Close
Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123
Duke shfaqur rezultatin 41 deri 48 prej 48
  1. #41
    Comunicazione & Marketing Maska e Albmaster
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    REPUBBLICA ITALIANA
    Postime
    811

    Post Fazllic

    Perandoria e bizneseve të Damir Fazliç, shtetasit boshnjak të ndaluar për disa orë në fundjavë nga policia boshnjake, mund të konsiderohet gjithsesi një perandori në hije.

    Perandoria e bizneseve të Damir Fazliç, shtetasit boshnjak të ndaluar për disa orë në fundjavë nga policia boshnjake, mund të konsiderohet gjithsesi një perandori në hije. Kjo, pasi asnjë lloj informacioni nuk ekziston për aktivitetin e firmave që ai ka krijuar, megjithëse njëra prej tyre, “Crown Acquisitions”, është shitur mjaft shtrenjtë një tjetër firme, po ashtu fantazmë, me qendër në Qipro. Historia e lidhjeve të Fazliçit me Shqipërinë dhe po ashtu e firmave të tij këtu, nis njëkohësisht me rikthimin e Berishës në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005. Megjithëse lidhja e boshnjakut me liderin e opozitës së asaj kohe ishte pak më e hershme, pasi ishte Fazliç, ai që ndërmjetësoi lidhjen e kontratës mes PD-së dhe kompanisë amerikane “BG&R” për organizimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 3 korrikut, ku shpërblimi për kontributin e tij në fitoren e 3 korrikut nisi pas ardhjes në pushtet të demokratëve. Sipas dokumenteve dhe fakteve të paraqitura mbrëmë në emisionin “Faktori plus”, që u transmetua në televizionin “Vizion Plus”, “brenda javës së parë të pushtetit të ri në vitin 2005, Fazliç krijoi për dy ditë tri kompani. Selia e kompanive fantazmë ishte shtëpia e vjehrrit të Lulzim Bashës, ndërsa administrator i të gjitha kompanive u zgjodh Erion Isufi, vëllai i gruas së Bashës”.
    “Crown Acquisitions”

    Më 19 shtator 2005, Damir Fazliç ka themeluar edhe shoqërinë “SFR Developments”. Në 20 shtator 2005 regjistrohet firma e parë, “Croen Acquisitions”. Sipas faksimileve të vendimit të themelimit të shoqërisë, selia e saj është banesa e Erion Isufit, kunatit të Lulzim Bashës. Ndërkaq, në faqen pasardhëse të vendimit, aty ku është shënuar adresa e administratorit të firmës, Erion Isufit, rezulton se ajo është e njëjta adresë me atë të selisë së shoqërisë. Në po të njëjtën ditë regjistrohet në gjykatë edhe firma “Crown Acquisitions”, me të njëjtin status, me të njëjtën seli dhe me të njëjtin administrator: kunatin e Lulzim Bashës. Statuset e këtyre tri firmave me ortak Damir Fazliç, administrator kunatin e Bashës dhe seli rrugën “Shinasi Dishnica”, pallati 2, fraksion 4, kanë saktësisht të njëjtin objektiv. Ato synonin operimin në tregun e pasurive të paluajtshme, duke zhvilluar projekte ndërtimi, zhvillim urban, shitblerje dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme, dhënien e konsulencës ekonomike, tregtare dhe financiare për ndërmarrjet e ndryshme.

    “Crown Acquisitions” u regjistrua edhe në organet tatimore dhe mori numër NIPTI. Por dokumentet vërtetojnë se firma nuk kreu asnjëherë aktivitet tregtar në Shqipëri, deri në vitin 2007. Për këtë shkak ajo ka marrë rregullisht gjoba nga tatimet, megjithëse nuk ka paguar asnjërën prej tyre, çka tregon për sigurinë që kishte drejtuesi i saj se nuk do të prekeshin nga shteti. Në maj 2007, Fazliç e shet “Crown Acquisitions” për një shifër prej 1 milion e 750 mijë eurosh tek “Altaria Research Limited”, një tjetër kompani fantazmë me seli në Qipro dhe me aksionerë anonimë. Por sipas të dhënave, përfaqësuesit e kompanisë qipriote nuk erdhën kurrë personalisht në Shqipëri, për të nënshkruar aktin e blerjes. Ata lëshuan një prokurë të posaçme që autorizonte avokaten Flutura Kola, e njohur si bashkëpunëtore e Argita Berishës, të nënshkruante dokumentet. Kjo prokurë u nënshkrua më 14 maj të vitit 2007, në të njëjtën kohë kur Fazliç kishte marrë vendim ta shiste kompaninë tek qipriotët. Vetë vajza e kryeministrit Berisha kishte deklaruar publikisht gjatë një interviste në një televizion kombëtar, se Flutura Kola është bashkëpronare me 50 për qind të aksioneve në blerjen e zyrave për studion e saj dhe kanë krijuar bashkë studion “Kola & Malltezi”, e cila më pas është ndarë në dy studio të tjera.
    Firmat e tjera

    Fazliç themeloi më 19 shtator firmën “Virtu Acquisitions”. Administrator ishte sërish kunati i Lulzim Bashës. Sipas të dhënave, 55 për qind të aksioneve të kësaj firme janë shitur tek një ish-futbollist i “Partizanit” të Beogradit. Fazliç mban ende 45 për qind të aksioneve dhe firma vazhdon të ketë për administrator kunatin e Lulzim Bashës. Selia është zhvendosur te kullat binjake. Kompania tjetër “DF Trade Limited”, që përkthehet Damir Fazliç Trade Limited, po ashtu i ka shitur boshnjako-gjermanit Abdilgafar Ramadanit 50 për qind të aksioneve dhe ka selinë në të njëjtin vend me kompaninë tjetër. Pasi ka shitur kompaninë “Crown Acquisitions” në Qipro, Fazliç ka hapur një kompani të re me emrin “Alfa” në shtator të vitit 2007. Regjistrimin e kompanisë e ka bërë Johana Qeleshi, po ashtu pjesëtare e studios së Argita Berishës, ndërsa eksperte kontabël është Shpresa Breçani, që njihet si mbesa e kryeministrit Sali Berisha.


    Korrieri


    Pingpong përgjegjësish për Fazliçin



    TIRANË - Orari i vërtetë i nisjes së Damir Fazliçit nga aeroporti i Rinasit përplas ashpër Ministrinë e Brendshme me Prokurorinë e Përgjithshme. Të dyja palët që ditën e djeshme kanë kundërshtuar keqas njëra-tjetrën nëpërmjet njoftimeve të bëra publike, pretendojnë dy variante të ndryshme në lidhje me ikjen e serbo-boshnjakut, i cili dyshohet të ketë kryer veprimtari të paligjshme në shtetin shqiptar. Pas nisjes së hetimeve ndaj tij nga ana e njësisë së “Task-Force” për aktivitete të paligjshme, ministria dhe prokuroria kanë nisur hapur “luftën mes tyre”. Vetëm ditën e djeshme, dy reagime të ashpra janë bërë publikisht nëpërmjet zëdhënësve të këtyre institucioneve. Ka qenë Ministria e Brendshme, e cila rreth orëve të mesditës ka deklaruar se do të niste procedimin penal ndaj zëvendësprokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Elio Mazrekut dhe prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Zamir Shtyllës, me pretendimin se këta përfaqësues të akuzës kanë shkelur ligjet e Kushtetutës dhe ligjet për shtetasit e huaj. Ndërsa vetëm disa orë më pas, organi qendror i akuzës ka dhënë faktet se Fazliçi është larguar me vetëdijen e policisë një orë përpara orës zyrtare të nisjes që ishte planifikuar. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, bëhet e ditur se këta të fundit ishin vënë në dijeni se ora 16:30 shënonte nisjen zyrtare, por ora e vërtetë e nisjes së biznesmenit boshnjak ka qenë 15:30. Nëpërmjet një reagimi, zëdhënësja e këtij institucioni, Holta Zhiti, ka bërë më dije pikat më kryesore të pamundësisë së institucionit në lidhje me pengimin e marrjes në pyetje të Fazliçit.
    Varianti i Ministrisë së Brendshme

    Nëpërmjet një deklarate publike, zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja, ka bërë të ditur se ministria do të nisë ndjekjen penale për dy prokurorë, të cilët nëpërmjet telefonatave kanë urdhëruar kreun e Komisariatit të Rinasit për ndalimin e udhëtimit të Damir Fazliçit. Burime të besueshme bënë të ditur për “Korrierin” se bëhet fjalë për zëvendësprokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Elio Mazrekun dhe prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Zamir Shtylla. Sipas deklaratës së ministrisë, thuhet se “dy prokurorët kanë kryer shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit, duke telefonuar në orën 15:17 shefin e Komisariatit të Rinasit, e më pas edhe drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kufirit të Qarkut Tiranë, duke kërkuar ndalimin e udhëtimit dhe shoqërimin në ambientet e policisë të biznesmenit me shtetësi britanike dhe boshnjake, Damir Fazliç, në një kohë kur ai ishte larguar nga Shqipëria në orën 15:04. Gjithashtu ka nisur një hetim i plotë për të vendosur para përgjegjësisë ata që mendojnë se mund të ndalojnë me telefon qytetarët e huaj në këtë vend.
    Varianti i prokurorisë

    Fakte krejt të tjera i janë vënë në dispozicion publikut nga organi qendror i akuzës. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, është bërë e ditur se rreth orës 12:30 të asaj dite që Damir Fazliç erdhi në kryeqytet, Prokuroria e Tiranës është vënë në dijeni se boshnjaku ndodhej në Tiranë, duke dhënë intervistë për një media. Pas analizimit të të dhënave, prokurorët e çështjes kanë vendosur thirrjen e boshnjakut në prokurori për të sqaruar pozicionin e tij në lidhje me kompanitë e biznesit në Shqipëri. Ndërkohë që ishte regjistruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Aviacionit Civil, se udhëtimi për t’u larguar nga Shqipëria do të kryhej në orën 16:30, prokuroria depozitoi dhe protokolloi në komisariatin e Policisë Rinas në orën 15 e 6 minuta nëpërmjet oficerëve të Policisë Gjyqësore ftesën për paraqitje për z. Damir Fazliç. Në këtë ftesë mësohet të jenë bërë të ditura edhe shkaqet e ftesës. Ndërsa në lidhje me faktin e komunikimit me telefona, prokuroria ka sqaruar se oficeri i policisë nuk kishte mundur të kontaktonte me shefin e Komisariatit të Policisë së Rinasit për t’i komunikuar ftesën, dhe për këtë shkak është përdorur telefoni. Dhe me gjithë përpjekjet e oficerëve dhe prokurorëve për t’i komunikuar ftesën për paraqitje Fazliçit, kjo nuk u bë e mundur për shkak se ai u largua nga aeroporti një orë përpara sesa ishte planifikuar largimi i tij. Prokuroria po heton zbatimin e procedurave ligjore të policisë në shoqërimin e Fazliçit.


    Korrieri

  2. #42

    Avokatët: Qëndrimi i prokurorëve konfirmon pafajësinë e Fazlliç

    Avokatët: Qëndrimi i prokurorëve konfirmon pafajësinë e Fazlliç

    SONILA MESAREJA

    Avokatët amerikanë të Damir Fazlliç reagojnë një ditë pas seancës së parë për kundërshtim të sekuestrimit të pronave të tij nga prokuroria. Reagimi i dy prokurorëve të çështjes është konsideruar prej tyre si një konfirmim për pafajësinë e klientit të tyre. Sipas tyre, mospërgatitja si duhet e prokurorëve çoi edhe në zgjatje të afatit për marrjen e një vendimi lidhur me kërkesën e dy avokatëve të biznesmenit Fazlliç. Duke reaguar në emër të klientit të tyre, Damir Fazlliç, avokatët janë shprehur se “seanca e djeshme gjyqësore kundër sekuestrimit të njëanshëm nga prokurorët të pasurive në Shqipëri të Damir Fazlliç qe njëkohësisht irrituese për të, por edhe konfirmim i pafajësisë së tij”. Sipas tyre, ishte irrituese, pasi avokatët mbrojtës të z. Fazlliç shkuan në seancë të përgatitur për të demonstruar që sekuestrimi nga ana e prokurorëve është i paligjshëm nën ligjin shqiptar dhe për më tepër i gjithë hetimi është krejtësisht i pabazë, por i nxitur vetëm e vetëm nga historitë keqdashëse dhe të pavërteta rreth tij nga elementë të caktuar të shtypit shqiptar. Por, sipas reagimit, avokatët e tij e patën krejtësisht të pamundur ta bënin këtë gjë, pasi prokurorët, krejtësisht të papërgatitur për të provuar të kundërtën, kërkuan zgjatje kohe, brenda së cilës të mund të përgjigjen dhe të përpiqen të justifikojnë veprimet e marra që një muaj më parë. “E sidoqoftë, fakti i thjeshtë se prokurorët e kishin të pamundur të procedonin, provon vërtetësinë e qëndrimeve të z. Fazlliç. Për më tepër, qenë vetë prokurorët, të cilët në mënyrë të njëanshme imponuan sekuestrimin e pronave të zotit Fazlliç. Seanca e djeshme sugjeroi që një veprim i tillë nga prokurorët u ndërmor pa patur një bazë të fortë për ta bërë këtë gjë. Prokurorët nuk e mohuan që ata nuk kanë fakte të ndonjë krimi të kryer nga zoti Fazlliç. “Sikur prokurorët të mos na kishin siguruar që më parë se ata do të vepronin në mënyrë të ndershme, të paanshme dhe të shpejtë, do të kishim menduar se ata po zbatonin strategjinë “vrit njëherë, pastaj gjej arsyen pse”, që do të binte ndesh me thelbin demokratik të shtetit në Shqipëri. Megjithatë, ndonëse besimi i tij në këtë proces është lëkundur, zoti Fazlliç vazhdon të besojë se profesionalizmi i atyre që janë përfshirë në këtë çështje do të sjellë më në fund pastrimin e emrit të tij”, - shprehen ata, duke shtuar se “kjo zgjatje e procesit po bën të mundur që elementë të caktuar të medias të vazhdojnë fushatën e tyre të motivuar politikisht dhe të padrejtë kundër zotit Fazlliç. Rasti më i fundit i kësaj fushate ndodhi pak ditë më parë, kur një gazetë pretendoi se burime të paidentifikuara të prokurorisë i kishin bërë të ditur se prokurorët kishin siguruar fakte që dëshmonin se Damir Fazlliç ka përfituar ujdi shumë favorizuese për blerjen e tokave të papërcaktuara publike nga qeveria”.



    Pronat e Fazlliç



    Avokatët e Damir Fazlliç mohuan kategorikisht që atij t'i jetë dhënë qoftë edhe një diçka e vetme nga kushdo qoftë në qeveri. “Në të vërtetë, z. Fazlliç nuk ka blerë për çfarëdo lloj çmimi qoftë, as edhe 1 cm2 tokë publike në Shqipëri”. Vetë prokurorët ia mohuan avokatëve të z. Fazlliç që ata të kenë ndonjë informacion të tillë apo që ata të kenë folur me shtypin për një informacion të tillë. Me fjalë të tjera, raportimi nga ajo gazetë qe një gënjeshtër e zhurmshme. Me këtë rast, ne vërejmë ironinë që, sikurse duket, tashmë vetë prokuroria është bërë subjekt i një historie të gënjeshtërt e të motivuar politikisht të medias. Duke qenë se hetimi për “pastrim të supozuar parash” ndaj z. Fazlliç nisi vetëm për shkak të raportimeve të ngjashme të gënjeshtërta të disa mediave, inkurajojmë prokurorët të heqin sekuestrimin, të përfundojnë sa më shpejt hetimin e tyre dhe ta çlirojnë z. Fazlliç nga akuzat për keqbërje. Një shtyrje trejavore nuk do të sjellë asgjë të re, sikurse edhe 3 vjet nuk do të sillnin asgjë të re, pasi z. Fazlliç nuk ka bërë asgjë të jashtëligjshme. Në të vërtetë, përcaktimi bazë i pastrimit të parave është që të ardhurat nga një krim i mëparshëm përdoren për të financuar një transaksion të ligjshëm të mëpasshëm. Ndaj nuk mund të ketë rast të pastrimit të parave, kur nuk është kryer një krim i mëparshëm. Ne vërejmë se prokurorët nuk kanë identifikuar kurrë ndonjë krim që ata mendojnë të jetë kryer nga z. Fazlliç. Kjo gjë nuk është e habitshme, pasi zoti Fazlliç nuk është hetuar kurrë, e jo më të jetë dënuar, për asnjë krim, në asnjë kohë, në asnjë vend të botës. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se çdo njëra dhe të gjitha akuzat që janë hedhur kundër tij këto muajt e fundit nga media të caktuara apo përfaqësues të opozitës politike, nuk janë gjë tjetër, veçse histori imagjinare të projektuara për të dëmtuar politikisht qeverinë aktuale. Në mënyrë të vazhdueshme, këto akuza janë bërë pa asnjë referencë në çfarëdo lloj fakti të konfirmuar apo burim zyrtar e në shumë raste, ato kanë rënë ndesh me informacionin e njohur publik. Kështu për shembull, ndonëse u akuzua fillimisht nga media se z. Fazlliç kishte kryer pastrim parash, pasi një kompani e pretenduar si e pavlerë ishte shitur për 1.75 milionë euro, zbulimi që në fakt kjo kompani kishte të pasqyruar në bilancin e saj tokë me vlerë 1.75 milion euro, aset i raportuar edhe tek autoritetet tatimore, vërtetoi se këto akuza ishin krejtësisht të pavërteta. Në mënyrë të ngjashme u pretendua se në blerjen e tokave në zonën e Porto-Romanos në periudhën 2006-2007, z. Fazlliç veproi mbi informacion të fshehtë dhe të privilegjuar se kjo tokë do të caktohej park industrial. Këto pretendime injoruan faktin lehtësisht të verifikueshëm që projekti i parkut energjetik në Porto-Romano ka qenë dije publike që në vitin 2004. Për më tepër, z. Fazlliç nuk ishte as personi i parë dhe as personi i vetëm që ka blerë tokë në Porto-Romano. Të paktën 13 kompani të tjera kanë blerë gjithashtu tokë në këtë zonë, shumica e tyre para se të blinte z. Fazlliç. Madje, në këtë zonë ishin ndërtuar depozita private karburanti që para se z. Fazlliç të bënte blerjen e parë atje”, - u shprehën avokatët.



    Akuzat për Fazlliç

    “Sado e trishtueshme, shembujt e mësipërm nuk janë të vetmit. Megjithëse z. Fazlliç ka demonstruar vazhdimisht se akuzat kundër tij janë të pabaza, pas çdo akuze të provuar, e pabazë, rishtas ngrihen akuza të reja. Për këtë arsye, duke qene se duket e pamundur për të ndaluar këtë vërshim shpifjesh e pretendimesh të pabaza, ne përfitojmë nga rasti për t’u kujtuar të gjithë atyre që janë përgjegjës për botimin e shpifjeve të motivuara politikisht rreth zotit Fazlliç dhe bizneseve të tij, se veprimet e tyre nuk kalojnë pa u vënë re dhe ata mund të bëhen përgjegjës përpara ligjit. Ndoshta disa elementë të medias në Shqipëri mendojnë se njerëzit janë budallenj, se njerëzit besojnë çdo gjë që lexojnë dhe se në Shqipëri individi është fajtor derisa të provohet i pafajshëm. Zoti Fazlliç nuk ndan një mendim të tillë të ulët për njerëzit apo për ligjin. Kjo është arsyeja që ai dëshiron t'i çojë përpara projektet e tij në Shqipëri, duke ndihmuar kështu edhe në krijimin e vendeve të punës dhe mirëqenies së vendit. Sidoqoftë, për shkak të hetimit këto plane janë në pritje, e projekti i tij i rrezikuar. Ndonëse zoti Fazlliç vazhdon të jetë i shqetësuar nga mungesa e profesionalizmit e disa mediave shqiptare dhe nga dështimi i tyre për të respektuar standardet etike dhe profesionale, ai mbetet i palëkundur në respektimin e ligjeve të Shqipërisë dhe pret me padurim që prokurorët të përfundojnë hetimin e tyre, në mënyrë profesionale dhe të paanshme. Ai mbetet me besimin e plotë, që hetimi do ta shfajësojë krejtësisht”, - përfundojnë avokatët.


    28/11/2008

    standard

  3. #43
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    Kritika 1/12/2008

    Post- Fazlliç
    Nga Artan Mullaj

    Pas zhurmës së madhe,historia e Damir Fazlliç duket se nxiton të zhduket në muzgun që vetë ajo e krijoi. Ashtu si ka ndodhur edhe me shumë ngjarje të tilla (prodhuese përshtypjesh e opinionesh në vend), ajo po precipiton atje tej,në haresë. Mjegulla e misterit të pathënë i fshiu pa mëshirë detajet që e ngritën këtë histori në vëmendje. Aq sa, kjo cështje u fut në listën e ngjarjeve me një pikëpyetje të madhe përmbi, mbi të cilën akush nuk ka më kureshtjen të klikojë, sepse e vërteta në Shqipëri është zakonisht dicka e vështirë.

    Nuk është kjo ngjarja e parë që depozitohet në formë enigme, në kujtesën publike, ashtu si nuk ishte e para dhe as e fundit gjëma e Gërdecit, "rruga e përfolur patriotike", "vrimat e zeza" të parave të shqiptarëve në 97-ë, dhe shumë marifete të tjera më herët.., që përfunduan të mbyllura njëherë e mirë,pa u hapur kurrë. Histori të mbyllura e të pandricuara ka plot në historinë e tranzicionit tonë; histori të mbyllura hetimesh të pabëra për shkelje ligjesh,për abuzime me pronën publike dhe abuzime morali të pushtetit, që dihen nga të gjithë. (Nuk mungojnë as dosje të frikshme por të paprekura pushtetarësh të akuzuar për abuzime spektakolare që janë mbyllur në vite përgjithmonë e kushedi ku nëpër sirtarët e akuzës).


    Megjithëse kureshtja qytetare mbeti pra një carg i pashkrehur për aventurën e serbo-boshnjakut të famshëm në Shqipëri, ngaqë si shumë të tjera, kjo aventurë ishte një gjë e lënë në mes, pas bujës, kjo aventurë stisi një vëmendje të re në publik.

    Së pari, ashtu si edhe Gërdeci, ajo hodhi dritë mbi koeficientin e ulët të vërtetësisë së shumicës së deklaratave të papërgjegjshme politike që bëhen në ekrane nga njerëzit e tribunave, duke lënë hapur në tryezë supozimin e hershëm se klasës politike shqiptare i mungon barbarisht ndjeshmëria dhe ndershmeria e nevojshme për të udhëhequr shqiptarët, por jo vetëm.Të thënat dhe të pathënat e tyre publike, vërtetojnë se të pushtetshmit regëtijnë e përpeliten akoma në një sfidë të gjatë pjekurie.

    Jo vetëm te zyllahaja Fazllic, por në të gjitha ngjarjet politike ku ka patur përplasje, kundërshtitë e publikuara të palëve shpesh bazohen në argumenta qesharake, në fakte naïve apo gjykime mediokre, të cilat,ngaqë ju mungon klithshëm autoriteti, ata vetë besojnë se është e pamundur të besohen nga turma.

    Së dyti, "lënia pas",apo lënia në mes e gjërave është shndruar në një fenomen të trishtë tranzicioni. Kjo, "lënia e gjërave pas ose, në mes" përbën shpalosjen shqiptare të dinakërisë së pushtetit për zgjidhjen e situatave të vështira. Kjo sipas llogjikës: "shtyje shtyje se gjithcka do harohet!". Për shembull,shembja e dikurshme e ishmbikalimit bashkiak në "Zogun e Zi', ku u asgjesuan për ndërtim e shkatërim jo pak nga monedhat e shqiptarëve,- aspak si vrasje ndërgjegjie për këte, - mbeti thjesht një cështje gjyqesh zinxhir pas të cilëve nuk u fol kurrë për fajtorë e dëmshpërblime. Mbikalimi u harrua, kurse Fajtorët nuk ekzistojnë në hapësirat tona! Ka natyrisht korrupsion të faktuar,akuza e ngritje padish gjithandej, por nuk ka fajtorë, nuk ka të ndëshkuar, nuk ka përfundime.

    Ekziston pra "lënia pas" e qametit dhe frymëzimi mbretëror i hajdutëve për haresën shpëtimtare të mëkateve të tyre.

    Mund të mos jenë shumnë tipa fleksibël dhe mund të mos gëzojnë gjenetikisht lehtësinë e të kuptuarit të gjërave këta fatlumë me pushtet në vendin tonë! Mbase nuk dinë të na qeverisin si duhet, por shkulmi i pushtetit të pamerituar ju ka kalitur atyre instiktin e vjetër të vetëmbrojtjes; mëkatarët e tenderave dhe gjëmave të mëdha kanë kuptuar se "rrjedhja e bekuar e kohës është një armë e pashlyeshme…

    Fazllici u harua, historia e tij u "la pas", jeta shqiptare vazhdon

    Kësaj strategjie me "lënie pas" të gjërave,synoi ti shërbejë së fundmi edhe kryeministri i vendit me deklaratën në mbrojtje të "jashtëministrit" elegant shqiptar. Mbase nuk është e vërtetë akuza dhe hajdutëllitë që pëshpëriten,dhe për këtë nuk mund të thuhet asgjë, po ajo cka mund të thuhet është se duket qartë se flitet gjithashtu qartë në mënyrë të pandershme….

    Me deklarata hileqare që synojnë të zallahitin dhe të lodhin cështjen me naïve, shfaqja e kryeministrit si avokat mbrojtës i Bashës, tregoi se deri në c'masë mund të shkojë shpërlarja e personalitetit ekzekutiv për të fshehur pandershmërinë e dyshuar të një ministri, që mund të rezultojë një ditë e zbuluar në dritën e diellit.

    Së paku, këto orevajtje lenë të supozohet se kjo "vetëshitje", kjo "lakuriqësi", dhe kjo "putanëri" naïve e politikës, për tu fshehur mbrapa pushtetit duke sfiduar ligjet e vendit, s'është gjë tjetër vec një përpëlitje para agonisë së fajit, madje është mjegull e re mbi të parën,gjersa minutat të shkojnë.

    (Epo, aleate të përherëshme të korrupsinit dhe mëkateve shqiptare, minutat janë shpëtimtaret. Pas tyre do të ketë përsëri një "lënie pas" një herë e mirë të haberit. Gjithcka shpejt do harohet).

    Së treti, Fazllici konfirmoi karaqeshur ekzistencën e një dukurie ndërkombëtare në Shqipëri. Kemi të bëjmë me një strategji të mbrapshtë vjedhjesh popullore,që prodhoi imagjinata gjigante e sekserëve politikë,kryesisht në vendet e Evropës juglindore.. Mbase ky shkulm filloi ne Rusi, ku rezultojnë manjatët e shtuar të naftës e gazit, që janë gdhirë sa hap e mbyll sytë miliarderë, por kjo nuk ka rëndësi. Pavarësisht origjinës dhe vendit ku u projektua,rëndësi ka fakti se kjo imagjinatë infektoi me shpejtësi vendet me demograci të vështirë,sic jemi ne, ndërsa u mbështet sa hap e mbyll sytë nga politikanë sharlatanë e të babëzitur të këtyre vendeve,që bëjnë të pabëren për xhepat e tyre.

    Skema seksere e vjedhjes spektakolare të pasurive kombëtare, ngaqë tregjet milionprurëse të biznesit të energjetikës janë monopolizuar dhe nuk mund të cahet atje, është drejtuar të funksionojë së funmi në pasuritë e paluajtshme.. Cfarë ndodhi në Shqipëri? Një mik sekser i kryeministrit tonë,zoti Fazllic, synoi dhe fitoi me sa duket ca "miliona të gjelbra, të pastra e të shëndetshme".

