Athua pse në këto momente po paraqiten me të madhe këto dukuri negative dhe kujt i shkon për shtati kjo situatë?
E hënë, 18 Maj 2009 13:18
Përgatiti: Xheladin Fazliu, imam në Hajvali
Popullata jonë e pas luftës është duke përjetuar një krizë të përgjithshme; ekonomike, politike, sociale, edukative, kulturore dhe morale-etike. Është faktike se në të gjitha ato shoqëri në të cilat dështon sistemi shoqëror-politikë paraqiten shumë dukuri negative,siç janë; kafenetë e shumta, prostitucioni, klubet e natës, kinemat porno, veshjet ekstravagante, droga, alkoolizmi, kazinot, analfabetizmi edukativ, arsimi i dobët, bixhozi dhe shumë e shumë dukuri negative tjera. Gjë që të gjitha këto i kemi në Kosovë dhe nuk mund t'i mohoj askush.
Edhe pse pesimizmi nuk ka vend për ne, dukurit negative, argëtimet e kota dhe tentativat për të arritur deri te fitimi sa më i shpejtë janë shumë prezente tek ne në Kosovë.
Shtrohet pyetja: Athua pse në këto momente po paraqiten me të madhe këto dukuri negative dhe kujt i shkon për shtati kjo situatë?
Përgjigjja është kështu: Këto dukuri negative janë si rezultat e asaj që u theksua më lartë në mënyrë kalimthi, por që vlen të theksohet me nji theks të veçant, e që është boshllëku institucional dhe ligjor dhe situata që është krijuar nga status-kuoja dhe vetëdija e ulët e qeveritarëve tonë. Që të dyja këto shkaqe po e mbajnë peng Kosovën dhe popullatën e Kosovës. E gjithë kjo i shkon për shtati atyre që ia dojnë të zezën Kosovës dhe popullit shqiptar.
Bastoret, lojërat e "fatit", bixhozi dhe gjykimi ndaj tyre
Njeriu si qenie e priviligjuar me dritën e mendjes, është e mbushur përplot epshe ,dëshira dhe kërkesa . Në moment kur e humb ekuilibrin kjo qenie e degradon vetveten dhe bëhet më e keqe se kafsha, sepse epshet dhe dëshirat dominojn mbi logjikën dhe logjika e humb kontrollin dhe nuk arrin me i dirigjue dëshirat. Në të vërtet ekuilibri humb kur njeriun e kaplon hamendja dhe tek ai sundon hamendja e jo direktivat hyjnore të përcaktuara nga Krijuesi dhe të shpallura nëpërmjet të dërguarve, të cilat marrin fund me Mesazhin Universal - Kuranin, i cili mbyll këtë mision.
Në momentin e humbjes së ekuilibrit apo ndryshe largimin nga rruga hyjnore, njeriu punon mbrapsht dhe bëhet shkaktar në paraqitjen e dukurive negative të cilat dale nga dale bëhen të natyrshme. Përkundër faktit se dukurit negative sjellin destabilitetit në shoqëri, ato fillojnë të marrin rol në "organizimin" e jetës. Një gjë e till siç u theksua më lartë paraqitet te shoqëritë pagane ose te shoqëritë që janë të larguara nga sistemi hyjnor.
Nga këto dukuri negative është edhe bixhozi ose kumori i formave të ndryshme.
Historia e bixhozit
Historia e bixhozit fillon në shoqërinë kineze e cila edhe pse ishte e organizuar në aspekt struktural- e organizuar në principata, mendohet se për herë të parë nga lojërat e bixhozit është loja e dominave, e cila figuron në vitin 969 p.e.r. te imperatori Mutcung i cili e kishte promovuar këtë lojë me gruan e tij me rastin e vitit të ri.
Egjiptianët në shekullin XII dhe XIII e kishin plasuar një lojë që është e ngjashme me lojën e letrave. Ndërsa në shekullin e XVI persianët luanin lojën e "Ganjifes" dhe "Letrave të thesarit". Tavolina e "Ginjafës" konsistohej prej 96 letrave. Më vonë persianët luanin një lojë e quajtur "As Nas" me 25 letra.
Francezët këtë lojë e quanin "Poque" (Poker), ndërsa gjermanët e quanin "Pochen" (Poshen) dhe ishte e popullarizuar në Gjermani në shekullin e XVII dhe XVIII. Kjo lojë në Spanjë ishte e zhvilluar në shekullin e XVI me emrin "Primero".
Primero daton me vitin 1526, kjo lojë konsiderohet si "Nëna e lojërave të bixhozit" dhe luhet deri në ditët tona.
Në Amerikë lojërat e bixhozit u bartën nga kolonizatorët francezë në shekullin XVIII.
Në vitin 1834, Xhonatan H. Grin referon për rolin e fitimit të madh që i mundësoi loja e bixhozit me emrin " Loja e mbrojtjes" anijeve turistike që lundronin nëpër lumin Misisipi.
Në vitin 1875 merr fund influenca evropiane në lojërat amerikane pasi amerikanët e krijojnë një lojë me forma të veçanta e njohur me emrin JOKER (xhoker).
Në botën arabe lojërat e bixhozit figurojnë mjaft herët, kjo vërtetohet edhe nga fakti se Kurani në mënyrë të posaçme fletë për këto lojëra.
Tani në botë kjo lojë është shumë e përhapur. Por, më të përhapura tani janë bërë lojërat e fatit që lirisht mund të themi se janë lojërat e "Fatit të Zi".
Efekti i lojërave të "Fatit të Zi", LOTO dhe Bastore sportive.
Ne lirisht mund t'i quajmë lojërat e fatit të zi sepse këto lojëra sjellin fat të zi për shoqërinë. Efekti i këtyre lojërave është shumë negativ dhe pas vete lenë pasoja të rënda, shkatrron individë, familje dhe shoqëri. Në vend të punës dhe aktivitetit sjell papunësi dhe përtaci. Krijon parazit të shumtë. Shkatrron shpirtin e punës dhe e humb vullnetin për aktivitet.
Duke marrë parasysh pasojat e rënda që sjellin këto lojëra të cilat pasurojnë individët dhe varfërojnë masën, atëherë shoqëria me të gjitha strukturat qofshin qeveritare dhe jo qeveritare duhet të bëjë çmosin për ndalimin e tyre, përndryshe dështimi është i sigurt para çdo shoqërie që hynë në këto lojëra të rrezikshme. Rreziku është shumë i madh. Kjo është duke u vrejtur edhe në Kosovën tonë. Shpeshherë shohim familje dhe shtëpi që janë mbyllur. Fjala popullore thotë:" Puno badijava e mos rri badijava ", por jo, rinia jonë e gjorë jo vetëm që nuk punon badijava dhe nuk e angazhon vetvetën dhe të bëjë përpjekje për të gjetur alternativa të mirëfillta të cilat i sigurojnë vetvetes dhe vatanit një ardhmëri të sigurt, ata e hudhin vehten e tyre në përtaci dhe rrinë duke mbushur bastore dhe duke shpresuar se do të vjen dita për të fituar dhe për t'i lar borxhet e për të dalur nga kriza që ia ka krijuar vet bastorja e mallkuar.
Gjykimi islam ndaj lojërave të bixhozit
Krijuesi i Madhnishëm e din më mirë se çka i nevojitet njeriut. Faktori kohë çmohet jashtëzakonisht shumë. Asnjë sekond në fenë Islame nuk bënë të anashkalohet dhe të shkojë kotë duke u argëtuar pa nevojë. Fitimi pa mund dhe pa angazhim e përpjekje është i ndaluar rreptësisht (Haram).
Feja Islame kërkon punë të zellshme dhe fitim të ndershëm. Pikërisht është kjo kërkesë e cila e ndalon dhe parandalon bixhozin.
Prandaj duke marrë parasysh rëndësinë që i kushton feja Islame rendit të mirëfilltë shoqëror dhe interesit të vërtetë shoqëror dhe individual dhe pasojat e rënda që mund të sjellin këto lojëra, Feja Islame i ndalon rreptësisht këto lojëra.
Citati Kuranor është shumë i qartë kur fletë për Bixhozin. Në ajetet 90, 91 dhe 92 të sures El-Maide i Madhnishmi Allah thotë: "O ju që besuat, s'ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t'ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t'ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)? Bindjuni All-llahut dhe bindjuni të dërguarit e kini kujdes (mos kundërshtoni)."
Edhe i Dërguari s.a.w.s. në këshillat e tij të bekuara, këshillon që besimtari të punojë me nderë dhe të fitoj me nderë, si dhe e mallkon bixhozin e të gjitha llojeve ashtu siç e ka mallkuar Zoti fuqiplotë në ajetet e sipërshënuara.
Krijuesi madhniplot në një ajet tjetër na drejtohet dhe na thotë se: "Kush përpiqet të gjejë sistem tjetër të jetës (fe tjetër) përpos (sistemit) Islam, nuk do të jetë i pranueshëm prej tij (do të jetë sistem i i pa përshtatshëm) dhe ai do të jetë i humbur (i dënuar) në Ahiret". Kuran.
Nga këto ajete Kuranore arrijmë të kuptojmë shumë nëse dëshirojmë të kuptojmë. Përndryshe ai i cili e arsyeton vetvetën dhe vepron e luan me bastore le ta dijë se atë e pret dënimi i Krijuesit të Madhnishëm. E ne në Kosovë po na prinë dështimi për çdo ditë dhe po sjellim mallkim për vetveten me bastoret që kanë mbushë çdo çoshe të Kosovës.
mesazhi.com
Krijoni Kontakt