Alarm për bombë në objektin e Qeverisë
Bota sot
Pas kontrollimit të objektit nga ana e njësiteve të specializuara është vërtetuar se alarmi ishte i rrejshëm.
Prishtinë, Një alarm për bombë ka shqetësuar zyrtarët dhe personelin e Qeverisë së Kosovës. Me këtë rast, janë evakuuar të gjithë punëtorët nga Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, Ministria e Shërbimeve Publike dhe një pjesë e Kuvendit të Kosovës, pas një njoftimi që është dhënë për një mjet eksploziv. Pranë objekteve ka një numër të madh të forcave të siguresë, pjesëtarë të policisë dhe KFOR-it, të cilët po kujdesen për sigurimin e gjendjes dhe largimin e punëtorëve.
Zyrtarë të policisë dhe Qeverisë nuk kanë njoftuar shkaqet e largimit të punëtorëve, por kanë njoftuar se ka një njoftim për vendosjen e një mjeti eksplodues në njërën nga këto ndërtesa.
Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se kërcënimi ka arritur rreth orës 9 të mëngjesit të sotëm dhe është dërguar nëpërmjet postës elektronike.
Kërcënimi,është dërguar nga një institucion tjetër joqeveritar dhe nëpërmjet tij, janë kërkuar 1 milionë Euro.
Sipas tij, pas kontrollimit të objektit nga ana e njësiteve të specializuara të policisë është vërtetuar se alarmi ishte i rrejshëm.
Krijoni Kontakt