Postuar më parë nga
biligoa
( Fjala e redaktorit )
Emri i martirit Tahir Meha opinionit shqiptar dhe më gjerë iu bë i njohur me 13 maj 1981, datë që shënonte ditën e forcave të milicisë famëkeqe jugosllave. Asokohe Kosova vlonte nga demonstratat mbarë popullore që e kishin goditur për vdekje Jugosllavinë. Masat që kishte ndërmarrë pushtuesi kundër demonstruesve dhe diferencimet ishin të paefektshme. Zemërimi i Kosovës sa vinte e rritej. Ndaj, shteti, për ta frikësuar një popull të tërë, me qëllim nënshtrimi, e ngriti në ligj dhe aplikoi metodën e shfarosjes së familjeve të shquara shqiptare. Si fillim i fushatës u zgjodh Drenica kryengritëse dhe pikërisht Prekazi heroik. Pra, në datën e cekur më sipër, forca të shumta të milicisë dhe të ushtrisë e rrethojnë shumëfish kullën e Nebih Mehës mbi të cilën Serbia e derdhi tërë mllefin dhe urrejtjen shovene përmes zjarrit, hekurit dhe barotit. Tahir Meha me të atin plak, Nebihun, si dhe me mbarë familjen qëndruan dhe luftuan deri në flijim, duke e kthyer kullën e tyre në një kala të pamposhtur, në një mit modern. Menjëherë pas kësaj tragjedie të rëndë, shtypi dhe mjetet elektronike të Beogradit, si dhe ato të pushtetit vasal në Kosovë, Tahir Mehën e shpallën terrorist, ndërsa TV Shqiptar, Radio Tirana, gazetat:“Zëri i Popullit“,“Zëri i Kosovës“ dhe shtypi revolucionar i kohës,Tahir Mehën, fshatarin e përvuajtur të Prekazit, e ngritën në nivelin e heroit.
Nga dita e rënies heroike e deri me sot, pothuajse një çerek shekulli, emri dhe vepra e Tahir Mehës, jo vetëm u mbajtën gjallë në zemrën e kombit shqiptar, por ata u bënë edhe gurrë e pashtershme frymëzimi dhe shembull i lartë vetëmohimi për rininë tonë liridashëse. Në ruajtjen e emrit, veprës dhe të kujtimit të Tahir Mehës rol të madh ka luajtur edhe muza popullore, vlerësuesja e pagabueshme e moralit të shpirtit kombëtar. Në këto dhjetë vitet e fundit, në shtypin shqiptar, emri i Tahir Mehës dhe i familjes së tij, është zënë në gojë sipërfaqësisht, sa për të thënë diçka, por a është e mjaftueshme vetëm kaq?
Nxënësit, studentët dhe mbarë populli kërkojnë të dinë më tepër për rrënjët, jetën, edukimin dhe veprën e Tahir Mehës. Një punë të këtillë ia kemi borxh martirit që ra për të mos rënë Kosova në ditët e veta më të rënda. Prandaj libri monografik: ”Këtu i thonë Drenicë” për Tahir Mehën, që po i afrohet lexuesit, besoj se e lanë këtë borxh të kamotshëm, si ndaj heroit ashtu edhe ndaj lexuesit. Libri vjen nga autori Mehmet Bislimi, veprimtar i orëve të para, poet e publicist, militant si dhe bashkëfshatar i heroit. Pra, Mehmet Bislimi jo vetëm e ka njohur Tahir Mehën si një person të fshatit të lindjes së tij, por ai heroin e ka prekur nga afër, si në kohëra të mira ashtu edhe në kohëra të liga dhe, ndonëse jo moshatarë, të lidhur rreth një ideali, vazhdimisht së bashku i kanë qarë hallet e Kosovës së robëruar. Vlerë tjetër e këtij libri është puna dhe serioziteti i autorit për ta dhënë sa më besnikërisht figurën e Tahir Mehës. Libri për jetën dhe veprën e Tahir Mehës i autorit Mehmet Bislimi i plotëson të gjitha elementet që i duhen shkrimit të një monografie të mirëfilltë. Prandaj përgëzoj autorin për punën e tij.
Kadri REXHA - letrar
Krijoni Kontakt