Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1

    Në Himarën e kapedanëve të penës e të dyfekut

    Reportazh nga Laureta Petoshati


    Nuk ka motiv më të bukur se sa të shkosh në Himarë për një promovim libri e aq më tepër kur ky libër është i një autori si Kristo Çipa që njëkohësisht është poet dhe këngëtar i Bregut, të kësaj treve që është e shquar për penat e shenjtëruara të vjershërimit dhe të ligjërimit shqip. Dhe nuk janë pak...Bregu është panteon i apostujve të letrave shqipe, i atyre njerëzve që magjepsjen e natyrës së Bregut e shndërruan në një tjetër magjepsje, në një tjetër dehje, në atë të këngës, në atë të shkronjave dhe të letrave shqipe. Shpirti i Lekë Matrëngës, Petro Markos, Andrea Varfit, Aleks Çaçit, Spiro Çomorës, Odhise Grillos, Enriko Veizit, Janko Palit, Anastas Kondos së bashku me këngët e pavdekshme të Neço Mukos, Nase Benit e Jani Janjajt, vijnë dhe zgjojnë nga gjumi të gjallët e pafjetur për të dhënë më shumë, për të kënduar më shumë. Dhe ja tashmë pas princit të polifonisë Lefter Çipa, një tjetër vëlla i tij më i vogël, Kristo, jo vetëm që ka hyrë në botën e këngës, por tashmë dhe në atë të poezisë me anë të librit “Guri i rëndë në vend të vet”. “Në Jal do ta bëj promovimin”- më thotë Kristoja kur më bëri ftesën. Dhe nuk ka vend më të bukur në të gjithë Bregun se Jali që ka mbledhur bashkë gjithë yjet e bukurisë : të detit, të tokës, së shpirtit e që nuk të lë vend për refuzime. Gjithë rrugës për tek ky vend madhështor në gji të detit, më ngeli në buzë, ajo kënga polifonike që i ka kënduar populli që kur nuk mbahet mend: “O Jali grykë me derte, / Gryk’ e bukur në Bregdete, / Gjithë ç’i bëre për vete / O nuri në vilajete.” Me librin e Kristos në dorë, kur lexon, fjalë pas fjale, ato poezi të mrekullueshme dhe sheh rrugën gjarpëruese mbasi kalon Qafën e Llogorasë që kreh qiellin me pishat e gjelbra, po aq reale sa dhe mitike, aty, ku fillon të vagëllohet dhe të firojë pak nga pak mjegulla, të del përpara një det i mrekullueshëm dhe mendon se janë pikërisht dallgët e tij, me të cilat ka shkruar ky poet. Vishat, ilqet, fiqtë e detit, selvitë, valanidhet dhe vetullorja e brezareve që bregasit e quajnë Gajtanika, shkëlqejnë nga shiu i disa ditëve më parë të këtij fundshtatori e në këtë shkëlqim bashkëshoqërojnë diellin që varet mbi ujërat e paqme të Palasës e zgjaten përfund përtej Dhëmiut të Petro Markos, tek Shpella e Piratëve për të vazhduar më tej me atë të Parashqevisë që humbet në shkëmb, tek stalagmitet e Shpellës së Qiricit, e zhytet thellë nëpër thellësitë e koraleve e xhixhivalleve të fjetura ku gjallon e lëvrin natyra. “Hapu vetëtimë se shkova / Pritmëni malet e flakës / Si zogu nga deti dola / Unë jam Damjani i Himarës. / Dhe guri më njeh / Shpirt e gjak i kësaj nëne / Amanet për këto vënde” – shkruan e këndon Kristo Çipa, i cili padyshim ka pasur në mend këto bukuri të pafre që kanë nxjerrë trima të pafre si Damjan Himarjoti. Me këto mendime arrijmë në Vuno, që dikur, sipas kadastrave turke quhej “Vunë”, pikërisht se shtëpitë janë të vendosura njëra mbi tjetrën, aq sa të kujtojnë Beratin. Shohim bokërimat e zhveshura dhe të thata, të cilat tek – tuk kuqojnë nga shqopa që përthyhet me maret e gjelbra e me lule të bardha të mbledhura vile. Kanionet mbi valë të detit të shoqërojnë në rrugën për në Jal, një rrugë e ngushtë nëpër ullinjtë që sapo kanë lidhur kokrra, e cila herë-pas here kalonte nëpër livadhe të vegjël e me bagëti të imta që përzienin zilet e këmborët me flladin dhe erën e detit.

