Nga shejh Salih Alush-Shejh
Marrë nga ligjëratë e incizuar për bakkah.net, e titulluar Mekasid es-Suwer ue Etheru Thalika fi Tefsir





Me emër të Allahut, Mëshiruesit gjithëpërfshirës. Lutjet dhe bekimet qofshin mbi të dërguarin e fundit të tërë njerëzimit, mbi shoqëruesit dhe mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij, deri në Ditën e Gjykimit. Në vazhdim:



Tema qendrore e kaptinës el-Ankebut, siç e kanë përmendur disa dijetarë, është fitneja [provat dhe çrregullimet]. Fitneja përmendet që nga fillimi i kaptinës, ku Allahu thotë:



"Elif, Lam, Miim. A menduan njerëzit se do të lihen të qetë, pasi të thonë 'Besojmë në Allahun', e të mos përballen me fitne? Vërtet, Ne i provuam ata që erdhën para tyre, me qëllim që Allahu t'i vë në pah të vërtetët dhe gënjeshtarët". [el-Ankebut, 1-3]



Kështu, fitneja përmendet veçanërisht në fillimin e kaptinës. Me çfarë fitne provohen njerëzit? Njeriu mund të provohet, për shkak të intelektit të tij apo nga dynjaja. Ai mund të provohet nga prindërit e vet apo nga familja e vet. Ai mund të provohet me anë të jetëgjatësisë së gjatë. Fitneja e tij mund të jetë edhe që ai të mos përballet më kurrfarë vështirësie në jetë! Pra, realiteti është se një njeri mund të provohet nga një sërë sprovash, dhe të gjitha nga këto janë përmendur në këtë kaptinë.



Në këtë kaptinë, Allahu përmend shumëllojshmëritë e provave dhe bazën në të cilën ngrihen ato. Ai, po ashtu, përmend se si një njeri mund të shpëtojë nga këto lloj provash. Kjo, ngaqë jeta e kësaj bote, në fakt, është thjesht një provë. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, ka thënë, siç transmeton Ijad ibn Himar, dhe është shënuar nga Imam Muslim në Sahi-në e tij:



"Allahu, më i larti, ka thënë:'O Muhamed, vërtet Unë të kam dërguar vetëm që të provoj ty dhe t'i provoj të tjerët nëpërmjet teje'". [Në një hadith të vërtetë, të shënuar nga Imam Muslim në Sahi-në e tij (nr.7136), kjo nis me:"Vërtet, Zoti im më ka urdhëruar për t'ju mësuar për atë çfarë ju nuk dini nga ajo çfarë Ai më ka mësuar..."]



Pra, jeta, në të vërtetë, është vetëm një fitne. Dhe kjo fitne a realizohet nëpërmjet gjërave të këqija, apo të mira? Kjo realizohet si me gjëra të këqija, ashtu edhe me të mira! Allahu thotë:



"Ne do t'ju provojmë me të këqija e me të mira, dhe tek Ne do të ktheheni". [el-Enbija, 35]



Shikoni se çka përmend Allahu në fillimin e kësaj kaptine:



"A menduan njerëzit..."



Kush përfshihet me këtë fjalë [njerëzit]? Kjo përfshin si besimtarin, ashtu edhe mosbesimtarin. Përfshin si të vjetrit, ashtu edhe të rinjtë. Përfshin të gjitha kategoritë e njerëzve, meqë ata bashkëveprojnë me të gjitha kategoritë e tjera.



"A menduan njerëzit se do të lihen të qetë, pasi thanë 'Besojmë në Allahun', e të mos përballen me fitne?"



Ti thua se je një besimtar, kështu që, kur mund të konsiderohet besim i vërtetë besimi yt? Kjo ndodh, kur provat të jenë vendosur përpara teje dhe t'i kesh kaluar ato me sukses, me lejen e Allahut.