    Një situatë e përafërt u provokua edhe në Greqinë fqinje,ndonëse në një mënyrë më të kamufluar,por gjithsesi sekserët ishin aty. Papritur,qeveria greke dhe "Vatopedhi", njëri nga manastiret e "Malit të Shenjtë" të kishës ortodokse, rranë në një marëveshje për të shkëmbyer një liqen,pronë e Manastirit,e cila i kaloi shtetit,me disa troje rreth këtij liqeni, që u kthyen në pronë të Manastirit ortodoks. Shkëmbimi i pabarabartë e la pa fjalë opinionin public, për më tëpër që trojet e dhëna manastirit kishin vlerë shumë më të madhe se vlera e liqenit. Pastaj Manastiri ia shiti trojet me një vlerë akoma më të madhe disa kompanive private, duke përfituar shifra të mëdha milionash. Njëlloj si përfitoi edhe Fazllici nga tokat e fshatarëve në rrethinat e Golemit, dhe u bë i famshëm në Shqipëri,kreu i manastirit, Igumeni Efraim përfitoi miliona për vete dhe për sekserët e fshehur pas tij, por u përball sakaq me dritat publike sapo e vërteta doli në shesh. Shumë shpejt u morr vesh se kish ekzistuar një marëveshje paraprake për pastrim të "pastër" parash.

    Megjithë ngjashmërinë e projekteve seksere të aplikuara në dy vendet,ka një ndryshim thelbësor në atë cka ndodhi më pas. Ndërsa kuletploti Fazllic ikën dhe vjen si mik i kryeministrit pa i hyrë gjemb në këmbë,dhe cështja e tij gëzon sot dukurinë e "lënies pas" që përmendëm më sipër, gjërat janë ndryshe në krahun helen. Pati nje elektrizim të pazakontë të opinionit public,i cili solli për pasojë rënien në tatëpjetë të aksioneve qeverisë demokrate të Karamanlisit, por jo vetëm. Pati dorëheqje të dy ministrave të qeverisë të implikuar në këtë histori dhe ndryshe nga c'ndodhi në Shqipëri,cështja e Manastirit nuk u "la pas",përkundrazi,në hetimin dinamik dhe krenar të prokurorisë greke, vec shoqërisë civile, mer pjesë përditmërisht dhe unanimisht e gjithë media greke,pasi kanë kuptuar se këto lloj "sekseriiish", janë një cështje kombëtare dhe rrezikojnë demokracinë e shëndetshme në vend. Përkundrazi,media të rëndësishme në Shqipëri, mbështetëse të verbëra të qeverisë dhe mëkateve të saj, e trajtuan edhe ato zotin Fazllic si një mik të shtëpisë, madje shkuan edhe më tej,sekserisht,hodhën baltë mbi prokurorinë e brishtë të Ina Ramës, qe guxoi ta hetojë sekserin e madh.

  4. #44
    ILIR NË GEN Maska e flory80
    Anëtarësuar
    03-12-2006
    Vendndodhja
    Buzë Vjosës Kaltëroshe
    Postime
    1,531
    Fazllici u harua, historia e tij u "la pas", jeta shqiptare vazhdon
    Fatkeqsisht po!
    EH I ZIU NJERI, GËLLTIT DIKU NJE LUGË ÇORBË TË PRISHUR, EDHE VJELL PASTAJ PËR GJITHË JETËN!

  5. #45
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    Kritika 11/12/2008

    Dhurata e Kryeministrit
    Nga Artan Mullaj


    Artan MullajSa herë që duket sikur Berishës i bie koburja përdhe, shumë e dinë se kjo është një gjë e përkohshme, sepse dihet që Kryeministri do të ringrihet. . Ai dëshpërohet por edhe lufton ballë cdo realiteti me të vetmen armë që i ka mbetur dhe kjo është aftësia e tij gjeniale për të shfrytëzuar përvojën e gjatë në politikë me një inerci të admirueshme;shefi demokrat ia ka dale ti shpëtojë situatave të vështira falë kombinimit të përkryer që ai i bën rrjedhjes dashamirëse të kohës me dobësinë sistematike të kundërshtarëve. (Kjo inerci e shpëtoi atë rastësisht në 97-ën, dhe kjo inerci inteligjente tashmë, kjo përvojë, ky autoritet i betonuar, i kthyer në një instikt të pamposhtur, vazhdon ti rrokullisë ngjarjet butë, butë në favorin e tij).

    Shumë herë pranë skandaleve dhe akuzave, kryeministri i vendit e ka prekur ylberin e zgjidhjes së situatave gjithnjë në kohën e duhur. I karrikuar me energjinë e përvojës së gjatë mes politikës së ashpër në tranzicion, ai i ka dhënë rëndësi maksimale instalimit të pandalur të besnikërisë dhe zgjedhjevs së besnikëve në punët e pushtetit. Ky është celësi i portës së parë të triumfit dhe kjo është dicka e ngjashme me strategjinë e Enver Hoxhës në përzgjedhjen e anëtarëve të byrosë politike, kur naivët e vegjël ishin gati të votonin edhe marëzitë më të mëdha. I ashpër, i egër dhe ironik, doktori i ishdiktatorit, duket të jetë njohës i mirë i magjisë së imponimit, gjykuar mbi faktin se besnikët e tij janë më shumë se të tillë. Krahasuar me kampin përballë, demokratët janë shumë më të sigurtë në kohezionin e aksioneve të tyre, falë kësaj besnikërie dhë falë këtij komunikimi të shëndetshëm;në kampin demokrat bëhet shumë më pak politikë se në kampin socialist, megjithatë socialistët janë në krizë;Edi Ramës i nevojitet ipenjim i vecantë dhe kohë e vecantë, që i duhet ta vjedhë nga orët e gjumit, për të ekuilibruar shkulmet e përkëdhelura të ambicieve të politikanëve të majtë, përkundrazi, Sali Berisha mund të pijë i qetë caj kinez ose të hajë fara luledielli ku të dojë edhe kur ti teket.

    Megjithëse po mplaket, doktori i ka vazhdimisht nën kontroll kundërshtitë;duket sikur së fundmi Sali Berishën tonë e ka pushtuar një flashkim i ri pasionesh në prag të pleqërisë, aq sa me të drejtë shumëkush mund të mendojë se politika në ndërgjegjien e tij ka pushuar së qëni mision dhe është kthyer në një hob hormonndjellës. Ngaqë, për një kundërllogjikë, vendi manaxhohet keq e më keq nga njëra anë dhe ngaqë shkëlqimtar dhe autoritar më shumë se kurë, kryeministrit i janë rritur aksionet, në anën tjetër(sidomos mbas Gërdecit), mund të supozohet se pasionet e fundit të jetës i janë përqëndruar jo aq në bërjen e detyrës, sa në fitoren personale të kundërshtarëvë politikë.

    Në këtë llogjikë dhe në këtë flashkim, nëse dhurata e përsëritur për pensionistat nuk është një sëfidë personale dhe elektorale, ajo mund të supozohet se është një furi e përsëritur dhe një situatë e re në luftën e pandershme të krijimit dhe fitimit të përshtypjeve!

    Kështu mund të shprehet me dy fjalë orëvajtja elektorale e qeverisë dhe ironia elektorale e kryeministrit me dhuratën e re premtuar pensionistëve. 50 dollarët e premtuar me ngazëllim provokuan me të drejtë kureshtjen publike, ndërsa Berisha publikoi edhe njëherë dimensionin human të liderit fitimtar por edhe të merakosur shumë për qytetarët e rinj dhe të vjetër:

    Qeveria, pra, do të qerasë pensionistët për vitin e ri me një darkë pasanikëh.

    Nuk e tha kështu shprehimisht, por kryeministri përsëri ia doli të sfidojë kundërshtarët, por edhe të ngacmojë fantazinë e fukarenjve: me 50 dollarë mund të darkosh vënce në lokalet lluksoze të Tiranës, por jo vetëm. Me kaq para mund të festosh në ambjente ku mund të shohësh dhe ëndërosh rininë e veshur me aurrorë e me shije moderne dhe ti lejosh vetes përfytyrime të ndaluara;me kaq para mund ti provokosh vetes orekse seksuale dhe të guxosh të përfytyrosh detajisht ndonje pushtetar apo pushtetare lakuriq, ose ne skena intime…;me aq para mund edhe te ciftëzohesh madje kushedi, mund te besh edhe dashuri të heshtur dhe të vonuar, si bënë heronjte pleq të Markezit.

    Është e vërtetë! 50 dollarë e pak nuk janë cështje e thjeshtë për pensionistët tanë dorëhollë, aq sa, nëse llogarriten si dhuratë, e sidomos nëse llogarriten si dhuratë e bekuar prej "njëshit", marrin një fuqi dhe një vlerë simbolike; 50 e pak dollarë mund të mbartin energjinë e nevojshme për të provokuar simpati tek të mjerët; pensionistët do mund të jenë një hap larg një casti lumturie te virgjër. Ata, gjithsesi, nuk do të ndihen jetimë në shkallëzimin e ri të kujtesës;nuk do të përfillin furrinë e mbarimit të jetës përpara, në po atë masë që gjithashtu do të shpërfillin ndjesinë e egër të indiferencës ndaj tyre në një botë indiferente.

    50 dollarë për pensionistët janë lajm i mirë, realitet i mirë, janë mbrekulli, ngushëllim, frymëmarje, mbushje, rini, fillim, karikim, ngazëllim, përsëri ëndërrim, përsëri shpëtim, deri adrenalinë dhe hormone të ndezura.

    Dhe të gjitha këto afrohen sot nga ai, nga vetë ai, zemërmadhi, shpirtmadhi, hatërmadhi, hatamadhi, lavdimadhi, pushtetmadhi, nga vetë kryeministri i vendit, Sali Berisha.

    Këto fraza mund të mos merreshin si sarkazëm! Përkunderazi! Mund të pranoheshin si shprehje të një situate të afruar dashamirësisht nga kryepushtetari ynë! Sepse, të qënit kryeministër, sic është ai, i një populli të mjerë, nuk i privon kursesi atij të drejtën për ti dhuruar para të vështira moshës së vështirë. Madje ky do të ishte një akt sublim që do të merritonte sublimitet në analizë, sikur të jetonim si qytetarë të civilizuar në një realitet me normalitet dhe emancipim.

    Por ne shqiptarët jetojmë egër nën një paradoks të papërsëritshëm realiteti të trishtë e të padrejtë!

    Jetojmë fatalisht paradoksin! Në këtë realitet, dhurata dashamirëse e Sali Berishës ngjan me një mizë të zezë në një supë të ftohtë. Tej euforisë me të cilën krueministri shpalli lajmin në publik, a thua paratë që do dhurohen i nxorri nga kuleta e tij, nga kuleta e së bijës, nga kuleta e Rulit apo nga kuleta firmato e Bashës, kryeministri gati në shpërthim prej mbidozës së krenarisë, dukej i kënaqur shumë për bamirësinë e paparë dhe për të gjitha arritjet. Shfaqet krenar përpara një populli të coroditur nga makthet e frikshme të përditshmërisë. Ky njeri i vështirë, guxon të jetë krenar e ti buzëqeshë psikologjikisht një populli të rrënë në një krizë të ashpër të vetëdijes dhe në një pesimizëm të tmershëm;kjo masë gabim energjie njerëzore, e zgjedhur fatalisht për të drejtuar, është pra sot e lirë të gjenerojë hipokrizi mbi vuajtjet shpirtërore të një populli të tërë, që në fakt janë më shumë se kaq.

    Sali Berisha është kryeministër i një vëndi që ngjan me nje kosh të madh plerash, të shpërndara simetrikisht nëpër qytete dhe në të gjitha rrugët nacionale… ai është njëshi i murrmë i një shoqërie moralisht të dërmuar, ku njerëzit e pashpresë vrasin veten dhe të afërmit. Ai "dhuron", por ai vetë është dhurata e hidhur e disfatës shqiptare;është misionari i varfërisë.

    Shef i një vendi që gjëmon përditë nga klithma e ndërgjegjieve të plagosura prej zhgënimit më të kobshëm…, udhëheqësi i një kombi që rrëqethet përnatë nga mungesa e normalitetit;eshte kryepushtetar i një vendi me njerëz të lodhur, me patriotizëm të shuar në shpirt, me njerëz besimshuar, pemëthyer, lumështeruar; është i pari i vendit të fundit në rradhë; është njeriu i natës dhe i territ;është simbol i vështirësisë publike, është kryetari i një qeverie që nuk vepron por vetëm konstaton, është përfaqësues i një ekipi që nuk ka aksion, veprim dhe fantazi; është edhe ëngjëll i mungesës, i premtimeve boshe, por edhe kucedra e ujit dhe e dritës. Shkurt, thjesht, qartë, rëndom, marrëzishëm, klithshëm, është kryeministër i korruptuar i një vendi të koruptuar, ku mungon drejtësia, civilizimi, edukata qytetare, pastërtia, humanizmi, komunikimi, ndershmëria dhe institucionet serioze.

    Megjithatë ai dhuron. Megjithatë ai është krenar që sfidon! Dhe kjo nuk është pak!

  6. #46
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    thx berisha qe po u jep dicka pensionistave..
    pse eshte inatosur ki mulla mullari i edvinit?

  7. #47
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    Tirana Observer, e diel , 14 dhjetor 2008

    Recesioni: Larg apo Ne Brenda tij?
    Shkruar nga Sokrat Habilaj

    Ajo që po ndodh sot në ekonominë globale tregon se bota nuk ka qenë e përgatitur sa duhet për situata të tilla të pakëndshme. Kjo duket jo vetëm në faktin që nuk u bë e mundur e evitimi i saj, por edhe tek masat që po merren në vazhdimësi për përballimin e kësaj krize. Mjafton të kujtojmë faktin se edhe në Amerikë, e cila i ka më të lexueshme shenjat e kësaj krize, reformat e ndërmarra të lënë përshtypjen se kemi të bëjmë me rregullime të pjesshme, me “arnime” të cilat nuk munden kurrsesi t’i thonë stop asaj që po ndodh. Kështu ndërsa pas një debati të gjatë u miratua një fond i jashtëzakonshëm dollarësh për t’i ardhur në ndihmë falimentimit të sistemit bankar, aktualisht po jepet një alarm tjetër në degë të tilla jetike për ekonominë amerikane, siç është industria e prodhimit të makinave. E njëjta gjë po vihet re edhe në ekonomi të tjera të fuqishme të globit, ku po përvijohet përditë e më shumë se ajo që po ndodh në ekonominë amerikane nuk është shumë larg prej tyre, përkundrazi është pjesë e ekonomisë së tyre. Një lidhje e tillë është plotësisht logjike, ndërsa të mendosh të kundërtën, pra që ekonominë e një vendi ta marrësh si një ishull të shkëputur dhe të imunizuar nga ato që ndodhin rreth saj, do të ishte krejt absurde.

    Kjo shpjegohet me mënyrën si funksionon ekonomia e sotme botërore, ku ajo është më e lidhur se kurrë financiarisht dhe në shumë drejtime funksionon si një trup i vetëm. I përmendëm të gjitha këto për të evidentuar një fakt fare të thjeshtë, i cili ka të bëjë me ndërthurjet, konkretisht varësinë që ka ekonomia shqiptare me këto shenja krize që po evidentohen në ekonominë botërore. Pa folur ende për pasojat e kësaj krize fillimisht po themi se të gjykosh se kjo krizë ndodhet larg nesh, ose se pasojat e saj tek ne mund të jenë minimale, kjo të ishte jashtë realitetit. Në këtë kuadër mendojmë se nga ato që deklarohen publikisht, herë me tone të larta e herë nën zë për imunitetin e ekonomisë sonë, janë gjykime krejt naive dhe të pa baza. Ashtu si në Amerikë apo edhe në vendet e tjera, të cilat tani jo vetëm faktikisht, por edhe psikologjikisht po përgatiten për një klimë aspak të butë ekonomike edhe këtu tek ne njerëzit duhet të ndërgjegjësohen se ajo që po ndodh jashtë nesh në kuptimin territorial është brenda nesh në kuptimin e lidhjeve dhe vartësisë ekonomike dhe nuk ka si të mos ketë pasoja edhe për ne. Këtu nuk është fjala për të dhënë alarme false, por për të pasur një gjykim objektiv, sepse vetëm kështu do të minimizohen sa të mundet disa pasoja të krizës që po afron e cila mund të dallohet edhe tek ekonomia jonë në disa drejtime.

    Së pari, dihet se kjo krizë apo prag recesioni që po duket në horizont është një krizë financiare dhe në këtë kuadër janë institucionet financiare, konkretisht bankat ato që po japin shenjat krizës dhe që janë në qendër të vëmendjes të opinionit publik. Duke e ditur këtë interesim edhe këtu tek ne deri tani ka pasur disa deklarime publike të cilat kanë të bëjnë me gjendjen e sistemit bankar në Shqipëri, duke e vënë theksin tek mendimi se sistemi bankar është nën kontroll dhe se deri tani parametrat e tij në përgjithësi kanë qenë pozitivë. Në këtë mënyrë synohet të jepet edhe një lloj garancie në të ardhmen për këtë institucion të rëndësishëm të botës financiare, apo për të ruajtur qetësinë psikologjike tek klientët e panumërt të këtyre bankave. Po pikërisht mendojmë se tek këto deklarime ka subjektivizëm, pasi kemi të bëjmë me një anashkalim të tipare konkrete të bankave që operojnë në Shqipëri. Këtu nuk është vendi për ta vënë në dyshim punën që bëhet për t’i pasur nën kontroll bankat e nivelit të dytë, por tek tiparet kryesore të ndërtimit dhe funksionimit të këtyre bankave në Shqipëri. Dihet se bankat nga vet natyra e tyre janë të lidhura jo thjesht me njëra tjetrën, por edhe shumë më gjerë, madje kjo është dhe vet natyra e funksionimit dhe ekzistencë së tyre. Kjo është njëra anë, por ...

    ... ana tjetër dhe që ka të bëjë me bankat e shumta me emërtime të tilla si “Banka shqiptaro…. “(më pas vjen emri i një shteti larg apo afër nesh), është fakti se në përgjithësi, ato janë banka “bija”, janë degë ku rrënjët, apo trungu i tyren ndodhet diku gjetkë, jashtë nesh dhe pikërisht atje ku tashëm kriza është shpallur publikisht. Thjesht duke u nisur nga ky fakt, pa u futur në analiza dhe detaje të hollësishme rezulton se ai kontroll dhe mbikëqyrje që mund të bëhet këtu është një kontroll dhe mbikëqyrje që u bëhet vetëm degëve ku trungu dhe rrënjët janë shumë lar prej nesh. Kështu pra në kuptimin figurativ ato mund t’i krahasojmë me një degë peme të zgjatur drejt ballkonit tonë, të cilës ne i gëzohemi për gjallërinë dhe shëndetin e saj, por dhe drejt së cilës ne derdhim jo pak mundin tonë duke i shërbyer, shërbim ky i cili do të jetë i efektshëm për sa kohë ajo gëzon shëndet tek rrënjët të cilat janë larg nesh dhe ne nuk kemi thuajse asnjë rol në drejtim të tyre. Ky është fakt që njerëzit duhet ta dinë dhe t’u thuhet hapur se ne po bëjmë sa është e mundur, po bëjmë aq sa mund të bëjmë, po ndikimi ynë shkon deri në këtë pikë. E pra nëse ka një sferë të ekspozuar më shumë ndaj asaj që po ndodh në ekonominë globale, ky është sistemi bankar që operon në Shqipëri, i cili nuk ka si të mos e ndjej krizën edhe pse mund të jetë në mbikëqyrje të plotë.

    Së dyti, për sa i përket vendit tonë ne kemi edhe një veçori tjetër, ose një nyje të fortë lidhjeje me ekonominë botërore pasi pjesa më aktive jo thjesht si moshë, por edhe si numër jeton dhe punon në tregun botëror të punës. Po bëhen afërsisht njëzetë vite që ekonomia jonë e ka pasur si oksigjen këtë burim të ardhurash i cili vjen nga ky treg. Të ardhurat që vijnë prej emigrantëve janë përdorur në një masë të madhe për përballimin e nevojave jetike të ditës, por pak nga pak ato nisën të gjejnë terren edhe në investime të tjera afat gjata duke dhënë një ndikim pozitiv për zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi. Ky treg ku punon gjysma e popullsisë shqiptare në përgjithësi dhe mbi shtatëdhjetë për qind e asaj aktive, tani po lëkundet duke vënë në rrezik mijëra e mijëra vende pune.

    Të parët që do ta ndjejnë ndikimin negative, natyrisht që do të jetë ky kontingjent, pasi dihet se popullsia e vendeve përkatëse duke e ndjerë rrezikun e vendeve të punës, fillimisht do të përpiqet të ruaj për vete vendet e punës dhe pastaj për ata që vijnë nga jashtë. Edhe një shikim i sipërfaqshëm nuk mund të mos evidentojë se pikërisht në këtë drejtim ne jemi fare të pa mbrojtur ndaj shenjave negative që po shfaq ekonomia botërore. Edhe në këtë kuadër tingëllojnë të pa argumentuara thëniet se ne ende nuk po provojmë pasoja negative të kësaj krize. Kur flitet për ekonominë e vendit, ajo nuk mund të kuptohet asnjëherë, pa një prej shtyllave kryesore të saj siç është fuqia e punës që punon jashtë. E pra, kur ajo ndihet e rrezikuar për vendin e punës, kjo do të thotë se gjithë ekonomia jonë e cila e ka punën e tyre si burimin më kryesor të të ardhurave, nuk ka si të mos ndihet e rrezikuar nga pasojat e krizës globale. Për të argumentuar këtë do të mjaftonte edhe vetëm një e dhënë siç është ajo për uljen drastike të dërgesave në të ardhura të emigrantëve gjatë këtij viti. Duke u kthyer tek pyetja se sa po e ndiejmë ne efektin e krizës botërore dhe duke e lidhur këtë me treguesin e uljes së të ardhurave që dërgojnë emigrantët, mund të themi me bindje se ne jemi duke e provuar realisht efektin e krizës botërore.

    Së treti, dihet se sektori më impulsiv i gjithë këtyre viteve të gjata të tranzicionit ka qenë dhe vazhdon të mbetet sektori i ndërtimeve. Aty është investuar pjesa më e madhe e fuqisë punëtore, janë hedhur shpenzimet më të mëdha dhe po kështu janë realizuar edhe të ardhurat më të mëdha. Ndryshe nga dy treguesit që përmendëm më lart, duket sy ky i fundit është pak më ndryshe. Tiparet këtij sektori duken si tipare tipike shqiptare, por nuk mund ta kuptojmë të palidhur edhe me faktorë të jashtëm Kështu ndërsa është ulur kërkesa për blerje në këtë sektor edhe si rrjedhojë e uljes së të ardhurave nga jashtë, ai ka kohë që në mënyrë spontane është në kërkim të rrugëve të tjera për mbijetesë, apo e thënë ndryshe për ta shitur veten. Një nga këto forma që evidenton edhe më qartë krizën e këtij sektori është forma jo e shitjes së produktit të tij, por e shkëmbimit nëpërmjet të ashtuquajturit “klering” që gjithsesi nuk është i tillë. Pra pak nga pak nga një sektor për krijimin e të ardhurave, ai po kthehet në një sektor që prodhon mall për t’u shkëmbyer me mallra të tjera të gjykuara si të baras vlershëm me të dhe kjo është shenja më kryesore e krizës që po përjeton ky sektor. Kjo krizë herë-herë pranohet madje duke e quajtur si një sektor ku efekti domino do të jetë evident më shumë se kudo tjetër me pasoja mjaftë negative, herë-herë ka përpjekje që pamja e zymtë e tij t’i hidhet thjesht mos dhënies apo pengesave të ndryshme të lejeve të ndërtimit, po problemet janë shumë më të thella se kaq. Janë probleme të lidhura me faktorë të jashtëm dhe të brendshëm që tregojnë se nuk mund të qëndrojmë jashtë efekteve të asaj që ndodh në botë, por gjendja bëhet edhe më negative kur kësaj ne i shtojmë dhe diçka për keq nga vetja. Sektori i ndërtimeve është një shembull i qartë që tregon ndikimin negativ të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm

    Së katërti, duke marrë shkas nga ajo që sapo evidentuam ka dhe tregues që tregojnë se ne mund të jemi stoik ndaj efekteve të asaj që ndodh në botë. Kështu ndërsa çmimi i naftës në tregun botëror po shkon drejt niveleve më të ulëta, kjo gjë nuk po ndihet këtu tek ne. Ky është paradoksi më i madh që mund të ndodh vetëm tek ne ku duket se në kërkim të fitimeve më të mëdha shmangen rrugët normale në të cilat është ekonomia botërore me të mirat dhe të këqijat e saj, duke ecur në rrugë të pashkelura ashtu siç dimë të ecim vetëm ne. E përmendëm këtë dukuri për të evidentuar faktin se ekonomia jonë tani është pjesë e ekonomisë globale. Ajo ndodhet si në ndikimin e politikave ekonomike të brendshme ashtu edhe atyre të jashtme. Por në një situatë të tillë ka rëndësi të ketë një transparencë më të madhe jo thjesht ndaj publikut, për të vënë theksin mbi veçoritë dhe dukurit e saj.

    Në këtë drejtim është e domosdoshme që njerëzit ta din se kjo, apo ajo pasojë negative, apo pozitive është si efekt i ndikimit të asaj që po ndodh sot në botë, ndërsa kjo ecje apo ngecje në vend është pasojë e mirë apo keq qeverisjes. Vetëm duke vepruar kështu ne jo thjesht do të jemi të përgatitur ndaj fenomeneve negative por sa të jetë e mundur do të marrim dhe masa për parandalimin e atyre që varen prej nesh.

    Ndryshe duke folur vetëm për suksese, duke u munduar të argumentojmë se ekonomia jonë është një ishull i ndarë nga bota, do të vazhdojmë të vuajmë efektin e krizës, ndërsa vet ekonomia në aspektin propagandistik do ta vazhdojë të eci “nga fitorja në fitorje”, pra mbrapsht.

  8. #48
    Comunicazione & Marketing Maska e Albmaster
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    REPUBBLICA ITALIANA
    Postime
    811

    Post Flutura Kola në prokurori për Fazllic

    Kushërira e parë dhe ortakja në punë e Argita Malltezit, Flutura Kola është pyetur mbrëmë në prokurori për llogari të hetimeve ndaj Damir Fazllic


    Tiranë-Kushërira e parë dhe ortakja në punë e Argita Malltezit, Flutura Kola është pyetur mbrëmë në prokurori për llogari të hetimeve ndaj Damir Fazllic. Burimet konfirmojnë se avokatja e biznesmeti serbo-kroat, Fazllic ka thëne versionin e saj për shitjen e kompanisë “Crown Acqusitions” me vlerë 1.7 milion euro.

    Biznesmeni po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për pastrim parash në vendin tonë. Hetimet nisen pas denoncimeve të bëra nga media për abuzimet dhe përfitimet e tij të paligjshme. Sic edhe ka deklaruar vete Sali Berisha, Fazllic eshte mik i tij.

    Në cilësinë e avokates, u pyet nga prokurorët edhe Flutura Kola e cila ka një zyrë avokatie me vajzën e Kryeministrit, Argita Malltezin. Kola ka dhënë shpjegime rreth blerjes dhe shitjes së kompanisë "Crown Acqusitions shpk", pronë e serbo-boshnjakut Damir Fazliç. Kjo kompani u shit për 1.7 milionë euro tek kompania qipriote, “Altaria research limited”.



    Shekulli

Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123

Tema të Ngjashme

  1. Gjykata shqyrton çështjen Fazliç, i rikthehen pronat, ai nuk eshte me nen hetim
    Nga Duaje Siveten në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 125
    Postimi i Fundit: 13-07-2012, 09:53
  2. Bujar Bukoshi: Berisha theu embargon, por e beri per Kosoven
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 25-12-2008, 18:05
  3. Pa Ty, asgjë!
    Nga Dritez në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-12-2008, 17:47
  4. Rrëzohet mocioni i opozitës për Topallin në parlament me 70 vota
    Nga karaburuni në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 85
    Postimi i Fundit: 23-03-2006, 18:54
  5. Vendet arabe dhe perendimi
    Nga Eni në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 67
    Postimi i Fundit: 10-09-2003, 08:47

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •