Një kolumbian i akuzuar për abuzim seksual me të bijën që në moshë fare të vogël, lidhje nga e cila kanë ardhur në jetë tetë fëmijë, u arrestua dje, duke shkaktuar një protestë lidhur me mungesën e mbrojtjes së fëmijëve në shtetin e Andeve.
Arcebio Alvarez, 58-vjeç, i tha një gjykatësi se ishte i pafajshëm, duke u shprehur se akuzuesja e tij nuk ishte vajza e tij biologjike.
Ai u vu nën mbikëqyrje ndërsa fëmijët, tre djem dhe pesë vajza u vunë nën mbrojtjen e shtetit. Ai u transferua në burg, i shoqëruar me roje ushtarake për ta ruajtur nga zemërimi i turmave.
Më parë gjatë ditës, Alvarez ishte vënë nën pranga nga agjentë të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Kolumbisë, pasi Alba Nidia Alvarez, gruaja 35-vjeçare që pretendon të jetë vajza e tij biologjike, i tha policisë se ai kishte abuzuar me të që kur ishte në moshën 10 vjeç.
Alba Nidia, nga qyteti Mariquita i Kolumbisë qendrore tha se një prift evangjelist e kishte bindur të ngrinte padi lidhur me abuzimin e dyshuar.
"E mora këtë vendim në përputhje me vullnetin e Zotit, falë një pastori që është lutur shumë herë për mua", tha ajo në një intervistë me të përditshmen "El Tiempo". "Pikërisht kjo më dha forcë".
I akuzuari tregoi një histori tjetër, kur doli dje pasdite përpara një gjykatësi në krahinën Tolima.
"Unë e kam birësuar atë", tha ai. "Ne ramë dakord të kishim një lidhje romantike sepse e donim me të vërtetë njeri-tjetrin, por ajo nuk ishte fëmija im".
Nëna e Alba Nidias vdiq kur ajo ishte 5 vjeç, duke e lenë nën kujdesin e Alvarezit, që është quajtur "Përbindëshi i Mariquitas" nga shtypi lokal. Tetë fëmijët janë nga mosha 1-19 vjeç.
Kjo ngjarje të sjell ndër mend rastin e Josef Fritzl, austriakut që u dënua këtë muaj me burgim të përjetshëm pasi kishte sekuestruar dhe përdhunuar të bijën për 24 vjet, duke sjellë në jetë shtatë fëmijë me të. (Reuters)


Gazeta Shekulli