Dosja e zezë e Greqisë, 1912-2007
Pergatiti:
Dorina Topollaj
Qamil Xhani
Shekulli i 14-të. Ja ç'shkruan Faik Konica në vitin 1940 për "bëmat" e dhespotit grek me emrin Thanas: "Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për të vrarë gjithë shqiptarët. Siç thotë Dukasi, (një historian grek) një nga lojrat e tyre të parapëlqyera ishte t'u priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe t'i linte të vdisnin në agoni"
Shekulli i 21-të. Mars 2007. Një video linçohet në media, ku ushtarët grekë këndojnë duke marrshuar një këngë me këto fjalë: "I shikoni ata, janë shqiptarë. Me zorrët e tyre do të bëjmë lidhëse këpucësh". Për fat të keq, edhe pse 7 shekuj më pas, incidenti më i fundit në lidhje me Greqinë, duket si realizim virtual i masakrave të Thanasit. Edhe pas kaq kohe ndërgjegjjet e kombeve vazhdojnë të mbajnë peng marrëdhëniet mes dy popujve.
Një "peng" që e ka zanafillën që kur pronarët shqiptarë në kohën e Ali Pashë Tepelenës, punësonin argatë grekë pasi burrat shqiptarë shkonin e luftonin në çdo cep të botës për Perandorinë Osmane. Vendosja e tyre në Epir, që në fakt sipas Konicës, s'do të thotë gjë tjetër veçse "Kontinent" e që nuk tregon kombësinë e banorëve që jetojnë në të, u bë flamuri i pretendimeve të fqinjëve për greqizmin e jugut të Shqipërisë. Një konflikt që ka sjellë shumë e shumë incidente mes dy vendeve. Gazeta "Tirana Observer", boton vetëm 100 prej tyre, që nga viti 1912 e deri tek videoja greke që u shfaq vetëm pak ditë më parë. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes së marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Dy popujt më të lashtë në Ballkan, i kanë ardhur në ndihmë njëri-tjetrit në momente shumë të vështira. Mes luftëtarëve që i sollën pavarësinë Greqisë, renditen edhe shumë emra shqiptarësh. Ndërkohë përkrahja greke u vulos edhe me "Traktatin e Mirëkuptimit, Fqinjësisë së Mirë, Bashkëpunimit e Sigurisë" në vitin 1996.
Marshimi për të pushtuar Epirin, 5 tetor 1912
Organizatat greke deklarojnë bashkimin e forcave ballkanike për të mbrojtur territoret nga faktori shqiptar që kërkonte pavarësinë. Veç ushtrisë u organizuan dhe banda të armatosura që qarkullonin fshatrave myslimanë të Çamërisë. Ishte koha kur përpjekjet e Shqipërisë për të shpallur pavarësinë po jepnin frytet e para. Ky mobilizim i shqiptarëve u pa si kërcënim për Greqinë e cila nisi hapur ofensivën për pushtimin e Vorio Epirit. Emërimi i një guvernatori me origjinë shqiptare në Janinë u interpretua nga grekët si zgjerim i një rreziku shqiptar për marrjen e Janinës dhe krahinave përreth.
Konferenca e Ambasadorëve, Londër, 20 dhjetor 1912
Kërkesat për pavarësi të shqiptarëve u kundërshtuan jo vetëm me armë, por dhe në rrugë diplomatike nga ana e Greqisë. Madje përfaqësuesit e shtetit grek në Konferencën e Ambasadorëve në Londër kërkuan që përveç Vorio Epirit, Greqia të aneksonte edhe Vlorën, në portin e së cilës ishte vendosur Flota Helene. “Është e pamundur të lejohen shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarur në djepin e qytetërimit grek”, ky ishte qëndrimi i delegacionit grek në Londër.
Masakra e udhëheqjes së Çamërisë, 7 mars 1913
Ushtria greke pas largimit të trupave turke pushton Çamërinë. Gjenerali Deli Janaqis vendos të thërrasë në një takim krerët qyteteve dhe fshatrave të Çamërisë për të vendosur një marrëveshje. Për disa ditë me radhë, krerët çamë nuk pranojnë kushtet e komandantit grek. Atëherë ai vendos t’i mbledhë për herë të fundit dhe urdhëron vrasjen e 62 kryetarëve çamë. Dhe sikur të mos mjaftonte, dy prej tyre, Fuat Pronjo dhe Suhbi Bej Dino, me urdhër të gjeneralit rripen të gjallë.
Komisioni i Kontrollit, Shqipëri, shtator 1913
Ndërkombëtarët vendosin të zgjidhin çështjen e Epirit, duke dërguar në terren një komision kontrolli, i cili do të verifikonte pretendimet e grekëve për Korçën, Gjirokastrën, Përmetin dhe Sarandën. Ushtria greke u përpoq që të pastronte rrugën ku do kalonte komisioni nga shqiptarët, madje dhe banesat në disa fshatra u lyen me bojën e flamurit grek. Grupe grekofilësh dërgonin peticione, ku thuhej se Jugu i Shqipërisë nuk duhet të jetë i shqiptarëve. Mes grekëve dhe komisionit u regjistruan dhe incidente.
“Batalioni i Shenjtë”, Andartët, 1913
Konferenca e Ambasadorëve nuk i dha të drejtë Greqisë për pretendimet në Epirin e Veriut dhe urdhëroi tërheqjen e shqiptarëve. Në këtë pikë nis plani i dytë i Greqisë për pushtimin e tij. Strukturat ushtarake organizojnë “Batalionin e Shenjtë”, i përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur nga burgu i Kretës, të cilët më vonë do të njiheshin si “Andartët”. Ky batalion kreu masakrat në të gjithë Jugun e Shqipërisë, duke vrarë mijëra gra dhe fëmijë për të spastruar zonën nga shqiptarët.
“Protokolli i Firences”, 17 dhjetor 1913
Është dokumenti që caktoi kufijtë e sotëm mes Greqisë dhe Shqipërisë. Një pjesë e Jugut të Shqipërisë ngeli në territorin grek. Ndërkohë që Greqia nuk e njohu këtë protokoll, duke pretenduar se ngelej jashtë trungut helen Epiri i Veriut, me disa dhjetëra mijëra minoritarë. Paradoksalisht në Shqipëri ngelën rreth 38 mijë minoritarë, ndërsa në Janinë dhe krahinat e tjera ngelën me Greqinë rreth 500 mijë shqiptarë në qytetet e Filatit, Paramithķa, Margëllëi, Parga, Gumenica e Preveza.
“Grushti i Shtetit”, dhjetor 1913
Ndërsa Evropa pretendoi se e rregulloi përfundimisht çështjen greko-shqiptare, në Jug të Shqipërisë nisën revoltat. “Batalioni i Shenjtë” ishte vënë në veprim. Ushtarakët hoqën uniformat dhe nisën masakrat dhe djegiet duke argumentuar se nuk pranonin vendimin e Evropës për lënien jashtë Greqisë të Korçës, Gjirokastrës. Sipas kronikave të kohës, ishin rreth 40 mijë ushtarë që kryen masakra të pashembullta në qytetet e Gjirokastrës, Korçës e Përmetit.
Masakrat në Përmet, 25 shkurt 1914
Masakrat greke nuk u bënë vetëm në zonën që sipas tyre i përket Vorio Epirit, por edhe janë saj. Në Kuqar të Përmetit ushtria greke theri gjithë fëmijët ndërsa burrat i mbylli në kishën e Kosinës ku i vrau në mënyrë barbare. Po ashtu dhe në fshatin Peshtan ku një kronikë e kohës shkruan. “Foshnjat ulërinin duke kërkuar prindërit. Ushtarët i mblodhën dhe i çuan në një shtëpi ku ish një pus e ku i merrnin me radhë e u prisnin kokat dhe i hidhnin brenda. Ndërkohë gratë i mblodhën në Delvinë dhe pasi i përdhunuan i vranë me bajoneta”.
Protokolli i Korfuzit, 17 maj 1914
Më 24 prill 1914, Fuqitë e Mëdha njoftuan Greqinë se ishin të gatshme t’u bënin lëshime ”Vorio-Epirotëve” dhe se mund të pranonin rishikimin e kufirit greko-shqiptar në favor të saj. Qeveria e ndodhur nën një presion të gjithanshëm u detyra t’ua besonte Fuqive zgjidhjen e krizës. Protokolli parashikoi që Korça e Gjirokastra, edhe pse do ishin në shtetin shqiptar të kishin një administratë të vetën. Për shkak të ndihmës që i dha Italia, Greqia i la ishullin e Sazanit.
“Qeveria” e Epirit të Veriut, nëntor 1914
Qarqet greke u përpoqën që revoltën ta organizonin në një lëvizje për pavarësi të Epirit të Veriut. Për këtë qëllim ish-ministri i Jashtëm grek, Nikollaq Zografi, së bashku me një grup ish-ministrash të tjerë, shpalli krijimin e qeverisë së Vorio Epirit në Gjirokastër. Me ndihmën e Andartëve, Zografi izoloi Gjirokastrën, Përmetin dhe Korçën. Zyrtarisht qeveria greke nuk e njohu këtë qeveri të re, por nuk hezitoi ta ndihmonte me ushqime dhe me armë.
Incidentet fetare, 1919
Qeveritë e brishta të Shqipërisë kishin arritur të krijonin institucionet e para dhe të ruanin disi integritetin e vendit. Qeveria e Iliaz Vrionit kish arritur të zmbrapste disa sulme të grekëve. Ndërkohë shqetësim ishte propaganda antishqiptare e kishës greke. Rasti më tipik ka qenë ai i Peshkopit Jakov të Korçës. Sipas raporteve ai e kish kthyer kishin në një qendër propagande për Vorio Epirin. Me urdhër të qeverisë Jakovi u largua nga vendi gjë që solli dhe reagimin e Athinës.
Konferenca e Paqes, Paris 1919
Konferenca e Londrës dhe ndarja e territoreve shqiptare nuk e kënaqën oreksin grek. Në Konferencën e Paqes pas Luftës së Parë Botërore, kryeministri grek Eleftherios Venizelos kërkon aneksimin e pjesës më të madhe të Shqipërisë. Sipas tij, shqiptarët nuk kishin aftësi shtet-formuese dhe nuk mund të krijonin një qeveri. “Shtetasit grekë në Shqipëri duhet të drejtohen nga qytetërimi i lartë që përfaqëson shteti helen dhe jo nga shqiptarët të cilët nuk kanë asnjë qytetërim”.
Incidenti për të drejtën e minoriteteve, mars 1921
Greqia me anë të ndërkombëtarëve fitoi të drejtë që minoritetet e saj të kishin trajtimin e duhur nga shtete ku ata bënin pjesë. Kjo nënkuptonte të drejtën për të folur gjuhën dhe për të pasur shkolla greke. Por këto kushte Greqia nuk pranoi t’i plotësonte për popullsinë çame që mbeti nën çatinë e Greqinë pas ndarjes së kufijve në territorin grek. Shteti shqiptar e ngriti disa herë këtë çështje në lidhjen e kombeve, por greket raportonin se çamët kishin të njëjta të drejta me grekët e tjerë.
Përplasja e shifrave, 1921
Ekziston një incident i përhershëm mes Greqisë dhe Shqipërisë për sa i përket çështjes së numrit të minoritarëve që ekzistojnë në Shqipëri. Greqia pretendon dhe vazhdon të këmbëngulë se në territorin shqiptar janë mbi 400 mijë grekë. Ndërkohë në Departamentin e Shtetit Amerikan kjo shifër është rreth 200 mijë. Ndërsa në bazë të regjistrimit të bërë nga shteti shqiptar, në mars të vitit 1921, ky numër ka qenë 33.313. Sidoqoftë ky numër, sipas statistikave, nuk ka arritur asnjëherë të kalojë shifrën 50 mijë.
Shkëmbimi i çamëve me turq, mars 1923
Përcaktimi i kufijve të Shqipërisë, i ndërprerë me 1913 nga Lufta e I-rë Botërore dhe rinisur me 1919, la jashtë territorit rajone të banuara nga shqiptarë, Çamërinë dhe Kosturin. Traktati i Lozanës nënshkruar me 1923, parashikonte shkëmbimin e popullsive greke dhe turke, për të zgjidhur kështu një problem të dy vendeve. Tragjikisht Greqia konsideroi si myslimanë turq banorët e Çamërisë dhe mbi 6800 çam u shpërngulën me forcë. Një pjesë e tyre preferoi të vinte në Shqipëri.
Vrasja e Gjeneral Tellinit, 23 gusht 1923
Gjenerali italian Tellini së bashku me Riza Kolonjën dhe përfaqësues të palës greke u caktuan nga Konferenca e ambasadorëve për të vendosur kufijtë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ushtaraku italian u akuzua nga qeveria greke se po mbështeste pretendimet e Shqipërisë. Në ditë kur vendoseshin piramidat kufitare në Kakavijë, Tellini vritet së bashku me katër ushtarë në rrugën Janinë-Kakvijë. Qeveria greke e dënoi vrasjen, por fajtorët nuk u gjendën asnjë herë.
Fan Noli për Çamërinë 22 gusht 1924
Zhvillimet në Çamëri e detyruan qeverinë Shqiptare të ngrejë çështjen në Lidhjen e Kombeve. Kryeministri Fan Noli në një seancë për Shqipërinë denoncoi hapur masakrat e ushtarëve grekë në jug të vendit. Ai kërkoi që të mos kryhej ndërrimi i popullsisë dhe çamët të mos silleshin në Shqipëri pasi nuk kishte vend ku të sistemoheshin. E vetmja zgjidhje, thotë Noli, është që çamët të vendosen në tokat e minoritetit grek në Gjirokastër dhe këta të fundi të shkojnë në Greqi.
Incidenti mbretëror, prill 1939
Greqia ishte i vetmi vend që mund t’i siguronte mbretit Zog një largim të shpejtë pas pushtimit fashist. Kryeministri Metaksa e pranoi familjen mbretërore të kalonte në Greqi. Por ndërsa mbreti, mbretëresha dhe princi niseshin me tren nga Follorina rreth 500 ushtarë hipin në tren dhe kërkuan çarmatimin e shoqëruesve të mbretit. Në kujtimet e saj, Mbretëresha Geraldinë shkruan se Greqia kish një plan për ta izoluar familjen mbretërore në një ishull të Greqisë si garanci për marrëveshjet që kish me Italinë. Sipas saj vetëm gjendja e rëndë shëndetësore e princit Leka bërë që grekët të mendoheshin për pasojat që mund t’u sillte vdekja e një princi në tokën e tyre.
Internimi i burrave çam, 4 gusht 1940
Pas shpërnguljes dhe terrorit ndaj popullsisë çame, grekët për të evituar protesta ndoqën dhe rrugën e internimeve. Qeveria greke krijoi komisione që përzgjidhnin popullsinë ku veçonin meshkujt që ishin për luftë dhe i internuan në ishujt e humbur të detit Egje. Sipas dëshmive, trajtimi i tyre ishte i njëjtë me atë që nazistët u bënin hebrenjve. Dhe si për ironi pushtimi gjerman i Greqisë në 6 prill 1941 i liroi çamët e internuar, por kur u kthyen në fshatrat e tyre nuk kish mbetur askush.
Shqipëria në Luftën Italo-Greke, 1940
Pak e çuditshme, por lufta Italo-Greke ka nisur pas vrasjes së një shqiptari. Daut Hoxha ishte një nga kapedanët çamë më popullor që luftonte kundër Greqisë. Për kokën e tij Athina kish vënë 500 mijë dhrami. Hoxha u vra nga disa patriotë të paguar nga grekët, dhe Italia e cila kërkonte një shkak e cilësoi këtë si një dhunim të të drejtave çame. Për Italinë ishte një udhëheqës popullor, ndërsa për Greqinë “kryetar i një bande plaçkitëse”
Greqia shpall Ligjin e Luftës, 10 nëntor 1940
Gjatë luftës italo-greke, Parlamenti helen miratoi ligjin 2636/1940 ose siç njihet ndryshe Ligji i Luftës me Shqipërinë, për shkak se vendi ynë u përdor nga Italia për nisjen sulmeve ndaj Greqisë. Më vonë këtij ligji ju shtuan dhe shumë amendamente që kishin të bënin me pronat e çamëve, të cilat kapnin vlerën e 350 milionë dollarëve. Ky ligj u bllokon pronën gjithë personave grekë me kombësi shqiptare, duke përjashtuar në këtë mënyrë komunitetin çam. Edhe sot ky ligj mban peng çështjen e çamëve.
Vrasja e Xhaferr Ypit, 17 nëntor 1940
Sulmet greke në territorin shqiptar shkaktuan jo pak viktima mes civilëve shqiptarë. Më 17 nëntor 1940, gjatë një bombardimi grek në zonën e Kolonjës, u vra afër fshatit të lindjes, ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Xhaferr Ypi. Patriotët shqiptarë reaguan, por ushtria greke nuk mbajti përgjegjësi duke e cilësuar si një incident anësor që ishte bërë për shkak të keqllogaritjeve të sulmit.
Protesta e shqiptarëve për pushtimin, 28 nëntor 1940
Pas tërheqjes së forcave italiane, ushtria greke fillon të përparojë në Jug të Shqipërisë, brenda një jave, Korça, Saranda dhe Himara ranë në duart e ushtrisë greke. Gjeneralët i cilësuan këto zona si greke dhe filluan ndëshkimin e popullatës vendase. Nacionalistët shqiptarë organizuan një demonstratë në qytetin e Korçës, ku kërkonin që qeveria greke të njihte integritetin e Shqipërisë. Demonstrata u përpoq që ndalohej nga forcat greke. Në çdo qytet forcat greke hoqën flamurin shqiptar dhe vendosën atë helen.
Shifrat e terrorit çam, 1940
Më shumë sesa incident mund të cilësohet si një luftë. Por nëse në një anë ishin ushtarët grekë, në krahun tjetër ishin civilë të pafajshëm. Ushtria greke vrau në Çamëri 4300 njerëz, rezultojnë të zhdukur 3500 njerëz, u dogjën 102 fshatra, u shkatërruan plotësisht 57 fshatra si dhe 7280 shtëpi. Shumica e njerëzve u ekzekutuan, por pati masakra kolektive ku fëmijët dhe gratë u therën me thika, u dogjën, madje dhe veprime makabre si djegie dhe rrjepje të gjallë të njerëzve. Askush deri më sot nuk ka mbajtur përgjegjësi për krimet. Sipas zyrtarëve greke, u ekzekutuan bashkëpunëtorët me italianët, që në këtë rast paskan qenë edhe gra dhe fëmijë.
Krijoni Kontakt