Thyhen xhamat e veturës së RTV 21 në Manastir !!!!


Dy ditë më parë, pas përfundimit të përurimit të shtëpisë së Alfabetit në Manastir, është dëmtuar vetura zyrtare e Radiotelevizionit 21.

Rreth orës 23.00, kur ekipi televiziv kishte parkuar veturën e tyre në qendër të qytetit, një grup personash të panjohur kanë thyer xhamat e veturës së tyre. Në momentin e incidentit, ekipi televiziv nuk ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes. Gazetari i RTV 21 Bujar Tresi, tha për ALSAT se sulmi duhet të jetë bërë me qëllim të caktuar sepse në veturë kishte të ngjitur logon e televizionit.

"Neve na u dëmtua vetura menjëherë pas akademisë solemne që ndodhi në Manastir, në shënimin e 100 vjetorit të Kongresit të Alfabetit dhe diku rreth orës 22 apo 23 kishte ndodhur ngjarja. Ne nuk kemi qenë për fat aty, sigurisht edhe ne do të ishim cak i sulmit atyre vandalëve, por mllefin e tyre e kanë shprehur në xhamin e makinës e cila u dëmtua. Mund të vlerësoj se ka qenë sulm i qëllimshëm nga fakti që vetura jonë ka qenë e shënuar me emblemë me shënimet se është veturë zyrtare e RTV21, veturë zyrtare e gazetarisë, kështuqë në mesin e 20 apo 30 veturave të parkuara në moment, është zgjedh mu kjo, ka qenë sulm i qëllimshëm, me qëllim është bërë dhe është dërguar një porosi jo e mirë, e shëmtuar për të gjithë, për pjesmarrësit atë ditë të atij manifestimi, mirëpo megjithatë nuk do të them se është një shprehje e qëndrimit të Manastirasve", thotë gazetari i RTV 21 Bujar Tresi.