Rama hap konkursin për bregdetin e Vlorës, Gjika: Kemi projektin tonë
Kryeministri Edi Rama ka hapur dje zyrtarisht konkursin ndërkombëtarë për realizimin e projektit “Lungo Mare” në vijën bregdetare të qytetit të Vlorës, nga Pylli i Sodës deri te tuneli i Ujit të Ftohtë. Shpallja e konkursti është bërë në teatrin “Petro Marko” ku kanë marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta, anëtarët e kabinetit qeveritar, si dhe kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika. Në fjalën e tij Rama premtoi se ai do të bëhet i prekshëm për qytetarët para sezonit veror 2015, teksa falenderoi për përgatitjen e dokumentacionit të këtij konkursi Ministrinë e Zhvillimit Urban që drejtohet nga Eglantina Gjermeni. “Më lejoni po ashtu, që të falënderoj nga zemra skuadrën e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit për përgatitjen e këtij Konkursi Ndërkombëtar që shënon hapjen e një kapitulli të ri, në jetën e qytetit tonë dhe për faktin se ky konkurs u bë i mundur të përgatitet dhe të hapet sot, në vitin e parë të 100 vjetorit të dytë të pavarësisë të shtetit tone”, – tha Rama. Por pavarsisht pjesmarrjes së Gjikës në këtë aktivitet, duket se Bashkia e Vlorës ka mbetur e pakënaqur nga marrja e kompetencave të organizimit të këtij konkursi nga qeveria. I kontaktuar në telefon nga gazeta “MAPO” kryetari i bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika megjithëse nuk ka dashur ti shpallë luftë direkte qeverisë për këtë nismë, ka lënë të kuptohet qartë se Bashkia që ai drejton nuk ka patur rol në këtë organizim. I pyetur nëse kishte dijeni për këtë nismë dhe a ishte pyetur bashkia për këtë konkurs, Gjika do të shprehej se “natyrisht që kemi pas dijeni dhe do ti vëmë në dispozicion gjithë dokumentacionin e nevojshëm për realizimin e projektit”. Ndërsa më tej shtoi se “Bashkia ka bërë një studim dhe një projekt që nga viti 2008 që përfshinë pikërisht vijën bregdetare”. Ai madje shtoi se për këtë studim dhe projekt janë harxhuar edhe lekë të taksapaguesve”. Megjithëse nuk ka pranuar të përgjigjet drejtpërdrejtë nëse me këtë nismë qeveria po merte pushtetit vendor kompetencat, Gjika ka theksuar se Bashkia “do ta paraqesë këtë dokumentacion që ka në konkurs”. Ndërkohë që nga ana e tij Rama në fjalën e tij të mbajtur në takimin e hapjes së konkursti nuk ka lënë pa hedhur kritika edhe mbi punën e Gjikës në administrimin e vijës së bregdetit të këtij qyteti. “Ne këtu në Vlorë jemi të gjithë të bindur se kemi në dispozicion një thesar. Një thesar, që për shumë vite na humbi nga sytë dhe që mjaftoi një ndërhyrje e shpejtë dhe jo fort e vështirë për ta riparë me sy bregdetin e mrekullueshëm të qytetit që është para nesh, tanimë si një sfidë për të ndërtuar Vlorën e shekullit të ri. Unë jam i bindur se pavarësisht dëmeve të bëra për shkak të mungesës së eksperiencës apo për shkak të ngutjes pas një zhvillimit të paqëndrueshëm, potenciali është i gjithi aty”, – ka thënë Rama. Më tej ai ka siguruar qytetarët e Vlorës por jo vetëm, se aksioni i pastrimit të kësaj vije bregdetare do të vazhdojë. “Unë jam i bindur që kushdo që kalon në pjesën e bregdetit të Vlorës në këmbë, pas pastrimeve të bëra, që do të vazhdojnë të kryhen deri në fund dhe shumë shpejt”, – tha Rama. Duke folur më konkretisht për projektin që kërkohet të realizohet Rama ka siguruar se ai do përfundojë para sezonit turistik të 2015 dhe ai do të përfshijë vijën bregdetare nga Pylli i Sodës deri në Ujin e Ftohtë. “Ky konkurs dhe ky projekt janë hapi i parë drejt realizimit të këtij zotimi. Ndërkohë që ky qytet dhe vija e tij bregdetare janë me siguri një sfidë për t’u fituar, në funksion të transformimit të gjithë vijës së përcaktuar nga konkursi, nga pylli i Sodës deri lart tek tuneli, në një realitet të ri evropian dhe urban të Shqipërisë së re turistike”, – tha kryeministri. Ai ka shtuar se qeveria që ai drejton është e vendosur që këtë që po bënë me Vlorën ta bëjë me gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë. “Ne e kemi të gjithë vullnetin për ta realizuar projektin e ri të gjithë vijës bregdetare të Shqipërisë, duke filluar nga vija bregdetare qytetit të Vlorës dhe jam i bindur se në një kohë realitivisht të shkurtër, besoj do të na duhen afro dy vjet, ne do të mund ta prekim me sy dhe ta jetojmë si realitet këtë projekt që fillon sot”, – tha Rama. Por ndërsa ka theksuar se projekti i Vlorës do të realizohet brenda këtij afati pavarsisht burimeve financiare, për projektet e tjera ai ka theksuar se për to që të realizohen duhet që më parë të sigurohen lekët. Marrëdhëniet e ndera mes qeverisë dhe kreut të bashkisë së Vlorës duken edhe nga fotot që ka shpërndarë dje nga vet kryeministria, ku Gjika nuk është në asnjë prej tyre.
MAPO
Krijoni Kontakt