Postuar më parë nga
ademgashi_dk
Në kohën e sotme disa nga doket dhe zakonet tona sikur janë zbehur, për të mos thënë nuk funksionojnë më. Disa vërtet është mirë që nuk janë më aktive.
Kur hapa temën ”Oda drenicake” vetë lexuesit me shkrimet e tyre qenë ata që më kujtuan të hap një temë të re ku mund të shkruajnë shqiptarët e gjithë trevave shqiptare.
Ju mund të shkruani ta zëmë, si festohej shëngjergji në trevën tuaj, festa të ndryshme fetare, pastaj mund të shkruani si bëheshin fejesat e martesat në trevën tuaj, këngë të ndryshme rituale e të punës, ninulla ose këngë të djepit, roli i odave ( dhomat e miqve ) në trevën tuaj, edhe biseda edukative ku vihen në tehun e kritikës të metat etj, etj... besoj se ju do të plotësoni edhe me të tjera, meqë mua për momentin nuk po më kujtohen të gjitha.
Unë më poshtë po bëj një përshkrim të shkurtër të disa zakoneve në trevën e Drenicës, nga ato që më kanë ngelur në mendje. Nuk do të zgjerohem, por ky le të jetë si shembull si mund të filloni:
Fejesa: Deri vonë në Drenicë fejesat bëheshin me mblesëri ( mësitni ). I zoti i shtëpisë- babai a dikush g afamilja ”ia vinte syrin” një vajze për djalin e tyre. Atëherë ata zgjidhnin një njeri i cili do të shkonte të kërkonte atë vajzë. Dhe natyrisht mësiti/mblesësi kishte çmimin e vet për punën që do kryente....
Dasma: Nuk do të flas në detale për dasmën, por do të flas për disa nga këngët që këndoheshin. Ta zëmë në shtëpinë e djalit më mëngjes këndohej:
Na u nis darsma për me u nis,
Për hajr t’koftë o i zoti i shtëpisë...
Në shtëpinë e nuses, shoqet do ta këndonin vajzën që do bëhej nuse:
A di motër kur t’vogla ishim
Lujshum bashkë edhe rrishim
Edhe kur u rritem të mëdha
Lidhem besën kurrë mos me u nda
Po ti motër besën e theve
Shpinën neve ti na e ktheve
Ktheve shpinën msheft po kesh
N’tesha t’grave qysh je vesh ...
Ka qenë zakon ta zëmë, kur kanë shkuar ta marrin nusen, të shaheshin bullat/krushkat:
Dil e kqyrni kush asht n’kerr
Dy qupina e ni kanzerr ( konzervë )
Ose
Po vinë kerret ma baskija
Hypni-zhdrypni oj xharija.
Këta shembuj ishin vetëm sa për të ju orientuar në punën tuaj të mëtejme.
Shkrimet tuaja do të mesin dokument i një kohe të kalur që ndoshta në një të ardhme të afërt për brezat e sotëm dhe për ata që do të vinë pa mëdyshje do të jetë interesant dhe mbase edhe mund të thotnë: bah, si paskan jetuar gjyshërit tanë!
Do të ishte mirë që secili që mer pjesë me shkrime të shënojë krahinën nga vie, p.sh. Drenicë, Shalë, Dukagjin, Shkodër, Lunxhëri etj
Na vaftë mbarë!
Krijoni Kontakt