    Në Jal, në një mjedis të hapur, por tërësisht mahnitës, në një tavolinë të rrumbullakët si ato të burrështetasve, poeti Kristo Çipa, kishte ftuar në promovimin e librit të tij poetë, shkrimtarë, artistë, këngëtarë të polifonisë, familjarë, madje dhe njerëz të politikës, dashamirës të kulturës dhe të Bregut, si deputetët Bujar Leskaj dhe Nikollaq Nerenxi, kryetarin e PDK-dega Vlorë, zotin Baki Jazaj, etj. Një takim në një monument natyror, që të detyronte të dëgjojë me shumë përfillje çdo fjalë që thuhej për librin poetik me përmbajtje tërësisht atdhetare “Guri i rëndë në vend të vet”. Botuesi i librit dhe njëkohësisht president i Shtëpisë Botuese “Toena”, zoti Fatmir Toçi, i cili bëri dhe hapjen e këtij tubimi, tha ndërmjet të tjerash se “Kristo Çipa e ka shkruar vëllimin poetik me një ndjesi të jashtëzakonshme, duke thënë se është një vëzhgues i shkëlqyer i fenomeneve shoqërore që ka shoqëria shqiptare sot. Ka një ndjesi tepër të madhe ndaj njerëzve, ndaj personave të ndryshëm, ndaj trevave, që këtu, në këtë libër, janë të shprehura edhe me vende të veçanta, duke filluar që nga Piluri i tij i famshëm, por dhe Himara, dhe Vlora, dhe Saranda, edhe Kosova nuk mungojnë në këtë libër, dhe qytete të tjera, dhe Labëria në tërësi pjesë e së cilës është dhe Himara për ata që nuk janë shumë të qartë në këtë pikë. ...Kristo Çipa duket si një njeri që ka hipur në majë të Pilurit, atje ka marrë një grusht dhé dhe e ka hedhur mbi fushën ku shtrihet Himara.” Ndërsa sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve –dega Vlorë, zoti Albert Abazi, në diskutimin e tij mbi këtë libër, foli dhe për vlerat letrare, personalitetet e përmasave të mëdha që Bregu ka dhënë në kulturën shqiptare dhe janë udhërrëfyes jo vetëm për bregasit, por për të gjithë poetët dhe shkrimtarët e kombit tonë, duke thënë më tej se “Kristo Çipa shkroi librin “Gur i rëndë në vend të vet”, por ky libër nuk është më i Kristos, ai është yni, sepse ne po i shijojmë poezitë e tij, të çiltra, të ngarkuara me ndjenja të pastra, të mbushura me figuracione që përcjellin mesazhe të larta njerëzore, artistike dhe atdhetare.”

