Postuar më parë nga
DYDRINAS
LIRIA ËSHTË SIGURI, DIKTATURA PASIGURI
2011-06-15
Andrea Stefani
LIRIA ËSHTË SIGURI, DIKTATURA PASIGURI
Po ndiqja me vëmendje të shtuar lajmin mbi botimin nga profesor Luan Omari, të një libri për ndarjen e pushteteve në Shqipëri dhe deformimet që kanë ndodhur në këta 20 vjet tranzicion në këtë rrafsh. Libri do të shqyrtohet pa dyshim me shumë kujdes nga të gjithë ata që janë të alarmuar për përqendrimin e pushteteve në duart e Kryeministrit Berisha, ndërkohë që fryma dhe germa e Kushtetutës së Republikës këmbëngul për ndarjen e pushteteve. Por ndërkaq, nuk mund të mos të binte në sy fakti që si pjesëmarrësit në ceremoninë e përurimit të librit ashtu edhe mediat që lajmëruan atë, kishin veçuar më së shumti këtë thënie të Omarit: “…di me siguri që në diktaturë nuk ishim të lirë, por ishim të sigurt, ndërsa sot në demokraci jemi të lirë, por aspak të sigurt”. Është një thënie që meriton të kritikohet. Mbi të gjitha sepse ka të bëjë me kuptimin për lirinë, me kryeqëllimin e mashtruar të tranzicionit shqiptar. Por edhe sepse fraza është shqiptuar nga një autoritet i konstitucionalizmit dhe si e tillë, mund të ketë edhe më shumë impakt në mënyrën e të menduarit publik.
* * *
Nëse mund të ketë ndonjë gjë të gabuar në ato që ka thënë dhe shkruar profesor Omari, është pikërisht kjo frazë: “…në diktaturë nuk ishim të lirë, por të sigurt, ndërsa sot në demokraci jemi të lirë, por aspak të sigurt”. Fraza ka tërhequr vëmendje, sepse kërcet, por kërcet ngaqë është e thelbësisht e zbrazët. Dhe në të shfaqen të këputura të gjithë ato lidhje organike mes lirisë së njeriut dhe sigurisë së tij. Të sigurt nën diktaturë!? Po përse? Të sigurt se pushteti dhe partia mund të të bënin gjëmën sa herë që një gjë e tillë të ishte e nevojshme për pushtetin? Si mund të quhet siguri një gjendje kur pushteti absolut diktatorial gëzon hapësira të pakufizuara për të cenuar jetën, pronën dhe të drejtat e çdo qytetari? Si mund të quhet siguri një gjendje ku siguria se nuk do të përfundosh në burg apo internim nuk buron nga liria e shprehjes dhe pamundësia e pushtetit për ta goditur atë, por nga heshtja, fshehja e të vërtetave të tua dhe, akoma më keq, nga konformizimi servil me pushtetin, me idetë dhe propagandën e tij. Nëse vërtet njerëzit do të ndiheshin të sigurt nën diktaturë, atëherë liria do të ishte një gjendje e tepërt dhe e panevojshme për ta. Teza se në diktaturë edhe pse pa liri ishim të sigurt, jo vetëm nuk shpreh një të vërtetë, por bart pashmangshëm, si konotacion, edhe një aspiratë për t’u arratisur nga gjendja e sotme pa siguri drejt një gjendjeje të ngjashme me atë të djeshmen që, gjithsesi, ofruaka siguri. Mbi këtë lloj mënyre të menduari, themelohet ajo që Erih From e ka quajtur sindromë e arratisjes së njeriut nga liria për të gjetur strehë, qetësi apo siguri në forma të ndryshme skllavërimi apo nënshtrimi.
* * *
Por a është vërtet liria, kjo situatë pa siguri që i bën jo pak njerëz të kthejnë me nostalgji sytë nga diktatura që, gjithsesi, u duket se ofronte, të paktën, siguri? Këtu vijmë në pjesën e dytë të frazës së Omarit: “…sot në demokraci jemi të lirë, por aspak të sigurt”. Vërtet? E ç’na qenka kjo liri që nuk ofruaka siguri? Liria pa siguri është një kontradiktë në përkufizim. Nëse liria nuk do ofronte siguri për njerëzit, ajo nuk do ishte ideal i tyre. Liria është ajo situatë që ofron sigurinë më të madhe për njerëzit dhe për një shoqëri. Dhe këtë e bën me anë të drejtësisë që sikundër shkruan Edmund Bërke, është një emër i dytë për lirinë. Por në Shqipëri përgjithësisht e paskan të vështirë të kuptojnë lidhjen organike mes lirisë dhe drejtësisë. Prandaj, dhe politikanë si Berisha e kanë të lehtë të thërrasin e premtojnë “liri”, ndërkohë që bëjnë gjithçka të vënë nën sundimin e tyre pushtetin e drejtësisë, ta vrasin lirinë duke skllavëruar drejtësinë. Kur Xhon Lok thotë, se pa ligj nuk ka liri, kishte parasysh pikërisht drejtësinë e pavarur si pushtet dhe jo thjesht ligjet e shkruara të interpretuara nga gjykatës servilë sipas oreksit të qeverisë. Liria lind dhe zhvillohet vetëm aty ku drejtësia kufizon gjakimet e pushtetit politik në atë masë që ai nuk mund të dhunojë dot jetën e njerëzve. Por, nuk mund të quhet një vend i lirë, një shtet me liri, ai ku nëpunësi civil nuk mbron dot vendin e punës në gjykatë, sepse partia në pushtet ka dhënë urdhër që të flaket, ku pronari nuk e merr pronën e grabitur nga komunizmi, sepse ashtu do pushteti, ku biznesi privilegjohet kur sponsorizon pushtetin dhe obstruktohet në të gjitha format, kur nuk e bën një gjë të tillë. Në një vend të tillë edhe demokracia nuk është më demokraci, sepse gjykatat e kapura nga pushteti shërbejnë si lavatriçe të vjedhjes së votës nga pushteti. A nuk po ndodh kështu me votën në Tiranë? Pra, jemi në një situatë pasigurie që vjen pikërisht nga mungesa e drejtësisë. Është në fakt një situatë kaosi e maskuar me “shtet” dhe me “ligj” dhe që prandaj perceptohet gabim si situatë lirie. Edhe liria e shprehjes dhe pluralizmi politik, edhe votimet, janë ato që e shtojnë edhe më shumë iluzionin e lirisë. Por pa drejtësinë, edhe liria e fjalës shndërrohet në një garniturë të nënshtrimit. Sikundër, mjerisht po ndodh edhe në Shqipëri. Pra, ne shqiptarët, nuk “jemi të lirë, por të pasigurt”, sikundër thotë profesor Omari, por jemi të pasigurt, sepse nuk jemi të lirë. Dhe shpëtimi nuk vjen duke u strehuar në një gjendje pa liri, por me “stabilitet” e “siguri”, por duke u përpjekur për krijimin e drejtësisë së pavarur që kufizon pushtetin politik duke krasitur me ligj lakmitë e tij, duke ndarë pushtetin e drejtësisë nga pushteti politik. Në fakt, duke bërë një nga ato punë që edhe vetë libri i profesor Luan Omarit sugjeron.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt