Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1

    Lightbulb Bylis, zbulohet kantina më e madhe në Ballkan

    • Nga Fatmira Nikolli
    Me një hapësirë prej 2000 metrash katrorë (të paktën kaq janë gërmuar deri tani) ajo, sot për sot është një nga kantinat më të mira, të ruajtura për periudhën e antikitetit të vonë në Mesdhe.

    Në periudhën e antikitetit të vonë, në peshkopatën e Bylisit u ndërtua një kantinë vere. Pronë e peshkopit të qytetit dhe e vendosur në kompleksin peshkopal, ajo është një model i vjetër i përpunimit të kësaj pijeje. Rrënojat e kësaj punishteje vijnë të ruajtura mirë deri në ditët tona, duke na sjellë dëshmi të gjalla të shekujve të hershëm. Meqenëse vijnë në gjendje të mirë të gjitha pjesët e saj, mund të shihen vendet ku janë kryer të gjitha proceset e punës. Me pak imagjinatë, mund të kuptojmë se si të parët tanë kanë prodhuar një prej pijeve më të vjetra të botës. Me një hapësirë prej 2000 metrash katrorë (të paktën kaq janë gërmuar deri tani) ajo, sot për sot është një nga kantinat më të mira, të ruajtura për periudhën e antikitetit të vonë në Mesdhe.
    Kantina e verës në Bylis
    E ruajtur më mirë në Mesdhe jo vetëm për periudhën e Antikitetit të vonë, por për të gjitha periudhat, aty mund të shihet i gjithë procesi i prodhimit të verës, që nga ardhja e rrushit deri në nxjerrjen e verës. Është një hajat me një oborr ku vinte rrushi, shkarkohej dhe depozitohej brenda. Nga aty kalonte në punishte, e cila ruhet gati e plotë. Është ruajtur mjaft mirë vaska e shtrydhjes me këmbë, ena e shtrydhjes me dorë, ena ku depozitohej mushti fillimisht, pitosat ku vendosej mushti pasi shtrydhej prej nga ku kalonte në vaskat e mëdha. Deri tani janë gërmuar dy vaska të mëdha dhe një tjetër që është identifikuar, por akoma nuk dihet se sa mund të jenë në total. Vaskat e mëdha janë me përmasat tre me tre metra dhe dy metra të lartë. Nga kjo mund të kuptohet se sasia e verës që mund të përpunohej aty ishte e madhe. Vite më parë është gërmuar edhe magazina, ku janë gjetur 21 pitosa të cilët kanë vëllime të mëdha deri në tre (hektolitra) kuintalë. Por, mund të ketë edhe magazina të tjera që nuk janë gërmuar akoma. Kjo radhitet ndër kantinat e mëdha të verës. Një e ngjashme me Kantinën e Bylisit është zbuluar vitet e fundit në Afrikë, po ka përmasa shumë më të vogla. Afrika është një territor i përmendur për bujqësi në periudhën e antikitetit të vonë. "Kjo kantinë nuk është e qytetit, por ajo i takon peshkopit të qytetit, që do të thotë se i takon peshkopatës. Qyteti mund të ketë pasur kantina më të mëdha sesa kjo, por nuk janë zbuluar të tilla", - thotë arkeologu Skënder Muçaj. Kjo do të ketë vlera jo vetëm për studimin e saj, por edhe për t'u vizituar, sepse aty mund të shihet qartë i gjithë procesi i punës në një kantinë. Janë të ruajtura mirë që të gjitha pjesët e një kantine të madhe vere dhe mund të shihen vendet ku janë kryer të gjitha proceset e punës. Kështu, ne kemi në vendin tonë një model të vjetër të përpunimit të verës. Pjesa e gërmuar e kësaj kantine është afërsisht 2000 metra katrorë dhe ka shumë ambiente. Ndërtesat në përgjithësi kanë qenë dykatëshe, kati i sipërm është përdorur për tjetër gjë, ndërsa kati i poshtëm është përdorur për tjetër gjë. Arkeologu Skënder Muçaj shton se akoma nuk është gërmuar e gjitha, sepse deri tani është parë vetëm punishtja dhe një pjesë magazine. "Ka shumë ambiente që mendohet se janë magazina. Me sa është vëzhguar deri tani, nuk ka shumë ndryshim në mënyrën e prodhimit të verës nga ajo kohë në kohën tonë. Enët që e mbanin verën e prodhuar, në atë kohë ishin prej balte dhe këto të fundit janë gjetur në këtë kantinë", - shprehet Muçaj.
    Kantinat
    Kantina vere ka pasur edhe periudha romake, që janë të ruajtura në zonën e Izraelit dhe Palestinës ku janë bërë gërmime, ndërsa në territore të tjera ato janë më pak të ruajtura. Një tjetër kantinë vere është në Tiranë, aty ku sot është "Mozaiku i Tiranës", por për fat të keq nuk është gërmuar në të gjithë sipërfaqen e saj, sepse një pjesë e saj është zënë nga rrugët dhe një pjesë tjetër nga pallatet. Ajo ka vlerën e saj sigurisht, por nuk është e ruajtur si ajo e Bylisit. Është pjesë e jetës ekonomike të qytetit. Ai ishte edhe qendër prodhimi, edhe tregtimi. Në kompleksin peshkopal të Bylisit ruhen mirë pjesë të prodhimit. Deri tani është gërmuar punishtja e vajit të ullirit dhe është duke u gërmuar kantina e verës. Në vendin tonë, deri në shekullin 19, vera është prodhuar shumë dhe pas këtij shekulli është prodhuar edhe rakia.
    Punishtja e vajit
    Punishtja e vajit të ullirit është zbuluar para disa vitesh. Ndërsa ekipi i arkeologëve që ka punuar gjatë vitit 2008 në këtë qendër, ka zbuluar pjesërisht mullirin e bluarjes dhe furrat e përpunimit, vendin ku përpunohej dhe shumë mbeturina të bërsive të ullinjve që janë përdorur për t'u djegur. Sipas Muçajt, kjo do të thotë, se ata që kanë punuar në këtë punishte, nuk përdornin materiale të tjera djegëse për zjarrin, por përdornin pikërisht këto mbeturina për të valuar ujin. As kjo nuk është përfunduar e gjitha.
    Peshkopata
    Kjo peshkopatë e vendosur në Bylis, ka një sipërfaqe prej 8.000 metrash katrorë. Nga ky kompleks peshkopal, Instituti i Arkeologjisë ka zbuluar rreth 4.000 metra katrorë, që do të thotë se është edhe gjysma pa u zbuluar nga ky kompleks tepër i madh. Është një lagje e tërë. Këto gërmime kanë filluar që herët. Si pjesë e katedrales së qytetit, gërmimet aty kanë filluar që në vitin 1984. Katedralja në Bylis është e përbërë nga kisha, pagëzimorja dhe kompleksi peshkopal (pallati i peshkopit). Kisha ose peshkopi, në shekullin e VI-të u bë pronare e madhe në qytet dhe luante një rol të rëndësishëm në administratë dhe në ekonomi. Deri në vitin 1991, kishte përfunduar gërmimi i plotë i Kishës dhe pagëzimores. Në atë vit, arkeologët e Institutit të Arkeologjisë kishin gërmuar punishten e zdrukthëtarisë dhe punishten e përpunimit të gurit. Në këto punime janë gjetur veglat e zdrukthëtarit dhe veglat e gurgdhendësit. Arkeologu Skënder Muçaj shpreson në të ardhmen të zbulohen edhe punishte të bulmetrave dhe të qeramikës. Vite më parë janë gjetur edhe mbishkrime të vendosura mbi enë, që flasin për vetë kompleksin e peshkopit. Kjo peshkopatë ka qenë e rëndësishme jo vetëm për prodhimin e produkteve blegtorale dhe bujqësore, por duket edhe në prodhimin e qeramikës.
    Bylisi
    Është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike në territorin e Shqipërisë. Për mungesë të infrastrukturës së rrugës, ai ka mbetur edhe jashtë vëmendjes së vizitorëve shqiptarë. Nëse e krahasojmë me Apolloninë, Butrintin ose Durrësin, Bylisi nga numri i monumenteve të gërmuara dhe nga gjendja e ruajtjes së tyre zë vendin e parë. Megjithatë, vizitorët që shkojnë në Bylis mrekullohen jo vetëm nga pamja, panorama por edhe nga monumentet dhe mënyra e restaurimit. Bylisi zotëron një hapësirë të madhe. Nga aty mund të shohësh gjysmën e territorit të Shqipërisë. Nga aty, syri ta kap Janinën, Tomorrin, Detin Adriatik dhe Fushën e Myzeqesë. Bylisi ka karakter epik. Është një qytet epik i Ilirisë. Ai ndryshon me qytetet e tjera të periudhës helenistike. Studiuesit seriozë sapo e shohin, e kuptojnë se aty nuk është një kopje e qyteteve helenistike greke, por një formë tjetër nga pikëpamja e vendosjes dhe jo në atë të ndërtimit urbanistik. Ai ruhet mirë si rrënojë, sepse nuk ka qenë i banuar në periudhat e vona. Fillimet e tij i takojnë mesit të shekullit të IV-të para Krishtit dhe deri në fundin e shekullit të VI-të pas Krishtit, pra 10 shekuj jetë. Por, pas shekullit të VI-të, ai nuk është banuar më e në këtë mënyrë u ka shpëtuar dëmtimeve që do të sillte banimi mbi këto rrënoja. Falë kësaj, Bylisi është një qendër e rëndësishme edhe për shekullin e VI kur është braktisur, por edhe për periudhat më të hershme. Kjo sepse, shumë nga monumentet që i përkasin kohës më të hershme nga shekulli i VI-të, nuk janë shfrytëzuar dhe janë ruajtur më së miri. Bylisi, sot për sot mbahet si qyteti rrënojë më i mirë i këtij shekulli i ruajtur në Mesdhe. Thuhet për sot, sepse më vonë mund të ketë gërmime që do të sjellin të tjerë. Akoma nuk është gërmuar një model tjetër si Bylisi, për të parë jetën në mesin e shekullit të VI-të pas Krishtit dhe kjo është veçori e tij. Kjo qendër mund t'iu japë përgjigjen shumë pyetjeve për këtë shekull, mbi jetën, urbanistikën dhe ekonominë. Deri tani, Instituti i Arkeologjisë ka marrë shumë të dhëna mbi objektet e besimit të krishterë.

    (s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

  2. #2
    … ßriläntě … ΅ Ø λŁŁї Ϊм Maska e [Perla]
    Anëtarësuar
    07-09-2006
    Vendndodhja
    Aconteceu !!! Estava escrito assim...
    Postime
    6,577

    Bylisi tronditet nga tre zbulimet

    Bylis, si rrallë ndonjëherë sapo kanë ndodhur tre zbulime të mëdha, që identifikojnë territoret shqiptare në të gjithë pellgun e Mesdheut. Nuk është hera e parë që vjen një informacionin i tillë nga antikiteti. Gjatë një ekspedite në këtë qytet, është zbuluar punishtja më e madhe e vajit të ullirit në territorin mesdhetar, janë detajuar gërmimet në monumentin e quajtur “Terenciani”, si pjesë e banesës së shtëpisë romake, që u kushtohet të parëve, si dhe punishtja e shkrirjes së qelqit, e identifikuar më e lashta në Evropë. Në një bashkëpunim me francezët që prej 11 vjetësh, arkeologët sapo janë kthyer nga kjo ekspeditë bashkë me zbulimet më të fundit në qytetin antik të Bylisit, me në krye prof. dr. Skënder Muçaj. Ai tregon se gërmimet këtë vit janë përqendruar në monumentet e kultit paleo-kristian, si dhe në Bazilikën V në Bylis, e cila sapo ka përfunduar, ndërsa po punohet në kompleksin peshkopal.
    “Ky është një nga komplekset më të mëdha jo vetëm të territorit shqiptar, por edhe atij mesdhetar, ndonëse nuk do të thotë se vendet e tjera nuk kanë komplekse të përmasave të tilla, por ky është më i madhi i gërmuar. Deri tani kemi ndërhyrë në gjysmën e tij, e na ka mbetur edhe gjysma tjetër”, - shprehet arkeologu Muçaj, duke shtuar se përmasat e tij shkojnë rreth dhjetë mijë metra katrorë në ambiente të ndryshme. Kompleksi në të cilin po kryhen gërmimet ishte i pajisur edhe me pjesën e banimit, zejtari dhe atë të prodhimit të produkteve bujqësore-blegtorale, e për momentin, sipas arkeologut, po punohet mbi zonën e prodhimit.



    Punishtja më e madhe e vajit të ullirit

    Gjatë kësaj periudhe prej ekspeditës në Bylis është zbuluar punishtja më e madhe e vajit të ullirit, e cila i përket shek. VI. Ajo është punishtja e parë me përmasa kaq të mëdha për një qendër peshkopale, e jo të qytetit. Për këtë, prof. Skënder Muçaj bën edhe një krahasim me një zbulim të ngjashëm në kontinentin afrikan, duke u shprehur se “deri më tani kjo është punishtja më e madhe e zbuluar në të gjithë territoret mesdhetare. E njëjtë me të është edhe një tjetër që është zbuluar në Afrikë vitet e fundit, por ajo është me përmasa shumë më të vogla”. Sipas tij, për të evidentuar më mirë këtë zbulim, gjatë gërmimeve janë gjendur rreth 40 pitosa (qypa të mëdhenj në të cilët rezervohej mushti për t’u kthyer më pas në verë), ku secila prej tyre mbante rreth 300 litra. Po ashtu janë gjendur edhe tre vaska të mëdha ku mbahej mushti, si dhe të tjera vaska ku shtypej, e derdhej mushti, duke na lënë të kuptojnë se kjo ishte një punishte e madhe. “Pjesa më e madhe e mjeteve janë gjendur në vend, sepse të gjitha së bashku kanë mbetur edhe në momentin e fundit kur është braktisur qyteti, dhe po ky vend nuk është banuar më në periudhat e mëvonshme. Për fat, të gjitha materialet e lëna në shek. VI ne i gjejmë sërish dhe çdo gjë mbeti në vend”, - thotë Muçaj, duke shpresuar se në vijim të gërmimeve do të zbulohet edhe punishtja e verës.



    Terenciani, zbulimi i vargjeve dedikuese

    Në gërmimet e fundit në Bylis është zbuluar një monument i quajtur “Terenciani”. Vitin e kaluar janë gjetur rreth dy mijë “shkrime kushtimi”, që babai ua dedikon djemve të tij. Sipas arkeologut Skënder Muçaj, monumenti ka marrë pikërisht këtë emër për shkak se babai quhej Terenciano, njëri nga djemtë e tij kishte po të njëjtin emër, ndërsa i biri tjetër quhej Marsim. Gjatë kësaj ekspedite arkeologët janë përqendruar më shumë tek ky monument dhe kanë zbuluar më shumë rreth kësaj dëshmie. “Është një pjesë e banesës së shtëpisë romake ku u kushtohet të parëve. Në njërin prej tyre ne gjetëm shtatin prej mermeri të Marsimit, ndërsa këtë vit mundëm ta nxjerrim nga muri, pasi ende nuk është përfunduar zbulimi i plotë i tij, ndërsa nga Terenciani nuk kemi gjetur ende asgjë”. Gërmimi nuk ka përfunduar, pasi banesat e periudhës helenistike kanë përmasa shumë të mëdha, gati një mijë metra katrorë sipërfaqe dhe kanë rreth 20 dhoma. “Deri tani kemi gjetur katër banime të periudhave të ndryshme. Njëri i takon periudhës helenistike, shek. III para Krishtit, e dyta i takon shek. I pas Krishtit, në mes të gjysmës së dytë të shek. II dhe një tjetër që i përket shek. IV”, - pohon Muçaj.



    Identifikimi për herë të parë i punishtes së shkrirjes së qelqit


    Për herë të parë në Shqipëri zbulohet një punishte e shkrirjes së qelqit, një prej zbulimeve më të rralla jo vetëm në rang kombëtar, por edhe në territorin mesdhetar.

    “Shkrirja e qelqit në këtë rast kryhej në enë, ku merreshin gotat që mund të vinin nga vende të ndryshme, pasi në atë kohë ishin territoret e Azisë që bënin prodhime të tilla. Ato eksportoheshin dhe secili në qytetin e tij përdorte teknologjinë me enë prej balte, futeshin në furra dhe prej andej prodhoheshin enët e vogla. Për të faktuar këtë punishte janë gjendur tri enë që kanë shërbyer për procesin e shkrirjes si dhe pjesë të tjera të furrës”, - tregon me detaje arkeologu, i cili na bën me dije se punishtja e rrallë i përket shek. II pas Krishtit. Kjo e bën zbulimin edhe më interesant, pasi sipas profesor Muçaj, dëshmon se gjetjet e tjera i përkasin gjysmës së dytë të shek. III dhe IV pas Krishtit, duke hedhur kështu poshtë konkluzionet e specialistëve të tjerë se këto lloj punimesh përdoreshin në këto periudha. “Përdorimi i tyre është më i lashtë. Ky është zbulim tepër i rëndësishëm për territorin dhe për kulturën në përgjithësi. Para kësaj punishteje është zbuluar edhe një tjetër në Slloveni, disa në Francë, ndërsa zbulimi i radhës është në Shqipëri”, - thotë ai. Pavarësisht entuziazmit të tre zbulimeve në qytetin e lashtë të Bylisit, ekspedita është kërcënuar nga mungesa e fondeve, madje edhe të dietës ushqimore që i takon çdo arkeologu. Sipas Skënder Muçaj, fondet këto tre vitet e fundit kanë munguar, duke përfshirë pagën e fuqisë punëtore dhe dietat për studentët që angazhohen dhe punëtorë të tjerë. “Ne kemi shfrytëzuar të ardhurat e familjes dhe të rrogave tona, sepse nëse një monument do të lihet pas dore, do të shkatërrohet. Pavarësisht e këtë vit janë larguar një numër i madh punonjësish për t’u forcuar më shumë ekonomikisht, asgjë nuk ka ndryshuar”, - shprehet i shqetësuar arkeologu, duke shtuar edhe një tjetër arsye që e ka shtyrë atë të vazhdojë ekspeditën edhe pa shumë mbështetje financiare, kontratën 11-vjeçare për bashkëpunim me francezët. Ai vetë thotë se ka paguar nga rreth 150 mijë lekë të reja, përveç shpenzimeve personale, ndërkohë që ekipi përbëhej nga 20 persona. Kjo ekspeditë shënon vitin e 31-të të punimeve në këtë qytet, të cilat janë ndjekur që nga dita e parë e gërmimeve e deri në tani nga prof. dr. Skënder Muçaj. Bylisi është një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës ilire. Fillimet e tij si qytet i ka në shek. IV para Krishtit dhe ka vazhduar pa ndërprerje deri në fund të shek. VI pas Krishtit. Jeta në qytet ka vazhduar për gati një mijë vjet dhe gjatë gjithë periudhave historike mban një vend të rëndësishëm të qytetërimit antik, romak dhe antikitetit të vonë të territoreve të Shqipërisë së sotme. Po ashtu, Bylisi njihet edhe si përfaqësues i kulturës së Ilirisë së Jugut në periudhën helenistike (antike).


    SUELA FURRIKU
    Gazeta Standart
    Un amigo verdadero es algien que cree en ti aunque tu hayas dejado de creer en ti mismo.

  3. #3
    Adriano
    Anëtarësuar
    17-03-2009
    Vendndodhja
    Athine
    Postime
    43
    Historikisht ne Mallakastren time nuk kishte germe Y por vetem I
    Sos mper mua a per ti (sot ty) Dimal -cfir sot dy-mal.Di-rrah sot dyrrah.
    Behet fjala per ngaterrese .Qyteti detyrimisht duhet te quhet BILIS

Tema të Ngjashme

  1. Kombin shqiptar 7 milionësh në Ballkan e kanë mbuluar retë e zeza
    Nga Davius në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 01-08-2010, 13:18
  2. “Muslimanët në Ballkan - realiteti dhe e ardhmja”
    Nga ~Geri~ në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 11-10-2008, 19:52
  3. "Shqipëria etnike është projekt antievropian dhe civilizues"
    Nga Irfan në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 01-05-2005, 15:23
  4. Ballkan - Makedhonia -Nezir Myrta
    Nga Henri në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 17-09-2002, 18:54
  5. Roli i Italise ne Ballkan
    Nga Eni në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 04-07-2002, 08:29

Ruaj Lidhjet

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •