Alarmi, pse askush s'e vë ujin në zjarr për mjedisin
NGA RREZIKSHMËRIA E NDOTJES SË UJIT BUSHATIT. KU DUHET TË NDËRHYJË MINISTRIA E MJEDISIT DHE Ç'DUHET TË BËJË?
Nga Ferid Hoti
Deputet i Shkodrës
Kryetar i Komisionit të Kuvendit Popullor
për Shëndetësinë dhe Mjedisin
Hapja papritmas e Shqipërisë dhe ballafaqimi me botën e shfaqur pas murit të Berlinit i dëshmoi shqiptarëve se me kapacitetet ekonomike të vendit të tyre nuk mund të përballonin kushtëzimet që impononte shekulli i ri. I paaftë për të orientuar vendin drejt rrymave progresiste të integrimit të përbotshëm dhe, në veçanti, atij rajonal, ekzekutivi i pesë viteve të fundit e futi Shqipërinë në rrugë të gabuara zhvillimi, që lënduan keqaz veçanërisht sistemin ekologjik të vendit. Dështimet e njëpasnjëshme për thithjen e kapitaleve e të investimeve të huaja i dhanë shkas përvijimit të praktikave ekonomike që thelluan ndotjen e mjedisit.
Mbetja e burimeve natyrore në duart e shtetit dhe shfrytëzimi i tyre sipas rekomandimeve të politikës i dha rrugë ringjalljes së industrisë së varrosur, duke riaktivizuar një nga fabrikat më ndotëse të Evropës për prodhimin e plehërave kimike në Laç, një furrë shkrirjeje çeliku në Metalurgjikun helmues të Elbasanit dhe sponsorizuan industrinë e naftës, e cila nga amortizimi i skajshëm ndotte ajrin, krijonte pellgje e lumëra hidrokarburesh, duke ndotur dhe ujërat e Adriatikut. Riciklimi i kësaj industrie mikse, jorentabël dhe shkatërrimi i pjesës tjetër për ta shitur si hekurishte në fonderitë e shteteve fqinje e zhvendosi ekzekutivin në ato pozita, sa të përulet përpara çdo oferte që i premtonte thithjen e industrisë që krejtësisht i mungonte, sado e vjetëruar dhe helmuese të ishte ajo për mjedisin.
Si i vetmi shtet evropian i prezantuar para sfidave të integrimit dhe të globalizimit, pa industri, në një fazë të dëshpëruar zhvillimesh të brendshme, ku parametrat ekonomikë ushtrojnë trysni për mospërfilljen e kufijve mbrojtës të sistemeve natyrore, përzgjedhja me ngut e investimeve çoi në sajimin e recetave të rrezikshme, madje vdekjeprurëse për mjedisin. Prirjet pozitive, qofshin edhe të kundërta, të ekonomistëve dhe të ekologëve për ristrukturimin e ekonomisë, duke iu përmbajtur kahjeve të rregullta të zhvillimit, gjatë viteve të fundit disa herë janë shuar edhe prej ndërhyrjeve, të imponuara nga Partia prej së cilës buron qeveria. Synimet e sistemit aktual ekonomik për të përfituar një rritje sado të vogël të veprimtarisë prodhuese nëpërmjet çdo lloj sipërmarrjeje, pa marrë parasysh koston ndaj mjedisit dhe shoqërisë, penalizon rëndë ekzekutivin e në mënyrë të veçantë ministrinë që e mbulon.
Të mirëinformuar për kontributin e dhënë në ideimin e disa fushatave disinformuese për çorientimin e publikut lidhur me një radhë sipërmarrjesh të vjetra e të reja, zoti Ministër i Mjedisit, shpresoj se gjatë një interpelance do të denonconi disa nga investimet e dëmshme, së paku të perspektivës, që i bien ndesh etikës themelore të marrëdhënieve jetike të shoqërisë me natyrën. Zvogëlimi i burimeve të ujit të pijshëm, gëlltitja çdo vit nga erozioni i Bunës i 13-15 hektarëve tokë buke në vit, shkatërrimi masiv i pyjeve, (vetëm për të furnizuar kombinatin e dikurshëm të drurit, për çdo vit i janë nënshtruar prerjeve të planifikuara 35-40 hektarë pyje), dëmtimi i pamëshirshëm masiv i mjediseve me peshk, zhdukja e disa varieteteve të bimëve e kafshëve autoktone, dëshmojnë qartë për një shfrytëzim kriminal të sistemeve natyrore jashtë kritereve të pragut, të këtij koncepti të përdorur gjerësisht nga ekologët.
