Të gjithë kemi lexuar dhe mësuar këto ditë lajmin e kobshëm të shpërthimit të një depo municioni në zonën e Vorës, fshatin Gërdec në të cilin kanë humbur jetën shumë njerëz, janë plagosur qindra të tjerë, shumë njerëz janë renditur si të humbur pasi nuk dihet fati i tyre, dhe shumë të tjerë kanë shpëtuar jetën por kanë humbur shtëpitë, kanë humbur bizneset e vogla, kanë humbur gjënë e gjallë me të cilën ushqenin veten e familjen. Nuk është nevoja që tu përshkruaj me fjalë se sa dramatike është situata në Gërdec pasi jam i bindur që të gjithë i keni ndjekur ngjarjet nga afër nëpërmjet mediave apo nëpër faqet e forumit shqiptar.
Kur tragjedi të tilla ndodhin në një popull të vogël e të varfër, nuk shkaktojnë vetëm dhimbje, panik e lot, por testojnë edhe dashurinë, dhembshurinë dhe frymën e vëllazërisë e bamirësisë së një populli. Kjo tragjedi përben në vetvete një apel dhe një sfidë jo vetëm për qeverinë shqiptare dhe ata shqiptarë të prekur nga tragjedia, por përbën një apel për ndihmë për të gjithë shqiptarët në botë. Të gjithë duhet të ndihmojmë njerëzit e prekur nga tragjedia pasi ata janë shqiptarë si ne, janë motrat dhe vëllezërit tanë. Dhe përpara se të presim ndihmat nga qeveria apo nga qeveritë e vendeve fqinje, duhet të jemi ne si shqiptarë të parët që ndihmojmë financiarisht viktimat e tragjedisë.
Albasoul dhe Forumi Shqiptar, duke qënë vendtakimi më i madh i shqiptarëve në diasparë në 150 shtete të botës, ju apelon me dorën në zemër të gjithë anëtarëve dhe vizitorëve tanë që të ndihmojnë familjet shqiptare të prekura nga kjo tragjedi duke bërë një donacion financiar. Të gjithë ne pa përjashtim që jetojmë e punojmë në botë, mund të japim diçka nga të ardhurat tona për atë fëmijën të ngelur jetim nga kjo tragjedi, për atë familjen që nuk ka më një tavan mbi kokë, për atë prindin fermer të dëshpëruar në kulm që vret mendjen se si do të ushqejë fëmijët e tij tani që ka humbur edhe gjënë e gjallë me të cilën mbante familjen.
Qeveria shqiptare ka hapur këto llogari bankare për të gjithë ata që duan të ndihmojnë financiarisht duke bërë një donacion:
ALL 8003890900
EUR 8000890900
GBP 8002890900
USD 8001890900
Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin në mënyrë që të na ndihmojë edhe Perëndia si popull!
Le ti ndodhemi pranë njëri-tjetrit në këto ditë të vështira,
Stafi i Forumit
Krijoni Kontakt