Ekstremistët ekzekutojnë Salih Tivarin
TIRANE (14 Janar) - Për nga mënyra e ekzekutimit, nga detajet e gjetura dhe informacioni i grumbulluar, një gjë është e sigurt: Salih Tivari, sekretari i përgjithshëm i Komunitetit Mysliman, është vrarë nga "bashkëfetarët", nga myslimanët. Dhe elementi tjetër, më i sigurt se i pari, është që vrasja është bërë e studiuar mirë. Madje policia nuk ka mundur të zbardhë dot asgjë më shumë se sa panorama që ka gjetur pak minuta pas vrasjes. Megjithatë, duke iu referuar burimeve shumë të rezervuara nga Komuniteti Mysliman dhe nga policia e kryeqytetit, janë "kristalizuar" dy nga motivet më të mundshme të ekzekutimit të 58-vjeçarit. E më e mundshmja, për të cilën ka më shumë argumenta (jo prova) të çon në vrasje nga krahu ekstremist i fesë myslimane. Ekstremistët Nga të afërm, miq dhe bashkëpunëtorë të Salih Tivarit mësohet se ai përfaqësonte rrymën liberale të myslimanëve në Shqipëri. Madje mendimet e tij, të bëra publike herë pas here, kanë shkuar deri tek bërja e reformave, sidomos në aplikimin e riteve të kësaj feje. Me një sens të hollë logjike, nisur nga "shtrënjtësia" e kohës dhe intensiteti i jetës, Tivari është shprehur kundër detyrimit që një praktikant i fesë të shkonte pesë herë në ditë në xhami. "Njerëzit kanë punë, jeta tashmë është me intensitet, dhe kjo normë detyruese e pakëson numrin e myslimanëve që, megjithëse besojnë në këtë fe, nuk mund të përkushtohen". Në vazhdim të iniciativave reformuese, Tivari kërkonte edhe reduktimin e disa prej riteve në ceremonitë mortore, që kishin mbetur pas kohe. Nga burime shumë të sigurta mësohet se Tivari për këto probleme pak ditë më parë kishte kërkuar takim me një deputet të Kuvendit. Pikërisht këto mendime kanë katalizuar pakënaqësitë në pjesën konservatore të myslimanizmit në Shqipëri, vijë që përfaqësohet nga besimtarët e rinj në moshë, por të arsimuar në vendet arabe. Kjo rrymë në selinë qendrore të Komunitetit thuhet se drejtohet nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Ermir Gjinishi, me të cilin Tivari është grindur ashpër kohët e fundit. Salih Tivari ka dënuar edhe sulmet terroriste të grupit "Al Kaeda", një faktor tjetër katalizues. Ai ka mbështetur edhe ekstradimin e ekstremistëve islamikë në vitin 1998 nga Shqipëria. Në këtë motiv shtohet edhe argumenti i pakënaqësisë së konservatorëve lidhur me qëndrimin e tij ndaj pronave të Komunitetit Mysliman. Salih Tivari, me profesion, ishte jurist dhe në dhjetë vitet e fundit ai e ka përfaqësuar shumë herë Komunitetin në marrjen e pronave. Njëri prej të rinjve besimtarë që qëndronin para portës së selisë, u shpreh mjaft i pakënaqur nga qëndrimi i Tivarit: "Nuk ka bërë asgjë për të marrë pronat e Komunitetit", tha djaloshi me një inat të brendshëm. Detyra Motivi i dytë ka të bëjë me detyrën aktuale të Tivarit si sekretar i përgjithshëm i Komunitetit, njeriu që kishte në dorë të gjithë financat e tij. Ai ishte personi që bënte shpërndarjen e ndihmave, ndarjen e bursave, përcaktimin e personave që do të vizitonin Mekën apo hartimin e listave të delegacioneve fetare në udhëtime jashtë shtetit. Madje në këtë pistë grupi hetimor i ngritur në Ddrejtorinë e Tiranës, i mbështetur edhe nga një grup i gatshëm i Komisariatit numër 3 të kryeqytetit, ka udhëtuar dje deri në Durrës. Mësohet se Tivari ka pasur konflikte të ashpra me një shoqatë myslimane që kishte në objektivin e saj shpërndarjen e ndihmave për të vobektit. Por mësohet se ky udhëtim nuk ka mundur të ndihmojë policinë në zbulimin e autorëve e ca më pak kapjen e tyre. Të shoqëruarit Në polici janë shoqëruar të gjithë "të pranishmit" brenda selisë në momentin e krimit, por edhe më pas në momentin që atje shkoi policia. Rreth 10 persona janë pyetur për ato çka kanë parë e dëgjuar për vrasjen. Në qeli është mbajtur edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Ermir Gjinishi së bashku me gruan e tij. Por autoritetet zyrtare të policisë mohojnë faktin se Gjinishi dyshohet si autor i krimit. ro/mr (GazetaShqiptare/BalkanWeb)
-------------------------
-------------------------------
Oj sharki e lehete si era , a ka ardhur ne Shqiperi pranvra?
Krijoni Kontakt