Madje, ju mund të provoheni edhe me veten tuaj! Ka njerëz që provohen, për shkak të bukurisë së tyre dhe cilësive të mira. Një grua mund të provohet me atë çfarë ka në pronësi të veten, dhe një njeri, po ashtu, mund të provohet me pasurin që ka. Personi mund të provohet me prindërit e vet, gjithashtu. Pra, do të gjeni që, në këtë kaptinë, përmenden të gjitha llojet e provave, zanafilla e tyre si edhe zgjidhja për to.




Fitneja e prindërve mosbesimtarë



Merreni këtë shembull: në pjesën e parë të kaptinës, Allahu thotë:



"Ne i kemi urdhëruar njerëzit të jenë të mirë ndaj prindërve të tyre. Por, nëse ata përpiqen të të bëjnë të më përshkruash ortak, për çka ti nuk ke njohuri, mos i dëgjo! Tek Unë do të ktheheni". [el-Ankebut, 7]



Vëreni sesi disa prindër shkaktojnë fitne dhe përpiqen ta shtyjnë robin të bëjë shirk. A nuk është fitne kjo? Vërtet, kjo është një fitne e pamasë!



Dijetarët e komentimit të Kuranit kanë përmendur se ky ajet qe shpallur lidhur me ngjarjet që kishin të bënin me Sa'd ibn Ebi Uekas, kur nëna e tij u përpoq ta kthente në mosbesim. Edhe në këtë situatë, Allahu e urdhëroi t'i shoqëronte prindërit me mirësjellje, por edhe t'u bindej atyre. Ai tha:



"Ne i kemi urdhëruar njerëzit të jenë të mirë ndaj prindërve të tyre. Por, nëse ata përpiqen të të bëjnë të më përshkruash ortak, për çka ti nuk ke njohuri, mos i dëgjo! Tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t'ju njoftoj për atë çfarë bënit". [el-Ankebut, 7]



Dhe Ai ka thënë në fillim të ajetit:



"Ne i kemi urdhëruar njerëzit të jenë të mirë ndaj prindërve të tyre".



Kjo është një fitne e pamasë! E, pra, cila është rrugëdalja nga kjo? Përgjigja është - me të kuptuarit me vend të ligjit të Allahut - se ata s'duhet dëgjuar, kur t'ju urdhërojnë për mosbesim, për shirk, apo për mosbindje ndaj Allahut. Por, megjithëkëtë, ju duhet t'i shoqëroni me mirësjellje ata.



Ka njerëz që provohen me këtë fitne, dhe ata i shoqërojnë prindërit e vet jo me mirësjellje, por me ashpërsi, dhe në këtë mënyrë bien në të ndaluarën deri në njëfarë mase. Ai që mund të qëndrojë i duruar në një çështje kaq të vështirë, duke i shoqëruar ata me mirësjellje dhe duke mos iu bindur atyre [kur ata e urdhërojnë për mosbindje ndaj Allahut], është ai që ka arrit sukses në ballafaqimin me një fitne të këtillë.




Fitneja e të qenit në pakicë



Një tjetër lloj fineje është kur personi sheh një shumicë njerëzish ta mohojnë Allahun, të fuqishmin e të madhërishmin. Pra, ata nuk besojnë, dhe njeriu ndjen që ai dhe besimtarët e tjerë janë të pakët, kurse mosbesimtarët, hipokritët, kriminelët e të pabindurit janë të shumtë. Si mund të qëndrojë i drejtë ai, si? Kjo është një lloj fitneje që sulmon zemrën. Shumë pak nga njerëzit qëndrojnë të vendosur në këtë situatë. Shumica prej tyre shikojnë shumicën e njerëzve të jenë në të keqen, kështu që edhe ata bien në të. Në këtë kaptinë, përmendet kjo çështje, së bashku me zgjidhjen. Pra, lexojeni këtë kaptinë dhe sodisni.




