Vriten ekstremistët e fundit, mbyllet sulmi terrorist në Indi
Zyrtarët indianë i dhanë fund sulmit terrorist në Bombei, duke vrarë ekstremistët e fundit brenda një hoteli luksoz, që ishte fushëbeteja e fundit e rrethimit terrorist.
Shekulli Online
Shtune, 29 Nentor 2008 10:13:00
Zyrtarët indianë i dhanë fund sulmit terrorist në Bombei, duke vrarë ekstremistët e fundit brenda një hoteli luksoz, që ishte fushëbeteja e fundit e rrethimit terrorist. Forcat e sigurimit po kontrollojnë dhomë-më-dhomë në hotelin Taj Mahal për t’u siguruar se gjendja është e sigurtë dhe për të nxjerrë të gjithë personat nga hoteli.
Operacionet luftarake përfunduan sot në hotelin Taj, më shumë se 48 orë pasi terroristët, në një sërë sulmesh të koordinuara vunë në shenjestër një numër objektesh në Bombei. Mbi 150 vetë u vranë nga sulmet, përfshirë të paktën 18 të huaj.
Dje, forcat indiane të sigurimit morën nën kontroll si hotelin Oberoi-Trident edhe qendrën hebraike Chabad, duke pastruar ndërtesat nga ekstremistët dhe duke shpëtuar dhjetëra vetë që mbaheshin peng.
Të paktën 11 ekstremistë u vranë gjatë rrethimit afro 3-ditësh, ndërsa një tjetër u arrestua.
Zyrtarët po përpiqen të zbulojnë identitetin e autorëve të sulmit. Pak pas fillimit të sulmit, media indiane njoftoi se një grup i panjohur më parë, i quajtur Deccan Muxhahidin, ka marrë përgjegjësinë. Kjo deklaratë nuk është konfirmuar nga burime të pavarura. (VOA)
Ruaj Lidhjet