Regjisori Albert Minga ka vendosur të ngjisë në skenën e Teatrit Kombëtar dramën "Filumena Marturano". Prej më shumë se dhjetë ditësh ai dhe aktorët e përzgjedhur për këtë pjesë po përgatiten për premierën, e cila është parashikuar në mesin e muajit shkurt. E cilësuar si një nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore, "Filumena Marturano", sipas Mingës, është një vepër e cila përkon mjaft edhe me realitetin shqiptar. "Ajo është nga ato vepra që komunikojnë drejtpërdrejt me publikun. Është një bashkëbisedim mes autorit dhe spektatorit", tha dje gjatë konferencës për shtyp regjisori. E shkruar nga Edoardo De Filippo në vitin 1946, "Filumena Marturano" është një vepër teatrale, e cila në dramaturgjinë ndërkombëtare është një prej veprave më të njohura të autorit italian, një nga më të vlerësuarat prej publikut dhe kritikës. Premiera e dramës "Filumena Marturano" do çelë në këtë mënyrë sezonin dimëror të Teatrit Kombëtar. Regjisori i shfaqjes është Artisti i Merituar, Albert Minga, i cili sezonin e vitit të kaluar vuri në skenën e këtij teatri dramën "Pamje nga ura" të autorit Arthur Miller, duke shënuar një shifër rekord shikuesish, me rreth 21 mijë spektatorë në 41 shfaqje. "Fatkeqësisht dhe realiteti që jetojmë na mbush me histori "filumenash", të cilat mbajnë të ndrydhura thellë në shpirtrat e tyre drama edhe më të fuqishme se Filumena jonë", u shpreh më tej Minga. Ai tregon se Filumena, është përfaqësuesja e femrës së guximshme e plot dashuri njerëzore. Ajo do të interpretohet prej aktores Yllka Mujo, e cila do të veshë petkun e gruas së detyruar të vuajë shumë në jetë, ndonëse ka falur më shumë dashuri se sa ka marrë. "Fëmijët janë fëmijë, dhe janë të gjithë njësoj", ky është edhe mesazhi i dramës të cilën fillimisht De Filippo e shkroi për të motrën, Titina De Filippo. Ajo ishte njëra prej interpretueseve të para të këtij roli. Kontradiktat dhe hipokrizitë e kohës sonë, rrëfehen prej Edoardo De Filippo-s nëpërmjet personalitetit të Filumena Maturanos, gruas kurajoze, e cila, pavarësisht aktivitetit të saj si prostitutë, lufton kundër paragjykimeve për mirëqenien e fëmijëve të saj, për t‘u siguruar atyre një të ardhme dinjitoze. Personazhi i Filumenas lindi prej motrës së autorit, Edoardos. Titina De Filippo dëshironte të gjente veten në teatrin bashkëkohor. Ajo ishte e lodhur duke qenë përherë një mbështetje për të vëllanë tashmë të famshëm, ndaj edhe i kërkoi atij një rol prej protagonisteje. Tema që Edoardo zgjodhi ishte sa e zakonshme, aq edhe universale. Ai përshkroi atë kategori grash të cilat ishin lodhura prej reagimeve borgjeze, në kërkim të vënies në vend të dinjitetit kundër realitetit që i rrethonte. Ngjarjet zhvillohen në Napoli. Filumena, një grua e pjekur me një të kaluar prej prostitute, për rreth 30 vjet është e dashura e Don Domenico (Mimì) Soriano. Ai është një pastiçier i pasur napoletan dhe klient i hershëm i Filumenës. I administron të mirat materiale dhe shtëpinë, njësoj sikur ta kishte bashkëshorte. Për të detyruar Don Mimin të martohet me të, Filumena shtiret sikur vuan prej një sëmundjeje vdekjeprurëse. Domenico pranon të martohet, por pasi zbulon mashtrimin i drejtohet një avokati, i cili i thotë Filumenës se një martesë e lidhur me mashtrim nuk mund të jetë e vlefshme. Në një monolog tepër dramatik, Filumena i përgjigjet triumfit të Domenicos, duke i rrëfyer përçmimin që ajo ndjen për jetën e saj, duke e falënderuar atë për gjithë sa kishte bërë. Aty i rrëfen se ka edhe tre fëmijë, të cilët nuk e njohin si nënën e tyre, njëri prej fëmijëve është i Domenico-s. Don Mimì nuk i beson fillimisht, por Filumena i kujton për një natë kur dëshiroi ta dashuronte me të vërtetë, pa kufij, por që ai nuk e kishte kuptuar dhe si gjithnjë në fund e pagoi. Filumena e ruan ende kartëmonedhën që ai i dha atë natë, kur ngjizi edhe fëmijën e tij dhe ia rikthen don Mimìt: "Sepse fëmijët nuk blihen me para". Ajo vendos t‘u thotë fëmijëve se është nëna e tyre. Edhe Don Mimì njihet me ta, por më kot përpiqet të njohë fëmijën që është i tij. Filumena zgjedh të mos tregojë. Ajo e di se nëse e bën këtë, don Mimì do t‘ia kushtojë të gjithë dashurinë vetëm atij, duke lënë mënjanë dy të tjerët. Ndaj, nëse don Mimi dëshiron të jetë baba për fëmijën e tij, i duhet të jetë për të tre ata. Në fund Domenico vendos të martohet me Filumenën dhe të jetë baba për të tre fëmijët e saj. Në këtë dramë interpretojnë edhe aktorë të njohur të skenës shqiptare, si Bujar Asqeriu, Artistja e Popullit, Tinka Kurti; Vangjel Toçe, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Olta Gixhari, Fadil Kujofca, Gjergji Mena, Nigela Ruka, etj. Skenografia dhe kostumografia i janë besuar Artistit të Popullit, Agim Zajmi. Prej kësaj vepre, Eduardo realizoi edhe një film me të njëjtin titull, ku interpretoi vetë së bashku me të motrën, Titina. Më pas, Vittorio De Sica, bazuar në pjesën "Filumena Marturana", realizoi filmin "Matrimonio all‘italiana", me aktorët Sofia Loren e Marcello Mastroianni. Eduardo de Filippo (1900-1984), aktori, shkrimtari, skenaristi, poeti, i cili u lind në Napoli (Itali), ndër vite u dallua për krijimtarinë e tij dhe tematikat universale, shoqërore dhe realiste. I cilësuar nga kritika si "Pirandelo napoletan", emri i tij u vendos në listën e "fuqive të mëdha" të teatrit botëror nga gazetari Arrigo Levi.

Shumë prej veprave të tij janë punuar nga regjisorë të mëdhenj të teatrit e të kinemasë, që dëshmon dhe njëherë forcën e tij krijuese, thellësinë e karaktereve që këta artistë gjejnë në këto vepra, por edhe universalitetin e mesazheve që ato përcjellin.


Shqip