    I kujdesshëm, për të mos munguar asnjëherë në takimet ku flitet për artin dhe kulturën shqiptare, aq më tepër në promovimin e librit të Kristo Çipës, i dëgjuar tashmë për këngët e tij legjendë kushtuar kombit, Kosovës, Çamërisë, Shqipërisë natyrale, e sidomos me strofën legjendë “Ne s’kemi ëndërr të madhe / aq sa ka folenë Shqiponja/ Shqipëria natyrale / katër vilajetet tona” deputeti Bujar Leskaj, u shpreh se “për një moment imagjinoja debatet që mund të ketë pasur botuesi me poetin Çipa për titullin e këtij libri “Guri i rëndë në vend të vet”. Në fakt, natyrshëm, ka triumfuar poeti. Ka triumfuar se ky titull është thelbi i poezisë së Kristo Çipës, është thelbi i epizmit dhe i lirizmit të tij, por mbi të gjitha është thelbi i njerëzve të ndritur të Himarës dhe krejt Bregdetit, ndaj në këtë vëllim padyshim spikat mbi të gjitha poema “Himarë o dheu im.” Me një çiltërsi mjaft të përzemërt, që i shkon më tepër një poeti se sa një politikani, me një shaka e hollë, për të vënë në sedër dhe në garë dy vëllezërit Lefter e Kristo Çipa, deputeti Leskaj, thotë se “Në thelb problemi që ne kemi sot me njëri-tjetrin, pavarësisht se ne nuk e shprehim, është ajo që ne në vetvete pyesim që a po e arrin, e ka arritur, apo do ta arrijë Kristo Çipa patriarkun e këngës labe, vëllain e tij të madh, Lefter Çipa?! Unë mendoj se edhe dy, edhe tre jetë të ketë Kristo Çipa, Lefterin nuk e arrin dot.” Kjo ishte një shaka që bëri të shpërthejnë në duartrokitje dhe të qeshura të pranishmit në promovimin, që herë pas here shoqërohej nga këngët e mrekullueshme të grupit të Himarës, ku këndonte edhe vetë Kristo Çipa e vargjet e tij shoqëroheshin edhe nga dy këngëtarë, tejet të njohur të polifonisë si Nazif Çela i grupit të Lapardhasë dhe Hyso Xhaferi i grupit të Kallaratit, tashmë të dy me banim në Tiranë. Deputeti i LSI, Nikollaq Nerënxi, i cili kishte qenë shok fëmijërie e shkolle me poetin Kristo Çipa tregoi se “që Kristo Çipa do të bëhej poet, unë e dija shumë vite para, për të mos thënë se sa vite para. Kam qenë në shkollë të mesme, në gjimnaz me Kriston dhe ia kam shprehur :”- Kristo Çipa, - i kam thënë-do të bëhesh një ditë poet i dëgjuar.” Këndonim këngë himarjote dhe kishte momente që harronim tekstin dhe Kristoja bënte bejte aty për aty, që na tërhiqnin vëmendjen dhe në ato momente, i kam thënë se do të bëhej i dëgjuar. Më lejoni, që në emër të qytetarit të Himarës, ta falënderoj përzemërsisht Kristo Çipën se ai shkruan për vendin e tij dhe nëpërmjet poezisë, bën të njohur këtë vendlindje, që quhet Himarë.” Në këtë takim u përcollën përshëndetjet e deputetit dhe shkrimtarit Besnik Mustafaj, i cili ka bërë parathënien e librit, të Pr. As. Dr Bardhosh Gaçes, që ka shkruar pasthënien, u lexua nga mësuesi i letërsisë Pirro Mërkuri dhe shkrimi i zotit Enver Memishaj për librin e Kristo Çipës, i botuar në një të përditshme. Zakonisht, në zonën e Bregut, gëzimi i botimit të një libri, është si gëzimi i lindjes së një fëmije, apo si hareja e një dasme që i mbledh të gjithë. Në këtë promovim ishte pothuajse gjithë familja e madhe e Çipajve, madje dhe nëna e Kristos, nipat e tij, gazetari i mirënjohur Aleksandër Çipa me disa kolegë të vet që kishin ardhur që nga Tirana, ndërsa Arben Çipa kishte ardhur enkas që nga Korfuzi. “Ju falënderoj njëherë në emër të Pilurit, fshatit tim dhe të familjes sonë nga kemi origjinën, në emër të Bregdetit se është një nder i madh i Bregut sot. (Flas pak me rezerva, se kam hënën përballë, se më erdhi hëna e më dëgjon) Është, një nder i madh, jo i neve, poetëve, është një nder i madh i patriotizmit himarjot, i shqiptarizmit himarjot. Ne jemi poetë, poezia nuk krahëzohet, nuk i takon partive dhe as politikës. Poezia është e kombit, kënga është e kombit dhe i ngelet trashëgimi kombit. Dhe ta lavdërojmë njëri-tjetrin dhe ta përgëzojmë njëri-tjetrin, por kur jemi të dobishëm për kombin dhe Atdheun, të gjithë jemi të lavdërueshëm.”- thotë Lefter Çipa, i emocionuar. Ndërsa protagonisti i këtij aktiviteti, Kristo Çipa, pasi falënderoi të pranishmit, sponsorizuesin e librit, zotin Agron Sharra dhe të gjithë ata njerëz që e kanë ndihmuar në realizimin e tij, për të shpjeguar më mirë, pse ishte kaq e selitur krijimtaria e bregasve, tha : “Para disa kohësh ishte një emision në një nga TV-të dhe kishte debate. Po them diçka pikante, për të shpjeguar se si vjen problemi që ne në Himarë kemi një krijimtari më brilante. Ishin për debat dy palë shumë të njohura, një palë ishin gazetarët tanë dhe një pjesë nga PBDNJ. Midis tyre ishte kryetari aktual i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano dhe një nga Gjirokastra që quhej Orfea Beci. Ishte dhe një gazetar tjetër, emri i të cilit nuk më kujtohet për momentin, po nga PBDNJ. Ishte në emision dhe Artur Zheji dhe një gazetar tjetër. Të gjithë flisnin në shqip. Bollanua e fliste shqipen më të mirë nga të gjithë të tjerët. Nga ky emision kaluam në një mendim tjetër: Të gjithë spikerët që kemi pasur ne në televizion, që nga Kiço Fotjadhi nga Dhërmiu, Dhimitër Gjoka që është sot, Ilir Paço që është sot, nuk e di në se harroj të tjerë, shikoni sa bukur që e flasin gjuhën shqipe? Ai , Orfea Beci, nuk e fliste dot shqipen, ata nuk e flasin dot shqipen si ne, se ata nuk i kanë në gjuhën greke të gjitha shkronjat që i ka shqipja, ata e kanë problem të folurit dhe të shkruarit në shqip. Neço Mukua që ishte paraardhësi i këngës polifonike ka shkëlqyer në shqip aq bukur sa vështirë të krahasohet me ndonjë poet tjetër nga vendi ynë.” Nuk e di, po sa herë që përmendej fjala det, të gjithë i hidhnin sytë nga valët si për tu ardhur e gjallë kënga “Vajzë e valëve” e Neço Muko-Himarjotit. Aty, në gji të detit, në atë ndërtesë të flotës detare ku flitej për libër të ri, por me vlera të mëdha, ishin përzgjedhur në diskutim, dy elementë të fortë të himarjotëve : trimëria dhe shpirti i madh poetik. Tërë krahina e Himarës, e tkurrur nga 50 në 7 fshatra, është e dëgjuar për bukurinë dhe për kapedanët e saj, siç u këndonte dhe Nase Beni : “ Kush është lule vilajetit/ që i ka bota sevdanë? /Himara në breg të detit,/ Stisur n’Akroqeranë/ Rreth e rreth anës së detit, / shtatë fshatra që janë /Të penës e të dyfekut /Aman trima, kapedanë”. Kapedanët e Bregut, njerëzit e zotë e me shpirt luftarak janë nderuar në të gjitha kohërat. “Unë të desha e ti më deshe / Unë të mora për nam që keshe / Për atë pallën që zhveshje / Mbi taborr e shesh për sheshe”- kështu e qau kapedan Gjikë Thanasin nga Qeparoi, gruaja e tij, Sotirea, se nuk kishte kuptim shtëpia pa kapedan, por nuk ka kuptim as Bregu pa këta trima. Ata janë të gjallë edhe sot, ruajnë akoma virtytet luftarake së të parëve të tyre. Aleksandër Çipa më prezanton një të tillë, ai quhet Kiço Bollano. “Unë, ata që dalin nga rruga e Zotit, që duan të më ndryshojnë mua gjakun, nuk i dua, ata unë, në një kohë tjetër, do t’i kisha vrarë”- thotë burri i moçëm me sytë blu si qielli e si këmisha që mbante veshur. “Punët nuk zgjidhen me të vrarë, xha Kiço”- i përgjigjem unë. “Hudhrat, moj bijë, sa më të rralla të jenë, aq më të mira e të shëndetshme bëhen”- ma kthen plaku me një filozofi popullore që më la të kuptohej se asgjë nuk e eklipson dot shqiptarizmin e bregasve, madje as kryetari i Bashkisë së Himarës kushëriri i tij Bollano, nuk mund ta tjetërsonte dot fisin e vet me prejardhje labe. Dhe kur fliste për udhën e Zotit, babaxhani Bollano, më kujtoi ato që kishte shkruar një njeri i Zotit, mësuesi shpirtëror i At Gjergj Fishtës dhe At Shtjefën Gjeovit, At Lovro Mihaçeviq, nga Bosnja, mbi një shekull më parë kur kishte ardhur në Himarë. “Himara numëron vetëm 2 mijë banorë, të gjithë janë shqiptarë. Në secilin qytet bregdetar ka himarjotë, pasi shumica e tyre janë marinarë lundërtarë.”- shkruan ai në librin e tij “Nëpër Shqipëri” (1883-1907) . Kjo, është një e vërtetë e florinjtë. Por dhe dollitë në Himarë kanë një tjetër tingëllimë, ashtu si peshku ka tjetër shije, ashtu si mishi i rritur në merá të kripura.

    Studiuesi nga Dhërmiu, Foto Bixhili, tashmë dhe botues i shumë librave që flasin për prejardhjen e Himarës, na shpjegon aq shumë gjëra sa na lë gojëhapur. Ai thotë se “Himera nuk është Kimera. Himera apo Himara me këto ndryshimet fonetike dhe tingëllore të gjuhës, është një fjalë që vjen nga gegërishtja. Hi vjen nga Hyu, që në gegërisht i thonë Perëndisë, kur thonë gegët se i falen Hyut, pra i falen Perëndisë. Dhe Hyu të merr, pra Hyu të djeg, Hyu të vdes, Hyu të shuan, pra Perëndia të shuan. Pra hyu, ajo kuçedra që nxjerr zjarr nga goja që tek Mali i Qorres në Dukat dhe Maja e Çikës, prandaj quhet çikë- shkëndijë që niset zjarri, pra Zeusi kundërshtarët e tij i digjte me anë të rrufeve dhe i shuante.” Nuk ka të përshkruar dita në Jal të Himarës, po ashtu dhe rruga për në kthim. “Bregu i ka shtëpitë, njëra mbi tjetrën me fytyrë nga deti dhe nga Europa” – më thotë poeti Albert Abazi. Ajo që më çuditi më shumë ishte se në Himarë ndodhej një humnerë me emrin Zallongu, si humnera e famshme me të njëjtin emër në Sul të Çamërisë, ku gratë me foshnjat u hodhën nga shkëmbi për të mos rënë në duart e armikut. Po në Himarë ka dhe një përrua që quhet Thyami, si lumi me të njëjtin emër në pjesën jugore të Çamërisë. Po e dini çfarë kishte të shkruar në muret përgjatë rrugës që ktheheshe për në Llogora?! E fiksova në aparatin fotografik shprehjen : “Nga Mitrovica në Prevezë – Shqipëri Etnike”, apo “Çamëria – jashtë grekët” apo “Duam shkolla shqipe në Çamëri”. Aty kuptova dhe arsyen nga kishte ardhur zmbrapsja e turravrapit e Janullatosit, për të hapur shkolla publike greke e për ti zëvendësuar ato me private, gjë, që kritikohej nga publicisti i minoritetit grek, Panajot Barka. Buzëqeshur, padashur, nis e këndoj këngën e Kristo Çipës që thotë se “Edhe bota të humbasë /Dielli të mbyllë synë, / E drejta dorën do zgjasë / Ta ribëjmë Çamërinë / Çamëria, Çamëria, / Bie në gjunjë perëndia,/ Mëkatet lan historia / Guri shkon në vend të tija.” I buzëqeshur si unë dhe Dhërmiu, vendi i të mëdhenjve Petro Marko e Lekë Matrënga. “Bashkë me deputetin Nerenxi ia kemi përgatitur varroshin Neço Mukos”- më thotë Aleksandër Çipa, duke më ftuar në ceremoninë që do të zhvillohet së shpejti, po ashtu ai më thotë se është duke mbledhur fonde për të bërë një shtatore mbi një rrënjë ulliri, në Dhërmi, për Nderin e Kombit Petro Marko. Nuk kishte lajme më të mira se këto. Ashtu si dhe kjo ditë në Himarë, në Himarën që tundet në shumë dete : në atë të historisë, në atë të trimërisë, në atë të këngës dhe të bukurisë. “Flake tutje ti, Himarë/ Valëzimin e mendimit,/ Vetë dilemën e tundimit / Turbullim i detit /Të ka rrudhur shpirtin,/ Të marrë amanetin / Por jo identitetin” – këndon Kristo Çipa për Himarën e tij. Ai ka të drejtë. Identitetin e saj, nuk ia tjetërson dhe nuk ia merr dot askush. Ajo, duket dhe shkëlqen shqip në çdo gjë, në çdo fjalë, në çdo gur, në çdo këngë. Por ky identitet shkëlqente kuq e zi, atje në Majë të Fajesë, ku në bordin e rrugës ishte shkruar, po në atë gegërishte, për të cilën fliste Foto Bixhili : “O sa mirë me ken shqiptar!” Por ishte shkruar edhe anglisht “Welcome to Albania”, si për tu treguar të huajve se këtu është tokë shqiptare, dhe kështu do të ngelet sa të jetë jeta.
    Ndryshuar për herë të fundit nga brooklyn2007 : 30-01-2009 më 23:58
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Ali Baba Tepele
    Anëtarësuar
    15-03-2007
    Vendndodhja
    Greqi
    Postime
    1,883
    [B]Bravo Broklin për shkrimin e bukur që na prure. "Dielli nuk mbulohet me shoshë"
    Ja si i përgjigjej Sulltanit të Turqisë Himara:
    "O sulltan dëgjo një herë,
    Mos prek k'të Lule Zambaku,
    Kemi Shqipen me dy Krerë,
    Kemi derdhur lumenj gjaku.
    ............................................
    Dhe ja si këndoi mbas pamvarsisë;
    ..............................
    O Ju o trimat e Bregut,
    Të penës e të dyfekut,
    Që muarët "gjysmën e lekut",
    Se latë flamurin e grekut.
    Kush ka lindur në Himarë,
    Krenohet që është Shqiptar.
    ......................................
    respekt


    "O Njerëz,ka dhe njerëz..."[/B]

  3. #3
    -
    Anëtarësuar
    21-01-2009
    Vendndodhja
    -
    Postime
    2,081
    Nga sa kam lexuar dhe sa kam degjuar, nje gje me ka bere pershtypje.
    Duke i pare gjerat nga kendveshtrimi patriotik dmth, kudo na Shqiperi ka patur tradhetare (bukeshkale), ka patur dhe atdhetare. Por me sa di une askund nuk kane qene me fuqishme dhe me te kunderta keto rryma sesa ne Breg. Dhe historia perseritet dhe sot.
    Eshte vertet per te ardhur keq, qe eshte lene ne meshire te fatit.
    Nje shtet i degjeneruar qe ka vite qe jo vetem nuk ruan po shkaterron me vrull te madh cdo lloj pasurie kulturore dhe tradite.
    E c`i mbetet Laberise dhe Bregut po t`u humbase polifonia?
    Dhe nuk eshte humbje lokale, por kombetare. Cfare do i mbetej Veriut psh po te humbe gegnishtja dhe ciftelia psh? Nuk do ishte aspak humbje lokale po mbarekombetare.

    Aty degjova fjale te bukura per/dhe nga ca politikane. As me ngrohin ato fjale. Kam degjuar fjale edhe me te bukura, dhe kam pare te korrat. Te ishte per politikanet do kishim 20 vjet qe do ishim komb alabakesh. Akoma s`na kane bere komb alabakesh, po rruges jane.

Tema të Ngjashme

  1. Pirro Dhima: Ju rrëfej gjithë historinë time shqiptaro-greke
    Nga zeus në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 294
    Postimi i Fundit: 23-04-2024, 16:58
  2. Te Verteta Te Panjohura E Te Pathena Per Himaren
    Nga brooklyn2007 në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 17-12-2008, 00:52
  3. Kristo Frashëri: Dilema për Himarën
    Nga Qafir Arnaut në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 28-02-2006, 13:56
  4. Te Verteta Te Panjohura E Te Pathena Per Himaren
    Nga shendelli në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 31
    Postimi i Fundit: 11-05-2003, 13:41

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •