TemA
Obama injoron Berishën dhe Mediun
Nga Tema
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është shmangur tërësisht nga linja zyrtare e qeverisë amerikane dhe nuk ka mundur dot të shkëpusë qoftë dhe një foto duke i dhënë dorën në kalim Presidentit të SHBA, Barack Obama. Gazeta “Christian Science Monitor”, e cila bënte dje humor me takimet jozyrtare të Mëngjesit të Lutjeve, e përshkruante kryeministrin e Shqipërisë dhe presidentin e Haitit si dy njerëz që u torturuan duke qëndruar në radhë për t’i dhënë dorën presidentit Obama.
Mëngjesi i Lutjeve, një ceremoni që është kthyer në traditë në Uashington të martën e parë të shkurtit që nga viti 1953, është një ceremoni jozyrtare dhe përdoret shpesh nga liderë botërorë për kontakte jozyrtare me qeverinë amerikane.
Kryeministri Berisha, siç shihet dhe nga njoftimet e tij zyrtare, është injoruar në vizitën e tij në SHBA nga qeveria amerikane. Ai nuk ka bërë asnjë takim zyrtar në selinë e qeverisë amerikane. Të gjitha njoftimet e tij të shtypit janë lajme mbi takime në sallën e Mëngjesit të Lutjeve. Kështu, nëse citojmë faqen e tij zyrtare, mësojmë se ai ka pasur fat, se ka qenë në një rresht me Hillary Clinton dhe duket qartë përpjekja e tij për të pozuar duke bërë fotografi me të. Ai po ashtu ka takuar në hollin e Mëngjesit të Lutjeve senatorin Joseph Biden, dhe spikeren e Dhomës së Kongresit, Nancy Pelosi. Po aty Berisha ka takuar dhe senatorin John McCain.
Të gjithë ata që kanë qenë në Mëngjesin e Lutjeve, e kanë të qartë se ceremonia është krejt e hapur dhe sivjet një biletë për të shkuar aty ishte në shitje 5 dollarë në internet.
Fatmir Mediu është bashkëpunëtor i këtij komiteti organizator në Shqipëri. Udhëtimi i tij në Uashington së bashku me Berishën, në një vizitë jozyrtare, është parë si një karshillëk politik që dyshja Mediu-Berisha i bëjnë politikës zyrtare amerikane, e cila ka kërkuar hetim serioz për tragjedinë e Gërdecit, ku Berisha dhe Mediu janë fajtorë dhe përgjegjës.
Duke parë qartazi përpjekjet e tyre për të përdorur një vizitë private në SHBA përmes fotove të bëra nëpër korridore të ceremonisë, qeveria amerikane duket se ka ulur nivelin e kontakteve zyrtare të Berishës me administratën, duke e anashkaluar tërësisht vizitën e dyshes Berisha-Mediu në SHBA
Krijoni Kontakt