Fitneja e të parit të kënaqësisë së mosbesimtarëve



Një lloj tjetër i fitnes, që përmendet në këtë kaptinë, është që njeriu sheh armiqtë e Allahut dhe të dërguarit të Tij të jetojnë jetë të gjata e të rehatshme. Ai i sheh ata të jetojnë jetë të gjata në tokë, duke e shijuar fuqinë e vet dhe duke i shtypur të tjerët, kurse ata janë armiq të Allahut, idhujtarë!



Kjo mund ta bëjë atë t'i ndjekë kënaqësitë e kësaj bote dhe t'u bashkohet atyre në pengimin e të tjerëve nga rruga e Allahut. Allahu thotë:



"Jeta e kësaj bote u është zbukuruar atyre që kanë mohuar. Ata përqeshin besimtarët, por të devotshmit do të jeni mbi ta në Ditën e Gjykimit". [el-Bekare, 212]



Kjo ishte nga kaptina el-Bekare. Në këtë kaptinë, në kaptinën el-Ankebut, i fuqishmi dhe i madhërishmi përmend rrëfenjën e Nuhut [alejhi selam], në vetëm dy ajete. Cili është raporti i kësaj rrëfenje me këto ajete, që është fitneja?



Allahu, i fuqishmi e i madhërishmi, thotë:



"Vërtet, Ne dërguam Nuhun te populli i tij dhe ai qëndroi mes tyre [duke i thirrur për te Allahu] njëmijë pa pesëdhjetë vjet. Pastaj i mori vërshimi i madh ndërsa ishin keqbërës. Kështu, Ne e shpëtuam atë dhe ata në anije, dhe këtë e bëmë shenjë për tërë krijimin". [el-Ankebut, 14-15]



Rrëfenja e Nuhut, këtu, gjendet në vetëm dy ajete? Cila është arseja për këtë? Gjithë këtë kohë, 950 vjet, ai po i thërriste ata, ndërsa besimtarët ishin të pakët, siç kuptohet nga një kaptinë tjetër:



"Askush nuk besoi me të, përveç një pakice". [Hud, 40]



Disa nga dijetarët kanë shpjeguar që numri i besimtarëve kishte mbërrit në vetëm 13 sish. Të tjerë ka thënë që kishin qenë shtatëdhjetë e disa burra e gra.



Ai qëndroi ndër ta njëmijë vjet, ndërsa shirku mbizotëronte mes tyre, adhurimi i idhujve Uad, Suwa, Jeghuth, Je'uk e Nasr. Dhe ai po i këshillonte dhe po i thërriste ditë e natë, haptazi e fshehurazi dhe askush nuk iu përgjigj, përveç këtij numri të vogël. A nuk do të ishte kjo vështirë për zemrat?



Vërtet, kjo është një fitne. Nuk qenë 10, 20 apo 50 vjet, madje as 100 vjet. Kaluan 200 vjet, 300, 400, 500, deri në njëmijë pa pesëdhjetë. Atëherë, më në fund, erdhi rrugëdalja nga Allahu, i fuqishmi e i madhërishmi.



Ndaj, një njeri mund të provohet duke parë jetët e gjata të armiqve. Kjo kaptinë e bën besimtarin ta mbajë parasysh këtë dhe të kuptojë se kjo bëhet me një arsye. Allahu thotë:



"... që Allahu t'i vë në pah të vërtetët dhe gënjeshtarët". [el-Ankebut, 1-3]



Kur do të bëhet e njohur kjo? Kjo bëhet atëherë kur fitneja të përballet me sukses. Pra, tema e kaptinës, si po e vërejmë, është fitneja, edhe me rrëfenjën e pejgamberit Nuh. Këtu, mësimi është fitneja. Dhe çfarë do t'ju shpëtojë nga fitneja, e cila vazhdon një kohë të gjatë.



Disa njerëz gabimisht besojnë se çështja e Allahut do t'i mbërrijë si të duan ata. Jo, por urtësia e Allahut përfshin gjithçka. Ai do t'i provojë njerëzit ashtu siç e ka provuar Nuhun dhe popullin tij, që jetuan midis popullit të vet për 950 vjet dhe, pas kësaj, vetëm një grup i vogël njerëzish u përgjigjen.



Pra, në kaptinë përmendet mënyra e suksesshme për t'u përball me provat, dhe kjo bëhet nëpërmjet durimit. Allahu thotë:



"Kështu, Ne e shpëtuam atë dhe ata në anije, dhe këtë e bëmë shenjë për tërë krijimin". [el-Ankebut, 15]




Fitneja e Argumentimit



Pastaj, në rrëfenjën e Ibrahimit, alejhi selam, shohim një lloj tjetër fineje: kundërshtarë që argumentojnë dhe luftojnë kundra thirrjes. Ata nuk nënshtrohen, madje thurin intriga dhe bëjnë plane. Disa gjëra të caktuara të dunjasë, të cilat ata i duan, u janë bërë të qarta atyre, siç thotë Allahu:



"Dhe ai [Ibrahimi] tha:'Ju, në vend të Allahut, po i adhuroni idhujt, duke i dashur ata. Por, kjo dashuri është vetëm në këtë botë, sepse, në Ditën e Gjykimit, ju do të hiqni dorë nga njëri-tjetri..." [el-Ankebut, 25]



Pra, në argumentim ka një lloj fitne. Pak njerëz kanë durim në të vërtetën, që qëndrojnë në të pa u ndikuar nga ky lloj fitneje: dyshimet që idhujtarët mund t'i fusin në kokën e personit. Dhe këto dyshime përtërihen me kalimin e kohës.




Fitneja e epsheve dhe e dëshirave



Pas kësaj, Allahu përmend rrëfenjën e Lutit, alejhi selam. Në të, përmendet fitneja e epsheve të njerëzve, të cilat kundërshtojnë mu natyrën e njeriut. Kjo, së bashku me epshe të tjera dhe mbështetjen e hapur të tyre, nuk u dukej gjë e rrezikshme atyre. Ata e qortonin këdo që i ndalonte nga këto veprime.



Ai [Luti] i ndalonte dhe u thoshte:"Ju s'po leni gjë të keqe pa bërë në tubimet tuaja!" Dhe gjithë çfarë i thoshin ishte:"Na e sill dënimin e Allahut, nëse je i vërtetë!" Ka qenë një fitne e madhe për Lutin që gruaja e tij t'i dorëzohej ligësisë së tyre dhe të behej si ata, duke i nxitur burrat të bënin marrëdhënie seksuale me burrat që shkonin në vendin e tyre, dhe të ngjashme me këtë. Allahu thotë:



"Kështu, Ai e shpëtoi atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij, sepse ajo ishte me ata që mbeten prapa". [el-Araf, 83]



Pra, dëshirat janë një formë e fitnes. Si mundet ai t'u ikën dëshirave e epsheve? Ai u ikën atyre duke i pranuar ato si një burim fitneje.



Epshet në trupin e njeriut Allahu i ka menduar si diçka që ruajnë prejardhjen e tij [duke lind fëmijë] si edhe për t'i provuar robërit se a kanë qëndrueshmëri, apo jo; se a i përmbahet asaj çfarë do Allahu, apo u kthehet dëshirave të veta dhe ato i dalin prej dore, duke bërë çfarëdo që i teket.



Kështu, në këtë rrëfenjë, fitneja qe diçka që çoi në lëshimin e dënimit të Allahut mbi ata që nuk pushonin së bëri gjëra që Ai, i fuqishmi e i madhërishmi, i kishte ndaluar.




Fitneja e mosbindjes në dije



Një tjetër lloj i fitnes është kur njerëzit kanë dije, shoqëria e di cila është e sakta, por nuk punojnë në përputhje me dijen që kanë. Njeriu i paditur mund të mësohet, por, kur dija të jetë shpërndarë gjithandej shoqërisë dhe njerëzit i njohin kufijtë dhe i kuptojnë deri diku gjërat, por, megjithëkëtë, e kundërshtojnë atë çfarë dinë, a nuk është fitne kjo!?



Dija nuk është treguar bekim për ta, por vetëm një fitne. Allahu, i fuqishmi e i madhërishmi, përmend që popujt e Adit dhe të Themudit qenë njerëz të dijshëm. Ata dinin dhe i kuptonin gjërat, por me këtë ata u rebeluan dhe kundërshtuan. Allahu, i lartësuar qoftë, ka thënë:



"Dhe kujto Adin dhe Themudin. Vërtet, vendet [e shkatërruara] të tyre ju janë bërë juve të qarta. Shejtani ua zbukuroi veprimet e tyre dhe i mbajti larg nga Rruga ndërsa ata ishin që dinin". [el-Ankebut, 38]



Shejtani ua zbukuroi veprimet e tyre dhe i mbajti larg Rrugës ndërsa ishin që dinin! A qenë të paditur ata? Jo. A u mungonte diçka nga dija që kishin? Jo. Ata patën dije, por Shejtani ua zbukuroi veprimet dhe kështu i mbajti larg Rrugës. E tërë kjo ndërsa i kuptonin gjërat.



Kjo është një fitne e pamasë, që njeriu të ketë dije, por ai dëgjon Shejtanin, duke e lënë prapa dijen që ka marrë nga Zoti i vet dhe nga i dërguari i Tij, salallahu alejhi ue selam.




Fitneja e debatit



Forca, gjithashtu, mund të jetë një fitne, mu siç dialogët dhe debatet janë fitne në shumë situata. Sot, dialogët propagandohen mjaft, si: debati me të krishterët, debati mes njerëzve, debati mes feve, debati mes medhhebeve, debati mes sekteve, etj. Ky debat është një lloj i fitnes.



Në televizion, emetohen programe rreth kësaj ideje, sepse këto kanë ndikim në zemrat e dobëta. Sheh fe dhe sekte të ndryshme. Njëri adhuron një gjë, tjetri adhuron diçka tjetër. Personit mund t'i shfaqet dyshimi dhe të provohet, nga ky shkak. Por, besimtari i vërtetë e di që kjo shumëllojshmëri është një dëshmi më shumë që e vërteta është vetëm një Rrugë, dhe se të tjerët janë siç ka thënë Allahu, i fuqishmi e i madhërishmi:



"Të lodhur e të këputur nga puna e mundimshme, ata do të vendosen në Zjarrin flakërues". [el-Ghashije, 3-4]



Ata kanë dashur ta ndjekin rrugën e Allahut, por gabuan. Dhe për sa i përket temës së debatit, a duhet njeriu të debatojë, apo jo? A duhet të argumentojë, apo jo? Vërtet, kjo është një fitne.



Por, kush është ai që duhet të debatojë me ta? [Është] Ai që ka dije, jo kushdo! Kështu, duhet të përmendet që, siç e dini edhe ju, disa njerëz u hyjnë debateve me muslimanë të prishur, me të krishterë, me çifutë, apo me fe e ideologji të devijuara. Ata, nganjëherë, mposhten apo kundërshtari është më i fortë. Pra, njerëzit provohen me anë të kësaj.



Allahu, i fuqishmi dhe i lartësuari, ka sqaruar në këtë kaptinë se fitneja do të përhapet, nëse dialogu nuk zhvillohet nga dijetari në mënyrën që është më e mira. Allahu thotë:



"Mos bëni debat me ithtarët e Librit [të krishterët e çifutët], përveç në mënyrën që është më e mira, përveç zullumqarëve prej tyre. Dhe thuaj:'Besoj në atë çfarë na u shpall dhe në atë çfarë ju është shpallur, Zoti ynë dhe juaji është një dhe ne i nënshtrohemi Atij'. Dhe kështu Ne ta shpallëm Librin..." [el-Ankebut, 46-47],



deri ku Ai, i lartësuari, thotë:



"Ato janë dëshmi të qarta në gjokset e atyre që u është dhënë dija". [el-Ankebut, 49]



Pra, Allahu na ndalon të bëjmë debat me ithtarët e Librit, përveç në mënyrën që është më e mira. Por, kush duhet bërë këtë debat? Ai që debaton është ai, që e njeh Kuranin, siç thotë Allahu:



"Ato janë dëshmi të qarta në gjokset e atyre që u është dhënë dija". [el-Ankebut, 49]



Bazuar në këtë, kushdo që nuk e njeh Kuranin, dëshmitë që gjenden në të, shembujt e qartë në të, dëshmitë e tij, se si janë dhënë shembujt e debatit në Kuran, shembuj të debatit me mëkatarë të ligj, që i kalojnë kufijtë, dhe të gjitha kategorive të njerëzve, pra, kushdo që nuk i njeh këto gjëra, ai s'është i përshtatshëm të bëjë debat.



Pra, nuk i takon çdo individi të hyjë në debat me ta, duke përdor opinionet dhe idetë e veta, por ky debat duhet të bëhet nga një dijetar. Debati, ose muxhadeleh, siç është emërtuar në Kuran, është vetëm për dijetarët, ata që i njohin kufijtë, të cilët Allahu ia ka zbritur të dërguarit të vet, salallahu alejhi ue selam.



Ndaj, shumë lehtë mund të ndodhë që fitneja të zë vend në argumentim. Një njeri vjen e thotë:"Debato me mua! Përse nuk debaton me mua!?" Pra, ai shikon të gjejë ndonjë temë për të debatuar. Për cilën çështje ai mund të argumentojë... Në këtë mënyrë shkatërrohen njerëzit e rëndomtë!



Kështu, njeriu duhet ta ruajë fenë në një situatë të këtillë dhe ta shfaqë nderin e fesë së vet. Ai duhet të dijë se Kurani është e vërteta dhe, kushdo që e mban atë në gjoksin e vet, është në të vërtetën, sepse Kurani është një dëshmi e vazhdueshme kundra të gjithë njerëzve.



Mund të ndodhë që një njeri të mos i njohë disa nga dëshmitë e duhura dhe, nëse kështu qëndron puna, atëherë duhet të themi ashtu siç ka thënë Allahu i lartësuar:



"Dhe thuaj:'Besoj në atë çfarë na u shpall dhe në atë çfarë ju është shpallur, Zoti ynë dhe juaji është një dhe ne i nënshtrohemi Atij'. Dhe kështu Ne ta shpallëm Librin..." [el-Ankebut, 47]



Kjo është mënyra e përgjithshme e debatit me ta, kurse detajet e veçanta u janë të njohura atyre që e njohin Kuranin dhe Sheriatin.




Fitneja e dunjasë



Një tjetër fitne ndër ato që përmenden në kaptinë është që Allahu e bën të bukur këtë jetë, me të gjitha kënaqësitë e kota dhe argëtimet e saj, dhe me të gjitha gjërat që është kënaqësi të gëzohesh me to. Njeriu mund të llastohet në këto gjëra dhe ta harrojë jetën e përtejme.



Allahu i lartësuar thotë në pjesën e fundit të kaptinës:



"Jeta e kësaj bote s'është veçse kënaqësi e kotë dhe dëfrim". [el-Ankebut, 64]



Shumë njerëz bien në provim, për shkak të kësaj jete, me kënaqësitë e kota dhe me tërheqjet e saj, duke menduar se këto gjëra do të zgjasin, por ata nuk e njohin realitetin e jetës! Allahu i lartësuar, pas kësaj, thotë:



"Vërtet, vendbanimi i ardhshëm është Hejewan. Vetëm sikur ta dinin!" [el-Ankebut, 64]



Hejewan është një shprehje ekstreme e fjalës hajat/jetë, kështu që ajeti do të thotë se vendbanimi i ardhshëm, parajsa e Zjarri, është vërtet jeta e plotë dhe e përjetshme. Kështu, kushdo që dëshiron kënaqësi të njëmendtë dhe gëzim të plotë, atëherë kjo gjendet në parajsë, në jetën e përtejme.



Kushdo që dëshiron të jetë i lirë nga gjërat e dëmshme, atëherë të gjitha gjërat e dëmshme janë në xhehenem. Kështu, kushdo që dëshiron të ikën prej tyre, atëherë ai ikën nga xhehenemi.



Disa dijetarë, përfshirë edhe Ibn el-Xheuzi, kanë thënë duke e shpjeguar këtë:



"Çfarëdo që Allahu përmend në Kuran, në lidhje me kënaqësitë e dunjasë, kjo është që ju të shikoni në kënaqësitë e kësaj bote dhe të sodisni mbi kënaqësitë e jetës së përtejme.



Se çdo shembull i një gjëje të kënaqshme apo diçka në të cilën njerëzit gjejnë kënaqësi, është dëshmi kundra teje, nëse nuk ke medituar për kënaqësitë e xhenetit.



Dhe çdo shembull i një gjëje të dëmshme në këtë jetë, edhe nëse është diçka që shkakton brengë të lehtë, madje diçka e lehtë sa ethet e dobëta, janë shembuj të cilët Allahu i përdor për të ta rikujtuar jetën e përtejme, dënimin, torturën e humbjen".



Pra, kushdo që kërkon jetën dhe lumturinë e vërtetë, atëherë le ta kërkojë lumturinë e përhershme.



Jeta e kësaj bote, me joshjet dhe dëfrimet e saja, është vetëm kaq – dëfrim dhe zbavitje e pavlerë. Kështu, kjo paraqet një burim te fitnes.



Shikoni sesi po provohen njerëzit sot, nëpërmjet zbavitjes dhe lojës së dynjasë! Përse janë forcuar zemrat? Sepse njerëzit i janë kthyer dëfrimit dhe lojës! Përse ia kanë kthyer shpinën jetës së përtejme? Sepse i janë kthyer dëfrimit dhe lojës! Përse mezi kanë mësuar diçka nga Kurani? Sepse i janë kthyer dëfrimit dhe lojës!



Njeri i përkushtuar dhe i mençur është ai, që shikon thënien e Tij:



"Vërtet, vendbanimi i ardhshëm është Hejewan. Vetëm sikur ta dinin!" [el-Ankebut, 64]




Fitneja e sigurisë dhe e rehatisë



Një lloj tjetër i fitnes që përmendet në këtë kaptinë - dhe ikja prej saj po ashtu përmendet - është fitneja e sigurisë dhe e rehatisë.



Shikoni në sigurinë e Haremit [në Mekë], në sigurinë e vendeve përreth saj, pas shumë vitesh sigurie, njerëzit filluan të besojnë se, ajo që i godet të tjerët, nuk do t'i godet ata.



Në vendet e tjera ndodhin tërmete, kurse njerëzve që jetojnë afër Mekës kjo nuk u ndodh.



Krime, kushte të vështira jetësore, gjëra që i goditin të tjerët... njerëzit që jetojnë në Mekë thonë:"Ne jemi fëmijët e Allahut dhe të dashurit e Tij!" Apo thonë:"Ne jemi të favorizuarit e tij", e gjëra të ngjashme.



Allahu i plotfuqishëm ka thënë, kur e sqaron këtë lloj të fitnes nga fundi i kaptinës:



"A nuk e kanë parë ata se si e kemi bërë të sigurt Haremin, kurse njerëzit grabiten në vendet përreth tyre". [el-Ankebut, 67]



Ky bekim nga Allahu s'duhet të jetë një burim i fitnes për njerëzit, s'duhet që një bekim i Allahut të bëhet fitne, siç i pat siguruar Allahu njerëzit gjatë kohës së njërit nga pejgamberët e kaluar, dhe sa herë që ka dëshiruar, pas tij. Allahu thotë:



"A nuk e kanë parë ata se si e kemi bërë të sigurt Haremin, kurse njerëzit grabiten në vendet përreth tyre". [el-Ankebut, 67]



Çka mendohet me këtë? [Allahu thotë]:



"Atëherë, a do të besojnë në të pavërtetën dhe të tregohen mosmirënjohës për bekimet e Allahut!" [el-Ankebut, 67]



A do të besojnë në të pavërtetën, pasi Allahu i bekoi aq shumë! A do të përfshihen në shirk, në kufr, dhe ta kundërshtojnë porosinë e Muhamedit, salallahu alejhi ue selam, duke iu zotuar dreqërve për bindje. Apo do të bien në gjëra më të vogla se këto, si mosbindja, mëkatimi e shkelja?



Ata janë mosmirënjohës për bekimet e Allahut! Kush ua dha ato bekime? Allahu i plotfuqishëm thotë:



"Çfarëdo që keni nga bekimet, është vetëm nga Allahu. Pastaj, kur ju godet ndonjë e keqe, Atë e thërrisni për ndihmë" [en-Nahl, 53]



Pra, nga shumëllojshmëria e fitneve që Allahu mund të lejojë t'i godasin robërit e vet është ajo që përmendet në këtë kaptinë: që robi të ndjejë se provat dhe çrregullimet janë vetëm për të tjerët, dhe se ai nuk provohet me vështirësi.



Kështu, humbja e pasurisë, siç mund të mendojë ndonjëri, mund të jetë për filanin e jo për të. Sëmundja është për filanin, kurse sa i përket atij, ai nuk sëmuret. Sëmundje të rënda i godasin njerëzit – dhe Allahu na ruajt prej tyre –, dhe vetëm të tjerët, kurse ai ndjen që s'do të goditet nga kjo. Allahu i lartësuar thotë, kur shpjegon këtë shembull:



"A nuk e kanë parë ata se si e kemi bërë të sigurt Haremin, kurse njerëzit grabiten në vendet përreth tyre. Atëherë, a do të besojnë në të pavërtetën dhe të tregohen mosmirënjohës për bekimet e Allahut!" [el-Ankebut, 66-67]




Mbyllje



Këto janë shembuj nga llojet e shumta të fitneve e të provave, si dhe gjërat që ndërlidhen me temën e kaptinës. Kështu, fillimi dhe mbarimi i kaptinës takohen në temën e njëjtë, duke ofruar dëshmi për ata dijetarë, të cilët thonë:" Tema e kaptinës është në pajtim si më fillimin e kaptinës, ashtu edhe me fundin e saj".



Allahu i lartësuar, në fillim të kaptinës, thotë:



"A menduan njerëzit se do të lihen të qetë, pasi të thonë 'Besojmë në Allahun', e të mos përballen me fitne? Vërtet, Ne i provuam ata që erdhën para tyre, me qëllim që Allahu t'i vë në pah të vërtetët dhe gënjeshtarët". [el-Ankebut, 1-3]



Cila është rrugëdalja nga të gjitha këto situata? Përgjigja gjendet në fund të kaptinës, mu në ajetin e fundit:



"Ata që japin mundin në Rrugën Tonë, do t'i udhëzojmë për në Shtigjet Tona. Vërtet, Allahu është me bamirësit". [el-Ankebut, 69]



E lus Allahun, të fuqishmin e të madhërishmin, të na bekojë në atë çfarë dëgjuam dhe të na bëjë nga njerëzit e Kuranit, ata që janë të veçuarit dhe të favorizuarit e Tij, dhe të na e shtojë dijen dhe të na kujtojë për atë që harrojmë.



Po ashtu, e lus të na bëjë nga ata që hallall e konsiderojnë atë që është hallall në Librin e Tij, nga ata që haram e konsiderojnë atë që është haram në Librin e Tij dhe nga ata që fort besojnë në atë që është transmetuar në Librin e Tij lidhur me çështjet e fshehta. Vërtet, Ai, më i larti, është Dhurues i mirësisë, Bujari.