të kundërt me atë që kishin ndjekur. Gjatë lundrimit (ndërsa H.M.S. Volage rimorkionte H.M.S. Saumarez), në orën 16:25 ra në minë edhe H.M.S. Volage. Megjithatë, H.M.S. Volage mund të lundronte me shpejtësi të kufizuar, dhe në mbrëmje të dyja anijet mbërritën në Portin e Korfuzit. Për shkak të rënies në minë të dy destrojerëve, marina britanike humbi 45 oficerë dhe detarë, si dhe 42 të tjerë u plagosën.


Albania