Margaritarë të urtësisë - 4

http://www.islamgja kova.net/

Tregohet se një djalë erdhi te Ebu Derdai r.a. dhe kërkoi këshillë, e ky iu përgjigj:
"Djali im, përmende Allahun në mirëqenie, Ai do të përkujtoj kur je në fatkeqësi!
Djali im, bëhu dijetar (alim) ose nxënës (muteal-lim) ose dëgjues i mirë, e mos u bëj i katërt se do të shkatërrohesh!

Djali im, mesxhidi yt le të bëhet shtëpia jote, sepse kam dëgjuar nga i Dërguari i

Allahut, s.a.v.s. duke thënë: "Mesxhidi është shtëpia e secilit njeri të vetëdijshëm dhe të pastër".

Djali im, ai i cili e bën shtëpinë mesxhid, Allahu ia ka siguruar mëshirën e Tij dhe ia siguron kalimin nëpër urën e Siratit.

Një prej shkatërrimit të këtij ummeti është se ka të tillë që dëgjojnë ligjëratën (dersin) të shtunën, të dielën veç fillojnë të mbajnë vazë, ndërsa të hënën bëhen të ashtuquajtur dijetar!"

Shpëtimi është në vetëdijen e lartë dhe në vetëkontroll, siç thotë verseti kur'anor: "Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet". (1)

Secili kërkon lumturinë dhe kënaqësinë, por njerëzit dallojnë për mënyrën se si e arrijnë këtë. Dikush mendon se lumturia është në pasuri, dikush nëpërmes epsheve, dikush në gjëra të kota, dikush në alkool ose drogë, dikush në pushtet dhe nam, dikush në pozitë dhe privilegje, dikush në femra, dikush në rroba luksoze, etj.

Mirëpo sikur lumturia të ishte në pasuri, Karuni do të ishte njeriu më i lumtur në botë, sikur lumturia të ishte në pushtet dhe dominim dhe privilegje, Faraoni dhe Hamani do të ishin më të lumturit në botë.

Sikur lumturia të ishte në nam dhe rroba luksoze, "yjet" e njohur botëror nuk do të vdisnin në mjerimin më të madh.

Lumturia e vërtetë dhe kënaqësia është në bindje ndaj Zotit dhe ruajtja nga mëkatet. Ky është shkas i suksesit të përhershëm: "Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen ditën e kiametit, e kush shmanget zjarrit e futet në xhenet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues". (2)

I Lartësuari gjithashtu thotë: "Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre". (3)
Njëri prej robërve të Allahut ka thënë: 'Të mjerët banorët e dynjasë! E lëshuan këtë botë e nuk e shijuan gjënë më të ëmbël në te?' - Dikush e pyeti: "E cila është gjëja më e ëmbël në dynja?" Robi i Allahut u përgjigj: 'Njohja e Allahut!'
Njëherë tre thirrës në islam, kaluan pranë një populli i cili adhuronte zjarrin, dhe i ftuan që ta adhurojnë vetëm Allahun dhe vetëm Atij t'i luten, mirëpo populli nuk pranuan. Kur dëgjuan për këta, ushtria e këtij populli i prangosi dhe i solli para mbretit të tyre. Kur i dëgjoi mbreti, thirri prijësit e tij fetar që të bëjnë dialog më këta.

Kleriku i tyre u tha thirrësve islam që do t'ju bëjë disa pyetje, ndërsa këta thanë:
"Nëse përgjigjemi në pyetje, a do ta pranosh Islamin?!" Kleriku tha që pranon dhe filloi me pyetjet:

Çfarë është ajo që Zoti nuk e njeh?

Çfarë kërkon Zoti prej robërve të Tij?

Çfarë Zoti nuk ka në thesaret e Tij?

Çfarë ka njeriu e që Zoti nuk e ka?

Çfarë Zoti ia ka ndaluar vetit?



Në këtë njëri prej thirrësve në islam filloi të përgjigjej në pyetjet:

Atë që Zoti nuk e njeh, është shirku (politeizmi) ; "...Thuaj: "Përshkruani realitetin e tyre! A ju po e njoftoni Atë për atë (shok) kinse Ai nuk po ditka se ç'ka në tokë, apo vetëm po i emërtoni me fjalë (e ata as që ekzistojnë)? Jo, por ata që nuk besuan u duket e mirë dredhia e tyre,..." (4) Pra, Ai nuk njeh ortak në pushtet!
Atë që Zoti kërkon prej robërve të Tij është huaja: "Nëse Allahut i huazoni diçka të mirë, Ai juve ua shumëfishon atë dhe ju falë; Allahu është shumë mirënjohës, i butë". (5)

Atë që Zoti nuk ka në thesaret e Tij është varfëria, sepse thesaret e Tij janë gjithnjë përplot dhe jep sa të dojë dhe kujt të do; Atë që njeriu e ka e Zoti nuk ka janë gruaja dhe fëmijët; Atë që Zoti vetit ia ndaloi është zullumi (padrejtësia) !;
Kur dëgjoi këto përgjigje kleriku filloi me qarë dhe tha: "Kjo është vërtetë fe e vërtetë! Si ta pranoj?

Thuaj: La ilahe ilallah Muhammedun resulullah!

Kleriku me sy të përlotur e tha shehadetin e pas tij të gjithë e përsëritën këtë.
Takimi i Shejtanit me Jahjanë a.s.

Erdhi njëherë Iblisi te Jahjai a.s. dhe i tha: "Dëshiroj që të këshilloj!" Jahja a.s. i tha: "Gënjen, ti nuk dëshiron të më këshillosh mua, por më trego për njerëzit?!"

Iblisi tha: "Ne njerëzit i ndajmë ne tre grupe. Grupi i parë është më i rëndi për ne,
ne mundohemi që t'i shmangim nga rruga e vërtetë, por pas kësaj ata pendohen dhe ne na shkon mundi huq. Përsëri përpiqemi nga fillimi, por ata përsëri pendohen dhe ne nuk kemi sukses. Me këtë kategori vazhdimisht mundohemi.
Grupi i dytë i njerëzve për ne janë si topi në duart e fëmijëve, i kapim kur të duam, i lëshojmë kur të duam. Këta na janë të bindur tërësisht.
Të tretët janë si ti, të pagabueshëm, këtyre s'mund tu bëjmë asgjë".

Jahjai a.s. e pyeti: "A ke mundur ndonjëherë të më mashtrosh?"

Iblisi tha: "Njëherë! Të ofruan ushqim, e unë ta bëra aq të shijshëm sa që ti ke ngrënë më tepër se duhet, dhe atë natë nuk je zgjuar për namaz të natës".

Jahjai, a.s. tha: "Mirë, kurrë më nuk do ta teproj me ushqim".


Iblisa tha: "Edhe unë kurrë më nuk do ta këshilloi njeriun".

(1) En Nur, 37

(2) Ali Imran, 185

(3) En Nahl, 97

(4) Er Rr'ad, 33

(5) Et Tegabun, 17

Përgatiti: Dr. Ali Iljazi