Rikthehen problemet me transportin urban

Kërkohet rritja e mëtejshme e çmimit të biletave për transportin urban në kryeqytet. Shoqata e Kombëtare e Transportit Qytetas ka kërkuar sërish rritje të çmimit të biletave, pasi kostoja e këtij shërbimi me pagesat aktuale nuk mund të përballohet, sepse nuk mund të realizohen investime në mirëmbajtjen dhe përmirësimin e këtij shërbimi. Shkak për krijimin e një situate të tillë janë bërë abuzimet e shumta që bëhen në lidhje me falsifikimin e dokumentacioneve nga ata që udhëtojnë falas. Kategori kjo e cila sipas shoqatës është e shumtë dhe nuk mund të lejojë përmirësimin e këtij shërbimi. Për këtë kategori udhëtarësh, që lëvizin falas në linjat urbane, shoqata ka kërkuar që qeveria të kompensojë vlerën e biletës, e cila në bazë të përllogaritjeve mendohet të arrijë në rreth 900 milionë lekë në vit, shumë kjo që duhet të mbulohet nga shteti, në të kundërt do të operohet me paralizimin e mëtejshëm të këtij shërbimi. Aktualisht është përgatitur kërkesa për ndryshimin e çmimit të biletave dhe pritet të kalojë brenda një kohe të shkurtër në Ministrinë e Transporteve për miratim. Ndonëse nuk është deklaruar shifra konkret e rritjes së çmimit të biletave që është kërkuar nga shoqata, sërish qytetarët e kundërshtojnë një ndryshim të tillë. Madje, ata kanë pohuar se përkundrejt këtyre rregullave të reja do të bojkotojnë lëvizjen me urban, pasi rritja e çmimeve të biletave, kur u duhet të udhëtojnë disa herë gjatë ditës, sipas tyre është e papërballueshme. Në muajin maj është bërë dhe rritja e fundit nga 20 lekë që ishte më parë në 30 lekë. Kjo e fundit, sipas shoqatës së transportit, është ende e ulët për të përballuar kostot reale të këtij shërbimi, për të cilën kërkohet edhe rritja e mëtejshme.

Ndërkohë që gjatë ditës shërbimin e 9 linjave urbane të kryeqytetit e frekuentojnë më shumë se 22 000 qytetarë.

Rritja e çmimit

Gjatë muajit maj qytetarët shqiptarë u përballen me një tjetër rritje të çmimit të biletave, nga 20 në 30 lekë, pas luftës disamujore të shoqatës së transporteve me paralizimin e këtij shërbimi, kundrejt heshtjes së organeve zyrtare. Megjithatë, është kërkuar sërish rritja e çmimit të biletës, kësaj radhe në vlerën e 40 apo 50 lekë, në të kundërt të nëntë linjat e transportit urban do të paralizojnë këtë shërbim. Kjo veçanërisht nëse qeveria nuk do të ndërhyjë dhe në kompensimin e vlerës së biletës për qytetarët e shumtë që udhëtojnë falas në këtë shërbim, shifër e cila në një vit arrin në 900 milionë lekë.

Burimi