Heqjet masive të zallit nga dora e njeriut e krijimi pasues i sipërfaqeve të lymta, rezultuar si sipërmarrje shkatërruese për ekosistemet ujëthithëse, i imponojnë ministrisë që e mbuloni të kundërshtojë projektin famëkeq të hidrocentralit të Bushatit, thjesht edhe pse parashikon mbulimin e 609 hektarëve zhavorishte me 1 metër shtresë dheu, që shënon nxjerrjen jashtë loje të këtij tapeti masiv të etur për ujë. Ndërtimi i digave, si ato të Vaut të Dejës dhe ai i Shtodrit, për të krijuar rezevuar hidroenergjitikë apo vaditjeje, kanalizimi i lumejve në shtretër të rinj, siç parashikohet të devijohet Drini me anë të kanalit Spathar-Ashtë-Darragjat (12,5 kilometër gjatësi, 45-50 metër gjerësi e kuotë mesatare uji 23 metër), përveç zhdukjes së një radhë speciesh bimësie e kafshësh, varrosjes nën ujë të sipërfaqeve të mëdha, pakësimit e ndotjes keqas edhe të rezervave jetike të ujërave, sidomos atyre të nëntokës, duhet të vlerësohet si i palogjikshëm për zbatim, veçanërisht në hapësirën e Shkodrës. Shprehemi në këtë mënyrë, pasi territori i qytetit si një ishull i rrethuar nga ujërat e tre lumenjve dhe të liqenit, që institutet hidroenergjitike të Evropës i vlerësojnë si provokuesit e kaosit hidrik më të fuqishëm të kontinentit, i gjendur pranë ndikimit të rezervuareve të Vaut të Dejës e të Shtodrit, me një pozitë 5-6 metër mbi nivelin e detit, përfaqëson rajonin më të ekspozuar të vendit ndaj proceseve të difuzionit, mekanizmave të kanalizimeve të nëndheshme spontane dhe të lojërave të reflekseve ujore, nën presionin që shkaktojnë kolonat voluminoze të rezervuarëve të sapopërmendur, për ndryshimin e përmbajtjes cilësore dhe të kahjeve të lëvizjes së ujërave nëntokësore deri në shterrim të tyre.
Duke i hedhur një shikim të shpejtë projektit të hidrocentralit fushor të Bushatit, të tërheq vëmendjen se kryerja e punimeve është parashikuar të shtrihet në një kantier me gjatësi 13 kilometër dhe gjerësi 100-300 metër, ose në një sipërfaqe toke prej 750 hektarësh, nga e cila, pas konsumimit të katër viteve të planifikuara për kryerjen e kësaj vepre, do të lihen të lira vetëm 535 hektarëa, gjithsesi edhe këto të dëmtuara. Për sa u tha më sipër, del qartë se ky investim nuk duhet të pranohet, pasi jo vetëm ndikon negativisht, por nuk merr parasysh aspak humbjet mjedisore. Nga 215 hektarë që do të sakrifikohen për të mbështetur themelet e ndërtimeve të përhershme, nuk duhet harruar se gjysma janë tokë pjellore are, që po t'i shesësh me çmimin aktual të tregut, siguron kapitalet për të përfituar energjinë elektrike të nevojshme pa ndotje. Në qendra urbane si Shkodra, ku veprimtaria prodhuese gjatë viteve të ekonomisë së centralizuar mbështetej në një numër të kufizuar ndërmarrjesh industriale të prapambetura dhe punishte manifakturimesh të rëndomta, shtimi i papunësisë në 76 për qind (shifrat më të larta të vendit dhe të dytat në Ballkan), rëndimi i çështjeve alokative, kryesisht nga mosfurnizimi me ujë, energji dhe mosplotësimi i kushteve higjenike elementare, largoi interesin e shoqërisë qytetare ndaj problemit të mjedisit. Në këto kushte të vështira mori rrugë procesi spontan i ngritjes së lagjeve apo zonës periurbane, ku ndaj mjedisit u abuzua krejtësisht. E krijuar me ngut në brigjet e njoma të lumit Kir e jashtë çdo norme, kjo zonë e braktisur gjatë viteve të krijimit dhe në ditët e sotme identifikohet me banesa të improvizuara, pa anekse higjienike, pa kanalizime të ujërave të zeza, në një terren të kërcënuar nga vërshimet, aktualisht të mbytur në baltë, jashtë çdo kërkese urbanistike dhe në kundërshtim të plotë me normat mbrojtëse të mjedisit.
