Buka me ngjyrues, AKU nis kontrollet në furrat e Tiranës
2 Mars, 2013 | Kategoria: Aktualitet | U postua nga: T.O
Inspektorët: Kemi kontrolluar 178 furra, ka probleme me higjienën
Pas alarmit për qumështin, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka nisur një kontroll të imtësishëm edhe ndaj furrave të bukës, pasi dyshohet se bukës së zezë i hidhet ngjyrues. Nga 570 furrat e bukës që ndodhen aktualisht në kryeqytet, kontrollet e deritanishme janë shtrirë në 170 prej tyre, dhe deri më tani nuk kanë rezultuar raste të bukës me ngjyrues. Probleme ka pasur thonë inspektorët e AKU-së, por kanë qenë probleme që lidhen me mungesën e higjienës dhe të ambalazhit, ndërsa për rastet e përdorimit të ngjyruesit te buka e zezë, inspektorët nuk e pohojnë, por as e mohojnë faktin që mund të ketë raste të tilla. Në mbyllje të kontrolleve pritet të ketë një raport më të detajuar të situatës.
Kontrollet
Aty ku janë konstatuar probleme, AKU ka marrë masa duke vendosur gjoba që variojnë nga 10 deri në 100 mijë lekë, por krahas gjobave ka pasur edhe paralajmërime për mbyllje të subjekteve. “Ka pasur probleme dhe vazhdojnë të jenë. Nga higjiena në përgjithësi, nga ambientet e kufizuara, ambalazhi që përdoret për bukën etj. Janë një listë me probleme por këto janë kryesoret. Ka pasur më shumë pezullime në rastin e higjienës. Kemi aplikuar mënyrën e të shkatërruarit të ambalazhit dhe vendosje gjobash”, tha dje për mediat inspektorja e AKU-së, Flutura Nuredini.
Shoqata
Inspektorët sigurojnë konsumatorin se mielli që përdoret aktualisht nga furrat e bukës është pa ngjyrues, megjithatë kontrollet do të vazhdojnë në të gjitha njësitë e prodhimit dhe tregtimit. Pak kohë më parë Shoqata e Prodhuesve të Bukës ngriti shqetësimin se ka shumë subjekte që tregtojnë bukë në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në periferi, të cilat nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare.
Ankesat
Në vitin 2012, Shoqata e Mbrojtjes së Konsumatorit mori në shqyrtim 4 mijë ankesa nga e gjithë Shqipëria. Vetëm në muajin janar u regjistruan 137 ankesa. Natyra e ankesave është kryesisht për cilësinë e lëndës së parë të drithërave, kushtet e magazinimit apo ruajtjes, kushtet higjeno-sanitare, rreziqet mikrobiologjike, ambalazhimi, tepricë ngjyruesish apo pesticidesh si dhe përdorimi i ujit të papastër (ujë pusi) që përdoret për të prodhuar brumin e bukës.
Ngjyruesit
Shqetësimi për ngjyruesit te buka e zezë është ngritur në media nga specialistë të ndryshëm të cilët janë marrë me studimin e bukës. “Ngjyrues që vijnë në rrugë të panjohura bëjnë pjesë në atë që quhet bukë e zezë. Këta pigmente i shtojnë bukës jo vetëm ngjyrën, por dhe volumin. Realisht këta ngjyrues nuk janë të dëmshëm në rast se përdoren me kriter. Teprimi i saj ndikon negativisht në shëndet duke çuar në dhimbje dhe fryrje barku, temperaturë dhe ndërlikime të tjera,” ka thënë në media Islam Cani, kryetar i Shoqatës së Mbrojtjes së Konsumatorit. Sipas tij e gjithë kjo situatë vjen për shkak të konkurrencës së egër që kanë prodhuesit e bukës midis tyre
Buka me ngjyrues, AKU nis kontrollet në furrat e Tiranës
http://www.tiranaobserver.al/2013/03...rat-e-tiranes/
Krijoni Kontakt