Specialistët e mjedisit thonë se peshqit janë gjetur me shenja të qarta toksikimi, ndërsa shfaqin frikën se si pasojë e ndotjes gjallesat nënujore janë drejt shfarosjes së sigurtë
Gjëma ka nisur të dalë në brigjet e liqenit. Peshq të ngordhur, me shenja të qarta të asfiksimit nga lëndët kimikate, tregon se hataja ekologjike, tashmë është një spektakël me bileta të rezervuara në Liqenin Artificial.
Mëngjesi i çdo dite po rrëfen pak nga pak, në sytë e vizitorëve të shumtë, fundin e oazit të tyre të qetësisë. Ekologjistët parashikojnë ditë të zymta. Ndotja në Liqenin Artificial është në arrati. Shumë shpejt spektaklit pritet t'i vijë fundi. Frika është e madhe.
Nën zë, ajo çka thuhet është se në një kohë fare të shpejtë, liqeni do të mbetet thjesht kujtim i dikurshëm. E thënë troç, më e keqja, ajo për të cilën të gjithë druheshin, është në prag. Forca e shkatërrimit nga ndotja po rend më shpejt se lopatat e punëtorëve të gjelbërimit, që me sforco bëjnë përçapje të shpëtojnë ç'të mundin nga liqeni.
Ekologjisti Lavdosh Feruni, shpreson që lënda e hedhur në liqen të jetë në të mirën e gjallesave dhe të liqenit vetë, thjesht, ashtu si do të uronin të gjithë, material ndërtimi, por faktet janë fakte dhe ndonjëherë janë më kokëfortë se dëshirat.
"Nuk dua të nxitohem, pasi duhen pritur analizat, por gjasat janë të rrezikshme. Disa nga peshqit e ngordhur kishin shenja të qarta toksikimi, gjë që të lë të dyshosh se në liqen janë derdhur lëndë kimike".
Specialisti i Mjedisit u ndodh vetë dje në liqen për të parë me sy atë çfarë po ngjan ditët e fundit në Liqenin Artificial. Në analizën e tij paraprake, Feruni del në mendimin se, gjallesat janë të intoksikuara.
"Peshqit që u gjendën të ngordhur, kishin në kokë një vrimë, shenja këto që tregojnë se gjallesat në liqen janë të toksikuara nga kimikatet". Dallimi i shenjave toksike te peshqit dhe bretkosat, paralajmëron fundin e faunës në liqen.
Nëse materiali i hedhur do ketë përmbajtje gëlqerore, gjasat janë që vuajtja e gjallesave në liqen të mos jetë me përmasa të mëdha, në të kundërt shfarosja nuk do vonojë të afrojë. "Asgjë nuk mund të parashikohet.
Gjithçka do të varet nga shkalla e ndotjes. Ajo që mund të them, është se në rastin më të keq, nëse kemi ndotje me kimikate, gjë që dallohet edhe te peshqit e ngordhur, atëherë fundi i faunës në liqen është i sigurt dhe mund të vijë shumë shpejt".
Rreziku
Ndotja, Liqeni Artificial rrezikon të kthehet në kënetë
Fundi do të vijë, fillimisht, me asfiksimin e gjallesave dhe më pas me ngordhjen e tyre të ngadaltë. Ajo që frikëson më shumë është e ardhmja e liqenit. Specialistët e mjedisit thonë se ndotja është e madhe dhe ndërhyrja për të shmangur përhapjen e mëtejshme është pothuajse jorezultative.
Nëse në liqen nuk do të kryhet ndërhyrje e specializuar, atëherë rezervuari premton të kthehet në kënetë, ku një faktor që do të ndikojë në rëndimin e situatës do të luajnë edhe ujërat e zeza që derdhen në liqen nga pallatet përreth zonës.
Problemi më i madh që ka sot Liqeni Artificial është pastrimi i tij. I ndërtuar me forca vullnetare nga të rinjtë e shkollave në vitin 1956, Liqeni Artificial është furnizuar me ujë deri në fillim të viteve '90-të, nëpërmjet një kolektori të gjatë prej 7 kilometrash, nga liqeni i Farkës.
Pas këtij viti, kolektori, si pasojë e ndërtimit të banesave sipër tij, u dëmtua duke sjellë njëkohësisht edhe ndërprerjen e komunikimit ujor me Liqenin Artificial, gjë që solli me kalimin e viteve edhe rënien e nivelit të ujit në liqen.
Ditët më të vështira për Liqenin Artificial kanë qenë në fillimin e viteve 2000, kur popullimi i zonës dhe hedhja e ujërave të zeza në rezervuar nisi edhe shkatërrimin e tij. Liqeni Artificial është kthyer shpesh edhe në temë të nxehtë debati midis pushtetit lokal në Tiranë dhe komunës, që përfshin zonën e Selitës, pranë Liqenit ku po ndërtohen pallate të reja.
Dy ditë më parë, nënkryetari i bashkisë Eduard Shalsi, pasi kërkoi të dilnin para drejtësisë përgjegjësit e ndotjes së liqenit, u shpreh mbi nevojën e ngutshme të kontrollit të territorit, dhe ndalimin e hedhjes së ujërave të zeza në Liqenin Artificial
Ping-Pongu
Analizat, nuk ka rezultate mbi ndotjen
Edhe sot, kur kanë kaluar 5 ditë nga ndotja e Liqenit Artificial, askush nuk di të thotë se çfarë lënde është hedhur në liqen. Punonjësit e bashkisë vazhdojnë pastrimin e tij sipërfaqësor, ndërkohë që nuk dihet nëse Liqeni Artificial do të kthehet apo jo më në gjendjen e mëparshme.
Autoritetet shtetërore nuk bien dakord me njëri-tjetrin se cili institucion duhet të kryejë analizat kimike për substancën e hedhur në liqen. Inspektorët shëndetësorë deklarojnë se kjo është kompetencë e Agjencisë së Mjedisit, ndërsa Ministria e Mjedisit nuk pranon të prononcohet.
Edhe prefektura mohon të ketë kompetenca mbi liqenin, edhe pse në këtë institucion ka një këshill baseni që merret me ujërat. Liqeni administrohet nga Bashkia e Tiranes, e cila një dite më parë i kërkoi shtetit të ruajë hapësirat territoriale.
Specialistët e Mjedisit këshillojnë që në Liqenin Artificial të mos peshkohet derisa të dalin analizat
Ekologjistët: Mos konsumoni peshk liqeni
"Hiqni dorë nga konsumi i peshkut të kapur në Liqenin Artificial, për sa kohë nuk kanë dalë ende analizat mbi materialin që ka sjellë ndotjen e tij". Kjo është këshilla e vetme që specialistë të mjedisit kanë për qytetarët apo edhe peshkatarët amatorë, që hedhin rrjetat dhe kallamat këto ditë në liqen.
Këshilla vjen pas dyshimit të parë mbi toksicitetin që përmban lënda e hedhur në liqen pak ditë më parë. Në Liqenin Artificial, krahas Karasit, peshk që më shumë se për mishin gjuhet për sport, peshkatarët gjuajnë edhe për Krap.
Në vitin 2002, Bashkia e Tiranës ka hedhur në liqen 2 mijë rasate peshk Krap, me qëllim pasurimin e faunës nënujore. Specialisti i mjedisit, Lavdosh Feruni, u kujton të gjithë peshkatarëve që bujtin në liqen, se është mirë që, të paktën këto ditë, të mos gjuajnë për peshk, pa u ditur ende lënda e hedhur në liqen.
"Është mirë që peshku i liqenit të mos konsumohet, deri në momentin kur të dalin rezultatet e analizave. Nëse kemi të bëjmë me materiale kimike, konsumimi i peshqve të kapur pas toksikimit, mund të sjellë pasoja për shëndetin e njerëzve", - informon specialisti Feruni mbi rreziqet që mbart konsumi i peshkut të liqenit gjatë këtyre ditëve.
Ruaj Lidhjet