Qëndrimin indiferent të pushtetit qendror dhe, në veçanti, të Ministrisë se Mjedisit ndaj problemeve të mjedisit në qytetin tonë e dëshmon në mënyrë të qartë keqtrajtimi i çështjes së ujit të pijshëm. Humbja e hermeticitetit në infrastrukturën shpërndarëse të ujësjellësit nga vjetërimi i tubacioneve, amortizimi i nyjave shpërndarëse dhe mosgarantimi i furnizimit të pandërprerë me energji elektrike i pompave thithëse, kanë shumëfishuar mundësinë e ndotjes së përmbajtjes ujore nga jashtë brenda të ujësjellësit të Shkodrës. Shprehemi në këtë mënyrë pasi direkt në territorin përreth vendnxjerrjes së ujit që banorët e Shkodrës pijnë, ka lindur një lagje ilegjitime fshati, jashtë çdo norme urbanistike, hedhurinat jetike të së cilës, përfshirë shkarkimin e ujërave të përdorur, plehërimin e tokave, kullotjen e bagëtive etj., çka kërcënon seriozisht ndotjen e ujërave nëntokësore që ky ujësjellës shfrytëzon.
Një nga prirjet e gjysmës së dytë të shekullit XX, si fenomen global, qe shterrimi i ujërave nëntokësore. Nxjerrja e tyre në sipërfaqe me pompa elektrike për të furnizuar me ujë të pijshëm qytetin e Shkodrës dhe mosreduktimi i fluksit të thithjes, dëshmon se ripërtëritja e depozitave nëntokësore garantohet nga ujërat e liqenit, i cili duhet të vlerësohet si faktor i rëndësishëm për jetëgjatësinë e këtij burimi jetik. Vendndodhja e burimit të ujësjellësit të Shkodrës përbri liqenit të Shkodrës i imponon popullatës, e veçanërisht ekzekutivit qendror të marrë përsipër me shumë seriozitet mbikëqyrjen e rreptë institucionale me ekipe të përkushtuara për evitimin e ndotjes së depozitave ujore nëntokësore, nga ujërat sipërfaqësorë të liqenit etj..
Po qe se shumëfishimi i faktorit biologjik (algave, fitoplangtonit, zooplangtonit) në rezervuarin e Bovillës i ndryshoi ujit të pijshëm të kryeqytetit dy cilësitë dalluese themelore të tij, transparencën - në turbullirë dhe mungesën e shijes - në një lëng me erë të rëndë, derdhja e një sasie të konsiderueshme pesticidesh të strehuar në magazinat e stacionit hekurudhor të Bajzës në tokën rrethuese e në ujin e Liqenit të Shkodrës nuk solli ndryshime si në rastin e Bovillës, por edhe më keq, ngordhja e peshqve, sëmundjet e lëkurës (të zbuluara në individët që merrnin kontakt me ujin) dhe helmimet, me klinikë të pashpjegueshme e ndonjëherë me pasoja vdekjeprurëse për njerëzit, dëshmuan ndotjen me këta agjentë kimikë të fuqishëm.
Ndotja e përditshme e ujit, e tokës, aty-këtu në hapësirën shqiptare, pa lënë mënjanë territoret tradicionalisht të helmuara (nga arseneku ne Azotikun e Fierit, pestizitet ne Bishtpallë te Durresit) nga shfrytëzimi primitiv i burimeve minerare, naftës, fabrikimit me një teknologji të prapambetur të kimikateve, të pesticideve, të mallrave të ndryshëm, të veshjes me polivinilklorid (PVC) dhe aktualisht lënia e lirë e ndotjes së detit nga procedurat eksploruese johermetike apo kulluese të naftës e ka kthyer Shqipërinë në një nga vendet më të ndotura të Evropës, kurse të ashtuquajturën Gropë të Shkodrës, në një nga qendrat më problematike mjedisore brenda shtetit.
