Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Historia nuk është vepër e ca “protagonistëve” pa skrupuj!

    Historia nuk është vepër e ca “protagonistëve” pa skrupuj!

    AHMET SHQARRI



    Nga disa prej atyre që nuk ia përtojnë të llapin për çdo mbrëmje ekraneve të ndryshme televizive, veç shumë marrëzive të shumta që ata përtypin nëpër gojë, nëpërmjet diskutimeve me demek analitike, dëgjojmë të thuhet, ashtu si kalimthi, edhe ndonjë broçkull të tillë, se historia e vërtetë e këtij vendi na filluaka pikërisht pas viteve ‘90. Nën strehën e demokracisë që “të lejon” të shprehesh si të duash dhe si të kesh qejf, lloji i këtyre “protagonistëve” që e kanë më për zemër të flasin kështu, po shtohet gjithnjë e më shumë. Të flasësh e të shkruash me sigurinë e atij që i pëlqen vetja dhe që mendon se i di të gjitha, përfshi këtu edhe “bërjen” e historisë, kur në fakt shpërndanë vetëm mjegull dhe paqartësi, nuk është gjë tjetër, veçse një fasadë për të fshehur ndërkohë fytyrën e vërtetë prej plasteline që koniunkturat e ndryshme mund të ta ndryshojnë sa herë të duan.



    Para ca kohe, i gjendur mes disa kolegëve gazetarë, nuk u ndjeva mirë kur njëri prej tyre, më i ri se ne të tjerët, nuk reagoi fare kur erdhi dhe na takoi një nga mjeshtrit më të shquar të futbollit tonë. Mendova se nuk e njihte dhe ky mund të ishte edhe shkaku i asaj sjelljeje jo fort të këndshme, kur “i riu” nuk u tund hiç nga vendi i tij, tek po rrufiste si një “i rritur” kafenë, ndërkohë që ish-kapiteni i kombëtares sonë në vitet ‘70 po na përshëndeste të gjithëve sa ishim, ulur rreth një tavoline. Natyrisht që nuk e kishte parë ndonjëherë në fushën e lojës, sepse në ato vite kolegu ynë i ri “gazetar” nuk kishte lindur ende, megjithatë të mos kishte dëgjuar asgjë rreth emrit të këtij idhulli të tifozerisë së asaj kohe, siç na tha, kur mjeshtri ynë i futbollit u largua, kjo ishte më se injoruese, për të mos thënë turpëruese, për këtë “protagonist” të pas viteve ‘90, që për çdo ditë, së bashku me disa të tjerë të skotës së tij, vazhdon të shkarravisë gazetave dhe të llapë sa në njërin ekran televiziv në tjetrin, pikërisht për futbollin të cilin në fakt ai nuk e njeh dhe nuk ka se si ta njohë! Ky rast, po të ishte i vetmi, mund të dukej pak si naiv për t’u trajtuar dhe mund të ishte harruar, por ndodhia me mjeshtrin e shquar, që njëri prej “protagonistëve” të sotëm nuk e njohu, është bërë një e vërtetë e hidhur edhe për shumë mjeshtra e personalitete të tjera të sportit tonë, të cilët gjithsesi janë aty, në vendin e tyre, të thjeshtë, por krenarë për atë histori që kanë shkruar, paçka se jo pas viteve ‘90…



