Libër i shejhut të nderuar
Abdurrezzak ibn Abdul-Muhsin el-Abbad el-Bedr





Hamdi (të gjitha falënderimet) i takon vetëm Allahut. Paqja dhe shpëtimi qofshim mbi Imamin e të dërguarve, Pejgamberin tonë, Muhammedin, dhe mbi të gjithë familjen dhe shokët e tij.



Pa dyshim se udhëzimi i rinisë drejt asaj që i afron te Allahu, që përfshin punët e mira, sjelljet e mira dhe përqendrimin në besimin e vërtetë për të cilin janë krijuar krijesat, është prej gjërave primare, me të cilat duhet të merret mësimdhënësi besnik.



Ky qëllim i lartë duhet të jetë pikënisja dhe qëllimi i çdo mësimdhënësi besnik.



Ka rëndësi të posaçme dhe dobi të madhe që mësimdhënësi i matematikës, gjatë orës së mësimit të tij, të merret me çështje matematikore që kanë ardhur në ajete Kur’anore dhe hadithe të vërteta pejgamberike, që kanë të bëjnë me dhikr (përmendje të Allahut) dhe me punë të mira, dhe të mundohet që, përmes tyre, ta lidhë rininë me besimin, me adhurimin me dhe përkujdesjen për dhikrin e Allahut të madhëruar.



Në vijim do sjellim disa detyra matematikore, që do t'i ndihmojnë mësuesit në arritjen e këtij qëllimi:



1. Detyra e parë:



Në Kur’an, Allahu thotë:



(Që d.m.th.) ”Shembulli i atyre që shpenzojnë pasuritë e tyre në rrugë të Allahut është si shembulli i një kokrre që mbin shtatë kallinj, ku çdo kalli ka njëqind kokrra. All-llahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron. Allahu është Bujar i madh, i Gjithëdijshëm”1



Pyetja: Deri në sa kokrra është shumëfishuar kjo kokërr?



Zgjidhja: 7 x 100 = 700 kokrra




2. Detyra e dytë:



Në Kur’an, Allahu thotë:



(Që d.m.th.) ”Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe qëndroi tek ta njëmijë vjet pa pesëdhjetë vjet”2



Pyetja: Sa vjet qëndroi Nuhu, alejhi selam, duke e thirrur popullin e vet në Islam?



Zgjidhja: 1000 – 50 = 950 vjet



--------------------------------------------------------------------------------
1.Sureja el-Bekare, ajeti 261.
2.Sureja el-Ankebut, ajeti 14.

--------------------------------------------------------------------------------


3. Detyra e tretë:



Në Kur’an, Allahu thotë:



(Që d.m.th.) ”Dhe shtatzënia e tij dhe gji-dhënia e tij janë tridhjetë muaj”3



Dhe thotë:



(Që d.m.th.) ”Dhe nënat u japin gji fëmijëve të tyre dy vite të plota”4



Pyetja: Sa është koha më e shkurtë e shtatzënisë?



Zgjidhja: Dy vite = 24 muaj



Shtatzënia më e shkurtër është 30 – 24 = 6 muaj




4. Detyra e katërt:



Allahu i madhëruar thotë:



(Që d.m.th.) ”Nata e Kadrit vlen më shumë se njëmijë muaj”5



Pyetja e parë: Sa vjet bën nata e Kadrit?
Pyetja e dytë: Sa ditë bën nata e Kadrit?



Zgjidhja:



1. Nata e Kadrit në vite është 1 000 ÷ 12 = 83.33 vite
2. Nata e Kadrit në ditë është: një muaj = 30 ditë; 1000 x 30 = 30 000 ditë



--------------------------------------------------------------------------------
3.Sureja el-Ahkaf, ajeti 15.
4.Sureja el-Bekare, ajeti 233.
5.Sureja el-Kadr, ajeti 3.

--------------------------------------------------------------------------------

5. Detyra e pestë:


Allahu i madhëruar thotë:



(Që d.m.th.) ”Dhe qëndruan në shpellën e tyre treqind vjet dhe i shtuan nëntë”6



Pyetja: Sa qëndruan këta çuna në shpellë?



Zgjidhja: 300 + 9 = 309 vjet




6. Detyra e gjashtë:



Abdullah ibn Zubejri, Allahu qoftë i kënaqur me të dytë, thotë se i dërguari i Allahut ka thënë:



”Një namaz në këtë xhaminë time është më i vlefshëm se njëmijë namaze në xhamitë tjera, pos Mesxhid el-Haramit (Ka’bes), dhe një namaz në Mesxhid el-Haram është më i mirë se një namaz në këtë xhaminë time për njëqind herë”7.



--------------------------------------------------------------------------------
6.Sureja el-Kehf, ajeti 25.
7.E transmeton Ahmedi në “Musned”, (4/5) dhe e ka bërë sahih Albani në ”Sahih el-Xhami“ (3735).

--------------------------------------------------------------------------------

Pyetje: Sa është më i vlefshëm namazi në Mesxhid el-Haram se në xhamitë tjera, pos xhamisë së të dërguarit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshim mbi të?



Zgjidhja: 1 000 x 1 000 = 100 000 namaze.




7. Detyra e shtatë:



Transmeton Tirmidhiu dhe Ebu Daudi (teksti është sipas tij) nga Abdullah ibn Amr ibn el-‘As, Allahu qoftë i kënaqur me të dytë, nga i Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, të ketë thënë:



”Nuk ka rob musliman që kujdeset dhe iu rri gati dy cilësive vetëm se do te futet në xhenet. Ato dy janë të lehta, por ata që iu rrinë gati atyre janë të paktë. (Cilësia e parë sh.p.) Të thotë subhanallah, pas çdo namazi, dhjetë herë; el-hamdulil-lah dhjetë herë dhe Allahu ekber dhjetë herë. Kjo është njëqindepesëdhjetë në gjuhë dhe njëmijepesëqind në Mizan (peshojën e veprave sh.p.). (Cilësia e dytë sh.p.) Të thotë Allahu ekber tridhjetekatër herë, kur të shtrihet për gjumë; tridhjetetre herë el-hamdulil-lah dhe tridhjetetre herë subhanallah. Kjo është njëqind në gjuhë dhe njëmijë në Mizan. (Thotë transmetuesi, Abdullah ibn Amri, sh.p.) Dhe e kam parë të dërguarin e Allahut t'i njihte këto me dorë…”8



--------------------------------------------------------------------------------
8.Tirmidhiu (3410) dhe Ebu Daudi (5065) dhe e ka bërë sahih Albani.
9.Ky është argument shumë i qartë që dhikri (përmendja e Allahut) pas namazit bëhet me dorë, me gishtërinj, jo me tespi (sh.p.).

--------------------------------------------------------------------------------

Pyetja: Trego në çfarë mënyre e arrin muslimani këtë numër të madh të shpërblimeve?



Së pari, çka thuhet pas namazeve:



1- tesbihet10 + tekbiret11 + tahmidet12: 10 + 10 + 10 = 30 herë
2- kjo shumë herë (x) numri i namazeve në ditë: 30 x 5 = 150 herë
3- kjo shumë (150) herë 10, ngase çdo vepër e mirë shpërblehet me dhjetëfishin e saj: 150 x 10 = 1500 vepra të mira.



Së dyti, çka thuhet para gjumit:



1- tekbiret + tahmidet + tespihet: 34 + 33 + 33 = 100
2- shuma (100) herë 10, ngase çdo vepër e mirë shpërblehet me dhjetëfishin e saj: 100 x 10 = 1 000



Shuma e tërësishme për tërë ditën është (1 500 + 1 000 =) 2 500 vepra të mira.



Për këtë arsye, ka ardhur në shtojcën e këtij hadithi te Tirmidhiu se i dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:



”E, kush nga ju i bën dymijepesëqind të këqija në ditë e natë (?!)”.



--------------------------------------------------------------------------------
10.Të thënët subhanallah.
11.Të thënët Allahu ekber.
12.Të thënët el-hamdulil-lah.

--------------------------------------------------------------------------------

8. Detyra e tetë:


Transmeton Eus ibn Eus eth-Thekafi, Allahu qoftë i kënaqur me të:”Dëgjova të dërguarin e Allahut të thotë:



”Kush e pastron mirë kokën dhe trupin ditën e xhuma, shkon herët (në xhami), ecë dhe nuk hip në mjet udhëtimi, i afrohet Imamit, dëgjon dhe nuk bën gjëra të kota, ka shpërblim për çdo hap që e bën (d.m.th. deri në xhami sh.p.) punën e një viti, namazin e tij dhe agjërimin e tij”.13



Pyetja: Kush e bën këtë Sunnet dhe ka deri te xhamia 500 metra, sa sevape i shkruhen atij? Dhe, nëse e praktikon këtë për një muaj, sa bëhen sevapet e tij?



Zgjidhja:



1- Shpërblimi i tij për një xhuma: një metër = dy hapa, përafërsisht; 500 x 2 = 1 000 hapa



D.m.th., shpërblimi i namazit dhe i agjërimit të 1 000 vjetëve në një xhuma të vetme.



2- Shpërblimi i tij për një muaj: një muaj = 4 xhuma; 1 000 x 4 = 4 000



D.m.th., shpërblimi i namazit dhe i agjërimit të 4 000 vjetëve për katër xhuma.



--------------------------------------------------------------------------------
13.Transmeton Ebu Daudi (345), Tirmidhiu (496), Nesaiu (1383) dhe ibn Maxhe (1087), dhe e ka bërë sahih Albani në “Sahih et-Tergib” (687).

--------------------------------------------------------------------------------

9. Detyra e nëntë:


Është vërtetuar në Sahihajn (Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit) nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut ka thënë:



”Kush thotë njëqind herë në ditë La Ilahe Il-lall-llahu uahdehu la sherike lehu (nuk ka ndonjë që meriton të adhurohet, pos Allahut. Ai është i vetëm, që nuk ka ortak. Atij i takon sundimi dhe Hamdi14 dhe Ai është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë), do të ketë shpërblim sikur t’i lirojë dhjetë robër, i shkruhen atij njëqind të mira, i shlyhen njëqind të këqija, dhe do t’i ketë ato mburojë nga shejtani atë ditë, deri në mbrëmje, dhe askush, atë ditë, nuk vjen me punë më të mirë se ai, pos dikush që ka bërë me shumë se ai”.15



Pyetja: Ky shpërblim është për një ditë. Çfarë është shpërblimi i një viti të plotë për atë, të cilit i mundësohet ta bëjë këtë dhikr çdo ditë?



Zgjidhja:



1- Numri i robërve të liruar që i shënohen atij: 360 x 10 = 3 600 robër
2- Numri i sevapeve që i shkruhen: 360 x 100 = 36 000 sevape
3- Numri i gjynaheve që i shlyhen: 360 x 100 = 36 000 gjynahe



--------------------------------------------------------------------------------
14.I tërë falënderimi.
15.Buhariu (4605) dhe Muslimi (2691).

--------------------------------------------------------------------------------


10. Detyra e dhjetë:



Ibn Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë:”E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë:



'Kush bën tauaf (sillet) rreth Ka’bes shtatë herë dhe i falë dy rekate, është sikurse ta lirojë një rob'”.16



Pyetja: Shpërblimin e lirimit të sa robërve e ka ai që bën njëzetenjë herë tauaf rreth Ka’bes?



Zgjidhja: 21 ÷ 7 = 3, d.m.th., sikurse t’i lirojë tre robër.




11. Detyra e njëmbëdhjetë:



Muslimi transmeton nga Abdullah ibn Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi ka thënë:



”Sillet Xhehennemi atë ditë (Ditën e Gjykimit sh.p.). Ai i ka shtatëdhjetëmijë litarë tërheqës dhe në çdo litar ka shtatëdhjetëmijë Melaqe që e tërheqin atë”.17



Pyetja: Sa është numri i Melaqeve, që e tërheqin Xhehennemin për në vendtubimin e njerëzve, në Ditën e Gjykimit?



Zgjidhja: 70 000 x 70 000 = 4 900 000 000 (Katër miliardë e nëntëqind milionë Melaqe)



--------------------------------------------------------------------------------
16.Ibn Maxhe (2956), dhe e ka bërë sahih Albani në “Sahih el-Xhami“ (6255).
17.Sahihu i Muslimit (2842).

--------------------------------------------------------------------------------


12. Detyra e dymbëdhjetë:



Muslimi transmeton nga Sa’d ibn Ebi Uekkas se ka thënë:”Ishim te i Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, dhe ai tha:



”A ka kush nga ju që nuk mundet t'i fitojë njëmijë sevape në ditë? Tha njëri nga ata që ishte ulur me të:”Si mund t'i fitojë dikush nga ne njëmijë sevape?” Tha:”Të thotë njëqind herë Subhanallah dhe i shkruhen njëmijë sevape ose i shlyhen një mijë gjynahe”.18



Pyetja: Nëse këto sevape janë për një ditë, atëherë sa është numri i sevapeve që i fiton dhe i gjynaheve që i shlyhen, brenda një muaji?



Zgjidhja: 1 000 sevape x 30 = 30 000 sevape; 1 000 gjynahe x 30 = 30 000 gjynahe.




13. Detyra e trembëdhjetë:



Është vërtetuar në Sahihajn (Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit) nga hadithi i Ibn Abbasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga i Dërguari i Allahut:



”Se shtatëqind mijë nga Ummeti i tij do të hyjnë në Xhennet, pa llogari dhe pa dënim”.19



--------------------------------------------------------------------------------
18.Sahihu i Muslimit (2698).
19.Buhariu (6541) dhe Muslimi (216).

--------------------------------------------------------------------------------

Dhe ka ardhur në një transmetim të Ahmedit:



”Prandaj, i kërkova Zotit tim të më shtonte, dhe më shtoi në çdo njëmijë shtatëdhjetë mijë”.20



Dhe në një transmetim tjetër te ai:



”Me secilin prej tyre shtatëdhjetë mijë”.21



Pyetja: Sa është numri i hyrësve në Xhennet, pa llogari e pa dënim, prej Ummetit të Muhammedit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, në bazë të këtyre dy transmetimeve?



Zgjidhja:



Sipas transmetimit të parë: 70 x 70 000 = 4 900 000 (Katër milionë e nëntëqind mijë)
Sipas transmetimit te dytë: 70 000 x 70 000 = 4 900 000 000 (Katër miliardë e nëntëqind milionë)


14. Detyra e katërmbëdhjetë:



Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut ka thënë:



”Zoti ynë i bekuar dhe i lartësuar zbret çdo natë në qiellin e dunjasë, kur mbetet pjesa e tretë e natës, dhe thotë:'A ka kush që më lutet, që t'i përgjigjem. A ka kush që kërkon diç nga unë, që t’ia jap. A ka kush që më kërkon falje, që t’ia fal”.22



--------------------------------------------------------------------------------
20.“Musned-i” i Imam Ahmedit (8707) (me sened sahih sh.p.).
21.“Musned-i” i Imam Ahmedit (22) (Senedi i tij është i dobët. Në të është një transmetues, të cilit nuk iu ka përmendur emri dhe nuk dihet kush është. sh.p.).
22.Buhariu (7494) dhe Muslimi (758).

--------------------------------------------------------------------------------

Pyetja: Nëse akshami hyn në ora gjashtë të mbrëmjes (ora tetëmbëdhjetë sh.p.) dhe sabahu në ora gjashtë të mëngjesit, kur fillon pjesa e tretë e natës në të cilën zbret Zoti ynë i lartësuar?



Zgjidhja: 18 – 6 = 12 (Orët e ditës); 24 – 12 = 12 (Orët e natës); 12 ÷ 3 = 4 (Orët e një të trete të natës)



Dy të tretat e para të natës: 4 x 2 = 8; 18 + 8 = 26 (Ora e vaktit të akshamit, plus orët e dy të tretave të para të natës sh.p.)



Pjesa e tretë e natës fillon nga ora 26 – 24 = 2, d.m.th., në orën dy pas mesnate.




15. Detyra e pesëmbëdhjetë:



Në hadithin e Mi’raxhit23, që gjendet në dy Sahihat, është transmetuar:



”Se në Bejt el-Ma’mur24 hyjnë çdo ditë shtatëdhjetëmijë melaqe dhe nuk kthehen më te ai.”25



Pyetje: Sa është numri i Melaikeve që hyjnë në të brenda një jave?



Zgjidhja: 70 000 x 7 = 490 000



--------------------------------------------------------------------------------
23.Ngritjes së Muhammedit, salallahu alejhi ue selam, në qiell.
24.Shtëpi në qiell, rreth së cilës bëjnë tauaf Melaiket, ashtu siç bëjnë njerëzit tauaf në tokë rreth Ka’bes sh.p.
25.Sahihu i Buhariut (7494) dhe Sahihu i Muslimit (758).

--------------------------------------------------------------------------------


16. Detyra e gjashtëmbëdhjetë:



‘Imran ibn Husajni, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë:



”Erdhi një njeri te i Dërguari i Allahut dhe tha:'Es-Selamu alejkum'.



Ia ktheu (d.m.th. pejgamberi selamin sh.p.). Pastaj, u ul (d.m.th. ai njeriu sh.p.) dhe i Dërguari i Allahut tha:'Dhjetë'.



Pastaj, erdhi një tjetër dhe tha:'Es-Selam alejkum ue rahmetullah'.



Ia ktheu atij dhe ai u ul, dhe tha (d.m.th. i Dërguari i Allahut):'Njëzetë'.



Pastaj, erdhi një tjetër dhe tha:'Es-Selam alejkum ue rahmetullah ue berekatuhu'.



Ia ktheu atij selamin dhe ai u ul, dhe tha (d.m.th. i Dërguari i Allahut):'Tridhjetë'.26



Pyetja: Një njeri, një ditë, u jep dyzet herë selam vëllezërve te vet muslimanë. Njëzet herë u thotë es-Selamu alejkum ue rahmetullah dhe njëzet herë es-Selam alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu. Sa sevape i ka ai për këtë vepër?



Zgjidhja:



Për njëzet të parat: 20 x 20 = 400 sevape.
Për njëzet të dytat: 30 x 20 = 600 sevape.

Gjithsej: 400 + 600 = 1 000 sevape.



--------------------------------------------------------------------------------
26.Ebu Daudi (5195) dhe Tirmidhiu (2689) (Dhe e ka bërë sahih Imam Albani, Allahu e shpëntë në Xhennetet më të larta sh.p.)

--------------------------------------------------------------------------------


17. Detyra e shtatëmbëdhjetë:



Numri i tekbireve (Thënieve Allahu Ekber sh.p.) në farzet e pesë namazeve farz të një dite është nëntëdhjetëekatër tekbire.



Pyetja: Sa është numri i tekbireve të një viti?



Zgjidhja: 94 x 360 = 33 840 tekbire në një vit.



Ky është numri i tekbireve të farzeve, e si do të ishte po të kujdesej robi për sunnetet dhe dhikret e përgjithshme të dobishme.




18. Detyra e tetëmbëdhjetë:



Është vërtetuar në Sunnet se i Dërguari i Allahut ka thënë:



”Allahu, me të vërtetë, i ka zgjedhur katër fjalë: subhanallahi, el-hamdulil-lahi, la Ilahe il-lall-llahu dhe Allahu ekber. Prandaj, kush thotë Subhanallah, i shkruhen njëzet sevape dhe i shlyhen njëzet gjynahe. Ashtu e ka edhe ai që thotë Allahu ekber dhe ai që thotë La Ilahe il-lall-llah. Kurse, ai që thotë el-Hamdu lil-lahi Rabbil-alemin nga vetvetja, i shkruhen tridhjetë sevape dhe i shlyhen tridhjetë gjynahe”.27



Pyetja: Një nxënës i përsëriti këto katër fjalë dhjetë herë. Sa është numri i sevapeve që i janë shkruar dhe numri i gjynaheve që i janë shlyer?



Zgjidhja: Subhanallah + el-Hamdu lil-lahi Rabbi-lalemin + la Ilahe il-lallah + Allahu ekber; 20 + 30 + 20 + 20 = 90



Rezultati: 90 x 10 = 900 sevape.



Dhe, po ashtu, i janë shlyer 900 gjynahe.



--------------------------------------------------------------------------------
27.Hakimi në “el-Mustedrak”, f.379 nr.1929 dhe e ka bërë sahih Albani në “Sahih el-Xhami’ es-Sagir” (1718).

--------------------------------------------------------------------------------

19. Detyra e nëntëmbëdhjetë:


Tirmidhiu transmeton nga ‘Umer ibn Hattabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut ka thënë:



”Kush hyn në treg dhe thotë la Ilahe il-lallahu uahdehu la sherike lehu lehul-mulku e lehul-hamdu juhji ue jumitu ue hue Hajjun la jemutu bijedihi-hajru ue hue ala kul-li shej’in kadir (d.m.th. S’ka ndonjë që meriton adhurim, pos Allahut, i cili është një, që s’ka ortak. Atij i takon Sundimi dhe hamdi [I tërë falënderimi]. Ai jep jetë dhe vdekje, Ai është i Gjallë e nuk vdes. Në dorën e Tij është krejt e mira dhe Ai është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë), Allahu ia shkruan njëmijë-mijë (një milion) sevape, ia shlyen njëmijë-mijë gjynahe, ia ngrit njëmijë-mijë shkallë dhe ia ndërton një shtëpi në Xhennet”.28



Pyetja: Sa sevape ka kush hyn në treg dhe e thotë këtë dhikr të bekuar, sa gjynahe i shlyhen dhe sa shkallë ngrihet?



Zgjidhja:

Numri i sevapeve që i shkruhen: 1 000 x 1 000 = 1 000 000 sevape.
Numri i gjynaheve që i shlyhen: 1 000 x 1 000 = 1 000 000 gjynahe.
Numri i shkallëve që ngrihet: 1 000 x 1 000 = 1 000 000 shkallë.



--------------------------------------------------------------------------------
28.Tirmidhiu në “Xhami’“ (3428) (Dhe Ibn Maxhe [2235] sh.p.). Dhe e ka bërë hasen Albani.

--------------------------------------------------------------------------------


20. Detyra e njëzetë:



Muslimi ka transmetuar në “Sahih”-un e tij se i dërguari i Allahut ka thënë:



”Kush pastrohet (merr abdes) në shtëpinë e vet, pastaj ecën në një shtëpi prej shtëpive të Allahut, që ta kryej një farz (obligim) prej farzeve të Allahut, hapat e tij bëhen që njëri të shlyej gjynah e tjetri të ngrit shkallë”.29



Dhe erdhi në disa hadithe se ky shpërblim vlen për të “Duke shkuar dhe duke u kthyer”.30



Pyetja: Ahmedi banon në një shtëpi, që e ka larg xhaminë 1 km. Sa shkallë (pozita dhe ngritje te Allahu sh.p.) i arrin në një ditë kur shkon t’i falë pesë vaktet?



Zgjidhja: 1km = 1 000 m; 1 m = dy hapa, përafërsisht.



2 x 1 000 = 2 000 shkallë.
2 000 x 5 = 10 000 shkallë gjatë shkuarjes.
10 000 x 2 = 20 000 shkallë në vajtje-ardhje.



--------------------------------------------------------------------------------
29.Ahmedi (2/172) dhe e ka bërë Sahih Albani në”Sahih et-Tergib uet-Terhib” (295).

--------------------------------------------------------------------------------


21. Detyra e njëzetenjët:



Është vërtetuar në Sahih të Muslimit se:



”Kush e mbyt një uezegah30 me një goditje, i shkruhen njëqind sevape; kush e mbyt me të dytën, (I shkruhen sh.p) më pak; kush e mbyt me të tretën, më pak”.31



Pyetja: Një njeri i mbyt katër uezegah me nga një goditje. Sa sevape fiton ai njeri?



Zgjidhja: 100 x 4 = 400 sevape.




22. Detyra e njëzetedytë:



Është vërtetuar në Sunnet se:



”Kush e viziton një vëlla të vetin (të sëmurë sh.p.), ai ecën duke i vjel frutat e Xhennetit, derisa të ulet. Kur të ulet, atë e kaplon rahmeti (mëshira e Allahut sh.p.). Nëse është në mëngjes (d.m.th. kjo vizitë), për të do të luten shtatëdhjetëmijë melaqe, derisa të ngrysë; nëse është në mbrëmje, do të luten për të shtatëdhjetëmijë melaqe, derisa të gdhijë”.32



Pyetja: Një njeri është i rregullt në vizitën e një të sëmuri nga vëllezërit e tij muslimanë gjatë një muaji, duke e vizituar atë çdo javë. Sa është numri i melaikeve që luten për të?



Zgjidhja: 70 000 x 4 = 280 000 melaqe.



--------------------------------------------------------------------------------
30.Një lloj hardhuce e vogël, e neveritshme, që gjendet në vendet e nxehta. Sh.p.
31.“Sahih”-u i Muslimit (2240).
32.“Sahih el-Xhami’ es-Sagir” (5934) (Hadithi është në “Sunen” të Ebu Daudit (3096) dhe në “Xhami“ të Tirmidhiut (969), dhe e ka bërë sahih Imami i muslimanëve të kësaj kohe, shejh Muhammed Nasirud-din el-Albani, Allahu e shpërbleftë me Xhennetin më të lartë, në “Silsileh es-Sahihah" (1367). Sh.p.)

--------------------------------------------------------------------------------


23. Detyra e njëzetetretë:



Abdullah ibn Mes’udi ka thënë:



”Na ka treguar i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, dhe ai është i sinqerti dhe i vërtetuar për i sinqertë:'Me të vërtetë, njërit nga ju i tubohet qenia e tij si pikë uji, në barkun e nënës së tij, për dyzet ditë, pastaj bëhet pikë gjaku i ngjizur për po aq kohë (d.m.th. dyzet ditë sh.p.), pastaj bëhet copë mishi për po aq kohë, pastaj i dërgohet atij meleku, i cili e fryn në të shpirtin dhe urdhërohet me katër fjalë: me shkrimin e rizkut (furnizimit) të tij, me exhelin (jetëgjatësinë) e tij, me punën e tij dhe se a do të jetë i pikëlluar apo i gëzuar…” (Buhariu dhe Muslimi)



Pyetja: Sa ditë kalon embrioni, para se të fryhet shpirti në të?



Zgjidhja: 40 ditë pikë uji + 40 ditë gjak i ngjizur + 40 ditë copë mishi = 120 ditë.




24. Detyra e njëzetekatërt:



Muslimi transmeton nga Ebu Ejjub el-Ensari se i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:



”Kush e agjëron Ramazanin, pastaj atij ia pason gjashtë ditë nga shewali33, është sikurse të agjërojë krejt kohën”.34



Pyetja: Si bëhet që agjërimi i një muaji dhe i gjashtë ditëve të shewalit të jetë sikur agjërimi i përhershëm?



Zgjidhja: Një (punë) e mirë shumëfishohet me dhjetë të ngjashme. Pra, ramadani barazohet me treqind, kurse gjashtë ditët me gjashtëdhjetë, dhe ky është numri i ditëve të vitit.



30 x 10 = 300
6 x 10 = 60
300 + 60 = 360 ditë



--------------------------------------------------------------------------------
33.“Sahih”-u i Muslimit (1164).
34.Muaji i dhjetë i kalendarit hixhri, që vjen pas ramadanit. Sh.p.

--------------------------------------------------------------------------------


25. Detyra e njëzetepestë:



Tirmidhiu ka transmetuar nga Abdullah ibn Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut ka thënë:



”Kush e lexon një shkronjë nga libri i Allahut, ka sevape për të dhe sevapi shpërblehet me dhjetë të ngjashëm. Nuk them Elif-Lam-Mim është një shkronjë, por Elifi është një shkronjë, Lami është një shkronjë dhe Mimi është një shkronjë”.35



Pyetja: Nëse dikush e lexon suren el-Ihlas, çfarë shpërblimi meriton, duke e ditur se numri i shkronjave të kësaj sureje është 47 shkronja?



Zgjidhja: 47 x 10 = 470 sevape.



--------------------------------------------------------------------------------
35.“el-Xhami“ i Tirmidhiut (2910), dhe hadithi është sahih siç ka thënë Albani.

--------------------------------------------------------------------------------

Këta që i përmendëm janë vetëm disa shembuj, e qëllimi është tërheqja e vërejtjes. Disa prej tyre nuk nënkuptojnë përcaktimin e saktë të shpërblimit me atë që u përmend, por kemi për qëllim përafrimin, e mirësia e Allahut është e gjerë. Nuk kam përmendur ndonjë shembull që ka të bëjë me rregullat e trashëgimisë apo zekatit, ngase kjo është një kaptinë e gjerë dhe shumica e saj ka të bëjë me probleme matematikore. Gjithashtu, mësuesi duhet t’i shfrytëzojë këto, për të depërtuar te nxënësit me këshilla e udhëzime të dobishme dhe ndikuese. Dhe, te Allahu është shpërblimi i tij. Gjithashtu, propozoj që këta shembuj të futen në plan-programet shkollore, për shkak të dobive që priten prej tyre. Gjithashtu, e shfrytëzoj rastin ta falënderoj çdokënd që ka ndihmuar në përgatitjen e këtij libërthi me propozim, me kujtim, me shembuj apo me recensim, etj. Allahu është ai që jep sukses dhe e lus atë që të bëjë të ketë dobi nga ky mund dhe ta bëjë atë të sinqertë për fytyrën e Tij dhe të dobishme për robërit e Tij. Me të vërtetë, Ai dëgjon gjithçka, u përgjigjet lutjeve. Dhe Salatet dhe selamet qofshin mbi Muhammedin, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.




Shqipëroi: Ahmet Hoxha Ebu Abdurrezak
28.05.1427
24.06.2006
Prishtinë, pas namazit të akshamit.