Braktisja e plotë e mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore të Shkodrës, veçanërisht e sistemit kullues të saj, që brenda vijave të verdha përfaqësohet nga një rrjet me gjatësi 96 kilometër, ka krijuar aty-këtu rrëke e pellgje ujërash të ndenjura edhe gjatë stinëve të thata, duke favorizuar përhapjen e produkteve të ndotjes në të gjitha qoshet e këtij qyteti të standardeve urbanistike mesjetare. Si i vetmi qytet shqiptar pa treg të mbyllur, shitja e produkteve ushqimore ka zbritur në nivelet më të ulëta të të gjitha shërbimeve.
Jam i sigurtë zotërinj ministra, se gjatë vizitave tuaja të fundit në Shkodër do t'ju kenë rënë në sy se, në përgjithësi, rrugët, trotuaret e sheshet e qytetit shfrytëzohen nga banorët e papunë për të tregtuar edhe mallra ushqimorë në kushte alarmuese, në kontakt me baltën e rrugëve, në praninë e përhershme të pluhurit, tymërave të automjeteve e gjatë verës, të ekspozuar direkt ndaj veprimit diellor, gjë që i jep vrull veprimtarisë mikrobike e rrjedhojave kalbëzuese, nënproduktet e të cilave rëndojnë ndotjen e mjedisit.
Emetimi i pakontrolluar i dioksidit të sulfurit dhe oksidit të azotit nga shkritoret e metaleve, uzinat kimike, fabrikimet e plehërave e përpunimi i hidrokarbureve (në Kukës, Mirditë, Kurbin, Fier, Ballsh etj.) për disa dekada e la territorin shqiptar nën efektin shkatërrimtar të këtyre substancave të kthyera në shira acidë, që dëmtuan me mekanizmat tashmë të njohura pasuritë ushqimore të tokës, zhdukën vegjetacionin dhe rradhuan në mënyrë të ndjeshme pyjet.
Në një kohë kur jehona e punimeve të konferencës për energjinë në Huston (1999), i bëri të qartë njerëzimit se po konsumonte ditët e fundit të epokës së naftës, ekzekutivi aktual, i mbështetur nga ekipi kukull i Ministrisë së Mjedisit, mori vendimin absurd të shkatërrimit të resurseve të industrisë së turizmit dhe të perspektivës së shkëlqyer të saj në bregdetin jugor të vendit (Nartë etj.) në dobi të teknologjisë naftënxjerrëse, gjithsesi shkatërrimtare për mjedisin.
E nëqoftëse në Jug të vendit shteti ndërhyn për të bërë të vetën, në territorin Verior në të kundërt dora e tij nuk dëgjohet fare.
Furnizimi intensiv i tregjeve të improvizuara të Shkodrës e të mbarë Shqipërisë me ushqime të importuara, përgjithësisht pa iu nënshtruar filtrave përkatëse të kontrollit shtetëror e ka ekspozuar popullatën tonë ndaj disa ndotësve me rrezikshmëri të lartë për shëndetin dhe kërcënues për jetën. Bazuar në të dhënat e ekipeve ndërkombëtare më në zë të mbrojtjes së mjedisit e të shëndetit publik, si dhe të specialistëve të kualifikuar për lëndët helmuese, vëmendja e ministrisë që ju mbuloni duhet të përqendrohet në organizimin e të gjithë shërbimeve të nevojshme për të penguar në maksimum futjen në Shqipëri të ushqimeve të papastërta, sidomos me ndotës të përhershëm organik - POP (Persistent Organic Pollutans).
Rëndësi të jashtëzakonshme tek ne duhet t'i kushtohet edhe kontrollit të ushqimeve të importuara për kafshët, që futen në territorin shqiptar drejt fermave të lopëve, derrave e pularive, të cilat deri tani futen pa më të voglin kontroll. Nuk duhet të harroni zotërinj ministra, se kriza e thellë e shëndetit publik, që në vitin 1999 provokoi rrëzimi e qeverisë në Belgjikë, nisi nga vënia në shitje e ushqimeve për kafshët. Kjo duhej t'i impononte edhe shtetit shqiptar që të ndalonte e të nxirrte jashtë përdorimit ushqimet për kafshë e për njerëz të magazinuara me prejardhje nga ky shtet (vezët, mishrat e shpendëve, të viçit, peshkut, qumështit, djathit, akulloreve, kekëve, biskotave dhe majonezës). Megjithatë asgjë nuk u bë, këto produkte iu shitën konsumatorit shqiptar. E në rast se në Shqipëri gjatë kësaj periudhe media e rekrutuar përpiqej të bindte popullatën se produktet e mishit belg nuk do të kalonin kufirin e vendit tonë, në të kundërt ushqimet për kafshët nuk u bënë subjekt komentesh, megjithëse hynin lirisht në Shqipëri, duke vërtetuar se përveç se viktimë ishim edhe fajtorë.
Në rëndimin e vrullshëm të mjedisit në Shqipëri e në qytetin e Shkodrës, në veçanti, ndikim të veçantë ka edhe keqtrajtimi i mbeturinave të ngurta urbane, industriale e spitalore. Megjithë shumëfishimin e banorëve të qytetit jashtë kapaciteteve mbajtëse të Shkodrës, ky shërbim publik i rëndësisë së veçantë vazhdon të mbulohet me subvencione të niveleve të para 10 viteve. Njëlloj si në të gjithë qytetet shqiptare, edhe në Shkodër mbeturinat e ngurta urbane nuk i nënshtrohen asnjë procedure seleksionimi, përpunimi, detoksikimi dhe dizinfektimi, por në ndryshim prej tyre (pasi Shkodra nuk ka një vend të caktuar depozitimi) ato varrosen në brigjet e lumit Kir apo direkt në brendësi të shtratit të tij. Veprim iracional që ndot ujërat jo vetëm të këtij lumi, por edhe të Bunës, kolektorit të tërësisë ujore të Shkodrës, që pas një udhëtimi prej 44 kilometër ndërmjet zonave të banuara të Shqipërisë e të Malit të Zi, përfundon në det duke zbrazur edhe atje diçka nga faktorët ndotës të qytetit tonë.
Tepër shqetësues është edhe fenomeni i ndotjes së ajrit nga djegia spontane apo e provokuar e hedhurinave të braktisura në terrenet e sapopërmendura.
Shumëfishimi në qytetet e ndotura i numrit të të sëmurëve me tumore malinj, leuçemi, mieloma, sëmundje të tjera infektive nga prishja e sistemit imunitar (njëlloj si tek të prekurit me AIDS ose tek individët me mangësi imunitare të lindura), humbja e aftësive riprodhuese, lindja e meshkujve me defekte gjenitale e sëmundjet e zemrës, penalizojnë rëndë qeverisjen qendrore e veçanërisht Ministrinë e Mjedisit, që nuk ndërhyjnë aspak për mënjanimin e ndotjes ne qendrat urbane, deri më tash të braktisura nga kujdesi institucional shtetëror.
Importimi i automjeteve të amortizuara e të nxjerra jashtë funksioni nga vendet evropiane, si ndotës të mjedisit, ka shtuar në ajrin e qytetit përmbajtje të konsiderueshme bloze, dioksidi të squfurit, oksidi të azotit, oksidi të plumbit, të hidrokarbureve etj., duke rënduar së tepërmi mjedisin ajror.
Në këta kushte të rënda të tërheq vëmendjen mosinteresimi i plotë për përkujdesjen, mbrojtjen e hapësirëve të drunjta, shesheve të gjelbëra, zhvillimin, mbjelljen dhe rritjen e pemëve, të njohura për ndikimin e çmueshëm që kanë në kapjen e pluhurave e thithjen e gazrave.
Në këta kushte z. Ministër i Mjedisit, dikasteri që ju drejtoni jo vetëm që nuk duhet të heshtë, por duhet të përpunojë një strategji afatgjatë me përgjegjësi të lartë ndaj brezave të ardhshëm dhe, në bashkëpunim me komisionin përkatës të Kuvendit, departamentet përkatëse të BE, katedrat universitare, fondacionet e OJQ-të e vendit e të huaja, të mbikëqyrë pikë për pikë zbatimin e kësaj strategjie dhe kahjet e zhvillimit të vendit, duke denoncuar e bllokuar çdo lloj sipërmarrjeje apo investimi që cënon, prish apo shkatërron ekuilibrin natyral të vendit tonë me sipërfaqe jetike të kufizuar edhe për fajet tona.
Krijoni Kontakt