ZOTI ËSHTË KËTU ME NE.
NGA “LIGJËRATAT” E SHËN BERNARDIT, ABAT
NË PLOTËSINË E KOHËVE ERDHI EDHE PLOTËSIA E HYJNISË.
U shfaqën mirësia dhe njerëzia e Hyjit, Shëlbuesit tonë (krh. Tit 2, 11). E
falënderojmë Hyjin, i cili në mjerimin dhe shtegtimin tonë si mërgimtarë na bën
të shijojmë një ngushëllim kaq të madh. Para se të shfaqej njerëzimi mirësia e
Hyjit ishte e fshehur: e pra ajo ekzistonte edhe më parë, sepse mëshira e Hyjit
është që prej amshimit. Por si mund të dihej se është kaq e madhe? Ishte e
premtuar, por nuk bëhej e dëgjueshme, dhe prandaj nuk ishte e besuar prej
shumëkujt. Herë pas here dhe në mënyrë të ndryshme Zoti ka folur me anë të
profetëve (krh. Heb 1, 1). Unë – thoshte – me ju kam synime paqeje e jo
mjerimi (krh. Jer 29, 11). E çka i përgjigjej njeriu, që ndente mjerimin e nuk e
njihte paqen? Deri kur do të thoni: Paqe, paqe, dhe paqe nuk ka? Për këtë arsye
lajmëtarët e paqes thekshëm qajnë (krh. Is 33, 7) duke thënë: O Zot, e kush
besoi në lajmin tonë? (krh. Is 53, 1).
Por tani së paku njerëzit besojnë pasi që panë, sepse dëshmia e Hyjit u bë
plotësisht e besueshme (krh. Ps 93 /92/, 5). Që të mos i mbetej e fshehur as syrit
të turbullt, në diell Ai e ngrehu Tendën e vet (krh. Ps 19 /18/, 6).
Ja pra paqja: jo e premtuar, por e dërguar; jo e shtyrë për më vonë, por e
dhuruar; jo e profetizuar, por e pranishme. Hyji Atë e ka dërguar mbi tokë një
thes, të themi kështu, plot me mëshirën e tij; një thes që u bë copë e grimë gjatë
mundimit në mënyrë që të dilte jashtë çmimi i shpërblimit tonë që ishte i
mbyllur brenda; një thes vërtet i vogël, por i mbushur plot e përplot, nëse na
është dhënë një Vogëlush (krh. Is 9, 5) në të cilin “banon trupërisht e tërë
plotësia hyjnore” (Kol 2, 9). Kur erdhi plotësia e kohës, erdhi edhe plotësia e
hyjnisë.
Hyji erdhi në trup që t’u zbulohej edhe njerëzve që janë prej mishit, dhe që të
njihej mirësia e tij duke na u shfaqur në njerëzinë. Pasi që Hyji u shfaq në njeri,
nuk mund t’i fshihet më mirësia. Ç’provë tjetër të mirësisë së tij mund të jepte,
përpos të merrte mishin tim? Pikërisht mishin tim, e jo mishin që Adami e
kishte para mëkatit.
Asgjë tjetër nuk mund ta shfaqë më mirë mëshirën e tij se sa të merrte ai vetë
mjerimin tonë. O Zot, e çka është njeriu që të të bjerë ndër mend e të kujdesesh
për të? (krh. Ps 8, 5; Heb 2, 6). Prej kësaj gjëje le ta dijë njeriu se sa kujdeset
Hyji për të, dhe le ta dijë se çka mendon dhe ndien në lidhje me të. Mos pyet, o
njeri, se çfarë vuan ti, por pyet më mirë se çfarë ka vuajtur ai. Duke parë deri ku
ai arriti për ty, kuptoje se sa i vlefshëm je për të, dhe do të kuptosh mirësinë e tij
nëpërmjet njerëzisë së tij. Sikurse u bë i vogël me mishërim, kështu u tregua i
madh në mirësi; dhe sa më shumë që u përul për mua aq më i dashur më është.
U shfaqën – thotë Apostulli – mirësia dhe njerëzia e Hyjit, Shëlbuesit tonë (krh.
Tit 3, 4). Vërtet, e madhe është mirësia e Hyjit, Ai e dha një provë të madhe
mirësie duke bashkuar hyjninë me njerëzinë.
Krijoni Kontakt