    Për ta bërë edhe më konkrete idenë e gabuar të disa “protagonistëve” të sotëm, se historia “e vërtetë” e këtij vendi na filluaka pikërisht në këto kohë, kur ata paskëshin pasur fatin të lindin(!), po kujtoj edhe një rast tjetër, po aq mohues për ta, sa edhe ai që përmenda më sipër. Në shenjë respekti për të kaluarën e suksesshme të mjaft sportistëve, që përbën ndërkohë edhe një pjesë nga më të mirat dhe më emocionueset e historisë së këtij vendi, pra, jo thjesht për nostalgji, herë pas here flas e shkruaj për bëmat e vërteta të tyre, aq më tepër kur sot jemi dëshmitarë të një historie jo fort të pëlqyeshme që po përshkojmë dhe që ndokush, për një protagonizëm artificial të tijin, përpiqet ta paraqesë si të vetmen dhe më të saktën që kemi! Në këtë këndvështrim pata botuar disa vite më parë diçka rreth jetës së njërit prej golashënuesve më të mirë që ka njohur historia e futbollit shqiptar, Ilir Përnaska. Nuk mund të mos e kujtoj kënaqësinë që më dhanë ato ditë lexues të shumtë, të cilët me këtë rast vlerësonin së tepërmi idhullin e tyre të dikurshëm, që me lojën e tij, të pakrahasueshme në stil dhe pasion, ftonte për çdo ndeshje në stadium mijëra e mijëra tifozë, ndryshe nga çfarë ndodh sot! Deri këtu nuk ka ndonjë gjë të veçantë për t’u shënuar, por ai, paradoksi, vjen më poshtë, kur disa nga ata “protagonistët” e rinj që pretendojnë se historia fillon pas viteve ‘90, më shprehën një lloj mëdyshjeje rreth vendit “kyç” që ky i panjohur, sipas tyre, (Ilir Përnaska!) na paska zënë në faqet e gazetës! Sipas “protagonistëve” të sotëm, që pretendojnë se historia fillon me ta, të flasësh për Mesin, Ronaldinjon apo Bekamin, ia vlen, sepse je më interesant dhe më modern gjatë atyre tjerrjeve pa fund të diskutimeve “analitike” nëpër ekrane televizionesh, ndërkohë që edhe gazetat shiten më shumë kur shkruan për ta…



    Kuptohet, çdo media ka politikat e saj editoriale, që lidhen edhe me interesat e mësipërme tregtare, për të cilat pretendojnë disa nga “protagonistët” e sotëm, por kjo nuk mund t’i ndalojë aspak të tjerët, ata më me kulturë dhe profesionalizëm, që kanë një vizion më të gjerë dhe më patriotik rreth identitetit të këtij kombi, për të hedhur një vështrim edhe në të kaluarën historike të tij, gati të injoruar…



    Të jetosh të tashmen dhe të shpresosh për të ardhmen është diçka e ngjizur në natyrën njerëzore, po aq sa ç’është i tillë edhe kthimi herë pas here në të kaluarën, për të parë se ç’hapa kemi hedhur, që të kemi pastaj kujdes për të tjerët që pasojnë. Ndoshta, ndodhitë e lartpërmendura nuk janë zbërthim i kësaj ideje së cilës po përpiqem t’i gjejë “fundin”, megjithatë, kur shoh se kolegët tanë të përtej kufijve e ruajnë dhe e kujtojnë me respektin që i takon historinë e vendit të tyre së bashku me protagonistët që e kanë shkruar atë, them se disa prej “protagonistëve” tanë të ditëve të sotme nuk duhet të jenë më të zgjuar se ata, përkundrazi. Ajo që u transmetua para disa ditësh në një nga kanalet televizive italiane rreth gazetarit të shquar Enco Tortora, që vite më parë gabimisht dhe tragjikisht e ngatërruan me mafian, ishte një tregues kuptimplotë i ruajtjes dhe risjelljes në kujtesë të vlerave njerëzore dhe profesionale të tij, prej kolegëve të cilët duke i bërë homazh shokut dhe mikut, nderuan dhe respektuan ndërkohë edhe një pjesë nga e kaluara e historisë së gazetarisë së atij vendi. Ndërsa, kam vënë re tek ne, edhe në ndonjë rast kur flitet, p.sh., për muzikën tonë të lehtë, të ashtuquajtur tani si moderne, këta “protagonistët” e sotëm, që mendojnë se historia “e vërtetë” ka nisur të shkruhet pas lindjes së tyre, flasin e çfarë nuk flasin për lloj-lloj moshatari këngëtar apo kompozitor dhe nuk kujtohen aspak për të thënë se ka pasur edhe një Ferdinand Deda, i cili pa diskutim është dhe mbetet një nga protagonistët e shquar të krijimit dhe zhvillimit të kësaj muzike, duke shkruar disa nga fletët më të bukura të historisë së saj! Po kështu edhe për një tjetër personalitet të këtij niveli, Koço Devole, i cili për fatin e keq, sepse një çast i jetës së tij u paragjykua si rasti i gazetarit italian Enco Tortora, jo vetëm nuk përmendet si ai, përkundrazi, është lënë krejtësisht në harresë me gjithë atë kontribut të çmuar që ka dhënë në historinë e humorit shqiptar.



    Rastet e disa “protagonistëve” të sotëm që nuk e kanë për gjë të injorojnë të kaluarën, që me të mirat dhe të këqijat e saj, në fund të fundit, përbën historinë e një vendi, po dalin tani shumë shpesh në skenën tonë të përditshme, saqë e gjithë kjo mani njerëzish-mohues dhe pa skrupuj, po kthehet në një dukuri të shëmtuar shqiptare. Disa, ngaqë nuk dinë më shumë se kaq, të tjerë se duan t’i shërbejnë protagonizmit të tyre fals, që të gjithë këta përbëjnë atë shkarrashkruajtje dhe llafazanëri të papërballueshme me të cilat ndeshet për çdo ditë lexuesi dhe ndjekësi i zellshëm i ekraneve televizive, që me këtë rast po i del nga kujtesa edhe ajo pak histori e mirë dhe e bukur që patën përjetuar nga ngjarjet dhe protagonistët e djeshëm…



    Të thuash se edhe gazetaria e vërtetë shqiptare ka nisur ta bëjë historinë e saj vetëm pas viteve ‘90, duke mohuar me një të rënë shpate prej “protagonisti” të sotëm gjithë atë traditë shkrimi të shkëlqyer që nga Rilindja e deri tani, kjo është një nga ato deklarimet më të fundit butaforike që vjen prej skenash televizive plot zhurmë, ku edhe në këtë rast shqiptari i thjeshtë e sheh veten të kryqëzuar nga padija dhe kaosi që e rrethon në këtë xhungël mediatike në të cilën po jeton!






    20/12/2008


    standart

  2. #2
    I vete perjashtuar! Maska e GeNi_25
    Anëtarësuar
    25-05-2005
    Vendndodhja
    Ne Shqiperi
    Postime
    562
    Absolutisht nje artikull mjafte i goditur.

    Te them te drejten qekur AHMET SHQARRI u largua nga emisioni "Nga njera ndeshje tek tjetra" sikur u zemrova pak por ky eshte nje tip paksa i veçante. Shpesh here flet pak si shume por ndonjehere godet dhe ne shenje.

    Kisha nje shokun tim, e kam dhe tani shok vecse nuk takoheshim sic takoheshim dite per dite ne gjimnaz.

    Mbaj mend qe luante njehere S.K. Dinamo ne Riga te Letonis. E pyes per provokim : Ke deshire qe Dinamo te fitoj 1-0 apo 3-0. Pergjigja e tij ishte te humbasi 4-0. Shikoje se deri ku shkon cmira e nje njeriut.

    Padyshim qe ne kampionat jemi kundershtar, por ne arenen Nderkombetare si Dinamo, si Tirana, Vllaznia etj perfaqesojne kete Komb dhe fitorja e çdo njeres prej ketyre eshte fitorja jone.
    Shyqyr qe filo-greket nuk administrojne dhe kete nen-forum te Forumit Shqiptar!

Tema të Ngjashme

  1. A duhet të bashkohet Kosova me Shqipërinë?
    Nga tani_26 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2298
    Postimi i Fundit: 03-01-2024, 11:21
  2. Mosekzistenca historike e "Jezusit" dhe e "Pavlit"
    Nga Qafir Arnaut në forumin Agnosticizëm dhe ateizëm
    Përgjigje: 153
    Postimi i Fundit: 06-03-2015, 11:37
  3. Pasqyra e temave historike
    Nga Fiori në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 31-05-2011, 15:43
  4. Perse Duhet Studiuar Historia E Luftes Se Ftohte?
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 14-11-2005, 02:57
  5. Menyrat e shkruarjes se historise (Historia Virtuale)
    Nga Eni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-11-2002, 15:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •